l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Njëzet vjet më parë, gjeneral Parllaku është shprehur kundër ndarjes së Kosovës

Të flasim me një gjuhë për Kosovën

 

Njëzet vjet më parë, gjeneral Parllaku është shprehur kundër ndarjes së Kosovës. Pikërisht para dy dekadash kur Kosova sapo kishte fituar lirinë, falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj klikikës kriminale të Beogradit, gjenerali legjendë në kufirin e tri kohëve, në një artikull të botuar në Gazeta “Republika” të datës 10 Qershor 1999, do të dënonte ashpër mbështetjen që Rusia po i bënte barbarisë serbe. “Rusia po e thellon krimin e bërë më parë, pasi edhe sot në prag të shekullit të ri po mbështet barbarinë serbe. Ajo është furnizuesi kryesor me armë të kohës e në sasi të mëdha të ushtrisë serbe, me të cilat kriminelët e Millosheviçit po vrasin gra, fëmijë e pleq në Kosovë, po shkatërrojnë, djegin e rrafshojnë pasurinë e tyre dhe po bëjnë spastrimin total etnik të shqiptarëve. Rusët në asnjë rast nuk i kanë kundërshtuar e dënuar këto barbarizma, përkundrazi ata janë ngritur në këmbë kundër bombardimeve të Serbisë, që kanë për qëllim ta detyrojnë kriminelin Millosheviç t’i jap fund barbarisë serbe në Kosovë dhe të pranojë kushtet e vëna nga NATO, në mënyrë që t’u kthehet siguria të dëbuarve që mezi po presin të kthehen në trojet e tyre edhe nëse shtëpitë i kanë të djegura e të shkatërruara, po shqiptarët kurrë nuk do ta ndjenin veten të sigurtë po të ktheheshin në zonën ku do të kishte trupa ruse dhe aq më tepër nëse këto trupa nuk do të ishin nën komandën e NATO-s”,-shkruante atëhere gjeneral Parllaku. Falë vizionit dhe largpamësisë së tij, “Heroi i Popullit” dhe “Nderi i kombit” do të konkludonte se: “Ky është momenti që kemi fatin të kemi në anën tonë bashkësinë ndërkombëtare e NATO-n e duhet të mos e humbim këtë shans. Veçanërisht me përgjegjësi do t’i ngarkojë historia udhëheqësit partiakë e shtetërorë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë, që duhet t’i lenë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet e të flasim me një zë për çështjen kombëtare, se vetëm kështu do të na dëgjohet zëri e nuk do të jemi të injoruar”.


(Më poshtë po ribotojmë të plotë artikullin e tij të datës 10 Qershor 1999 në Gazeta “Republika”.

Shqiptarët do të kundërshtonin me çdo mënyrë e mjet një plan që do të parashikonte ndarjen e Kosovës në zona në mes të forcave paqeruajtëse dhe sidomos do të reagonin ashpër në qoftë se forcat ruse vendoseshin në kufirin verilindor të Kosovës dhe pa qenë nën komandën e NATO-s. Me një veprim të tillë do të sanksionohej ndarja de fakto e Kosovës dhe do të shpërblehej mirë i akuzuari i Gjyqit të Hagës, krimineli Millosheviç për genocidin dhe spastrimin etnik të Kosovës.
Rusia dihet që historikisht ka mbështetur veprimet e sllavëve të Jugut për pushtimin e trojeve tona etnike. Ajo ka qenë shkaktarja kryesore në mes të Fuqive të Mëdha Evropiane, që me vendimet në Konferencën e Londrës 1913 copëtuan pjesën më të madhe të trojeve shqiptare në mes të sllavëve dhe grekërve, duke u dhënë serbëve më shumë se gjysmën e tyre. Po nëqoftëse Fuqitë e Mëdha Evropiane, anëtarë të NATO-s, po përpiqen sot të ndalojnë barbarinë e mëtejshme serbe kundër shqiptarëve dhe të ndreqin sado pak fajet e tyre të së kaluarës për tragjedinë që i kanë shkaktuar kombit tonë.


Rusia po e thellon krimin e bërë më parë, pasi edhe sot në prag të shekullit të ri po mbështet barbarinë serbe. Ajo është furnizuesi kryesor me armë të kohës e në sasi të mëdha të ushtrisë serbe, me të cilat kriminelët e Millosheviçit po vrasin gra, fëmijë e pleq në Kosovë, po shkatërrojnë, djegin e rrafshojnë pasurinë e tyre dhe po bëjnë spastrimin total etnik të shqiptarëve. Rusët në asnjë rast nuk i kanë kundërshtuar e dënuar këto barbarizma, përkundrazi ata janë ngritur në këmbë kundër bombardimeve të Serbisë, që kanë për qëllim ta detyrojnë kriminelin Millosheviç t’i jap fund barbarisë serbe në Kosovë dhe të pranojë kushtet e vëna nga NATO, në mënyrë që t’u kthehet siguria të dëbuarve që mezi po presin të kthehen në trojet e tyre edhe nëse shtëpitë i kanë të djegura e të shkatërruara, po shqiptarët kurrë nuk do ta ndjenin veten të sigurtë po të ktheheshin në zonën ku do të kishte trupa ruse dhe aq më tepër nëse këto trupa nuk do të ishin nën komandën e NATO-s. Është bindja e përgjithshme se rusët do të pengojnë kthimin e të dëbuarve shqiptarë në trojet e veta, duke plotësuar boshllëkun që krijohet me kolonën serbe.


Shqiptarët duan një paqe që t’u japë fund padrejtësive shekullore që janë bërë në kurriz të tyre, padrejtësi që e kanë paguar e po e paguajnë me gjak e sakrifica mbinjerëzore që na ka shkaktuar e po na shkakton barbaria serbe. Ata duan të jetojnë të lirë e me dinjitet në tokën e tyre, e kjo arrihet vetëm kur të zbatohen, e përsëris, pikë për pikë pesë kushtet që NATO i ka vënë kriminelit Millosheviç, pasi dihet se asnjë marrëveshje me Millosheviçin nuk ka pasur jetë në të kaluarën dhe aq më pak mund të ketë tani, kur ai është i cilësuar nga Gjykata e Hagës kriminel lufte. Po mbetemi tepër skeptik kur dëgjojmë se paqja vendoset pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, me bisedime direkte dhe duke i bërë lëshime të pajustifikueshme të akuzuarit të Gjyqit të Hagës, kriminelit Millosheviç.


Ky injorim nga faktori ndërkombëtar i detyron të gjithë shqiptarët, që o sot o kurrë të jenë të bashkuar për të mbrojtur çështjen tonë kombëtare. Ky është momenti që kemi fatin të kemi në anën tonë bashkësinë ndërkombëtare e NATO-n e duhet të mos e humbim këtë shans. Veçanërisht me përgjegjësi do t’i ngarkojë historia udhëheqësit partiakë e shtetërorë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë, që duhet t’i lenë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet e të flasim me një zë për çështjen kombëtare, se vetëm kështu do të na dëgjohet zëri e nuk do të jemi të injoruar.


Gazeta “Republika”
10 Qershor 1999.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes