l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PARATHENIA

Gjeneral Rrahman Parllaku dhe mesazhet e shekullit të Tij

Dr. Hajri Mandri

Më 17 prill 2019, Heroi i Popullit, Gjeneral Rrahman Parllaku, mbush një shekull jetë duke u bërë model i mbijetesës, qëndrimeve dhe vlerave. Me memorje të freskët, dhe shëndet të mirë, bart në kujtesë imazhe groteske të skenave më të skajshme të një intelektuali me një veprimtari të dendur në drejtim, veprim dhe qëndrim dhe na vjen në jubileun e 100 vjetorit të tij, si dëshmitar okular i historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, sublimitetit dhe vlerave, arritjet dhe gabimet historike, luftërat dhe qëndresat, ëndrrave dhe shpresave që rriteshin e veniteshin nën një mbijetesë sakrale.
I lindur në Veri të Shqipërisë dhe rritur e formur në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme, Gjeneral Parllaku e njohu Atdheun gjeografik me pëllëmbë, duke qenë prezent në të gjitha ngjarjet dhe sfidat e kohës, si pjesëmarrës aktiv në bëmat e mëdha në luftën për liri, dinjitet shoqëror dhe demokraci. Ai lëviz në historinë e shekullit të tij, hijerëndë me vyrtyte të larta, me përkushtim kombëtar, qytetar e shoqëror me ndikim të fuqishëm publik. Jetën dhe veprën e tij nuk e nxënë kufijtë e shqipërisë shtetërore, por atë do ta gjejmë në luftëra dhe përpjekje dhe në viset e tjera shqiptare, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Në spiralet e historisë, Gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet duke patur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës. Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuinesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e Tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcjell përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv.
Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e Gjeneral Parllakut, atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për Atdheun e tij, si leitmotiv vijues mbikohor që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e Tij e përshkruar në këtë libër është një shembëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigand hijerëndë që ngjitet i sigurtë në bedenat e kalasë.
Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situate të ndryshme pati dhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën Gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare.
Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjygje ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua Heroit herë me tufa me lule herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj.
Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai është një model i ardhur nga genocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja.
Mbi 20 vjet në krye të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike duke dhënë edhe në moshë pensioni, një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqëta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e Tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim Gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes