l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

NJE SHEKULL PAS

100 vite nga hapi i ndojtur i paqes së botës

Albert VATAJ

Më 18 janar 1919 çeli punimet Konferenca e Paqes në Paris. Bota po hidhte kështu hapin e parë të ndrojtur të paqes. Historia po shkruante një nga faqet më të rëndësishme të civilizimit. Nevoja për paqe ishte më imediate se kurrë dhe kjo mundësi ishte nga më të mundimshmet. Por besimi te liria, të aspiratat e larta të humanizmit, te bashkëjetesa dhe reciprociteti do të gatitetishin në një kopulim epik për të mbarsur në një shtatzani të vështirë vullnetin për paqe. Fati i botës do të shënojë në këtë konferencë një erë të re. E pamundura do të gjendej në rrugën e së mundshmes. Ethet e pushtetit dhe sunduesit e orekseve të pangopura duheshin urtuar. Të mëdhenjt duhet të pranonin se në këtë botë, nën këtë qiell ka vend edhe për fatin e të vegjëlve. Nerva të tendosura, dhëmbë të skërmitur, makinacione e dredhi zienin në havanin e këtij çasti sublim. Konferenca e Paqes
e Parisit, e njohur ndryshe si Konferenca e Paqes e Versajës ishte takimi i Fuqive Aleate fituese pas fundit të Luftës së Parë Botërore. Duke përfshirë diplomatë nga 32 vende dhe kombësi, vendimet kryesore ishin krijimi i Lidhjes së Kombeve si dhe pesë traktatet e paqes me fuqitë humbëse; mandatimi i zotërimeve tejdetare të perandorive Gjermane dhe Osmane, kryesisht Britanisë dhe Francës; dhe ravijëzimi i kufijve të rinj kombëtar (në disa raste në formë plebishitare) duke pasqyruar më mirë ndarjet etnike. Rezultati kryesor ishte Traktati i Versajës me Gjermaninë, i cili në seksionin 231 i ngarkonte fajësimin për luftën “Gjermanisë si dhe aleatëve të saj”.

Manifestime të shqiptarëve proamerikanë para një shekulli
Evropa e re, e cila doli nga Lufta e Parë Botërore, kërkonte edhe një rishikim të ri të kufijve të saj. Ballkani ishte padyshim i pari në kontekstin e ri. Austro-Hungaria dhe Gjermania, dy vendet që kishin ndihmuar Shqipërinë në Konferencën e Londrës, kishin dalë të humbura dhe nuk ekzistonin më si perandori të fuqishme. Në skenën botërore kishte dalë SHBA-ja, fuqia e re që kishte qenë vendimtare në fitimin e luftës nga aleatet. Pikërisht tek kjo, u mbështeten shpresat e Shqipërisë për garantimin e kufijve të saj. Jugosllavia e porsa krijuar dhe Greqia kishin ngritur një sërë pretendimesh dhe nuk ishte çudi që kufijtë e 1913 të rrudheshin edhe më shumë. Aq më tepër, që Italia e cila kishte pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, ishte e bindur për të mos i lëshuar ato. Delegacioni amerikan, me ndërhyrjen edhe të Vatikanit, kishte marrë përsipër mbrojtjen e Shqipërisë. Por dukej se edhe ai vete nuk ishte shumë i qarte. Për të pasur një tablo të plotë, delegacioni i kryesuar nga Presidenti ëillson ngarkoi konsullin e SHBA-se në Torino, zotin Jozef Haven të bënte një vizite në Shqipëri. Me letrën e rekomandimit ne xhep dhe me një mandat të Konferencës se Paqes, Haven zbriti në Vlore më 1919. Qeveria e Tiranes kishte caktuar për ta shoqëruar, Tefik Mborjen, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ish Ambasador i Shqipërisë në Romë. Mborja, i cili kishte pasur miqësi edhe më parë me Havenin, kreu një punë të mrekullueshme. Me të mbërritur në Vlorë, Haven hodhi poshtë ftesën e Gjeneral Piacentinit, komandantit italian të qytetit për të qëndruar tek ai. U vendos në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi dhe më pas në shtëpinë e poetit Ali Asllani. Ai ra në kontakt me parinë e qytetit, e cila e bindi se nëse Italia nuk tërhiqej me dëshirë nga Vlora, problemi do të shkonte në ndeshje të armatosur. Haven mbeti i befasuar nga niveli i intelektualeve vlonjate. Në italisht dhe anglisht, ata i ofruan atij një tablo të panjohur, por mjaft dinjitoze të vendit të tyre. Ai u befasua sidomos kur një delegacion i grave të qytetit e siguroi në italisht, se ato do të luftonin bashkë me burrat nëse bëhej fjalë për të çliruar Vlorën.
Konsulli u nis nga Vlora në Tepelenë, ku me të mbërritur, filloi një demonstratë e madhe pro SHBA-së, të cilën ushtria italiane, që mbante qytetin nuk mund ta ndalonte. Haven thotë se ai asnjëherë nuk kishte parë kaq shumë flamuj të SHBA-së, të valëviteshin me entuziazëm në erë. Nga Tepelena kaloi në Gjirokastër, ku Kryetari i Bashkisë Javer Hurshiti, bashkë me Jorgji Meksin dhe Thoma Papapanon, i bënë një pritje madhështore. Ai ishte në shtëpinë e Kryetarit të Bashkisë, kur e lajmëruan se jashtë ishte mbledhur gjithë populli i qytetit për ta përshëndetur. Një delegacion, i përbërë nga ish emigrantë në SHBA, erdhi për t’i sjellë mjaft dhurata dhe për ta përshëndetur në anglisht. Ai nuk kishte mbaruar ende me ta, kur një tjetër delegacion, i kryesuar nga Lame Kareco dhe Eftim Cako i kërkoi takim dhe deklaroi se Gjirokastra është tokë greke dhe dëshira e popullsisë se saj është një bashkim i shpejtë me Athinën. Kjo dërgate provokoi mërinë e popullit të mbledhur përpara shtëpisë se Kryetarit të Bashkisë dhe konsulli u bë dëshmitar i një mërie kolektive, që desh përfundoi me vrasjen e delegatëve pro grekë.
Në Përmet, Leskovik dhe Kolonjë, konsulli amerikan u prit me nderime dhe me kërkesën që këto qytete të mbeteshin nën kontrollin e qeverisë së Tiranës. Problemi më i madh që në Korçë ku despoti Jakov dhe një elbasanas i quajtur Efem i bënë thirrje të gjithë të krishterëve të demonstrojnë për një bashkim me Greqinë. Por Haveni u vendos në shtëpinë e një misionari amerikan, të quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mirë qytetin. Kenedi e siguroi atë se Korça është thjeshtë shqiptare dhe këtë ja konfirmoi edhe Komandanti i trupave franceze të qytetit. Një konfirmim më të zjarrtë mori edhe nga komandanti francez në Pogradec, majori Mortier. Francezi i tha se gjithë popullsia aty ishte shqiptare dhe se shqiptarët janë një popullsi e mrekullueshme, aq sa atij i vinte keq që nuk ishte shqiptar. Pas një vizite po kaq të suksesshme në Vuno dhe Delvinë, ku u prit nga Leonidha Frashëri, Jozef Haven përpiloi pjesën e parë të raportit, atë për kufijtë e Jugut. Materiali u dërgua me urgjencë në Ambasadën amerikane në Romë dhe që këtej, brenda javës u vendos mbi tavolinën e punës së Uillsonit në Versajë.
Haven vazhdoi vizitën e tij në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Krujë ku gjeti po atë entuziazëm. Ai shoqërohej kudo nga Tefik Mborja, që duket se luajti një rol kyç. Raporti përfundimtar u hartua një muaj më pas dhe qe vendimtar për qëndrimin amerikan. Uillsoni nuk pranoi asnjë korrigjim në kurriz të kufijve te Shqipërisë dhe u ngarkua Lidhja e Kombeve të përcaktonte kufijtë fizikë të saj. Tre muaj më vonë, qeveria e Athinës i paraqiti Uashingtonit një notë proteste, ku shënonte se Haveni ishte një njëri i blerë nga Shqiptarët.

Përcaktimi i kufijve
Komisioni i Lidhjes së Kombeve, që do të caktonte në vend kufijtë e Shqipërisë, mbërriti në Tiranë në një moment të trazuar. Me 7 dhjetor 1921, pikërisht ditën kur kishte bërë një grusht shteti dhe qe vendosur Qeveria e Hasan Prishtinës. Por, ata nuk morën vesh asgjë. Hasan Prishtina dha dorëheqjen pas 24 orësh dhe u zëvendësua nga kabineti i Xhaferr Ypit. Po atë ditë, i shoqëruar nga major Bajram Fevziu, Ministri i Brendshëm, komisioni udhëtoi për Shkodër. Ky ishte komisioni, që do të caktonte kufijtë e veriut dhe u detyrua të punonte me ndërprerje për më shumë se një vit. Ai kryesohej nga një kolonel Francez dhe një major Holandez.
Një vit e gjysem më pas, më 1923 mbërriti komisioni që do të caktonte kufijtë e Shqipërisë së Jugut. Ai kryesohej nga gjenerali Telini, një oficer i Mbretërisë Italiane dhe nga një major britanik. Edhe kësaj here komisioni shoqërohej nga Bajram Fevziu, kësaj here Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe deputet i Kolonjës. Komisioni punoi për gati tetë muaj dhe ai kishte udhëzim që të vendoste me iniciative vijën e kufirit me ato fshatra, që duhej të ndaheshin më dysh. Për të mos rënë pre e pretendimeve, komisioni kreu një test të thjesht. Ata mbushnin një grusht me monedha dhe ja hidhnin fëmijëve të fshatit.
Fëmijët fillonin të shanin në gjuhen e tyre të përditshme, e cila ishte në masën më të madhe, shqipja. Kështu, mjaft fshatra kufitare, iu bashkuan Shqipërisë. Me sa duket kjo provokoi merinë e grekëve që veç ankimeve sulmuan disa herë edhe komisionin dhe xhandarët që e shoqëronin. Në një nga këto prita, Gjeneral Telini u godit në kokë dhe vdiq në vend. Vrasja e tij shkaktoi incidente të rënda mes Italisë dhe Greqisë. Flota italiane bombardoi dhe pushtoi Korfuzin. Ajo u largua prej andej, vetëm pas bisedimeve në Paris, të cilat i jepnin dorë të lire Italisë në Greqi. Shqyrtimi i kufijve të mëtejshëm të Shqipërisë së Jugut mbeti pezull, derisa u caktua në bisedime shqiptaro-greke më 1927. Trupi i Gjeneral Telinit u dërgua në Tirane ku ju bënë gjithë nderimet ushtarake. Prej këtej u nis në Itali. Fati e solli që në emër të Qeverisë së Tiranës ai u përcoll nga Mehmet Konica, njeriu i parë që kishte luftuar për kufijtë e Shqipërisë dhe që tani, po e mbyllte kapitullin e tyre, duke i bërë nderimet e fundit, njërës prej mijëra viktimave të këtij konflikti.





 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes