l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Brigada e Dytë Sulmuese dha mbi 85 dëshmorë në altarin e lirisë gjatë LANÇ të popullit shqiptar

Brigada partizane që u inagurua ditën e Pavarësisë

Brigada e Dytë Sulmuese është një nga formacionet e para të mëdha partizane, e cila si pjesë përbërëse e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u krijua me vendim dhe me urdhër të Shtabit të Përgjitshëm qysh në tetor 1943. Por do të ishte data 28 Nëntor (dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë) data zyrtare e krijimit dhe fshati Shëngjergj i Tiranës vendi ku u inagurua Brig.II-të S.
Dita e inagurimit të saj shënoi një ngjarje me rëndësi të madhe politike dhe ushtarake si për UNÇSH ashtu edhe për mbarë Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare të vendit.


Siç dihet Brig.II-të S pati si bazë të formimit të saj zonën e Shëngjergjit, Çermenikës dhe Martaneshit që ndodheshin në qendër të Shqipërisë me hapësira teritoriale të çliruara e me baza të siguruara të furnizimit në juridiksionin e qarkut ushtarak partizan që drejtohej nga Kadri Hoxha. Përsa i përket bazës shoqërore politike të zonës ku u formua Brigada, ajo banohej nga fshatarë të varfër por patriotë të cilët përbënin shumicën dërmuese të banorëve të këtyre krahinave. Prandaj kur Fronti NÇL lëshoi kushtrimin e luftës për liri kundër pushtuesve të huaj, populli i këtyre krahinave u ngrit i tëri në këmbë qysh në prill 1942 dhe u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare duke e përkrahur atë pa rezerva moralisht e materialisht, si dhe me pjesëmarrje direkte në formacionet luftarake partizane. Po kështu populli i këtyre krahinave kuntribuoj me strehimin dhe furnizimin e reparteve partizane në përgjithësi me ushqime e armatime të zëna nga çarmatosja e një pjese të madhe të ushtrisë italiane që kishte kapitulluar në shtator 1943, duke ia dorëzuar të gjitha këto armatime Brig.II-të S që në këtë kohë ishte në formim e sipër.
Duhet pohuar pa mëdyshje se, ata që mbajtën barrën kryesore të lidhjeve të ngushta të popullit të këtyre krahinave me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i qëndruan besnik deri në fund LANÇ, për krahinën e Çermenikës, Shëngjergjit dhe Martaneshit kanë qenë patriotët e shquar shqiptarë Beg Balla në Orenjë, Ali Shtëpani në Shëngjergj dhe Baba Faja në Martanesh.
Koha, vendi dhe momentet në të cilat u krijua Brig.II-të S karakterizoheshin nga një numër vështirësish serioze; ishte stinë vjeshte me shira e reshje atmosferike që nuk pushonin; dimri po afronte dhe zona ku grumbulloheshin partizanët që do të hynin në brigadë paraqitej një ndër teritoret me ekonomi të varfër dhe me klimë të ftohtë, në një terren tepër të thyer malor. Ndërsa nga pikëpamja e situatës ishte pikërisht pragu i Operacionit të madh Armik të Dimrit, të cilin pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë e kishin përgatitur prej kohësh, duke patur si qëllim që me anë të këtij operacioni të shkatërronin Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe ta shuanin krejt luftën tonë, e cila ishte bërë tmerr për armiqtë dhe shpresë për popullin.


Brigada e II-të S përshkoi një rrugë të lavdishme, të përgjakshme, të mbushur në çdo fazë të Luftës me shembuj vetmohimi dhe akte të heroizmit kolektiv, duke plotësuar gjithmonë me nder detyrat politiko-ushtarake të caktuara nga Shtabi i Përgjithshëm.
Historia e Brigadës së II-të S është historia e luftës dhe e përpjekjeve të atyre bijve dhe bijave që erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zonat dhe krahinat e ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Mallkastrës, Kurveleshit, Beratit, Korçës, Devollit, Kolonjës etj. Këta bij e bija të thjeshtë të popullit, duke lënë vullnetarisht vendet, vatrat dhe qetësinë familjare, hynë në një familje të madhe partizane, ku luftuan me vetmohim pa kursyer as gjakun dhe jetën e tyre në emër të çështjes të çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë. Në këtë luftë të lavdishme ata dhanë kontributin e vet më të çmuar.
Brigada e II-të S luftoi kundër armiqve të shumtë, si kundër pushtuesve nazifashistë ashtu edhe kundër reaksionit të brendshëm. Ajo veproi në krahina të ndryshme të Shqipërisë të Mesme dhe të Jugut si: në Qarkun e Dibrës së Madhe, në zonën e Matit e të Martaneshit, të Çermenikës, në krahinën e Qarrishtës, të Shëngjergjit, në Zaranikë të Elbasanit, në rajonin e Dajtit, në territorin fushor të Tiranës dhe brenda në kryeqytet, në zonën e Fushë Krujës, të Ishmit, të Pezës, të Darësisë së Peqinit, të Dumresë e Gramshit, të Gorë-Oparit, në rrethin e Përmetit në krahinën e Dangëllisë, të Vithkuqit, në fushën e Korçës e Devollit, në rrethin e Pogradecit, në rajonin e Strugës dhe të Prrenjasit.


Në gjithë veprimtarinë e vet luftarake, brigada kreu shumë luftime në shkallë njësie, batalioni dhe kompanie. Veprimet luftarake u karakterizuan nga sulme të fuqishme e të vazhdueshme mbi armikun. Në situata nga më të ndërlikuarat, duke vepruar me guxim e trimëri, ajo çau rrethime të ndryshme të armikut si gjatë Operacionit Armik të Dimrit (1943-1944) në Çermenikë, në Pezë, në Brar e Mauri dhe në Operacionin armik të Qershorit 1944 në Dangëlli.
Gjatë mësymjes së përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, Brig.II-të S e ndodhur në drejtimin Juglindor të Shqipërisë luajti një rol të rëndësishëm si forcë goditëse në këtë drejtim për dëmtimin e kolonave gjermane që tërhiqeshin nga Greqia nëpër teritorin tonë gjatë rrugëve automobilistike Leskovik-Korçë-Bilisht-Kapshticë dhe Strugë-Qafë Thanë-Librazhd, të cilat ishin të vetmet rrugë të tërheqjes së tyre nëpër Shqipërinë e Jugut. Në Qarkun e Korçës Brig.II-të S zhvilloi një veprimtari të gjerë luftarake. Me formacionet e saj të shtrira gjatë gjithë rrugës automobilistike që nga Leskoviku deri në Kapshticë dhe që nga Struga deri në Prrenjas, ajo mbajti nën goditje të vazhdueshme kolonat armike dhe pikëmbështetjet e tyre të fortifikuara të cilat ishin të vendosura gjatë këtyre rrugëve, duke ju shkaktuar atyre dëme të mëdha në njerëz e materiale ushtarake.
Brigada, në bashkëveprim me forcat partizane të batalioneve territoriale asgjësoi përfundimisht reaksionin në krahinat e Kolonjës, Devollit e të Korçës dhe likujdoi në përgjithësi kundërveprimin e tyre të armatosur në këto krahina. Brigada e II-të S çliroi qytetet e Leskovikut e të Ersekës dhe në bashkëveprim me Brig.IX-të S çliroi qytetin e Korçës, një nga qytetet kryesore të vendit.
Përvoja luftarake e Brigadës së II-të S është me shumë vlerë, sepse burimi prej nga lindi dhe u formua ajo ka qenë jeta dhe rruga e saj e gjatë plot përpjekje e luftë kundra pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ajo luajti rolin që i takonte në kuadrin e përgjithshëm të luftës të UNÇSH e cila dha një kontribut të rëndësishëm për çlirimin e plotë të Shqipërisë.


Nga gjiri i kësaj lufte dolën një plejadë e tërë personalitetesh të spikatura ushtarake e politike, të cilët me pjekuri e vendosmëri, në zjarrin e betejave të ashpra fitimtare kundër pushtuesve të huaj u bënë promotorë të luftës antifashiste të njësive dhe reparteve partizane që komanduan.
Duke vlerësuar LANÇ, natyrshëm mendimi shkon tek madhështia e njerëzve që e drejtuan atë. Brigada e II-të S nxori nga gjiri i saj me dhjetra kuadro. Ato ishin njerëz të thjeshtë, bashkëkombas të nderuar, pa përvojën e duhur por me kurajo, patriotizëm e me përgjegjësi qytetare morën mbi supet e tyre një detyrë sa të vështirë, aq edhe të lavdishme, të udhëheqin luftën e armatosur kundër pushtuesve dhe ta fitojnë atë. Prandaj këto kuadro meritojnë nderim e respekt, por edhe një konsideratë të veçantë.
Brigada e Dytë Sulmuese, që nga krijimi i saj deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj u drejtua nga Beqir Balluku, ish komandant i Brigadës, i cili më pas u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Ministër i Mbrojtjes të Republikës të Shqipërisë, ndërkohë që mbajti dhe detyra e funksione të tjera të rëndësishme politike dhe më vonë i pushkatuar padrejtësisht nga diktatori Enver Hoxha.
Komisar Politik i Brigadës ka qenë Vasil Konomi dhe zv/komisar i Brigadës Kiço Ngjela (ish Ministër i Tregtisë së Brendëshme dhe të Jashtme), më vonë i burgosur politik që mori dënim maksimal dhe familja e tij u persekutua egërisht nga diktatura.
Zëvendës Komnadant i Brigadës ka qenë Irakli Bozo dhe Intendent i Brigadës Gani Goxhi, ndërsa përgjegjës i rinisë Alqi Kondi.


Komandantët dhe komisarët e batalioneve në momentin e krijimit të brigadës kanë qenë: Petër Bullati – Komandant dhe Hero i Popullit, Kozma Naska-komisar. Irakli Bozo dhe Bardhyl Mano kanë drejtuar batalionin e dytë si dhe Santo Santo dhe Gazali Sejko, batalionin e tretë.
Brigada e Dytë Sulmuese dha mbi 85 dëshmorë në altarin e lirisë gjatë LANÇ të popullit shqiptar.
Shtatëdhjetëekatër vjet kanë kaluar nga dita e krijimit të Brig.II-të S. Populli ynë dhe ne veteranët e LANÇ përulemi me respekt përpara veprës të partizanëve shqiptarë në përgjithësi dhe veçanërisht atyre të Brig.II-të S, të cilët bashkërisht nënshkruan me grykën e pushkës çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj duke e rreshtuar vendin tonë në krah të koalicionit të madh antifashist botëror që drejtohej nga aleatët e mëdhenj SHBA, BS dhe Britania e Madhe.
Veteranët e LANÇ në përgjithësi e sidomos ata të Brig.II-të S, në këtë përvjetor të 75-të të saj kanë të drejtën të krenohen pasi kanë luftuar dhe përjetuar ngjarje, kanë sakrifikuar duke dhënë vlera për këtë vend. Ndaj ne sot nderojmë veprën dhe sakrificat e tyre dhe përulemi me respekt para kujtimit të dëshmorëve të LANÇ – shokëve tanë me të cilët luftuam bashkërisht në llogoret e kësaj lufte të shenjtë për çlirimin e Atdheut.


(Sipas kujtimeve të Edip Ohrit - ish kudër i Antifashiste Nacionalçlirimtare Brig.II-të Sulmuese)

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes