l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PAS DEBATIT PËR LUFTË CVILE NË SHQIPËRI (1939 - 1944)

“Ne kemi bërë Luftë çlirimtare dhe jo Luftë civile”

Në një intervistë në një televizion kombëtar për debatin e hapur nëse ka patur luftë civile në Shqipëri në periudhën 1939-1944, “Heroi I Popullit”, Gjeneral Lejtnant Rrahman Parllaku u përgjigj në mënyrë kategorike se nuk kemi luftuar kundër ballistëve dhe as ballistët kundër partizanëve, ndonëse në historinë 5-vjeçare të luftës ka patur përplasje sporadike midis forcave tona.
Më poshtë po japim intervistën e Gjeneral Lejtnant Parllakut dhënë gazetarit Ilir Bushi për gazetën “ SOT”, datë 5 Tetor 2011.

Zoti Parllaku, a është zhvilluar luftë civile në Shqipëri gjatë viteve 1939 – 1944 ?
E para gjë që duhet të pranojmë, ka të bëjë me ndarjen e kësaj lufte në dy faza, pasi kemi dy okupatorë. Pra kemi pushtimin italian 1939-1943 dhe pushtimin gjerman që vijon deri në Nëntor 1844. Kjo ndarje na ndihmon të japim një gjykim më të plotë dhe më të saktë.

Cili është mendimi juaj ?
Kur bëhet fjalë për luftë civile, duhet të kemi parasysh se çfarë e dallon një luftë civile nga një luftë çlirimtare. Dhe për periudhën 1939-1943, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, nuk bëhet fjalë për terma të tilla.

Përse keni arritur në këtë përfundim ?
Sepse vetë zhvillimet historike ishin të tilla. Për shembull, unë flas për Vlorën, ku komandant i forcave të Ballit Kombëtar për Jugun ka qenë Hysni Lepenica. Ky personalitet i madh jo vetëm nuk ka luftuar kundër partizanëve, por përkundrazi në luftën kundër mercenarëve të Halil Alisë që erdhën për shkelur Lumin e Vlorës, Hysniu ka qenë bashkë me ne. Gjithashtu, në luftën për të dëbuar karabinierinë italiane dhe shoqërinë e huaj minerare të Selenicës, Hysniu ishte në krahun tonë. Po ashtu në luftën që është bërë në Patos, në Kalanë e Margëlliçit ka qenë me ne. Madje këtu ka rënë një dëshmor i Ballit.
Pra, me këtë dua të them se nuk kemi patur luftë civile, por bashkëpunim të ngushtë me forcat e Hysni Lepenicës, i cili ishte padyshim një patriot.
Ndërkaq, forcat italiane kanë ndërmarrë disa operacione kundër nesh, siç ishte rasti i operacionit ku u vra komandanti tyre me gradën e kolonelit dhe që ndihmoheshin nga forcat e Halil Alisë.
Disa ditë para kapitullimit, forcat italiane bënë operacionin e fundit kundër nesh pikërisht në zonat Mallakstrër, Tepelenë, por edhe në këtë operacion ka patur bashkëpunim dhe jo luftë me forcat e Ballit.
Pra, deri në këtë periudhë nuk janë shënuar luftime në front të partizanëve kundër ballistëve apo anasjelltas. Por, për hir të vërtetës, ka patur disa raste sporadike.

Cilat ishin këto ?
Në luftën e Mezhgoranit (Kuqanit) në korrik të vitit 1943, ku është vrarë Asim Zeneli. Kjo ishte beteja e parë që bëhej në shkallë kombëtare ku mori pjesë qarku i Korçës, Gjirokastrës dhe ai i Beratit dhe kur po ktheheshin forcat e Qarkut të Korçës u ndeshën me forcat e Luan Kurteshit. Aty u krijua një keqkuptim, ku u vranë dy vetë, por nuk u bë ndonjë luftë e madhe. Më vonë forcat e Safet Butkës vranë vëllain e Petrit Dumes, kur po laheshin në lumë.

Çfarë ndodhi pas kësaj ?
Pastaj i sollën Petritit 8 vetë që kishin kapur robër dhe Petriti i pyet “Cili nga ju e vrau?”
Ata ngritën supet dhe askush nuk u përgjigj.
Atëherë Petriti porositi që t’u merren armët dhe të lëshohen. “Unë nuk do të shpall luftë me ballistët për vrasjen e tim vëllai”. Kështu u bë. Tetë ballistët u lëshuan. Nga ana tjetër edhe komandanti Safet Butka bëri një gjest fisnik duke i përjashtuar nga radhët këta të tetë. Deri këtu nuk kemi konflikte e përplasje të armatosur midis ballistëve dhe partizanëve.

Pas kapitullimit të Italisë Fashiste çfarë ndodhi ?
Pas ardhjes së gjermanëve ndryshoi situata. Tani fillojnë përpjekjet midis forcave balliste të rreshtuara në krah të gjermanëve dhe forcave partizane. Pra, në thelb lufta është bërë për çlirimin e vendit. Nuk kemi një divizion, një brigadë, një njësi të Ballit Kombëtar apo të Legalitetit që të luftonte kundër partizanëve.
Operacioni i dimrit 1943-1944 që filloi nga Tropoja dhe mbaroi në Vlorë ka qenë një operacion i gjermanëve kundër forcave partizane. Nëse ka patur forca të Kadri Cakranit që ishte komandant i Ballit, këto ishin të inkuadruara në forcat gjermane.
Po kështu edhe Operacioni i Qershorit 1944 që filloi pas Kongresit të Përmetit, u zhvillua nga gjermanët kundër forcave partizane, por këtu nuk duhet të harrojmë faktin se forcat partizane kishin struktura të rregullta të organizuara mirë ushtarakisht duke filluar që nga çetat, batalionet, brigadat e divizionet e deri koorparmatat. Pra, ishte një ushtri e rregullt kundër okupatorit. Lufta jonë ishte luftë antifshiste, pjesë e Aleancës Antifashiste të popujve. Luftën Nacionalçlirimtare Shqiptare e njohën aleatët. Anglezët dërguan misionet e tyre për asistencë ushtarake dhe për ndihma konkrete logjistike si; armë, ushqime, veshmbathje, para etj. Forcat çlirimtare partizane kanë patur një organizim të plotë nga Tropoja deri në Konispol. Episode sporadike ka patur nga të dy anët. Mund të përmend rastin e Mehmet Shehut që ka vrarë në Lushnje apo të Shefqet Peçit, që pushkatoi 22 vetë në Buzëmadh të Kukësit dhe katër të tjerë në fshatin afër, sepse forcat e Muharrem Bajraktarit vranë komandantin e batalionit partizan Hysen Çino. Por për këto raste nuk mund të thuhet se ka patur luftë civile.
Raste të tilla kanë ndodhur edhe ne fundin e luftës. Unë duke qenë pjesëtar dhe drejtues i kësaj lufte nuk mund t’i marrë këto episode si material për të formësuar thelbin dhe për të nxjerrë konkluzionin e gabuar se në Shqipëri ka patur luftë civile, në Shqipëri ka patur pushtues të huaj që i detyruam të largoheshin të mundur. Ne u radhitëm me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. Dhe ky është thelbi.

Gazeta “SOT”, datë 5 tetor 2011.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes