l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PËRVJETORI

GJAKOVA SHËNOI DITËN E ÇLIRIMIT DHE FORMIMIT TË BRIGADËS SË VII PARTIZANE

Nga Bashkim Hisari

Kanë kaluar 74 vjet që kur partizanët e Brigadës së pestë të Kosovës me tri kompani në vijë të parë dhe një kompanjë në mbështetje, të ndihmuar nga Brigada e pestë dhe e tretë të Ushtrisë Çlirimtare të Shqipërisë sulmuan në tri drejtime: postbllokun, kazermat dhe lagjen e Mulla Jusufit dhe arritën pas 5-6 orë të çlirojnë qytetin e Gjakovës. Fotografitë të zverdhura të asaj kohe dhe dëshimtarët tregojnë se në mëngjes më 09 nëntor të vitit 1944, moti ka qenë i ftohët, ka ra shi dhe rrugët kanë qënë me ujë, me pak borë e shumë baltë, por kjo nuk ka penguar që në qendër të qytetit të mblidhen shumë qytetarë për të përshëndetur luftëtarët të cilët pas katër vitesh çliruan vendin nga okupimi nazifashist.
Prof. Xhevat Koshi, atëherë 14 vjeçar, thotë se imazhet i çlirimit të Gjakovës kurrë nuk mund të fshihen nga kujtimet e tij. “Me 09 nëntor u nisa ngadal në drejtim të qendrës së qytetit ku një ditë më parë partizanët kishin luftuar me gjermanët që ishin të barikaduar në kazermën e qytetit. Rrugës te vendi i quajtur Kroni i Rexhep Agës vërejta andej e këtej dhe e pash tre partizanë të armatosur. Nuk kishin uniforma. Aty ishte Nazmije Brovina, më vonë gruaja e Xhavit Nimanit. Shikoja me vëmendje dhe e pash se në murin afër shitorës së Emin Hajronit me ngjyrë të kuqe shkruajtën parullën: “Rroftë Konferenca e parë e Rinisë Antifashiste”, që në mënyrë simbolike dëshmonte çlirimin e vulosur me gjakun e luftëtarëve.” Profesori gjakovar me emocione e rikujton atmosferën kur partizanët kalonin rrugëve të përbaltura të qytetit dhe mitingun popullor ku kishte fol Nijazi Maloku dhe kishte përshëndet të pranishmit komandanti i shtabit kryesor Fadil Hoxha. “ Masa e popullit që kishin dalë për të nderuar sakrificën e partizanëve që morën pjesë në çlirimin e qytetit, me një frymë klithnin Liri-liri, më në fund shpëtuam...Të gjithë ishin të gëzuar, të lumtur dhe me krenari përshëndesnin çdo çlirimtarë”.
Gëzimi dhe krenaria e qytetarëve të Gjakovës ka qenë i madh dhe e kuptueshme. Atë mëngjes, në mesin e luftëtarëve të sapoardhur, shumë prej tyre më kot pritnin dhe kërkonin prindërit, djemtë, vajzatë, nipat e mbesat që ishin rreshtuar në anën e forcave antifashiste duke luftuar për liri dhe pavarësi. Por, shumë prej tyre ishin vrarë e zhdukur, ishin viktima në luftën e përgjakshme për çlirimin e vendit. Në radhën e çlirimtarëve nuk ishin Asim Vokshi, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Mustafa Bakia, Sadik Stavileci, Dërgut Vokshi, Ganimet Tërbeshi, Hysni Zajmi, Shani Nushi e shumë gjakovarë të tjerë të cilët bashkë me 6.200 dëshmor nga mbarë Kosova flijuan jetën për lirinë dhe pavarsinë e vendit.


Gjakova ishte qytetet i rëndësishm në luftën çlirimtare dhe në revolucionin popullor, ishte plotësisht qytet i partizanëve. Shumë gjakovarë iu bashkangjitën 53.000 veteranëve nga gjithë Kosova të cilët bashkë me luftëtarët nga Shqipëria morën pjesë në luftë në anën e koalicionit Antifashist të botës demokratike dhe dolën fitues. Të tjerët që kishin ngelur në qytet, me mënyra të ndryshme ofronin ndihmë Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për meritat e tyre në çlirimin e vendit nuk ka fare dilemë. Historia dhe numrat dëshmojnë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Sipas të dhënave jo të plota 108 gjakovarë ranë dëshmorë, 45 ishin viktima të terrorit fashist, 41 bartës të përkujtimores partizane 1941 dhe 9 janë shpallur horonj të popullit. Në Gjakovë me 11 nëntor të vitit 1944. në prani të komandantit të shtabit kryesor Fadil Hoxha u formua Brigada e VII Sulmuese që kishte mbi 4.000 luftëtarë. Kjo Brigadë pas dy ditësh u nis në drejtim të Prizrenit, Rahovecit, Drenicës, Ferizajit Gjilanit dhe Lipljanit ku sëbashku me Brigadat tjera mori pjesë në çlirimin definitiv dhe konsolidimin e pushtetit popullor në këto komuna. Në fund të vitit 1944 Brigada e VII luftoi në frontin e Sremit, në çlirimin e Zagrebit, Sarajevës dhe Trieshtës.
Veteranët e Gjakovës kanë dhënë kontribut të madh në përhapjen e idesë së bashkimit me Shqipërinë. Heroi i popullit Fadil Hoxha ishte inspirator, ideator dhe pjesëmarrës në Konferencën e Bujanit, ku u shpreh qartë aspirata dhe dëshira e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë që ishte e drejta natyrore e popullit shqiptar, e fituar në luftrat shekullore. Siç është shprehur gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit : “Fadil Hoxha, si burrë shteti, me aftësi e dinjitet, me zgjuarsi e largpamësi të jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar më së miri koniunkturat e brendshme politike në ish-Federatën Jugosllave arriti ta bëjë Kosovën pjesë kushtetuese të Federatës. Edhe në kushte tepër të vështira, ai nuk i pushoi përpjekjet e luftën për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve brenda Federatës. Kështu ai bëri të mundur që të ruhet gjuha e të shkollohet rinia kosovare në gjuhën shqipe; doli hapur kundër shpërnguljes të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi; kundër largimit të shqiptarëve nga administrata; kundër reprezaljeve që bëheshin ndaj shqiptarëve, nën pretekstin e mbledhjes së armëve etj. Nga arritjet më madhore të Fadilit e të grupit që ai drejtonte qe arsimimi i rinisë së Kosovës me gjuhën amtare në shkollat e të gjitha niveleve e profileve; arritje këto që kulmuan me hapjen e Universitetit të Prishtinës e krijimin e institucioneve kulturore, përfshi Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës, ku mbaruan studimet e larta dhjetëra mijë intelektualë dhe nga ku dolën profesorë e akademikë të shquar”.


Tani, 74 vjet më vonë, partizanët e fundit që mbijetuan ato ditë heroike, kur ishin më të fortë se nazistët gjermanë, fashistët italianë e çetnikët serbë - janë në dhjetë dekadat e jetës dhe pleqërinë e tyre të thellë. Ata kalojnë me shumë halle, peripeci dhe me bindje se janë harruar. Ballafaqohen me probleme sociale e shëndetësore. Nga një pjesë e popullatës po konsiderohen si njerëz që kanë qenë të futur në rrugë të gabuar. Me okupimin e Kosovës në vitin 1990, ekstremistët serbë dëmtuan dhe demoluan përmendoret ku kanë qenë të shënuar emrat e dëshmorëve dhe heronjve shqiptarë të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare (LANÇ). Pas qershorit të vitit 1999 këtë e vazhduan edhe disa ekstremistë shqiptarë të cilët po ashtu dëmtuan dhe shkatërruan përmendore e pllaka përkujtimore të LANÇ. Disa shkolla dhe rrugë nuk mbajnë më emrat e heronjve, dëshmorëve dhe veteranëve kosovarë. Ata vlersojnë se këto veprime nuk janë aspak të drejta, janë fyese dhe të dëmshme sepse kontributi i veteranëve, heronjëve dhe dëshmorëve të Luftës Nacionaçlirimtare, sikurse edhe UÇK-së ka qenë shumë i rëndësishëm në përpjekjet e popullit tonë për pavarësi dhe shtetin e lirë të Kosovës.
Megjithatë antifashistët, veteranët dhe pasardhësit nuk po dorzohen para vështirësive. Më 09 nëntor shënuan me krenari 74 vjetorin e çlirimit të qytetit të Gjakovës nga okuatori nazi-fashist. Me këtë rast bashkë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (OVLANÇ) nga Prishtina, Prizreni dhe Peja bënë homazhe dhe vendosën kurora dhe lule pranë busteve të heronjve, në eshtnorën e dëshmorëve në Çabrat dhe në varrezat e heronjve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK-së) në varrezat e qytetit. Njëherazi shënuan edhe formimin e Brigadës VII Sulmuese Kosovare, domicili i së cilës është Gjakova.


Në qendër të qytetit, para bustit të heroit të popullit Emin Duraku, foli motra e këtij heroi Nazmije Duraku Peja, e cila veç tjerash tha:”Jam shumë e lumtur, njëherit edhe shumë e prekur në zemër kur gjendem pranë bustit të vëllaut tim. Ne, ate çfar deshëm e fituam. Tani duhet të jemi të vetdijshëm se si ta ruajmë dhe mos të shkelim gjakun e atyre që dhanë jetën për liri të cilin ne sot e gëzojmë. Kujtimet dhe trimërit e tyre kurrë nuk do ti mbulojë pluhuri i haresës. Ata janë të gjallë në zemrat tona. Tani janë të gjallë edhe para syve tonë”.
Kurora dhe lule u vendosën edhe në bustin e heroit të popullit Mustafa Bakiu dhe Hajdar Dushi që ndodhet pranë gjimnazit që mban emrin e tij. Nxënësit dhe studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës, banorë të konviktit “Sadik Stavileci” nderuan duke organizuar një pritje në mënyrë spontane në lokalet e konviktit. Më pas ata vazhduan për në Çabrat ku ndodhet eshtnorja e dëshmorëve të rënë në LANÇ-së e cila me vendimin e Asamblesë komunale tani mban emrin e heroit të popullit Fadil Hoxha. Aty foli kryetari i OVLANÇ të Kosovës, Zija Mulhaxha i cili tha: “Na vjen mirë që Kuvendi i Gjakovës ka marrë vendim ta restauroj e të rinovoj këtë eshtnore si një monument që na përkujton luftën e gjeneratave të shqiptarëve për çlirimin e vendit nga okupatori, lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe na mundëson të përkujtojmë të kaluarën tone të lavdishme. Historia ka një vazhdimësi dhe ajo nuk është nis prej neve e as që ka me u mbaru me gjeneratën e re. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë viktimat e LANÇ të Kosovës dhe të UÇK-së që flijuan jetën për liri e pavarësi të Kosovës”.
Homazhet përfunduan në varrin e heroit të popullit Fadil Hoxha dhe të ish kryetares së Shoqatës së veteranëve të LANÇ të Kosovës Vahide Hoxha. Me këtë rast, kryetari i OVLANÇ të Kosovës, dega në Gjakovë, Skender Hoxha tha: “Dita e çlirimit të Gjakovës me rrethinë, është një datë e shenjët e historisë tonë, një ditë krenarie për të gjithë qytetarët e Gjakovës me rrethinë.


Nuk është një përkujtim i thjesht i të kaluarës, por para së gjithash është një moment i reflektimit dhe shprehje e konsideratës ndaj përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi”. Ndërkaq, Lekë Hoxha, biri i Fadil dhe Vahide Hoxhës, falenderoj për respektin që po tregohet ndaj prindërëve të tij dhe ndër të tjera tha: “Në ditën e çlirimit të Gjakovës jemi mbledhur për të bërë homazhe herojnjëve dhe të gjithë dëshmorëve e veteranëve të LANÇ dhe të UÇK-së, për të shprehur mirënojohjen tonë të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe që arritën të na mbrojnë dhe të na sigurojnë lirinë dhe pavarësinë”. Ai pastaj theksoi se vendimi për emrimin e eshtnorës me emrin e babait të tij ka nderuar familjen Hoxha dhe shprehu bindjen se renovimi i eshtnorës do të respektoj jo vetëm babain e tij por edhe vlerat e historisë së lavdishme të Gjakovës në LANÇ.
Në të gjitha aktivitet e tjera që u zhvilluan për nder të përvjetorit të çlirimit të Gjakovës dhe rrethinës, veteranët, pasardhësit e dëshmorëve dhe qytetarët, nderuan dhe shprehën mirënjohje dhe respekt të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të të gjitha kohërave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit shqiptar.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes