l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Dy vjet pa Qemal Gegollarin, kuadrin që komandoi Njësi si Brigada dhe që kreu detyra të larta në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes

PËR INTELIGJENCËN DHE KARAKTERIN BURRËROR TË QEMAL GEGOLLARIT

RRAHMAN PARLAKU
Kryetar i OBVL-së, Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”

 

Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë e Qemal Gegollarit, duhet ta kesh njohur atë nga afër në gjithë veprimtarinë e tij. Për fat të keq mua më mungon pjesa më e vrullshme e kësaj veprimtarie, kur Qemali e shpalosi; e para, në etjen për mësim, shkollim e dije, dhe e dyta, në punën këmbëngulëse për plotësimin e detyrave. Të dyja këto së bashku dëshmojnë se ai ka ndjekur e arritur suksese në studimin në disa institucione të mësimdhënies, përfshi ato akademike. Po kështu në përparimin, në komandimin e drejtimin ushtarak. Ai arriti të komandojë Njësi si Brigada dhe të ketë detyra të larta në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke treguar aftësi komanduese dhe drejtuese.
Unë, pa u njohur me këtë aktivitet të vrullshëm të Qemalit, vetëm duke marrë parasysh arritjet e tij në moshën e pjekurisë, me përvojën që kam në komandimin e drejtimin e ushtrisë në luftë dhe pas saj, e di seç mund e këmbëngulje duhet t’i arrish këto detyra.
Pjesën e dytë të Qemalit, dijet e njohuritë ushtarake e kulturore, i njoha më mirë gjatë më shumë se 20 viteve, që u njohëm e bashkëpunuam në Organizatën e Ushtarakëve në Pension e në Lirim, ku ai bënte pjesë që në themelimin e saj, po dhe në Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ. Megjithëse ai nuk ishte veteran, ne e ftonim dhe ai vinte me dëshirë në aktivitetet që zhvillonim. Ai ndihmonte në organizimin e aktiviteteve të OBVL, por dhe në gazetën “Veterani”, me shkrimet e tij.
Dijet e njohuritë e tij kulturore, Qemali i shpalosi edhe në veprimtarinë letrare e publicistike; ai krijoi e drejtoi për shumë vite gazetën krahinore “Opari”.
Ka shkruar mbi dhjetë libra me temë historike, duke evidentuar veprimtarinë patriotike e atdhetare të popullit të Oparit; ka ngritur lart figura patriotësh me kontribute kombëtare.
Në gjithë këtë veprimtari Qemali ka treguar sa e ka dashur ai vendlindjen e tij, sa i lidhur ka qenë ai me popullin e asaj krahine dhe po aq me dashuri dhe vërtetësi ka evidentuar luftërat për liri e pavarësi kombëtare të oparakëve.
Kontributi i tij e kalon gjeografinë e krahinës, është kontribut edhe për historinë ombëtare.
Gjatë kohës që punova me Qemalin njoha edhe karakterin e tij, siç thuhet në fjalor, burrëror. Fjala qe fjalë, ai s’i luante asaj; i pangutur në mendime, të dëgjonte me vëmendje; i ekuilibruar në marrëdhëniet shoqërore... Këto cilësi e kishin bërë të respektuar në shoqëri dhe këtë unë e shikoja jo vetëm në mes ushtarakëve, po edhe të veteranëve që ishin mosha e babait të tij. Siç qe respekti i tij ndaj nesh, edhe ne në Organizatën e Bashkuar të Veteranëve e konsideronim të barabartë.
... Dhe diçka personale me të. Një ditë më pyet se si e kaloj kohën, dhe unë i them:
- Lexoj, po edhe tani që i kam kaluar të 90-tat po mbaroj së shkruari një libër me kujtime, po nuk arrij të të konkuroj ty o Qemal!
Më inkurajoi dhe njëherazi perifrazuam thënien e popullit: “Sa të rrosh, do të mësosh”. Dhe këtë unë po e provoj në veten time.
Për Qemalin ruaj kujtimet më të mira. Më erdhi shumë keq që u nda shumë herët nga jeta. Po më vjen mirë që Familja e tij po kontribuon që të shkruhet një libër për të. Nuk e di nëse arrita që në këto rreshta të shpreh disa nga cilësitë e atij burri.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes