l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Për një nga kontribuesit ne LANÇ dhe një nga pedagogët e shquar të “Akademisë Ushtarake Shqiptare”

LAMTUMIRË DHIMITËR NDRENIKA

Më 21dhjetor 2018, Familja, të afërmit, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët, shokët dhe miqtë e shumtë përcollën për në banesën e fundit, me të gjitha nderimet që meritonte veteranin e OBVL, Dhmitër Arqile Ndrenika.
Dhimitri ka lindur më 1928 në Vuno të Himarës, në një familje me tradita patriotike .
Ishte 14 vjeç kur u lidh me grupet e Rinisë në vitin 1942 dhe më 1944 u rreshtua partizan në Brigadën e Tretë Sulmuese. Mori pjesë në luftimet e kësaj brigade me trimëri e heroizëm deri në vitin 1945.
Mbas çlirimit të vendit nga okupatori nazifashist, duke vlerësuar aftësitë dhe punën e tij të mirë, u dërgua për studime jashtë shtetit, për artileri tokësore. E mbaroi shkollën me rezultate të shkëlqyera dhe më pas mori gradën “nëntoger”.
Pas përfundimit të studimeve ka shërbyer në shumë reparte të ushtrisë.
Si oficer me përgatitje të lartë, Dhimitri ka punuar me përkushtim dhe ka lënë gjurmë të thellë në divizionet e Shkodrës, Burrelit e Tiranës, por edhe si pedagog i talentuar. Dhe së fundi në detyrën e komandantit të Artilerisë në Grupimin e Tiranës.


Dhimitri ka qenë kurajoz, gjithmonë ngrinte probleme për mbarëvajtjen e punës.
Me ndryshimet e ndodhura në vitin 1990 e më pas ai përkrahu proceset demokratike dhe që në fillim, me disa ish ushtarakë formoi Organizatën e Ushtarakëve në Pension dhe në Lirim. Dhimitri ka qenë iniciator, themelues, nënkryetar dhe për disa vite derisa ndërroi jetë, kryetar i OUPL-së. Po ashtu dha kontribut në krijimin e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, duke qenë një nga themeluesit dhe anëtar i kryesisë së kësaj organizate. Kontributi i tij në OBVLka qenë shumë i vlefshëm.
Kontributi i tij është i njohur edhe si anëtar i Shoqatës së Atlantikut Verior, sot Këshilli Atlantik i Shqipërisë, ku në konferencat ndërkombëtare e veprimtari të tjera të tij jepte mendime të vlefshme si studjues dhe njohës i NATO-s.
Dhimitri ishte dhe një familjar i mirë dhe oficer model.
Për meritat e tij është vlerësuar dhe nderuar me Urdhëra e Medalje, si “Urdhëri i Skënderbeut”, etj.
Me vdekjen e tij, ne shokët e OBVL e OUPL-së humbëm një kuadër të devotshëm të demokracisë. Familja humbi njeriun më të dashur të saj.
Lamtumirë shoku dhe miku ynë i dashur Dhimitër Ndrenika!
Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë….

KRYESIA E OBVL
Nënkryetari
Myfit GUXHOLLI

 

 

DHIMITËR NDRENIKA NJË PERSONALITET I VEÇANTË I KOMBIT SHQIPTAR

U nda nga jeta në mëngjesin e të premtes së datës 21 dhjetor, një nga kontribuesit më të mëdhenj në Luftën Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, një nga pedagogët e shquar të “Akademisë Ushtarake Shqiptare”, një nga ushtarakët me vlera të veçanta në fushën e artilerisë shqiptare, botues i librave shkencorë në këtë fushë, një bir, një vella, një baba, një bashkëshort, një mik i përkushtuar në jetë.
Dhimitër Ndrenika lindi në fshatin bregdetar të Himarës, Vuno, në 28 Mars 1928. Ai ishte djali i madh i familjes së Arqilea Ndrenikës, e përbërë nga katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Familja e tij ishte një familje e njohur në Vuno, për patriotizmin dhe kontributin e saj. I ati i Dhimitrit, Arqilea Ndrenika ishte një patriot i shquar i Lëvizjes së Fan Nolit, dhe u kthye pas amnistisë që bëri mbreti Zog I, ai kishte kryer shkollën ushtarake dhe ishte oficer i xhandarmërisë së Mbretit Zog, i ati i Dhimitrit i shërbyeu atdheut me devotshmëri dhe besnikëri, në çdo skaj të Shqipërisë nga Konispoli në Tropojë.
Dhimitër Ndrenika ka qënë student në Liceun e Korçës për 2 vjet në vitet 1940-1942 , aty ai u frymëzua nga idetë e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Në moshën 14-vjeçare ai doli partizan dhe ju bashkua Brigadës së III sulmuese, e krijuar më 9 Tetor të vitit 1943, në fshatin Arbanë të zonës luftarake të Pezës. Kjo Brigadë mori detyrë që në përbërje të Divizionit të I-rë Sulmues, me luftime të marshonte në drejtim të Verilindjes, Tiranë-Martanesh-Peshkopi-Kukës-Has dhe për në Malësinë e Gjakovës, nëpër një terren shumë te thyer e malor, duke kaluar Drinin e Zi e Drinin e Bardhë, në një dimër të ashpër. Dhimitër Ndrenika u kthye me këtë Brigadë nga Jugosllavia në atdhe në Dhjetor të vitit 1945, duke plotësuar detyrat për çlirimin e Atdheut.
Në vitin 1946 për devotshmërinë dhe aftësitë e tij të spikatuara, ai u dërgua me studime në Akademinë Ushtarake të Bashkimit Sovjetik për “Artileri Tokësore” për katër vjet. Ai mbaroi studimet me rezultate ekselente dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi me përkushtim në Divizionin e Shkodrës, Burrelit dhe së fundmi në detyrën e Komandantit të Artilerisë në Grupimin e Tiranës, ku gjithmonë vihej re për kurajon, gadishmërinë e lartë dhe korrektësinë në punë, duke dhënë shembullin personal në radhë të parë.
Dhimitër Ndrenika ka qenë një pedagog i shkëlqyer në Akademinë Ushtarake, të Ministrisë së Mbrojtjes ku vihet re aktiviteti shkencor si:

• Botimi i rregullores së qitjes së vitit 1968;
• Botimi i rregullores së mbrojtjes së vitit 1980;
Ai ka përpiluar tekste për artilerinë të cilët janë në përdorim dhe sot si:
• Mbi zgjedhjen e pozicioneve të zjarrit tip tynel të vitit 1967;
• Drejtimi i zjarrit të grupimit të artilerisë i vitit 1969;
• Qitja e artilerisë tokësore për shkollat e larta e vitit 1972;
• Drejtimi i zjarrit të Artilerisë me topin e ndrequr e vitit 1969;

Dhimitri mori pjesë në sesione shkencore të ndryshme ku mbajti dhe kumtesa, ai përpiloi tërë leksionet dhe metodikat e artilerisë së zjarrit të saj gjatë viteve 1975-1980.
Me ndryshimet e bëra në vitin 1990, ai përkrahu proçeset demokratike dhe qe ndër të parët që formuan Organizatën e Ushtarakëve në Pension dhe Lirim për të luftuar për të drejtat e oficerëve në lirim të parakohshëm në pension.
Dhimitri ka qenë iniciator, themelues, nënkryetar dhe më vonë Kryetar i OUPL-së. Nga kjo organizatë një pjesë e anëtarëve krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste, ku ai ishte një nga themeluesit njëkohësisht dhe anëtar i kryesisë së OBVL-së. Përkushtimi dhe kontributi i tij në organizatë ishte i mjaft i çmuar.
Dhimitër Ndrenika ishte anëtar i Organizatës së Atlantikut Verior nga viti 1995 e në vazhdim, ai ka marrë pjesë në koferencat ndërkombëtare të kësaj organizate vazhdimisht si përfaqësues i OBVL-së.
Për meritat e tij ai është vlerësuar dhe nderuar me urdhra e medalje të ndryshme si ai i Skënderbeut dhe në Nëntor 2015, me rastin e 70-vjetorit te Çlirimit të Atdheut u dekorua me “Medaljen e Mirënjohjes”, nga Ministria e Mbrojtjes.
Mirënjohje për kontributin tënd të rrallë Dhimitër Ndrenika, bir,vëlla, baba, bashkëshort, mik me vlera të veçanta!

AKIL NDRENIKA

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes