l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

FESTAT

Përmetarët nderojnë sakrificat dhe gjakun e dëshmorëve

Muharem Kamani

Në agimin e 28 Nëntorit sheshi “Abdyl Frashëri”, fasada e përmendores së partizanit dhe sheshi tek varrezat e dëshmorëve të atdheut në Përmet ishin zbukuruar si për festë, me flamuj, banderola, kurora dhe tufa me lule. Binin në sy flamujt kombëtarë në ballkonet e institucioneve, tek hyrja e qytetit, dhe flamuj të mëdhenj në lagjen “Varosh” tek shtëpia karakteristike përmetare “Gjergji Buxhuku” dhe tek vila në fasadën e shtëpisë së Pëllumb Muços. Në rrugët e qytetit ndihej atmosfera festive si dhe në sfond dëgjohej muzika atdhetare patriotike. U grumbulluan mjaft qytetarë në hyrje të bashkisë ku u zhvillua ceremonia festive e ngritjes simbolike të flamurit kombëtar. Ceremoninë e ngritjes së flamurit e hapi Kryetari i Bashkise Z.Niko Shupuli i cili evokoi këtë ngjarje madhore historike të kombit shqiptar dhe foli për kontributin e përmetarëve për ditën e pavarësisë, si Mid’hat Frashëri, Veli Këlcyra, Sulejman Përmeti dhe të 12 çetave patriotike të rrethit të cilat sollën ditën e pavarësisë.


Mbas ngritjes së flamurit përpara bashkisë, të pranishmit u drejtuan tek varrezat e dëshmorëve ku u bënë homazhe tek dëshmorët e pavarësisë si: At’ Stath Melani, Kamber Bënja, Bilal Alipostivani, Mendu Zavalani, Izet Zavalani, Daut Muço Podgorani , Musa Fratari, Riza Vërçishti etj.
Më 29 nëntor në orën 10 mjaft veteranë, pjesëtar të familjeve të dëshmorëve, qytetarë , u grumbulluan pranë përmendores së partizanit. Mbas mbledhjes tek përmendorja, pjesëmarësit u drejtuan për të bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve. Me kurora dhe tufa me lule në duar, ata qëndruan një minutë heshtje për të nderuar sakrificat dhe gjakun e dëshmorëve përpara obeliskut “Shokët”, vepër monumentale e “Skulptorit të Popullit” Odhise Paskali, “Nderi i Kombit”, nën tingujt e himnit kombëtar.
Është për tu marrë shembull që në këtë ditë të shënuar bënë homazhe të gjithë drejtuesit e të gjitha forcave politike, shoqatave atdhetare kulturore dhe drejtues institucionesh.
U vendosën kurora në emër të Bashkisë nga kryetari Z.Niko Shupuli dhe nënkryetarët Znj. Etleva Kreci dhe Z.Llazar Thanasi, Këshilli Bashkiak, kryetarja dhe sekretari Znj.Mira Habili dhe Z. Veli Mehmeti, Këshilli i Qarkut Z. Roland Dama dhe Z. Leonard Kola, Prefekturës, Major Z. Fadil Guci dhe Pranvera Lapaj, OBVL dhe Komitetit të Veteranëve, sekretari Ahmet Mane dhe nënkryetari Vasil Papa, të organizatës familjeve të dëshmorëve, sekretari Argjir Koto dhe Muharem Kamani etj.
Në dhomën muzeale mbasi u lanë shënime në librin e nderit, u foli anëtari i kryesisë i familjeve të dëshmorëve Ahmet Mane për kontributin e popullit të Përmetit që i ka dhënë LANÇ 185 dëshmorë dhe 12 dëshmorë të periudhës së pavarësisë kombëtare.


Bashkia në lokalin “Lulishtja” shtroi një koktejl për të gjithë pjesëmarësit ku të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Bashkisë duke ju uruar festën. Ambjenti u gjallërua nga Sazet e Përmetit të cilët këndonin këngë partizane, patriotike dhe qytetarë përmetarë.
Kryetari i Shoqatës AK Përmeti Z.Kastriot Bezati bëri një ekspoze të gjatë për kontributin që ka dhënë populli i Përmetit në të gjitha periudhat historike dhe në veçanti u ndal në periudhën e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Sekretari i FD Argjir Kote foli për domosdoshmërinë e mirëmbajtjes së varrezave të dëshmorëve, lapidarëve, pllakave përkujtimore, simboleve dhe muzeumeve.


Për periudhën 5 Maj 2018 deri në 29 Nëntor janë bërë 25 pranime të reja në organizatën tonë, disa prej të cilëve përfitojmë nga rasti duke u dorëzuar dokumentin e anëtarësisë në këtë ditë të shënuar si: Aleko Duka, Mbares Medi Vila, Ahmet Mane, Pranvera Lapaj, Bashkim Zaimi.
Festa kaloj gëzueshëm nën tingujt e muzikës të Sazeve të Përmetit.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes