l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

DËSHMORËT E BELSHINËS NË FAQET E NJË BOTIMI ME VLERË, ME AUTOR ANËTARIN E KRYESISË SË OBVL

Kol Dedaj sjell vlera në Panteonin e Lirisë

 

Xhemal Meçi
Studiues - Mjeshtër i Madh

Autori, Ing. Kol Nikollë Dedaj pas botimit të një vepre shkencore model “Bazat e matjeve në vlerësimin e pasurive të paluajtshme” (BM-VPP), e miratuar me vendim nr.240, prot., datë 24.02.2016 nga Departamenti i Konstruksioneve të Ndërtimit dhe Transportit, në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, del para lexuesve dhe studiuesve me librin monografik, historiko-etnografik “Në Panteonin e Lirisë”.
Ing. Kol Dedaj, prej vitesh punon për përgatitjen e këtij botimi. E ndiente detyrë morale ndaj këtyre “Bijve të Lirisë” që sakrifikuan rininë, jetën e pasurinë e tyre në shërbim të Lirisë dhe Pavarësisë së popullit dhe atdheut, duke mbetur fanar ndriçues i pashuar në tokën e atdheut të vet që nga malet e larta e të lavdishme të Berishës dhe mbarë trojeve etnike të Shqipërisë natyrale.


Ing. Kol Dedaj, nga viti në vit u interesua të siguronte dokumenta arkivore, botimet, këngët, që u kushtoheshin këtyre dëshmorëve, të mblidhen dhe pas një studimi të kujdesshëm, si dhe të konsultimeve të vazhdueshme me Muzeun Historik të Pukës, arriti të përgatisë këtë monografi me vlera historike pak të njohura në tërësi, siç po e realizon tani Ing. Kol Dedaj. Duhet pranuar e mirëpritur se pasuria e madhe e materialit burimor është vlerësuar me të drejtë prej autorit duke arritur që portretet e luftëtarëve dëshmorë të jenë sa më të plotë dhe mjaft konkretë. Kështu do t’ua bëjë të mundur studiuesve e autorëve të ndryshëm që të citojnë edhe këta dëshmorë gjatë pasqyrimit të vlerave luftarake për Liri e Pavarësi të Berishës, Pukës e mbarë Atdheut.
Duke e analizuar këtë vepër të Ing. Kol Dedës, shohim se ç’përpjekje serioze dhe të vështira ka bërë autori për ta trajtuar në mënyrë organike tërësore gjithë materialin e mbledhur me aq kujdes e përkushtim në funksion të jetës e të veprës së këtyre luftëtarëve të paraqitur, tre prej të cilëve janë shpallur dëshmorë të Atdheut.
I pari, Mark Dedë Marku, (1840 - 5 dhjetor 1910), luftëtar kundër reformave të Tanzimatit, në mbrojtje të autonomisë së malësisë dhe pjesëmarrës në mbrojtje të Plavës e Gucisë, si dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëheqësve të saj, mbështetës i vendosur i kryengritjeve antiosmane, 1908, 1909 dhe 1910; frymëzues i bijëve të vet që të mos e ndërprisnin rezistencën antiosmane deri në çlirimin e plotë të atdheut, si dhe kundër serbo-malazezëve që donin të vendosnin një pushtim të dytë, të mos i ulnin armët.
I dyti, Dëshmor i Atdheut, Mëhill Mark Deda, (1889-1915), pjesëmarrës trim në çetën e të vëllait, Ndoc Mark Dedës dhe luftëtar i kësaj çete që nga viti 1910-1915, kur mbeti i vrarë prej pushtuesve malazezë në dyluftim me ta, në Dukagjin, prill 1915. Në çdo aksion të çetës si me 5 dhjetor 1910 kur ra dëshmor i ati Mark Dedë Marku, në Qyqesh më 1911 ku u bllokuan disa forca osmane që donin ta sulmonin Berishën në befasi. Po kështu merr pjesë në çetën e drejtuar prej Ndocit në përcjelljen e patriotit arbëresh Torenc Toçit në Mirditë, në Klos të Fanit dhe në Kimëz të Spaçit, si dhe në kryengritjen e Lezhës më 1911, dhe më 1912-’13, në luftime kundër forcave serbo-malazeze gjatë rrethimit të Shkodrës, siç pat luftuar me guxim për çlirimin e Pukës në qershor e shtator të vitit 1912.
I treti, Dëshmori i Atdheut Ndoc Mark Deda (1880-1915), Trimi legjendar i Berishës, i Pukës e i kombit shqiptar, guximi i të cilit u duk sidomos kur ushtria e madhe osmane e Shefqet Turgut Pashës kërkoi çarmatosjen e malësorëve. Ndoc Mark Deda bashkë me vëllezërit Mëhillin e Gjergjin (Qytetar Nderi i Komunës Iballë) dhe me bashkë luftëtarë të tjerë vendosën që të mos i dorëzonin armët. Për më tepër formoi çetën dhe bëri lëvizje demonstrative me çetën e tij nëpër Berishë, duke ngjallë shqetësim në mbarë kazanë e Pukës.
Kështu vepruan edhe çetat e tjera të Brigjeve të Drinit, duke alarmuar forcat e xhandarmërisë Pukë e Iballë, sa autoritetet osmane të vilajetit të Shkodrës i kërkuan ndihmë oborrit perandorak të Sulltanit, gjë që i këndohej në këngën e rapsodit të shquar të maleve Prendush Gega:
“ N’at Stamboll po kndon gazeta/Ç’a ka thanë Ndoc Mark Deda/S’i nep armët sa t’jet’jeta/ Sa t’jet’jeta armët s’i nap/Për pa i la zaptit me gjak!”
Forca ushtarake e xhandarmërie së Pukës e të Iballës i rrethonin “Natën e Shënkollit”, më 5 dhjetor 1910, që është një festë familjare tradicionale, por trimat e Berishës nuk u gjetën në befasi, përkundrazi, rezistuan me armë, sa shkaktuan të vrarë e të plagosur në radhët e armikut. Çeta i erdhi në ndihmë Ndocit, duke sulmuar rrethuesit dhe duke siguruar strehimin e tij me vëllezërit e plagosur në vendin e quajtur “Te then Drini Qafën” që quhet Shpella e “Ndoc Mark Dedës”. Gjatë dimrit, të ndihmuar prej vendasve, arritën të mjekoheshin e të ushqeheshin derisa u shëruan dhe u kthyen në Berishë.


Forcat e xhandarmërisë osmane bënë edhe një përpjekje për ta goditur Ndocin dhe trimat e tij në fillim të vitit 1911 nga ana e Qyqeshit, por pa sukses, pasi ai dhe çeta i kishin marrë masat me kohë dhe i pritën me armë, aq sa i detyruan të tërhiqen në panik. Ndoci, duke parë situatën kryengritëse në Pukë, Mirditë, Malësi të Madhe, Shkodër, etj; vendosi të dalë në aksione luftarake jashtë Pukës. Kështu, nga fundi i prillit 1911 me vëllezërit përcollën për në Mirditë Terenc Toçin së bashku me bajraktarin e Berishës dhe të Bugjonit, sikurse do ta gjejmë edhe në kryengritjen e Lezhës më 1911. E njohur është edhe ndihma vendimtare që i dha Midhës në betejën e luftës kundër forcave osmane, korrik 1912. Gjithashtu, roli i tij luftarak qe i rëndësishëm në sulmin për çlirimin e Pukës, qershor deri në shtator 1912, si edhe në luftën e Shkodrës më 1912-’13 kundër pushtuesve serbo-malazezë. Ndoci me çetën e tij e forca të Dukagjinit i sulmoi disa herë deri në Vrakë, duke vrarë disa prej ushtarëve serbë, që luftonin kundër Shkodrës së rrethuar, siç do të luftonte në prill 1915 kundër forcave malazeze gjatë përpjekjeve për pushtimin e Dukagjinit në Mollë të Shoshit, ku ra dëshmor Mëhilli, vëllai i Ndocit dhe ai vet mori plagë të rënda, prej të cilave vdiq në korrik 1915.
Këto janë disa nga përpjekjet e Ndocit me armë në dorë për Liri e Pavarësi të Berishës, Pukës dhe të mbarë atdheut, aq sa kujtimet historike e kënga popullore vazhdon t’i thurë lavdi:
“Të shkoi jeta me armë në dorë,
Jo vetëm në malet e Berishës,
Por kudo nëpër Atdhe, o Ylli i Dritës!”
Kol Deda, për sa i përket strukturës së librit “Në Panteonin e Lirisë”, duhet pohuar se ka sjellë në të edhe mjaft vlerësime e të dhëna nga studiues, personalitete e autorë shkrimesh etj., duke e bërë botimin më të plotë e organik.
E gjithë kjo punë e kryer prej Ing. Kol Dedës me durim e përkushtim, e shtrirë në kohë, paraqitet si një ndihmesë e veçantë në historiografinë tonë deri me përmasa kombëtare, si një model për botime të tilla të autorëve për Pukën e më gjerë.
Si përfundim, mund të thuhet me të drejtë se në përmasat e këtij botimi është realizuar tërësisht figura individuale dhe kolektive të Dëshmorëve të Lirisë, Dëshmorëve të Belshinës, aq sa për vet autorin mund të shkruajmë:
“Atë që bënë të parët e tu me armë në dorë, / Ti, o Kol, e shkrove në libër si autor!”


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes