l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Oficerët ushtarake shqiptarë kanë qenë dhe janë krenaria dhe dinjiteti i kombit tonë

Si luftuam për çlirimin e Tiranës nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët

 

Kur flitet sot për Luftën Nacional Çlirimtare, jo shumë e njohin si ngjarje të jetuar. Për të flitet nga shumë historianë, politikanë, gazetarë, veteranë etj., e për pasojë qëndrimet janë nga më të ndryshmet. Si pjesëmarrës në këtë luftë me moshë shumë të re, (14-15 vjeçar) dëshiroj të ndaj disa kujtime për atë kohë aq të veçantë për mua, e për gjithë shqiptarët. Lufta qe e gjatë, e ngjarjet e momentet e saj janë pambarim. Meqë është përvjetori i Çlirimit të Tiranës, kujtimet ndalen në këtë ngjarje të madhe, të jetuar nga unë e qindra mijëra shqiptarë të tjerë. Si çdo pjesëtar aktiv i asaj pjese të historisë, në këtë ditë përkujtimore, nuk mund të mos sjell në vëmendje ngjarjen e madhe të atyre ditëve luftimesh, e gjithë ata faktorë e aktorë të saj, sidomos ata që dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë, për një ideal, për liri e pavarësi. Në bazë të Urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Shtabi i Korparmatës së Parë, i vuri detyrë divizionit të parë, të përgatiste një plan operativ për çlirimin e Tiranës. Shtabi i Divizionit më tej, lëshoi Urdhrin për brigadat 1,4,17,e më vonë dhe e 8-a, të përgatiteshin e të vendoseshin në zona të përcaktuara, rreth Tiranës si vijon: në juglindje, nga kodra e Kopilit (varrezat e dëshmorëve të kombit), Pallati i Brigadave, kodrat e Sharrës, brigada e katërt, në veriperëndim e lindje, nga Kamza në Laprakë, brigada e parë.
Tirana përbënte një objekt të rëndësishëm për gjermanët, si nyje komunikimi që lidhte Shqipërinë e Veriut me të Jugut. Ky ishte një korridor lëvizës për forcat gjermane drejt Greqisë. Korridori i vetëm për lëvizjen Korçë-Elbasan-Tiranë-Shkodër-Kukës-Prizren ishte i mbuluar me forca ushtarake gjermane të shumta që ndesheshin vazhdimisht me forcat partizane në sulm të vazhdueshëm e të beftë. Marrja e Tiranës do të thoshte prerja e rrugës për lëvizje të mëtejshme të ushtrisë gjermane dhe një gur themelor i fitores përfundimtare të luftës nacional çlirimtare. Duke njohur rëndësinë strategjike të qytetit të Tiranës, komanda gjermane kishte rritur fortifikimet si brenda edhe jashtë qytetit, duke arritur në rreth 1500-3000 ushtarë e oficerë.

20 ditë luftime të shpra për çlirimin e kryeqytetit
Sulmi partizan për marrjen e Tiranës, filloi me 29 tetor 1944 e konsistoi në përqendrimin e brigadave të mësipërme në territoret e përcaktuara nga Shtabi i Përgjithshëm. Brigadat partizane synonin marrjen e objektivave konkrete brenda Tiranës, si Ministritë, Pallatin e Brigadave, etj., dhe mbështetjen e aksioneve të kombinuara, deri në fitore. Sulmi i shumanshëm partizan nga periferia e Tiranës e në qendër të saj, i bëri gjermanët të tërhiqeshin, e ngushtonin rrethin e qëndresës. Ndërkaq, forcat partizane, me guxim e trimëri avanconin duke luftuar për çdo rrugë e shtëpi, deri për çdo gur sokaku, deri në arritjen e objektivit përfundimtar. Avancimi i forcave partizane nuk qe i lehtë dhe i shpejtë sepse forcat gjermane kishin fortifikuar shumë objekte dhe rezistonin fort duke pasur epërsi në armatime e fortifikime të ngritura kudo në Tiranë. Guximi dhe trimëria partizane ushqehej dhe nga mbështetja e gjerë popullore që u bë pjesë aktive e këtyre sulmeve, duke kontribuar me çdo mjet, si në ngritje barrikadash dhe me pjesëmarrje në luftime me armë në dorë. Mbështetja popullore bëri të përjetoheshin shumë momente prekëse, gra e burra, pleq e plaka e fëmijë e shumëkush, u bënë njësh me partizanët duke luftuar me ‘ta e duke kontribuar me çdo mënyrë edhe deri në frymën e fundit.
Çlirimi i Tiranës qe aspiratë e përbashkët e partizanëve dhe popullsisë së Tiranës. Përparimi i forcave partizane detyroi gjermanët të shtonin armatimet e të përdornin artileri e tanke në kundërsulmet e shpeshta që ndërmerrnin, me shpresë kthimin e territoreve të marra nga partizanët e mbajtjen e atyre nën ta. Me gjithë sulmet e shumta e të shpeshta të gjermanëve (2-3 në ditë), Brigada e 4-t, në harkun e 13 ditëve arriti të kryejë e përballojë rreth 60 sulme e goditje, shumicën me fitore. Nga këto veprime ushtarake, në situatë lufte të ashpër pati humbje të mëdha në njerëz. Vetëm në një betejë p.sh, Brigada e 4-t, humbi 31 partizanë, ndërsa lufta e Tiranës mori jetën e 127 partizaneve e partizanëve, nga të cilët, 98 të Brigadës së 4-t. Kjo brigadë mbajti peshë të konsiderueshme në këtë mësymje partizane, së bashku brigadën e parë e të tjera, duke luftuar në sektorin më të vështirë e më të fortifikuar gjerman, në Tiranë e rreth saj. Ndërkohë, edhe Brigada e Parë me luftë të përgjakshme arriti të marrë lindjen e Tiranës, zonën e spitalit, pazarin e ri deri tek Xhamia e Vjetër, ku qëndresa e gjermanëve qe shumë e fortë. Luftimet zhvilloheshin të ashpra me tërheqje e avancim të vazhdueshëm. Brigada e 4-t, që synonte Tiranën e Re, ish-bllokun gjithashtu, hyri e u tërhoq disa herë në këtë zonë ku gjermanët kishin qendra të fuqishme zjarri. Marrja e Tiranës, si objektivi më madhor i momentit të luftës partizane, solli si pjesëtare brigadat e tetë, dhjetë e shtatëmbëdhjetë. U krijua edhe një shtab drejtues i përbashkët për të garantuar suksesin e operacionit nën drejtimin e komandantit të brigadës së parë Mehmet Shehu, komisar Arif Hasko, Nexhip Vincani zv komandant e Qazim Kondi shef shtabi. Pasi shqyrtoi e vlerësoi situatën, qe ky shtab drejtues që në 11 Nëntor 1944, ora 16:00, lëshoi urdhrin e mësymjes së madhe përfundimtare për marrjen e Tiranës. Pjesë e planit strategjik për marrjen e Tiranës, ishin ruajtja e mbrojtja e rrugëve kryesore Tiranë-Durrës, e Tiranë-Elbasan, detyrë kjo, ngarkuar brigadave të dymbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë e njëzet e katërt. Ndërkohë, brigadat e tjera vazhdonin luftimet pa reshtur duke avancuar në rrugica, rrugë, shtëpi e lagje. Gjermanët kuptuan rëndësinë e sulmit partizan dhe vendosen futjen e brigadave midis dy zjarreve, duke sjellë forca shtesë, si autokolonat e nisura nga Greqia e Jugosllavia, nëpërmjet rrugës së Elbasanit. Forcat partizane u ripozicionuan e përballuan dy njësitë e sapo mbërritura gjermane, njëra prej 200 forcash në Mushqeta, (Krrabë), e tjetra prej 300 forcash, në Peqin.
Luftimet me trupat e përforcuara gjermane u zhvilluan të rrepta dhe në sajë të armatimeve të forta e të rënda të formacioneve të gjermanëve, rreth 300 prej tyre, ushtarë e oficerë, çanë brezat partizane e hynë në Tiranë. Humbjet ishin të shumta dhe në radhët e partizanëve që me vetëmohim mbronin çdo pëllëmbë të Tiranës. Dhe pse hynë në Tiranë mes kufomash, tankesh e makinash të shkatërruara, gjermanët e ndjenë që rrethimi sa vinte ngushtohej e që e vetmja rruge e tyre për tërheqje qe rruga e Kavajës. Lufta e Krrabës, përgjysmoi forcat gjermane e mbylli një shteg lëvizjeje për ta. Luftimet brenda Tiranës bënë që gjermanët, së fundi me 16 nëntor, të tërhiqnin dhe forcat e fundit të mbetura në Tiranë e të vazhdonin nga Vora drejt Shkodrës. Në mëngjesin e 17 nëntorit, Tirana u çlirua nga forcat partizane dhe vërshimi triumfator i forcave partizane, mbushi rrugët. Populli i Tiranës që luftoi krah partizanëve e që ndihmoi me çdo mjet këtë mësymje, shoqëroi luftëtarët në rrugë duke festuar e shprehur gëzimin e fitores me brohoritje, këngë e përqafime.

Një dasmë e shpejtë midis dy të rinjve partizanë
Por 17 nëntori, nuk mund të lërë në harresë dhe momentet e episodet e tjera njerëzore. Lufta nuk ndalte dot ndjenjat rinore, natyrore, dashuritë e pashprehura e të ndrydhura të vashave e djelmoshave që ideali i lirisë i kish bashkuar në male. Ajo i tulati e shtypi shpesh ato, e ndonjëherë, në mënyrë të përçudnuar, i asgjësoi. Fitorja e Tiranës, solli dhe gëzime të tjera, një dasmë të shpejtë midis dy të rinjve partizanë të divizioneve të brigadës së katërt. Nuk të del nga mendja, partizania e re, trime dhe aktiviste rinie, nga Kolonja, Zekije, as dhe djaloshi partizan Tahir nga Fieri, komandat i njohur batalioni, që u kurorëzuan në martesë, në ditë lufte pas fitores mbi Tiranën. Çlirimi i Tiranës pra solli në brigadën e katërt edhe çlirimin e ndjenjave të ndrydhura e kontrolluara nga rregullat e rrepta të ushtrisë nacional çlirimtare që shpesh arrinin në absurd. Sipas zakonit shqiptar, një grup partizanësh të batalionit të katërt, erdhën si krushq tek batalioni i Zekijes, për t’i kërkuar dorën. U improvizua një festë e vogël modeste, me aq zahire sa gjendej në ato kushte. Por gëzimi dhe atmosfera e festës ishin po aq të mëdha, sa në çdo festë tjetër dasme. Kënga e partizanëve shoqëroi gëzimin e çiftit që festonte lidhjen e shenjtë martesore me fitoren e ëndërruar, jetë të re në një Shqipëri të lirë e të pavarur. Çifti, për fat pati bekimin e Zotit, e momentit historik, dhe vazhduan jetën familjare dhe karrierën si ushtarakë të devotshëm, deri sa dolën në pension. Përvjetori i martesës së tyre është shumë i veçantë, daton me luftën, ditët e shënuara të saj.
Krahas ngjarjeve të gëzuara, të vijnë në mend dhe histori të dhimbshme. Kështu, gëzimi nostalgjik të ngrin në mendje teksa kujtimet e luftës së Tiranës të çojnë tek beteja për të marrë zonën nga liqeni artificial sot, që quhej kisha e Shën Prokopit. Një partizane e re, e patrembur e energjike, teksa luftonte në vijë të parë, u godit nga plumbat e pashpirt gjermanë dhe ra si gjethe jeshile e shkundur nga pema në ditë furtune. Gjermanët e vendosën trupin e saj të hajthshëm mbi rrethimin me tela me gjemba, që mbronte pozicionet e tyre, për të shokuar partizanët. Një grup shokësh të saj, të pikëlluar e trimëruar më shumë nga humbja e kësaj jete, organizuan aksionin për të tërhequr trupin e saj, e për ta nderuar duke i dhënë lamtumirën e fundit, sipas traditës shqiptare e partizane. Një tjetër histori e dhimbshme është ajo e ushtarit italian Salvatore Umberto, që ju bashkua brigadës së katërt kur kapitulloi Italia. Ai ishte një djalë simpatik, shakaxhi e i gjallë, e luftëtar i zoti. Gëzimi i Umbertos gjatë përparimit të formacionit tonë drejtë Tiranës, nuk arriti të kurorëzohej me fitoren, marrjen e Tiranës. Gjatë luftimeve në Krrabë, në datën 16 nëntor, artileria gjermane, që qëllonte me breshëri pozicionet tona, goditi pabesisht Salvatoren dhe e plagosi rëndë. Ndërsa e transportonin drejtë Infermierisë lëvizëse, të improvizuar në terren, rënkoi e tha në gjuhën e tij, “nëna ime, tani e gjeti predha e mallkuar të më kapë, në prag të fitores! Tirana po çlirohet e unë nuk do ta gëzoj. Po do ta shohin mijëra shqiptarë e edhe nëna ime”. Në këto fjalë, jeta e tij u shua, dhe ky dëshmor i panjohur publikisht, nuk jetoi fitoren e koalicionit antifashist, të Luftës së Dytë Botërore; ai nuk u shpërblye për luftën që bëri e reflektimin e thellë në kuptimin e saj, kur ndërroi jetë në llogore. Ai u shua si dëshmor internacional, që dha jetën e tij për një kauzë të shenjtë internacionale, për liri e drejtësi, paqe e lumturi në botë. Me nostalgji, dhimbje e respekt të thellë, vijnë kujtimet mbi Salvatoren e qindra të tjerë si ai, partizanë internacionalë që ju bashkuan partizanëve shqiptarë, për ëndrrën e madhe të lirisë e pavarësisë. Pra, ajo luftë ishte internacionale dhe gjithëpërfshirëse, ishte lufta e të rinjve e të rejave të asaj kohe, që me energjinë, entuziazmin, besimin e trimërinë e tyre, bënë epokë. Lufta për çlirimin e Tiranës është një nga pjesët më të lavdishme të luftës çlirimtare partizane, që është padyshim një pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare, e historisë së kombit, e historisë botërore të Luftës së Dytë Botërore.


Kjo luftë vulosi Shqipërinë e lirë dhe pse pati si kosto humbjen e jetëve të dhjetëra e qindra partizanëve e shqiptarëve të tjerë patriotë. Për një Shqipëri të lirë e të pavarur dhanë jetën lulet e kombit, djem e vajza të reja, që sakrifikuan për të ardhmen më të ndritur të kombit. Çdo brigadë, nderon të rënët në këtë luftë, brigada e katërt, pati 98 partizanë që humbën jetën në mbrojtje të idealit të tyre, duke luftuar me vetëmohim e trimëri të pashoqe. Ata heronj të heshtur e shpesh të papërmendur shumë, janë sot krenaria e kombit, që ka mbijetuar në shekuj e që ka bërë historinë e tij me luftë e rezistenca të vazhdueshme. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u rreshtuar me aleatët anglezë, amerikanë e sovjetikë, shqiptarët shtuan faqe të lavdishme në historinë e tyre, bënë luftën çlirimtare dhe dëshmuan vlera kombëtare e internacionaliste të veçanta. Ata që ranë dhe ata që jetuan, do të kujtohen gjithmonë me respekt e do të mbeten pjesë e historisë dhe përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi, identitet e europianizim.

*Myfit Guxholli
Veteran e pjesëmarrës në luftën e Tiranës





Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes