l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

QINDRA VIZITORË NË SPITALIN E TRAUMËS DHE NË RRJETET SOCIALE, MESAZHE URIMI PËR SHËRIMIN SA MË TË SHPEJTË TË LEGJENDËS NË KUFIRIN E TRI KOHËVE

Plaga e tretë e Gjeneral Parllakut

HALIL RAMA

Heroi – legjendë në kufirin e tri kohëve, gjenerali shekullor Rrahman Parllaku po përballon me dinjitet edhe plagën e tretë. Atë që nuk e mposhtën dy plagët e luftës, në malet e Kurveleshit e të Junikut, si dhe kalvari në burgjet e diktaturës, kurrsesi nuk mund ta gjunjëzonte dhe kjo plaga e tretë – thyerja para tri javësh e kockës së këmbës së djathtë, aty ku bashkohet me legenin… U rrëzua dhe fatkeqësisht u aksidentua pikërisht në bibliotekën e tij familjare me më shumë se 1000 tituj, teksa po përzgjidhte bibliografinë për kolanën me tri librat e tij (me kujtime) “Një shekull në memorie”. Një kontribut i vyer ky i njeriut kurajoz, që në momente të rëndësishme ka mbrojtur me mençuri e trimëri çështjen tonë kombëtare, për t’ua lënë atë si testament brezave të sotëm e atyre që do vijnë.
Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit Rr.Parllaku e përballoi me kurajë operacionin e radhës ne Spitalin e Traumës në Tiranë dhe pas vendosjes së protezës po e rimerr veten dita-ditës. Para disa ditësh atë e vizitoi kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, ndërkohë që pranë tij po tregonte përkujdesje maksimale dr. Arben Gjonej, i njohur për kompetencën profesionale dhe shpirtin e tij human…


Një vit më parë ata ishin bashkë në Vlorë në përkujtim të luftës heroike të Drashivicës. Ndërsa bashkëbisedojnë si dy miq, z. Leskaj ndjehet i ngazëllyer përpara një heroi të gjallë, përpara ish– komandantit të Njësiteve Guerile të Vlorës, që më pas me trimëri, guxim e mençuri do të ngjiste shkallët e karrierës deri komandant i Divizionit të V Sulmues, që luftoi edhe për çlirimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare në ish-Jugosllavi e deri zëvendësministër i Mbrojtjes.
Tek sqaron momentin e aksidentit, biseda merr udhë e ndalet te librat që po shkruan gjeneral Parllaku. Është vërtetë për t’u admiruar edhe në këtë fushë. Librat do të ktheheshin në të vetmin ngushëllim për të gjatë 16 viteve e 3 muajve burg. Gjeneral Rrahman Parllaku do të kalonte 11 muaj në hetuesi bashkë me të tjerë “puçistë të ushtrisë”, si Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Më tej qelia. Pikërisht aty gjenerali do të mbahej në këmbë përmes leximeve. Gjatë viteve të dënimit, Parllaku ka mbajtur një fletore shënimesh për të 96 librat që ka lexuar në burg. Letërsi botërore dhe shqiptare, mbi të cilët mbante shënime të shkurtra.
Aktualisht, tek po kalon disa ditë jo fort të këndshme në Spitalin e Traumës, vlerësimet e tij për librat mund të duken pak skematike e të ndikuara edhe nga metoda e kritikës së kohës. Por, siç shprehet z.Leskaj (i mirënjohur edhe për kulturën e punën me librin), ato janë një lëndë interesante për një studim mbi letërsinë e lexuar në burgjet e diktaturës. Përmes një ditari interesant, ai sjell jo vetëm përmbajtjen e ditarit të librave, mbajtur në qeli, por edhe copëra kujtimesh nga ajo periudhë tmerri, cilët ishin hetuesit e oficerët, ata “të vijës së partisë” dhe ata njerëzorët, që thyenin rregullat me një gjest sado të vogël humanizmi. Vijon biseda ku gjenerali rrëfen se si iu vu leximit dhe ku i siguronte librat.
Libri ia mbajti të gjallë kujtesën dhe e ndihmoi të ruante freskinë e mendimit e veprimit edhe pasi kishte provuar torturat më mizore të Hetuesisë Speciale. Në formimin e Rr.Parllakut, që kishte marrë shkëlqyeshëm dy klasë të fillores brenda një viti shkollor dhe që po me atë zell për dijen e arsimimin kishte mbaruar më pas edhe Akademinë Ushtarake në Moskë, libri do të kishte ndikim të veçantë.
Duket qartazi kjo te “ditari i mbajtur”, për çdo libër të lexuar, ku në pak rreshta ka shënuar: autorin, temën, idenë dhe veprimet e personazheve. Kjo bisedë e ngrohtë mes miqsh për librin sikur ia lehtëson dhimbjet e plagës së tretë këtu në një dhomë të përzgjedhur të Spitalit të Traumës, ku krahas ekipit të mjekëve, edhe dy vajzat shembullore të gjeneralit, Lirika e Tatjana, si dhe e treta, Shpresa që erdhi nga Italia, po bëjnë maksimumin për babain e tyre të dashur e të shtrenjtë.


Pranë gjeneralit janë gjendur thuajse çdo ditë miqtë e tij më të ngushtë, nënkryetarët e OBVL, kolonel Myfit Guxholli e Mira Ohri, si dhe miqtë e bashkëpunëtoret e tij, Arian Starova e Shaqir Rexhvelaj, gazetari e poeti Sakip Cami, Isa Tare -“Mjeshtër i Madh”, Fiqiri Kllari – konsull i Bosnjës në vendin tonë, Sotir Budina, Ali Demushi, Isuf Imeraj e Trifon Llupo, si dhe dhjetëra të tjerë. Ndërkohë, interesim të veçantë kanë treguar drejtuesit e Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës, Zija Mulhaxha, Drita Rexhepi e Bashkim Hisari si dhe kreu i ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni e artisti Skënder Cala, “Mjeshër i Madh”, shkrimtarët e studjuesit Nikolla Sudar e Shpendi Topollaj
Vetë gjenerali legjendë nuk “nguron” t’u shprehë mirënjohje të thellë të gjithëve dhe veçanërisht gjeneral Piro Ahmetaj, këshilltar ushtarak i Presidentit të RSH; kreut të KLSH, z.Leskaj; konsullit të Bosnjës, Fiqiri Kllari; shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bardhyl Kollçaku; zv/shefes të SHP të FA, gjenerale Manushaqe Shehu; drejtorit të Spitalit të Traumës, z.Arben Zeneli; dhe veçanërisht dr.Artan Distafa, këtë ortoped duarartë që mundësoi operimin e tij me sukses; nipit Hazbi Parllaku etj.. Teksa ndjehet mirë i rrethuar nga miq të shumtë, Parllaku ndan me ta edhe brengën që ndoshta për herë të parë këtë 28 Nëntor nuk do jetë i mundur të marrë pjesë në pritjen e Presidentit Meta për festat e Pavarësisë dhe Çlirimit të atdheut, por gjithsesi është shpresëplotë për realizimin e ëndrrës së tij: integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe Kosovën e lirë e të pavarur.


Fjalë zemre shprehu legjenda në kufirin e tri kohëve edhe për miqtë nga Gjakova e Prizreni: Prof.Xhevat Koshi, Skender Fadil Hoxha, Bashkim Hisari, Afrim Deva dhe Shukri Zherka gjatë vizitës që ata i bënë në spitalin e traumës në Tiranë si dhe për Prof.Shefqet Hoxha, Dr.Fejzulla Gjabri e të tjerë nga Shoqata “LUMA”.
Ndërkohë, pas botimit të këtij reportazhi në të përditshmet kombëtare “PANORAMA” e “BOTA SOT”, qindra miq, të afërm e bashkëpunëtorë, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por dhe nga hapësira mbarëshqiptare në botë, i kanë uruar nëpërmjet rrjeteve sociale shërim të shpejtë gjeneral Parllakut, ndër të cilët përmendim: studjuesin Xhemal Meçi, shkrimtarët e kritikët letrarë të mirënjohur Lutfi Hanku, Mexhit Prençi, Mentor Hoxha,Agim Demiri, Bujana Jakova, Flamur Shehu, Mystehak Xhemali, Viktor Gjikolaj, Masllam misim Meçi e Ismet Balaj, ish-ministren e Arsimit Tefta Cami, nipin Enver Parllaku nga SHBA, ish-ushtarakët Çobo Skënderi, Demir Rusi, Garip Lata e Përparim Dida, Idriz Ahmetaj, intektualët e shquar Shuaip Methasani, Bashkim Lami, Kastriot Korro, Xhelil Cibaku, Selman Alla, Donika Gjura, Alban Gjoni, Luan Meta, Ilmi Cani e dhjetra të tjerë.


Është vërtetë e admirueshme kjo përkujdesje për gjeneralin që është fare pranë shifrës 100. Për të është shkruar shumë. Sa shumë e lakmojnë këtë shifër në jetën e tyre fizike, njerëz të shtresave të ndryshme, të kombeve të ndryshëm! Madje edhe urimi i vizitorëve të shumtë këtu në spital për të është: “U bëfsh 100!
Jemi mësuar që shumë personazhe historikë apo edhe ata anonimët e një fshati të largët e të afërt të një kombi t’i legjendarizojmë pas jetës që ata jetuan. E bëjnë këtë shumë kombe në botë. E bën dhe e ka bërë këtë gjë dhe kombi ynë dikur dhe sot, në një cep të tokës apo edhe larg, siç ndodhi me Skënderbeun, me Ali Pashë Tepelenën, Mbretin Zog e dhjetëra personalitete të historisë tonë kombëtare.
Por ne kemi fatin që gjeneral Parllakun po e legjendarizojmë që në gjallje. Rrahman Parllaku ishte dhe mbetet Rrahman Parllaku. Ai dhe vetëm ai.


Po Rrahman Parllaku i kishte të gjitha, të gjitha. Kombe që kanë në kufijtë e tyre njerëzorë, njerëz të tillë, besoj se bukur mirë duhet të jenë të përkëdhelur, të jenë më krenarë se muzetë që kanë ndërtuar me dritë shkëlqimtare se urat që kanë ngritur, të jenë më të bekuar me historitë e tyre njerëzore me betejat, me humbjet, me fitoret. Jeta-enciklopedi e tij ngre mes nesh kalanë e lartë të krenarisë që duhet ta njohim, ta prekim dhe të futemi në mes tyre, në mos si kështjellarë të sprovuar, të jemi në një bedenë të tyre… Ai është i ngjizur si tharm urtie në urtinë e odave lumjane, ku shkolla e urtisë bënte dhe bën garë me atë të librave. Ai është dhe mbetet memoria historike e kombit… Këto dhjetë dekada vite jetë në tri epoka, ose, e thënë pak më thjesht 100 vite, shumë më të pasur se ai i lakmojnë sa e sa herë. Ai është dhe mund të jetë një karakter i lakmuar për historianët, për historinë që ka lënë pas vetes. Për shkrimtarët që mund të gjejnë tharm rrëfimesh për tregime, poezi, novela, romane. Për dietologët që duan sekretin e tavolinës së tij në vite. Për sociologët që shohin tek ai sekretin e mbijetesës së tij në burgje e në liri…”.
Shërim të shpejtë gjeneral Parllaku për ta pritur sa më shëndetshëm ditëlindjen tuaj të 100-të, më 17 prill 2019…
Njëqind vjet është një kuotë shumë e lartë. Gjeneral Rrahman Parllaku ka meritën se e ka rritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës dhe, ç’është më kryesorja, e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Edhe shumë vite të tjera, kështu siç je, vital dhe aktiv!




 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes