l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

POEZI

SAKIP CAMI
POETI DHE PUBLICISTI I TALENTUAR, AUTOR I 17 LIBRAVE

PASAPORTA IME

Në duart e mia, gjaku i babit të plagosur
Gjaku i gjyshit të vrarë buzë Drinit,
Në duart e mia, mijëra yje të gjakosur,
Në duart e mia, kënga e tim biri.

Në fletët e saj pranvera,
Në vijat e saj hullitë e tokës
Në kapak si në krye të oxhakut
Shqipëria ime, më e mira e botës.


BALADË PËR BABANË

Në çdo thinjë të tij shoh betejat,
Nga çdo thinjë e tij unë u rrita.

Në çdo rrudhë të tij shoh udhët e jetës,
Në çdo rrudhë të tij ngre udhët e mia.

Në amanetin e tij shoh kohën time,
Amaneti ka hedhur rrënjë në gjakun e fëmijve.

NË SE SKËNDERBEU...

Në se Skënderbeu ka të ftohtë,
Malet zhveshin tërë gjethimin
dhe me të e mbulojnë.

Në se Skënderbeu ka zjarrmi,
Pyjet fëshfërijnë
dhe ballin i freskojnë.

Në se Skënderbeut i pihet ujë,
Gurrat çahen te këmbët e tij
E gurgullojnë.

Në se Skënderbeu do që të flejë,
Toka dhe nëntoka hesht
E për të jatakun shtron.

Në se Skënderbeu do që të shohë,
Dritaret hap pranvera
E zemrave të luftëtarëve.

Në se Skënderbeu do që të luftojë
Kali e pret atë në prag.
Shpata e rëndë rrugën merr
Që nga muzetë europiane
Këtu tek malet e veta.


LINDJA E FOSHNJËS

Dhe tha një shkrep:
Këtu lindi Skënderbeu.

Dhe tha një curle:
Këtu mori frymëzim Naimi.

Dhe tha një pishë:
Me degëzën time flamurin tundi Ismaili.

Dhe djepi tha :
Nga shekulli në shekull do të tund fëmijën.

Nga shekulli në shekull
Shqiptarët i lind nga rrënja e vet, liria.

 

NANDË MALET E DIBRËS

U tundën malet,
U thërmuan gurë.
Mbi koka të turqve
Ranë plot zhurmë.

Drini uturoi,
Topat vollën zjarr;
Lugina gjëmoi
Shpatat rrodhën gjak.

Gryka e Radikës,
Rrebeshin priti;
Vetëm një kalë
I gjymtuar arriti.

Ç’u bënë jeniçerët ?
Ku vanë pashallarët ?
Ku ndryshken shigjetat ?
Ku dergjen kuajt ?

Në fushën e Dibrës,
Në të nandë malet
U tretën ushtritë
E të gjithë krajlëve.

Në fushë të Gjoricës,
Në luginën e Drinit;
Qëndresa e besa
Monument ngriti.

 


TI IKE SIÇ IKIN GJENITË
(MIGJENIT)

Dibranët të dhanë grupin e gjakut,
ADN- ën e shqiptarisë....
Shkodranët të pritën krahëhapur
Siç pritet njeriu i shtëpisë;
Pukjanët të besuan fëmijët,
Dritën e syrit,
Vështrimin drejt pafundësisë.

Ti u dhe shqiptarëve
Kangët e Rinisë, botën e rinisë;
Ti u dhe shqiptarëve
Kangët e pakëndueme;
Dhe ata janë përjetësisht në kërkim.....,
Ti i grishe shqiptarët që të thonë stop o mjerim
Ti u ndeshe me malin që nuk bëzante
Dhe e shkunde.
Ti ishe zgalemi që njoftonte furtunën,
Ti ishe dallandyshja prirëse e demokracisë,
Ti kapërceve detin dhe takove kastriotët,
Ti u tregove shqiptarëve të gjitha botët.

Ti na le një bllok me vjersha dhe ike,
Ti na le një bllok me protesta dhe ike,
Ti na le mijëra mesazhe, mijëra pikëpyetje dhe ike,
Përse ike, çfarë more me vehte?!
Çfarë le pa thënë,
E din vetëm Ti!.
Por një gjë është e sigurtë,,
Ne do të ecim në gjurmët migjeniane
Në rrugën që na shtroi Gjeniu
Nuk ka rrugë tjetër.

 

GJYSHJA PEMË

Si përbindësh ra mes halleve tona,
Fruthi, tifo dhe murtaja.
Nga frëngjitë e kullave u përhap jehona:
“E hej murtaja !”

Jehona njerëzve u mbeti në buzë,
Nuk ishte këngë majekrahu.
Jeta u nguros për një çast
Si shkëmbinjtë e ftohtë ndër mjaja !

Gjyshja ime me emrin Pemë,
Ndonëse shtatë fëmijë ia mori murtaja
Qëndroi e patundur si bohemë...
Rriti edhe katër të tjerë male e maja.

ATDHEU IM

Është një vend në botë
Që i ngjan shqiponjës në fluturim,
Ky është atdheu im.

Është një vend në botë
Që i ngjan syrit pa vetull,
Ky është vendi im.

Është një këngë
Që i ngjan këngës së bilbilit,
Kjo është kënga e vendit tim.

Është një vend
Që rrit shqiponja,
Ky është atdheu im !

 

BOTIME TË AUTORIT

1. “Vërshimet e Drinit”, Poezi, 1996
2. “Karatesisti i Vogël”, Vjersha për fëmijë, 2000
3. “Ujëvara të përgjakura” , Poezi, 2001
4. “Daullja bie pë ata që kanë veshë” , fabula dhe satira, 2003
5. “Fshati i martirizuar”, monografi, 2004
6. “Drejt NATO-s”, publicistikë, 2004
7. “Rrëfime popullore dibrane”, 2006
8. “Dibra në këngët dhe tregimet e popullit”, gjurmime folklori, 2010
9. “Edhe unë kam të drejtat e mia” , vjersha për fëmijë, 2011
10.“Muharrem Xhediku, kompozitor i tangos shqiptare”, monografi, me bashkëautor, 2010
11. “Rrahman Parllaku, një legjendë në kufirin e dy kohëve” , monografi, me bashkëautor, 2014
12. “20 vjet OBVL”, monografi, me bashkëautor, 2014
13. “Bajram Ndreu i Zall Dardhës” , monografi me bashkëautor. 2016
14. “Kazazët e Durrësit” , monografi, me bashkëautor 2016
15. “ 111 poezi “ poezi të zgjedhura, 2016
16. “ Ngjarje dhe figura të shquara historike të Bulqizës” 2017
17. Refleksione fëmijërie, 2018 dhe ka në proces libra të tjerë

)

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes