l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Bombardimet ndaj RFJ-së zgjatën nga 24 marsi deri më 1 qershor 1999. Kjo ishte ndërhyrja e dytë e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë

SALIH MYFTAR KOLGECI ,
personalitet i spikatur i arsimit kombëtar

Ali Demushi

Salih Myftar Kolgeci lindi me 18 Maj 1910,në fshatin Kolgecaj,sot qyteti “Bajram Curri” të rrethit Tropojë, Malësi e Gjakovës, në një familje me tradita atdhetare e patriotike. Ai u nda nga jeta 30 vjet më parë, me 28 Qershor 1989 në qytetin e Elbasanit.
Baba i tij Myftar Mustafa Kolgeci ishte rritur jetim dhe në moshën 14 vjeçare, mori zotshpillekun. Kjo detyrë e poqi, e kaliti dhe e burrëroi para kohe. Ai duke u përfshirë në kuvende burrash në Odat e Malësisë kreu si të thuash shkollën e edukimit atdhetar e patriotik dhe me mençurinë që e karakterizonte, shumë shpejt hyri në rrethin e burrave të mençur të Malësisë së Gjakovës, ku fjala e tij kishte peshë e zinte vend me pleqërimin (gjykimin) që u bënte problemeve të rëndësishme të kohës. Myftari mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet që u mbajtën në Malësi dhe në Rrafshin e Dukagjinit (në Kosovë),për çlirimin e mbrojtjen e trojeve Shqiptare nga armiqtë e shumtë Turq,serbomalazezë etj.
Ishte pranvera e vitit 1912, pragu i kryengritjes së përgjithshme kur e gjithë Kosova dhe Malësia e Gjakovës morën armët për të luftuar kundër ushtrisë Turke, ku Mustafa me Çetat e Malësisë. Ai u kap në befasi nga ishtria Turke në fshatin Hereç të Gjakovës dhe për hakmarrje u ekzekutua barbarisht duke e lidhur poshtë barkut të kalit të tij që e tërhoqi zvarrë deri sa vdiq.
Varrimi i Myftarit është bërë në fshatin Gramaçel të Gjakovës në Prill 1912.
Bajram Curri, në shenjë kujtimi e respekti të veçantë për Myftarin si bashkëluftëtarë e Dëshmor i Atdheut, i dërgoi djalit të tij, Sali Myftar Kolgecit një “Mauzer” të ri Turkije, për t’a përdorur kur të rritej për mbrojtjen e atdheut. Por në vitin 1915 kur Salihi ishte pesë vjeç, armën ia morën ushtarët malazez që kishin hyrë për të dytën herë në Malësi duke bërë masakra nga më çnjerzoret.
Myftar Mustafa është shpallur Dëshmor i Atdheut në vitin 1983, për veprimtarinë e tij atdhetare e patriotike.
Sali Kolgeci mbeti jetim në moshë të mitur duke aptur të njëjtin fat si baba i tij Myftar Mustafa. Ai u rrit nën kujdesin e të afërmeve të tij në vllazninë e Mustafajve në Kolgecaj.Me përkrahjen e tyre dhe të mësuesve mundi të kryente shkollën fillore në vendlindje në shkollën - Internat (Konvikt) “Kosova” duke dalë me rezultate të shkëlqyera (të gjitha notat 1 (njisha),dhjeta të sotme.Ai pati fatin e mirë që kishte mësues e edukatorë,figura të shquara të arsimit tonë kombëtarë nga Kosova siç ishin: Niman Ferizi (“Mësues i Popullit”) ish sekretar i Bajram Currit që me propozimin e tij u zgjodh deputeti i Malësisë së Gjakovës në Parlamentin Shqiptar të 1923.

Ai ishte drejtori i parë i shkollës në Kolgecaj në vitin shkollor 1923-1924.
Ibrahim Fehmiu, i cili e ndihmoi Salihin që të futej ne konviktin Internat “Kosova”, jo vetëm se ishte jetim,por edhe nxënës shembullor në mësime, në sjellje e kudo. Ai zëvendësoi në detyrë Niman Ferizin pasi ky shkoi në parlament.
Në klasën e parë ne vitin shkollor 1923-1924, Salihi pati mësues nga Gjakova, Osman Shaqirin (siç e thërrisnin Mana Shaqa), ndërsa në klasën e tretë pati mësues një gjakovar tjetër, Sali Morinën (Sot “Mësues i Popullit”) i cili në vitin 1925 u bë drejtori i Shkollës - Konviktit “Kosova. Ai ishte një patriot i madh që nguliti te nxënësit dashurinë për atdheun. Salih Kolgeci me zgjuarsinë e tij mundi të përfundojë shkollën fillore nga 6 vjet që ishte, në 4 vjet, nga viti 1923-1926. Në vitin 1926 me ndihmën e Drejtorit të Shkollës Sali Morina, mori bursë për studime në shkollën e mesme Normale në Elbasan, sëbashku më dy shokët e tij. Asim Vokshi (sot “Hero i Popullit) dhe Rexhep Shpendi, por Asimi në fakt shkoi në Gjimnazin e Shkodrës. Në Normalen e Elbasanit, Salihi pati mësues dy nga figurat më të spikatura të arsimit tonë kombëtar, Prof Aleksandër Xhuvanin dhe Prof.Ahmet Gashin. Aty studioi nga viti 1926-1931 dhe u diplomua: “Mësues për Shkollat Fillore”, por që më vonë me aftësitë e tij u bë mësues e drejtues i Shkollave 8 vjeçare, të mesme gjimnaze e normale si dhe mësues e drejtues i kurseve pedagogjike verore për gjuhën Shqipe në Kosovë.
“Mësuesi i Popullit”, Prof. Gani Ratkoceri në kujtimet e tij për mësues Salihin shprehej se: “Unë mësuesin Salih Kolgeci do ta quaj profesor ndonëse fjala mësues është e shenjtë dhe megjithëse këtë titull shkencor se ka pasur për arsye objektive. Por me punën arsimore dhe shkencore që ka bërë në Shqipëri e Kosovë, e meriton plotësisht, sepse më shumë ka dhënë ai pa këtë titull se ata që e kanë pasur. Për aftësitë dhe kulturën e gjerë që ka pasur ai ka dhënë mësim edhe në shkollat e mesme gjimnaze e normale në Kosovë.
Detyrën e Shenjtë të mësuesit Salih Kolgeci e filloi në Shishtavec të Kukësit në tetor 1931-1937. Ja si e kujton punën e mësuesit në Shishtavec, vet Salihi:
“Ta besoni se për Shishtavecin ndjej një sipmati të veçantë,saqë më duket si vendlindja e dytë, ku gjashtë vjet rresht punova me mish e me shpirt, me pasion e vullnet të çeliktë, për të edukuar ata vocrrakë që kur vinin në shkollë, s’dinin t’i thonin bukës-bukë as ujit-ujë. Knaqësia më e madhe për mua ishte kur ata mësuan të flasin e të shkruajnë në gjuhën e ëmbël të Naimit,të Çajupit,të Mjedës e të Migjenit”.
Ja si e kujton ish mësuesin e tij Salih Kolgeci në Shishtavec të Kukësit,Gjeneral Rrahman Parllaku “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”: “..............Sali Kolgeci ka dhënë mësim dhe ka drejtuar shkollën e Shishtavecit deri në vitin 1936. Me punën dhe sjelljen e tij shumë korrekte në mësimin dhe edukimin e nxënësve ,kishte fituar dashurinë e respektin jo vetëm të fëmijëve -nxënës por edhe të prindërve të tyre....falë kujdesit prindëror dhe ndihmës që më dha mësuesi Salih dhe përkushtimit tim,e mbarova shkollën shkëlqyeshëm.......ndihmesa e tij ka qenë shumë e madhe edhe në zhvillimin e arsimit në Kosovë.....”.
Nga viti 1937-1941 Sali Kolgeci shërbeu në Shkollat fillore si mësues e drejtor shkolle e inspektor arsimi në Qarkun e Kukësit. Por si shumë mësues të tjerë nga Shqipëria iu përgjigj thirrjes për të punuar në Kosovë për hapjen e shkollave Shqipe dhe zhvillimin e arsimit atje si domosdoshmëri imediate për identifikimin dhe ekzistencën e atij populli si komb shqiptar. Kështu që në Kosovë punoi për 16 vjet rresht nga viti 1941-1957 si mësues i gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare, të mesme gjimnaze e normale si dhe në kurset pedagogjike verore për të përgatitur kuadro mësimdhënës në gjuhën shqipe si një nga nevojat më emergjente.
Punën e mësuesit, Sali Kolgeci, në Kosovë e filloi në Gjakovë si mësues e drejtor i shkollës “Bajram Curri “ e më pas i shkollës Normale në vitet 1941-1945.
Në kujtimet për punën në Gjakovë ai thoshte: “Në Gjakovë aty kam punuar me pasion e dëshirë të madhe se populli i Gjakovës ishte i zhuritur për shkollë e për dituri në gjuhën amtare, si të vegjlit ashtu edhe të rriturit rrokën librat dhe erdhën të mësonin në shkollat e natës”.
Nga viti 1942-1943 Salihi kreu edhe detyrën e Drejtorit të Shkollës fillore “Bogdani” në Gjakovë,ndërsa në vitin 1944-1945 ishte Drejtor Didaktik i Gjimnazit në Prizren.

 

Ndërsa për një dekade 1946-1957 shërbeu në Prishtinë si mësues i gjuhës Shqipe në gjimnaz, në nomale dhe shkollën 8-vjeçare. Po në Prishtinë nga viti 1945- 1946 punoi në seksionin e arsimit si përkthyes e hartues tekstesh shkollore, njëherësh edhe hartues i programeve e planeve mësimore për gjuhën shqipe, për kurset pedagogjike verore.
Ai punoi edhe si redaktor letrar e punonjës shtypi në gazetën “Rilindja” e në revistën “Shëndeti” në vitin 1955-1957. Po në këtë periudhë ishte redaktor i të gjitha emisioneve në gjuhën Shqipe në Radio Prishtina. Ishte bashkpunëtor me Kabinetin Pedagogjik, me Shtëpinë Botuese “Mustafa Bakija” dhe Entin e Botimit të Teksteve, e Mjeteve Mësimore në Prishtinë. Me vlera të veçanta ishin punimi i dy Sintaksave të Gjuhës Shqipe si bashkëautor si dhe i abetares së parë të Gjuhës Shipe për të rritur në Prizren në vitin1946 me mësuesin tropojan Rexhep Shpendi.
Prof.Jup Kastrati, për punën e bërë nga Salih Kolgeci në fushën e arsimit në Kosovë vlerëson: “Në këtë histori të lavdishme të traditave të shëndosha të gjuhës shqiptare vendase,një kontribut të vyer kini dhënë edhe Ju,me tekstet shkollore të botuara në Kosovë, në dekadën 1949-1959, sidomos në fushën e Sintaksës Shqipe”.
Siç shihet veprimtaria e mësuesit Sali Kolgeci në fushën e arsimit dhe të mësimit të gjuhës Shqipe në Kosovë nga mbarë populli i saj, është i madh dhe i një rëndësie të veçantë, çka e identifikon atë popull si pjesë e Kombit Shqiptar, gjë të cilën shteti Jugosllav nuk e pranonte e për pasojë mësuesi Salih Kolgeci u survejua nga UDB-ja, u burgos dhe u shpall “I padëshirueshëm”, ndaj në nëntor të vitit 1957 u dëbuan nga Kosova, duke e nxjerrë në Morin të Kukësit bashkë me familjen. Pas kthimit në Shqipëri, Qeveria Shqiptare e dërgoi në Elbasan në një banesë që me vështirësi plotësonte kushtet e jetesës dhe e emëruan mësues të Gjuhës Shqipe në Shkollën 8-vjeçare të mbrëmjes “Naim Frashëri”. Aty punoi për nëntë vjet dhe në vitin 1966 doli në pension i pa vlerësuar për gjithë atë kontribut që kishte dhënë për arsimin tonë Kombëtarë në Shqipëri e Kosovë. Biles aty u mbajt nën survejim nga ish sigurimi i shtetit me që tek ai vinin shumë djem e burra emigrant kosovar për t’a takuar e çmallur me ish mësuesin e tyre. Ishte politika e sistemit të kohës që kosovarët i shikonin me dyshim dhe i trajtonin jo mirë. Në mënyrë figurative këtij realiteti i këndonte Rapsodi kosovar Dervish Shaqa,ku ndër të tjera thoshte: “Moj Kosovë kur ta ktheva shpinën, e lash borë e gjeta dimër”.
Ja si e shpreh Gjeneral Rrahman Parllaku këtë trajtim që iu bë Salih Kolgecit, pas kthimit në Shqipëri: “Pata fatin ta takoja mësuesin tim të dashur e të respektuar, Salih Kolgeci, shumë vite më vonë, kur e kishin përzënë serbët nga Kosova dhe zyrtarët e Shqipërisë e kishin vendosur në Elbasan. Por me keqardhje them se ai mbeti i zhgënjyer , pasi nga shteti ynë nuk u vlerësua e nuk u shpërblye ndihmesa e tij në përgatitjen e brezave të tëre malësore e kosovare. Biles ngurruan t’ia njihnin edhe vitet e punës në arsim me shkakun se nuk i llogaritej koha e shërbimit në Kosovë. Mësuesi Salih Kolgeci vetëm në demokraci u vlerësua duke iu dhënë Dekorata “Urdhri Naim Frashëri” i Klasit të Parë në vitin 1994 nga Presidenti Sali Berisha.
Në nderim e respekt për mësuesin Salih Kolgeci, Këshilli Bashkiak i Tropojës e ka shpallur “Qytetar Nderi” të Tropojës. Prof. Dok. Murat Gecaj ka shkruar një libër monografi për mësuesin Salih Kolgeci që punoi një jetë për atdheun dhe Arsimin Tonë Kombëtarë, ku përfshihen dokumenta, dorëshkrime, korrespondenca, kujtime e fotografi që përbëjnë një arkiv për studime të mëtejshme. Duke e përkujtuar mësuesin Salih Kolgeci, apeloj institucionet arsimore dhe qeveritë në Shqipëri e Kosovë për ta vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

*Kryetar i Degës së OBVL, Shkodër - Ushtarak në pension



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes