l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një botim i ri me krijime të reja, të arrira artistikisht

“Rizgjime meteorësh”, libri i 13-të i Halil Ramës

 

Dr. Selman Mëziu*

Të hedhësh në letër vargje poetike, të shkruash një reportazh, të krijosh një portret të një njeriu me bëma të shumta, qoftë ky shkrimtar, ushtarak, artist etj., t’i futesh punës për të shkruar një reçens (vlerësuese) të një libri artistik, i çfardo gjedhi qoftë, duhet më parë të kesh qenë nxënës studioz, më pas të bëjsh një jetë intensive për të njohur në thellësi e gjërësi realitetin shoqëror, historik, të natyrës; botën e brendshme dhe psikologjinë e heroit tënd, shoqëruar me leximin e librave, dokumentave e duke rrokur motive gjurmëlënëse në jetën e përditshme.
Një realizim të tillë dinjitoz e ka arritur shkrimtari dhe gazetari Halil Rama, i cili ka hedhur tanimë për t’u lexuar nga bashkëkombasit e tij 12 libra me bashkëautor ose i vetëm, si monografi, libra me shkrime të ndryshme me karakter historik, letrar apo të fushës së gazetarisë. Duke fituar një popullaritet të gjërë, një respekt të pakufishëm dhe rrezatuar trimëri, guxim, edukatë, kulturë të gjërë ka përthithur lexues të shumtë, për të lodruar me plotë dëshirë në polenin e krijimtarisë së tij plotë ambëlsi e kërshërëri.
Ky krijues nuk resht së befasuari ato me krijimtari të reja më të arrira artistikisht, siç është libri i tij më i freskët i titulluar: “RIZGJIME METEORËSH”, ku edhe këtu në lëndën e derdhur mjeshtërisht me një krenari krijuese në mushtën e kapitujve të mëposhtëm: “Takohemi për një libër”; “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave”; “Personalitete” dhe “Poezi të shkurtëra të çastit por kuptimplote e emocionuese”...., krijim pas krijimi, rrjesht pas rrjeshti gjendet adhurueshëm personaliteti i tij krijues, talenti i të shkruarit qartë e thjeshtë, njohuritë e tija, të thella e shumëplanëshe, mprehtësia e mendimit, mjeshtria e përshkrimit dhe gjetjes së detajeve, stili vetiak i të shkruarit, i të treguarit të ngjarjeve apo “vizatimit” të portreteve, duke përdorur një gjuhë të pastër, të rrallë, me fjalë të dalura nga gurra e pashtershme e librit të jetës dhe të lexuar, materialeve historike, gjuhës popullore mbarëkombëtare dhe e krahinës së Dibrës.
Me frymëzim dhe i prekur thellë në shpirt autori shkruan me plotë emocione, dhimbje, krenari të ligjshme për Heroin – legjendë në kufirin e tri kohëve, gjeneralin shekullor Rrahman Parllaku. Me një stil të veçantë autori shkruan profilin e Safet Zhulalit si Ministër me karakter të papërthyeshëm e largpamës, i cili ishte dhe mbeti një meteor në politikën shqiptare.
Kureshtësia në lexim do t’iu befasojë me analizën që i bëhet librit të diplomatit të mirënjohur, Shaban Murati, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, i cili në një libër tjetër e “konsideron çështjen e detit si një nga dosjet më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë”.
Më tej të nxit të lexosh me plotë kërshëri librin e Hysen Dervishit “Dibra, zemra e kombit” për të cilin Halili shkruan: “Ka shprehur mjeshtërisht ngjarje e fakte që flasin për luftëra e individë, për figura politike e patriotike që kanë bërë historinë përmes mendjes dhe pushkës,…”
Në karvanin e vlerësimeve autori i librit shkruan për monografinë: “Burri i Odës Dibrane”, kushtuar Hazis Ndreut, rapsodit, mbledhësit të folklorit, historianit etj, të cilin e vlerëson: “… si një libër shumëvlerësh, të stilit dhe llojit të veçantë, të autorit Bujar Kapexhiu, “Mjeshtër i Madh”, artist i merituar, regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar”.
Një vend të veçantë në librin e ri të H.Ramës zë analiza e romanit “Martesa e dytë” të autorit Flamur Buçpapajt, ku ndër të tjera shkruan se: “ka skalitur veçanërisht portretet e Borës dhe Jetonit, por personazhe interesantë janë edhe nënë Ajshja, magjistarja Bukurije, Naimi, shoku i ngushtë i Jetonit, murgeshat si dhe motra e vogël e Borës”.
Po ashtu, autori ndalet tek romani “Polakja” të shkrimtarit të mirënjohur Xhevat Mustafa i cili “mbart vlera për koherencën dhe mesazhet aktuale”.
Për romanin e parë të shkrimtarit bulqizak Agim Demiri “Njeriu pa maskë”, përgjatë analizës së tij të hollësishme ai do të shkruaj: “… ky roman mbush një zbrazëtirë të dukshme në analet e letërisë shqipe”. Ndërsa duke u ndalur me kujdes e me dallgë frymëzmesh mbi librin me novela: “Pemë e shartuar”, të dibranit me banim në Kanada, Eliot Moglica, ai shkruan: “libër brilant”, “stil i ri letërar”, “autori i 16 librave me poezi, romane, biografi, tregime/novela dhe libra për fëmijë”.
Shkruesi i apasionuar Halil Rama, tanimë shkruan për një krijues tjetër në fushën e historiografise dhe ja: “Pas tetë botimeve tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për kryeqytetin shqiptar, studiuesi dhe analisti i mirënjohur Valter Gjoni sjell për lexuesin: “42 kryetarët e Tiranës, në një album fotografik dhe historik”. Një shërbesë e domosdoshme për njohjen e historikut të organizimit administrativ të kryeqytetit. Duke vazhduar me librin studimor “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike”, i autorit Xhavit Lashi, i fokusuar tek ndarja administrative dhe qeverisja vendore në këtë qark, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme…, duke ndjekur hap pas hapi veprimtarinë krijuese të Lashit, vlerësuesi shkruan: “… njëri nga ish-nxënësit e shkëlqyer të saj, historiani Xhavit Lashi botoi monografinë “Shkolla Pedagogjike e Peshkopisë”, duke plotësuar një boshllëk në historinë e arsimit dibran me burime arkivore e një literaturë të pasur”.
Me tej autori analizon me kujdes librin në fushën e mjeksisë të Dr. Arjan Hamitit “Anemia në sëmundjet kronike të veshkave” i cili: “... do ndihmojë Mjekët e Familjes dhe specialistët në diagnostikimin e të sëmurëve me anemi….”.
Duke patur njohje të drejtpërdrejt me të ndjerin, shkrimtarin Teodor Laço, autori i librit, Rama do të shkruajë për të: “Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj…..”.
H.Rama do të shkruaj me plotë frymëzim edhe për piktorin Alajdin Tabaku: “... i cili realizoi një seri peisazhesh dhe galeri portretesh me tipa e karaktere lakmuese që rrallë i gjen” si dhe për dibranin e mençur e vizionar Shuaip Methasani. Interesant është edhe profili i intelektualit Halit Berisha, i cili i përballoi me dinjitet sfidat e jetës.
Duke u ulur këmbë kryq me njerëzit e thjesht autori portretizon me mjeshtri, kujdes e depërtim psikologjik: “Vizionin e ushtarakut bashkëkohor dhe dimensione njerëzore Ruzhdi Baxhaku”. Dhe në vazhdim ai ndalet tek mesuesi Lutfi Ndreu i cili “..e ndjeu si shpirtëzohet dashuria në vetësinë e tij për nxënësit që materializohen si emisarë të dritës”. Më pas krijuesi energjik Rama, me një fushëpamje të gjerë në gjetjen e heronjve të tij, trajton emocionues: “Kosovare Rrustemin nga Zhegra e Gjilanit ….e vetmja deputete shqiptare në Asamblenë e Kantonit të Solothurnit të Zvicrës”. Ajo krenohet me vëllain e saj “Mjeshtri i Madh”, Erzen Rrustemi, Kampion Bote në peshat e rënda të boksit.
Një vend të veçantë në libër zënë edhe kampionët e botës në kikboks, vëllezërit bulqizakë Ismail, Gjetan e Ferit Keta.
Duke qenë gjithmonë novator autori e trajton portretin e gazetares Mimoza Dajçi nëpërmjet librit të saj të ri “E bukura nën pranga”, me reportazhe, skica letrare, esse e përshkrime. Lexuesi i zellshëm dhe i rrëmbyer faqe pas faqeje të këtij libri do të njihet me Elona Loparin, vajzën shqiptare, të suksesshme në Neë York, e cila ka për moto: “Unë nuk dua vetëm të mbijetoj, por edhe të vazhdoj të përpiqem për të arritur objektivat”.
Në portretizimin e të ndjerit, ushtarakut Selman Rama, shkruesi i librit “Rizgjime meteorësh” arrin në përfundimin: “Për katër dekada, karrierë si nxënës, student e oficer marine ai ka shpalosur vizionin e ushtarakut bashkëkohor dhe dimensionin njerëzor, të trashëguar nga Familja dhe të perfeksionuar gjatë punës e jetës ushtarake”.
Reportazhi “Bulqiza në 70 vite, minierë dhe qytet”, është një histrori e analizë e thellë e veprimtarise shtatëdhjetë vjeçare me “zhgënjime dhe emër”, me “heronj të rinj e të moshuar”, “me plagë vuajtjesh e djersë këllira prej pluhuri”. Më pas një trajtesë tjetër në gjedhin e reportazhit “Universiteti” ku studioi elita e Dibrës, i rrëfyer më së miri prej njërit nga mësuesit e parë të saj, shkrimtari Lutfi Hanku – një nga korifenjtë e vërtetë të kulturës dhe arsimit kombëtar në Dibër”. Në vazhdim vlerat shëruese dhe burimet e të ardhurave të Ujërave termale, ose “Llixhat” e mirënjohura të Peshkopisë, duke u trajtuar me mjeshtëri gazetari, tanima plotësisht të maturuar.
“Historia e rrallë e familjes Gjonej nga Trushi i Shkodrës”, trajtohet nëpërmjet episodeve historike të rrëmbimit të Hajgelës, Krajlit të Malit Zi, letrës anonime dërguar Enver Hoxhës dhe përkujdesjes së Dr. Ben Gjonej për gjeneral Parllakun në spitalin e Traumës në Tiranë.
Dhe ja një degëz me frutin poetik: “Flakërima e shpirtit, djeg sa qindra zjarre”; këto janë disa shpërthime të momentit nga gurra poetike e Halil Ramës që mbyllin kurorën krijuese të librit të fundit.
Halil Rama, kryeredaktor i dy gazetave “Veterani” e “Bulqiza”, prej disa vitesh, ka konkuruar denjësisht në shtypin e kohës por ai ka botuar reçensione në gazetën letraro-kulturore javore “NACIONAL“ si edhe në suplementin “Milosao” të “Gazeta Shqiptare”. dhe Dhe jo vetëm kaq por në shtypin e kohës ai shkruan vazhdimisht artikuj me probleme të ndryshme të shoqërisë demokratike të kohës.
Gjerdani i krijimeve të librit “Rizgjime meteorësh” kamëron në hullitë e jetës me dashuri e drithërime të vrullshme, nëpërmjet rrëfimeve të shtruara, por të natyrshme dhe gjithë urtësi, mençuri e stil mjeshtërisht të gjetur, ku ngjizet mushti artistik me morinë e fakteve, ngjarjeve, detajeve historike, karakteret e ndryshme etj.
Lexuesit i urojmë udhëtim të mbarë, me plotë aromë poetike, artistike, emocionesh, kënaqësish në shfletimin e magjisë të personazheve, fakteve, ngjarjeve, historive, duke mësuar më shumë, duke u kulturuar e pasuruar me fjalësinë dhe mënyrën e të shprehurit, sjelljeve etj., ndërsa gazetarit e shkrimtarit Halil Rama, suksese të pashterrshme në krijimtarinë e tij të plleshme e plotë bereqet.

* Firence 17. 12. 2018




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes