l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

SHPENDI TOPOLLAJ – KRITIKU ME STIL
TË QARTË DHE KULTURË TË MADHE

Dr. Shk. Novruz Zejnati

Shpendi Topollaj i rreh krahët e tij të fuqishëm në qiellin e pastër të letërsisë të viteve të demokracisë, duke ardhur nga radhët e ushtrisë, pavarësisht se për një kohë të gjatë ai shërbeu me nder në organet e drejtësisë. Duke qenë aq i dalluar në veprimtarinë poliedrike si poet, prozator, publicist dhe kritik letrar, ai mbetet ndofta më solidi në vlerat e tij të rralla njerëzore. E nëqoftë e vërtetë (dhe s`ka sesi të mos jetë e tillë), që ai është nga krijuesit më prodhimtarë dhe më cilësorë të vendit tonë, unë do theksoja se po kaq harmonik është ai në qenien shkrimtar dhe njeri.
Duke qenë prej një kohe të gjatë pranë tij si shok e mik i pandarë, gjë që kujtdo do t`i bënte nder, më ka ndodhur të shkruaj rreth figurës së tij të jashtëzakonshme, qoftë dhe si parathënie librash. Por duke e ndierë gjithmonë, se edhe pse për të kanë shkruar me aq simpati e vlerësim, shumë nga penat tona më të shquara, përsëri për talentin dhe vlerat e tij ende ka shumë e shumë për të thënë, kërkova me insistim që edhe për këtë libër, të jepja konsideratat e mia modeste.
Ky libër që po i jepet ndër duar lexuesve, as më shumë e as më pak, por është vazhdim i pandërprerë i një kulture superiore, një mendjeje të fuqishme dhe një shpirti të madh. Ai, gjithashtu është rezultat i dashurisë që ai ka si për letërsinë ashtu dhe për autorët që e bëjnë atë. Shpendi në çdo shkrim kritik, përdor një gjuhë të rrjedhshme dhe të ëmbël, dhe nxjerr thelbin e mesazheve të shkrimtarit që analizon, duke e lidhur atë me realitetet që kalojmë.
Dhe mbi të gjitha, ai mbetet në çdo rast i kuptueshëm dhe i thjeshtë, ashtu sikurse thosh ushtaraku tjetër Anri Bejli, pra Stendali se “Cilësia e vetme që duhet arritur në stil është qartësia.” Kritikët letrarë që të paktën për nga volumi janë shumë larg Shpendit, patjetër që kanë vlerat e tyre. Por kur lexon analizat e thella të këtij autori, bindesh se je para një trajtimi krejt tjetër të kësaj gjinije, për të mos thënë se në kritikën letrare shqiptare, ai ka krijuar një zhanër të ri, të panjohur më parë. Zakonisht ata që merren me kritikë, përqendrohen te një gjini, fjala vjen poezi apo prozë patjetër letrare.
Kurse Shpendi, me lehtësinë më të madhe dhe po ashtu, me kompetencën më të madhe, në shkrimet e tij, nuk ka ndonjë preferencë të veçantë; ai analizon krahas librit me poezi apo prozë edhe atë të një historiani, përkthyesi, oficeri, shkencëtari, politikani, mësuesi, botuesi, sportisti, muzikanti, kleriku, administratori, diplomati, regjisori apo akademiku, sikurse bën edhe në këtë libër. Kujtdo i lind pyetja e natyrshme se si ka arritur ai, krahas kokëçarjeve të pambarimta të detyrës, punës prej tre dekadash me ushtarët, të ngrinte nivelin e tij kaq lart. Dhe për mendimin tim, ai e ka arritur këtë vetëm me anën e leximeve, aq sa sot duket paradoksale dhe e pabesueshme, po të sjellim ndërmend se ai edhe është dënuar nga diktatura komuniste, po për lexim librash. Dhe mundet që janë pikërisht këto lexime që ja kanë zhvilluar atij kujtesën në kufijtë e të paimagjinueshmes.


Ashtu sikurse janë ata librat që atij do t`ja shohësh çdo ditë në dorë, që e mbajnë këtë kujtesë të freskët dhe të denjë për mendjen e një enciklopedisti të vërtetë. Shihni si vallzon ai me mitologjinë. Kush tjetër ka shkruar apo e ka përdorur këtë mitologji, qoftë dhe në kritikë, si ai? Kurse ndjeshmëria dhe ëmbëlsia e penës së tij, mendoj se është e lindur; atë do ta konstatosh fare lehtë edhe te libri pararendës “Romancë me letra dashurie” të shkruara kur qe vetëm 20 vjeç. Dashje pa dashje sepse të duket se atë e ka shkruar vetë Kupidi.
Kur zhytesh në hapësirën e librit me kritika “Purgatori i librave”, ashtu siç bën në të gjithë librat e shumtë në këtë gjini (ato janë mbi 20 të tilla), dhe vëren se Shpendi përshkruan me ato ngjyra aq të gjalla dhe aq shprehëse, të duket se është vetë autori i librit që analizohet, ai që flet. Ai hyn në lëkurën dhe shpirtin e personazheve, sikur ata të ishin të krijuar prej tij. Për më tepër, ai i vesh e zhvesh sipas rastit, i zbukuron e i bën aq të afërt për lexuesit e çdo moshe. Kur ta keni lexuar këtë libër, do vini re se ky autor flet me ju me pasion dhe seriozitet të pakrahasueshëm dhe ty s`të mbetet tjetër veçse ose të lexosh librin në fjalë ose të kuptosh se kultura ngadhënjen mbi injorancën, fantazia mbi shterpësinë, qytetërimi mbi barbarinë, gjenia krijuese mbi atë shkatërruese.


Të gjitha shkrimet e Shpendi Topollajt të përfshira në këtë, kanë një ritëm të brendshëm që të rrëmben e të bën për vete. Ashtu sikurse ai që ka lexuar një vepër letrare të tij do të kërkojë të shtjerë në dorë një tjetër, edhe shkrimet e këtij libri, të shtyjnë t`i lexosh të gjitha trajtesat që ai ka vendosur këtu.
Ndaj është vështirë të mos i çosh me kënaqësi deri në fund ato dhe të mos i shijosh intelektualisht për ato vlera artistike dhe estetike që mbartin. Pa frikë mund të them se të gjithë ata që veprën e tyre ua merr në analizë një personalitet si Shpendi Topollaj, duhet të quhen me fat. Kjo edhe për faktin se ai jo vetëm i boton shkrimet e tij nëpër gazeta, por edhe se me një gojtari të pashoqe i ligjëron kudo para auditorëve nga më të shquarit. Fjalimet e tij që në Akademinë e Shkencave i kanë quajtur me të drejtë brilante, lënë te çdo dëgjues mbresa të pashlyera. Në këtë drejtim ai mbete një tribun i vërtetë, por pa fat që nuk jetoi në kohën e Demosdenit dhe të Ciceronit. Fjala e tij, pa asnjë përpjekje për emfaza, ka diçka nga rrapëllima plot reflekse ylberesh e një ujëvare.


Atje nuk ka asgjë të tepërt dhe asgjë të mangut. Citimet që përdor, si mençuria e madhe e përmbledhur në vetëm pak fjalë dhe për të cilën po Bejli shprehet se “Aftësia për të cituar saktësisht është një talent shumë më i rrallë nga ç`duket”, i japin shkrimeve të Shpendit një bukuri e shkëlqim të veçantë. Lavjerrësi i tensionit dramatik deri sa mbërrin erupsioni shpërthyes, janë gati - gati të prekshme dhe rreptësisht llogjike, ndaj dhe të mbajnë të ngërthyer dhe me një gjendje emocionale të veçantë. Me pak fjalë, ju do të bindeni vetë gjatë leximit të këtij libri se ç`ngjet me personazhet e tij: të vdekurit si K. Luarasi, D. Agolli, K. Ylli, R. Ajazi, B. Sahatçiu, A. Fejzo, H. Tafa, M. Ciko, N. Dervishaj, J. Budo i ngjall, dhe të gjallët si K. Kyçyku, Xh. Mustafa, J. Doja, A. Bojaxhiu. R. Reka, L.Shehu, N. Roli, A. Kadenasi, etj. i bën të pavdekshëm.


Ja kjo është forca e vërtetë e mendjes dhe sidomos shpirtit të madh human të poetit, shkrimtarit dhe kritikut letrar, mikut tim të mirë Shpendi Topollaj, të cilit si pakkujt i shkojnë fjalët e poetit lirik gjerman Frederik Holderini: “Mëso artin në jetë dhe jetën në veprën artistike. Nëse e sheh qartë njërën, qartë do ta shohësh dhe tjetrën.”





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes