l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

është detyra jonë t’i përkujtojmë datat dhe ngjarjet e luftës, të mirëmbajmë simbolet e saj pllakat përkujtimore

SI E ÇLIRUAM KOSOVËN DHE U MBËSHTETËM NGA KOSOVARËT

Z. Parllaku, kur keni qenë për herë të fundit në Kosovë ?
Në Kosovë kam qenë shpesh dhe kjo mund të jetë e tridhjeta herë që vij këtu. Arsyeja është e thjeshtë. Unë e dua Kosovën dhe jam pjesë integrale e Kosovës. Unë e kam dashur Kosovën edhe para se të ngarkohesha për të çliruar territoret e saj sepse Kosova është e bukura e dheut, është dhimbja dhe krenaria jonë e ligjshme, sepse Kosova është pjesë e trungut shqiptar dhe një ditë padyshim do të bashkohemi si më parë, në atë që quhet Shqipëria natyrale.

Me çfarë udhëtuat dhe sa njerëz ju shoqëronin për në Prishtinë ?
Udhëtuam me makina dhe bashkë me mua kanë ardhur rreth 30 veta, kolegë, veteranë, intelektualë e gazetarë. Udhëtuam nga rruga e re ose siç i thonë tani nëpërmjet Rrugës së Kombit.

Po 66 vjet më parë si keni udhëtuar drejt Kosovës ?
Sigurisht kemi ecur në këmbë, kemi marshuar, kemi zhvilluar luftime, e kemi çliruar Kosovën pëllëmbë për pëllëmbë. Ishte marrshimi i dy brigadave përmes pritave të pushtuesve dhe kuislingëve, por edhe përmes dashurisë dhe ngrohtësisë të popullit kosovar. Rruga që kemi bërë atëherë kalonte nga Kruma, Tropoja, Rrafshi Dukagjinit, Qafë Morina, Prizreni, Peja etj.

Si ju erdhi urdhri për të marshuar drejt Kosovës ?
Në prag të mbarimit të luftës apo në fund të saj, dy divizionet tona dhe pikërisht ai që komandoja unë dhe ai që komandonte Gjin Marku morëm si detyrë që të luftonin matanë kufirit, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të ish Jugosllavisë.

Kush ua dha këtë urdhër ?
Detyrën na e dha Komandanti i Korparmatës së I-rë, Gjeneral Dali Ndreu, në Priskë të Tiranës duke na thënë: “Do të shkoni në Kosovë, do të luftoni së bashku me popullin kosovar.”, sepse atje duke qenë Xhafer Deva me forcat e tij mercenare, ishte hapur një nam i keq që mund t’i kushtonte Kosovës për brezat e ardhshëm.

 

Çfarë ishte ky nam i keq ?
Duke qenë Divizioni SS dhe Regjimenti Kosova, serbëve u interesonte që ta quanin popullin e Kosovës si bashkëpunëtor të gjermanëve për të bërë më vonë spastrime etnike, njëlloj si mashtrimi që bënë grekët me popullsinë çame. Këtu synonte edhe plani i Çbrilloviçit për të spastruar Kosovën, por kosovarët morën pjesë në Luftën Antifashiste, mbi 50 mijë vetë u inkuadruan në armatat partizane jugosllave. Në Divizionin e V-të që komandoja unë morën pjesë 1600 kosovar dhe serbët e mbyllën gojën, ndërsa Titoja nuk kishte asnjë justifikim për t’i përzënë nga trojet e tyre.

Po me forcat e Xhafer Devës çfarë ndodhi ?
Me ata u përplasëm sepse forcat e Xhafer Devës ishin organizuar nga gjermanët. Xhafer Deva ishte ai që kishte organizuar në Tiranë vrasjet e 4 shkurtit. Gjermanët kishin organizuar forcat e Xhafer Devës në Divizionin e Gardës për të siguruar tërheqjen e forcave gjermane. Dhe gjatë kësaj kohe ata vranë 32 vetë nga divizioni ynë, ndërkohë që 40 të tjerë mbetën të plagosur. Edhe nga forcat e Xhafer Devës pati të vrarë dhe të plagosur. Në fund të luftës në zumë 27 ushtarë të tyre, por unë i lirova sepse ata nuk kishin faj. Fajin e kishin krerët e tyre, ata që i kishin mobilizuar dhe që atë ditë ia kishin mbathur duke i braktisur ushtarët.

Gjatë kësaj vizite në Prishtinë a do të shkoni tek varrezat e dëshmorëve të luftës që të nderoni luftëtarët që ke komanduar ?
Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ne na u vranë 600 luftëtarë që janë shpallur dëshmorë dhe që janë varrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Unë kam qenë në strukturat drejtuese të Ushtrisë shqiptare dhe kam këmbëngulur që eshtrat e tyre të ktheheshin dhe kështu u bë. Tek Varrezat e Dëshmorëve të Prishtinës unë nderova vëllezërit kosovarë që luftuan bashkë me ne.

Si e kujtoni ditën e çlirimit të Kosovës dhe ditën tuaj të fundit në Prishtinë?
Me shumë emocione. Merreni me mend vetë. Kur shkova atje, gjeta ankthin e pushtimit, ndërsa kur ika që andej lashë nga pas lotët e gëzimit dhe festën e çlirimit.
Mbaj mend gjithashtu se kur ika nga Prishtina ishte data 1 Maj e vitit 1945. Pas një ceremonie festive u përcollëm me ngrohtësi nga vëllezërit kosovarë dhe u ndamë prej tyre me lot në sy, njëlloj siç ndahet vëllai me vëllanë, për t’u takuar përsëri në ditët vijuese. Për mua janë dhjetëra herë vizitat në Kosovën heroike, të cilën e kam gjithmonë në zemër dhe në shpirt. Kosova e lirë ka qenë ëndrra e Jetës time !

Intervista në Gazetën “ SOT “
20 Tetor 2011




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes