l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një roman epope që zë një vend të veçantë në gjithë krijimtarinë e tij intensive
POEZI

BASHKIM HOXHA VJEN ME NJË ROMAN PËR TË GJITHA KOHRAT

 

SHPENDI TOPOLLAJ

Dua të besoj se ishte shkrimtari i avanguardës parisieneZhan Kokto (Jean Cocteau), ai që tha njëherë se “Franca vuan ngaqë ka politikanë të mirë por që janë shkrimtarë të këqinj dhe shkrimtarë të mirë që janë politikanë të këqinj”. Sido që të jetë, e solla këtë në vemendjen tuaj për të saktësuar se Bashkim Hoxha i ka të dyja këto cilësi; edhe si shkrimtar edhe si politikan i mirë. Por në Parlamentin tonë, ku thuajse mungojnë që të dyja këto vlera, njerëz si ai janë të papranueshëm; aq sa kur ai tentoi të verë kandidaturën, një “burrë shteti” i tha se a je në gjendje ta mbrosh votën, thuajse ai po shkonte të konkuronte për artet marciale. Por Bashkimi ka vazhduar rrugën e tij intelektuale dhe ashtu si në gjithë krijimtarinë e tij, pra në dramat e shkruara, publicistikë dhe romane i ka shpërfaqur si kulturën e tij politike ashtu edhe talentin e tij të spikatur letrar, sikurse fare dukshëm e gjejmë këtë te libri i porsabotuar “Kronikat e Mjegullës”. Tek e fundit a nuk ishte Anri Bejli ai që thosh se “Politika është një gur në qafën e letërsisë…”? Kështu pra, krejt i shpenguar nga detyrimet dhe kurthet që rrjedhin prej saj, Bashkimi e ka mprehur lapsin për të artikuluar artistikisht mendimet dhe pikëpamjet e veta edhe mbi zhvillimet politike, pa asnjë paragjykim, dhe duke iu referuar retrospektivës tonë historike, me skena shpesh herë groteske e herë tragjike, çuditërisht të përsëritura e të përsëritura deri në mallkim. Përkthyesi i famshëm i Faustit të Gëtes, francezi romantik Zherar Nerval (Gerard de Nerval), gati dy shekuj më parë, shprehej se “E kaluara dhe e ardhmja e jonë përbëjnë një të tërë. Ne jetojmë në fisin tonë dhe fisi ynë jeton te ne.” Ja, pikërisht këtë ka pasur para sysh edhe Bashkim Hoxha në ndërtimin e këtij romani të cilin do ta quaja epope, dhe që patjetër zë një vend të veçantë në gjithë krijimtarinë e tij intensive, por edhe në zhvillimet letrare të viteve të fundit. Këtu, numri i personazheve ndofta nuk është aq i madh, por ngjarjet që pasojnë natyrshëm njera - tjetrën, kanë aq kuptim e forcë shprehëse dhe afrojnë para lexuesve aq histori, sa banale në dukje aq edhe përcaktuese për fatet e kombit tonë, sa s`do mjaftonin volume të tëra për t`i përshkruar.


Por Bashkimi, me kulturën, talentin dhe përvojën që ka, ka ditur t`i trajtojë ato me aq mjeshtëri artistike, sa asqë ndihet dora e kursyer e tij. Duke operuar kryesisht me frazën e shkurtër, ai është kujdesur jo vetëm për vendosjen e çdo fjale në vendin e vet, por edhe i ka dhënë asaj bukurinë dhe mençurinë e postulatit. Dhe i gjithë narracioni i tij, mbulohet nga një tis mjegulle, herë atmosferike e herë metaforike, ku e para mbulon dhe konfondon veprimet në sytë e të tjerëve dhe e dyta gjallon brenda ndërgjegjes së vetë njeriut. Zgjedhja e mjegullës, nuk ka asnjë përqasje me shkollën natyraliste që shkoi deri në pozitivizëm nga Ogyst Komte (August Comte) dhe Herbert Spenceri e deri diku nga mohimi i nevojës të qëndrimit kritik të shkrimtarit ndaj realitetit që u mundua të predikojë Zolai, pasi në këtë roman shkrimtari B. Hoxha nuk është një vëzhgues apatik dhe i ftohtë, por përshkrues dhe portetizues tërësisht realist. Pikërisht për këtë, nobelisti i vitit 1912 Gerhart Hauptman shprehej se “Letërsia lind nga historitë e vërteta.

Hëna, vajza gjashtëmbëdhjetë vjeçare e pa orientuar në jetë e cila i kërkon me vullnet të lirë Aziz beut çvirgjërimin, duar - duar transformohet në një grua të egër kur ndryshojnë kohët. Ajo të dhimbset, por edhe të shkakton të qeshura me veprimet e saj sipas parimit ato maja rripa - rripa.
Kapardisja e saj me kobure në brez, si kryetare e Këshillit, pikërisht në shtëpinë e Aziz beut dhe endja e këtij bodrum më bodrum për t`i shpëtuar akuzave si bashkëpunëtor i pushtuesve, të kujtojnë një pafundësi fatesh të atyre që dikur ishin askushi dhe zunë vende të pamerituara dhe atyre të tjerëve që nderoheshin dikur, sidomos për shkollimin dhe dashurinë për atdhe dhe më pas, sistemi nuk i deshi, madje i luftoi sa dhe si mundi. Por nuk është ky leitmotivi që përshkon romanin; pra as ajo metamorfoza që u ndodh fëmijëve të tyre dhe gjithë të tjerëve, personazhe që janë ndërlidhur aq harmonishëm. Bashkimi, të gjithë ata i ka vënë në shërbim të një synimi të madh: të na tregojë se sa të drejtë kishte ai i dituri që kur e pyetën se kush e ka ndryshuar më shumë historinë, Çezari apo Napoleoni, u përgjigj se “Historinë më shumë e kanë ndryshuar historianët”. Shqipëria mund të ketë kaluar pas ikjes me hap të rregullt të ushtarëve turq, dhe shpalljes së Pavarësisë, plot situata nga më të ndryshmet, por ajo që nuk ka lëvizur, ka qenë mania për ta transfiguruar historinë dhe për t`u përfshirë në të, shpesh edhe kur nuk ke pasur dhe nuk ke luajtur asnjë rol. Ndofta “Dekalogu” i Aziz beut, atij burrit që fliste për “Normën” e ritit druitik të Vinçenco Belinit, shpjegonte diçka, por Bashkim Hoxha ia ka dalë ta sqarojë më mirë vesin tonë që na ndjek si një mallkim i keq. Edhe vetë mbreti kur e thërret historianin Misto dhe i vë detyrë që të shkruaj broshurën për 25 vjetorin e Pavarësisë, në heshtje i le të kuptojë se duhet shkruar veçanërisht për të. Kështu duan edhe njerëz krejt të rëndomtë, që kërkojnë të spekullojnë me ngritjen e flamurit, duke shfrytëzuar faktin se atë ditë, e vërtetë ishte vetëm se kishte mjegull. Dhe ajo mjegulla pa formë, që fshihte e shfaqte si t`i tekej, ishte sipas Mistos armiku i historisë. E megjithë këtë, Mistot e shkretë asnjëherë nuk i kanë munguar Shqipërisë deri në ditët tona, ku lloj - lloj horrash politikanë, duan të na bindin se historia fillon me ta. Përmbysja gjithmonë shoqërohet me skena groteske; heqje e vënie emrash e statujash, ndërrim datash e pjesëmarrësish në ngjarje të rëndësishme dhe anatemime kundërshtarësh politikë. Kjo është dhe arsyeja përse Bashkimi tërheq vëmendjen tonë: “Mjegull në natyrë. Mjegull brenda teje. Kujdes: jo për çdo gjë e ka fajin mjegulla. Shko një herë nga okulisti të të shikojë sytë mos të kanë zënë perde.” Lexojmë në këtë libër pohimet e një personazhi, i cili deklaron se zgjedhjen për në parlament e ke ai në dorë.
A nuk ndeshemi edhe sot me këtë fenomen? Por a nuk është turp po të kujtojmë se mbi njëzet shekuj më parë në Romë sundonte ligji Kalpurnia, ku ai që guxonte sado pak të ndryshonte rezultatet e zgjedhjeve, ndëshkohej aq rreptë dhe nuk kishte asnjë mundësi që të merrte funksione publike për gjithë jetën. Mos vallë do pranojmë ende që me ne të sillen si në kohën e Frederikut të Madh të Prusisë që thosh: “Me popullin tim kam bërë një marrëveshje: Ai mund të thotë çfarë të dojë dhe unë të bëj çfarë të dua.”
Ne e dimë se ashtu siç thosh Odisea Elitis, librat si ky i Bashkim Hoxhës, mund të mos e ndryshojnë botën, siç mund të bëjë veprimi, por ata mund të ndryshojnë ndërgjegjen e njerëzve, të cilët me veprimet e tyre mund të ndryshojnë botën. Ashtu sikurse ata duhet të ndikojnë që mjegulla që mbulon si natyrën ashtu dhe shpirtrat tanë të davaritet sa më parë.


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes