l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“Një shekull në memorie”, libër me vlera historike, që do ti shërbej brezave të kombit shqiptar

Gjykim e qëndrim konseguent ndaj së vërtetës

Më ka mbetur i gdhendur në memorie ai mëngjes i ditës së Enjte 7 Qershor, sepse gjenerali më surprizoi, kur më tha se më kërkonte një ndihmë. Në moment më pushtoi vetëtimthi një ndjenjë e papërcaktueshme, e pakonceptueshme, po kur e pyeta gjeneralin se çfarë ndihme më kërkonte, ai, ashtu buzagaz m’u përgjigj se kishte bërë plan të hidhte në kompjuter të gjithë veprimtarinë publicistike, ku sipas datave e viteve të përmblidhte artikujt, intervistat e kujtimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për ti botuar në një vëllim publicistik. Nuk u mendova asnjë minutë e i dhashë një PO të madhe ose “Një si urdhëron Gjeneral“, nuk mund të “diskutohet”, dëshira juaj veç “zbatohet” e realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme. Ai më tha që nuk të kufizoj në kohë, pasi kemi edhe kampionatin botëror “Rusia 2018 “përpara. Unë nuk i bëra ndonjë hesap në kohë, por u angazhova totalisht dhe brenda pothuaj kampionatit ia përfundova 240 faqe të printuara dhe i thashë se të gjitha materialet që më kishte dhënë, unë i kisha përfunduar.
Ky besim i madh i tij më bënte që të mos mendoja aspak për impenjimin dhe angazhimin tim që do të kërkonte kohë për hedhjen e këtij materiali në kompjuter, pasi e konsiderova si një privilegj që më jepej dhe jo si ngarkesë, sepse duke punuar materialet unë pata fatin të “prekja” çdo fjalë e fjali të tekstit, pra, më krijonte mundësinë t’i lexoja mendimet e hershme dhe të tanishmet të gjeneralit në të gjithë thellësinë e tyre dhe shumë nga këto ngjarje që shtjellohen nga gjenerali tashmë janë përjetuar edhe nga unë dhe kam rastin të shpreh mendimet e vlerësimet e mia për disa prej tyre që nga historia na janë dhënë jo me vërtetësi.
Së pari. Jam fatlum që gjenerali më dha mundësinë, që as më kishte shkuar në mëndje se do të mund ti jepja këtë ndihmë miqësore e shoqërore këtij personaliteti 100 –vjeçar, i cili është një arshivë e gjallë e katër periudhave shumë të rëndësishme historike të Kombit Shqiptar, sipas gjykimit tim:
- Periudha e Mbretërisë deri më 1939,
- Periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, 1939-1944,
- Periudha e shtetit të diktaturës 1945 – 1991,
- Periudha e ndryshimit të sistemit nga diktatura në demokraci 1991 – 2018.
Duke u njohur me të gjitha materialet publicistike të hedhura në kompjuter nuk mund të mos arrish në konkluzionin e madh se gjenerali dallohet për një gjykim e qëndrim konseguent ndaj së vërtetës duke e shkruar atë ashtu siç ka ndodhur, duke u ndalur në çdo ngjarje e problem si gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar që e bashkoi vendin tonë me Aleancën e madhe Antifashiste të Popujve të Botës, ashtu dhe për problemet dhe ngjarjet gjatë periudhës së diktaturës komuniste, kohë në të cilat ka qenë ngarkuar me detyra të larta në Ushtrinë shqiptare, por edhe për problemet e ngjarjet jo të pakta të periudhës së demokracisë pas vitit 1991, të cilat kanë qenë probleme jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe të Kosovës në veçanti si dhe të mbarë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, por edhe në Çamëri ku gjenerali nënvizon se problemi çam është një çështje e pazgjidhur e kombit shqiptar.
Duke punuar e hedhur këto materiale në kompjuter unë shprehem me plot gojën që arrita ta krijoj një njohje shumëplanëshe të këtij personaliteti e kontribuesi të palodhur, i cili gjithë jetën e ka vënë në shërbim të çështjes kombëtare, si fizikisht edhe mendërisht edhe tani që e ka kaluar shekullin, prandaj shprehem se ai është një arshivë e gjallë që duhet “shfrytëzuar” për t’ia vjelë gjithë atë pasuri mendore që posedon në atë trurin e tij.
Unë fizikisht e kam njohur gjeneralin që nga viti 1972, them fizikisht sepse atëherë ishte në detyrën e lartë të Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe unë isha ngarkuar nga Drejtoria e Zbulimit për t’i çuar në zyrë çdo mëngjes Informacionin 24 orësh të Drejtorisë së Zbulimit. Unë atëherë ish oficer fare i ri, 21 –vjeçar dhe ai, sapo i shkelje në zyrë pasi të thoshte hyr, ngrihej nga tavolina e të përshëndeste duke të shtrënguar dorën me respekt. Këto ishin mbresa të pashlyeshme për mua si oficer i ri dhe ndoshta është ky respekt i tij që të bën “Borxhli” te këtij personaliteti.
Hedhjen e këtyre materialeve në kompjuter nuk e konsideroj thjesht një proces kompjuterik, por edhe një njohje me realitetin e shume ngjarjeve historike, duke rivlerësuar ngjarjet nën vërtetësinë që argumenton gjenerali, si pjesëmarrës dhe kontribues në realizimin dhe zgjidhjen e shumë problemeve me karakter e rëndësi kombëtare. Në çdo problem spikat mendimi racional, i kthjellët dhe i drejtë i tij, që megjithëse kanë kaluar vite ai i shtjellon ngjarjet e problemet me realizëm dhe me një kujtesën e rrallë të një poliedriku të madh.
Gjenerali është një figurë poliedrike. E theksoj këtë, pasi ai nuk i përket vetëm fushës ushtarake, ku gradat i ka marrë direkt në betejat frontale me armikun gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe me kontributin e tij në organizimin dhe përgatitjen luftarake të Forcave të Armatosura, pasi ai ka kryer e drejtuar Forcat Ushtarako-Detare, Forcat Ushtarako-Ajrore por edhe gjithë Forcat e Armatosura duke qenë për shume vite Zëvendës ministër i Mbrojtjes dhe Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Ai i ka treguar aftësitë e tij edhe në fushat ekonomike e politiko- shoqërore të vendit, si edhe në zgjidhjen e çështjes kombëtare me angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës, në luftën e UÇK-së si dhe që shqiptarët e kudondodhur në trojet e tyre etnike të fitojnë të drejtat e tyre nacionale dhe demokratike të barabarta me nacionalitetet e tjera.

Trifon Llupo
23 Korrik 2018



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes