l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

FORUM

ZGJIDHJA E KONFLIKTIT KOSOVË - SERBI ENDE LARG

Nga Bashkim HISARI

Vizita e fundit në Kosovë e ish antarit shumëvjeçar të Partisë Radikale Serbe (Srpska Radikalna Stranka), argatit të kryeçetnikut serb Vojisllav Sheshel dhe kriminelit Sllobodan Millosheviç, tani president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dëshmoi se marrëdhëniet Kosovë-Serbi mbeten të tensionuara dhe ato japin pak shpresë për progres.
Kreu i shtetit serb Vuçiq, kishte paralajmëruar se gjatë vizitës në veri të Kosovës, në muajin shtator të këtij viti, do të flas për një “marrëveshje historike” lidhur me njohjen e realitetit në Kosovë. Por, gjatë vizitës dyditëshe, jashtë protokollit shtetror dhe pa takime me zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës, me fjalimet që mbajti para serbëve të Kosovës, në liqenin e Ujmanit (Gazivodës) dhe në veriun e Mitrovicës, ai nuk dërgoi mesazhe për paqe e as oferta për zgjidhje historike të konfliktit shumëvjeçar mes shqiptarëve dhe serbëve. Mesazhet e Vuçiqit ishin provokime shoviniste, politikë boshe me plotë premtime demagogjike e oferta të rrejshme për një të ardhme më të mirë. Vuçiq drejtoi energjin e tij nacionaliste Serbomadhe që të vazhdoi aspiratat për Kosovën. Erdhi në veri të Kosovës për të thënë se situata nuk është aspak e lehtë, se nuk ka zgjidhje, se nuk do ta njohin pavarësin e Kosovës dhe se Kosova është Serbi. Presidenti aktual i Serbisë shfrytëzoi rastin që para serbëve të Kosovës të rehabilitoi dhe glorifikoi politikën e kriminelit Sllobodan Millosheviq duke thënë: “Millosheviqi ishte një lider i madh serb, qëllimet e të cilit ishin sigurisht për të mirë, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta. Jo sepse ai e donte këtë, por sepse dëshirat tona nuk ishin reale, neglizhonim dhe nënvlerësonim interesat dhe aspiratat e kombeve tjera”.

Ai gjithashtu kritikoi ish-zyrtarët serbë pro-perëndimorë që e dorëzuan Millosheviqin dhe gjeneralët e tij në Gjykatën për Krime Lufte në Tribunalin e Hagës në Holandë. Millosheviqi, që vdiq në vitin 2006 në Tribunalin e Hagës, konsiderohet gjerësisht si politikani më përgjegjës në ish-Jugosllavi për shpërbërjen e federatës dhe vdekjen e së paku 120 mijë personave në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Mesazhet e Vuçiqit për Serbinë e Madhe

Vuçiq, i cili ishte një ultranacionalist gjatë luftërave në Ballkan, ish ministër i Millosheviçit gjatë vitit 1999. në këtë vizitë Kosovës nuk përmendi krimet e serbëve të bëra kundër shqiptarëve. Nuk kërkoi ndjesë për gjenocidin dhe krimet monstruoze, por vazhdoi retorikën e tij në linjën e politikës së serbëve të cilët janë të zhgënjyer se nuk u realizuan idetë e Milosheviqit dhe politikanëve tjerë hegjemonistë për “Serbinë e Madhe”. Mesazhet e Vuçiqit në pjesën veriore të Kosovës që e pretendon ta aneksoj për t’ia rrëmbyer pjesën vitale të Kosovës, ishin skandaloze. Ato zbulojnë thelbin dhe hedhin dritën e duhur mbi qëllimet e presidentit dhe qeverisë aktuale Serbe, për mos sinqeritet lidhur me Kosovën dhe nuk premtojnë që të bëhet një hap më serioze dhe më e rëndësishme në marrëdhëniet me shqiptarët dhe Kosovën. Përkundërazi, ato edhe më shumë tensionuan situatën në këtë fazë të bisedimeve dhe që po ndodh me lehtësimin e Brukselit zyrtar qysh prej vitit 2011.
Sjellja e Vuçiqit gjatë vizitës, dekleratat e tija midis Kosovës që rehabilitojnë dhe lartësojnë personalitetin e kriminelit Millosheviq, i cili nga Kosova nisi luftërat për krijimin e “Serbisë së Madhe” gjatë sundimit të cilit u bënë krime më të rënda, është fyerje e madhe për Kosovën. Shqiptarët nuk kanë harruar të kaluarën e luftës së viteve 1998/99 dhe përgjegjësinë e Millosheviqit për krime lufte dhe kundër njerëzimit i cili dërgoi 40 mijë trupa dhe 300 tanke në Kosovë për ti dëbuar afro 1 milonë shqiptarë dhe për të kryer krime më mizore me ç’rast u ekzekutuan mijra burra civil, masakruan fëmij, gra e pleq, dhunuan grate. Ai është përgjegjës për jetën e humbën ose u zhdukun të 10.317 civilë, prej të cilëve 8.676 shqiptarë, 1.196 serbë dhe 445 romë dhe të tjerë, si dhe 3.218 pjesëtarë të formacioneve të armatosura, 2.131 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), 1.084 pjesëtarë të forcave serbe dhe tre pjesëtarë të KFOR-it. Kriminelët serbë zhvendosun kufomat, plaçkitën dhe shkatrruan pronën, shkollat, objekte fetare etj.
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Kosovës (OVLANÇ), ashpër reaguan kundër vizitës dhe fjalimeve të presidentit Vuçiqit në Kosovë. Nënkryetari i kësaj organizate, Lekë Hoxha, komentoi ardhjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë dhe për gazetën Veterani tha: “Pjesët e fjalimit për Millosheviqin si një udhëheqës i madh është një lojë e pistë politike e Vuçiqit që vërtetoi se ai është pjesë e politikës hegjemoniste serbomadhe. Të lartësojsh personalitetin e diktatorit, personit kryesor përgjegjës për gjakderdhjet në territorin e ish-Jugosllavisë i cili dëboi rreth një million shqiptarë nga trevat e tyre dhe vrau me mija civilë të pafajshëm, është akt cinik i pamoralshëm, ironi turpi që glorifikon antivlerat e neofashizmit dhe ofendim i madh për vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për UÇK-në” e NATO-në të cilët e ndalën krimet e Millosheviqit”

Projektet e politikës hegjemoniste Serbomadhe.


Serbët një kohë të gjatë kanë një doktrinë që ka ngjallur tmerr të padurueshme me përdorimin e pikëllueshëm të terrorit, dhunësmonstruoze, masakrave dhe luftës për zhdukjen e kombit shqiptar. Shqiptarët vazhdimisht kanë qenë të nënshtruar përdredhjeve të shumta të dhunës, dëbimeve e shpërnguljeve, ndërrimit të disahershëm të pronave, kolonizimit të trojeve të tyre, ndryshimeve të përsëritshme të statusit që radikalizoheshin gjithnjë e më shumë. Politikanë, historianë, diplomatë dhe shkrimtarë më të njohur serb promovonin idenë sipas së cilës serbët përfaqësojnë racën dominante. Të bashkuar me “gjakun”, territori dhe histori të njëjtë, ata vazhdimisht tentonin të paraqiten si superiorë në raport me popujt tjerë, sidomos me shqiptarë. Ky diskurs jo radhë promovohej teorikisht në punimet shkencore, shkrime politike, duke formuluar plane, projekte dhe elaborate të ndryshme raciste, fashizoide dhe armiqësore për dëbimin, asimilimin, pushtimin e kolonizimin e trojeve, ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e popullit shqiptar.
Që nga “Načertanije”, drafti sekret i viti 1844. e ministrit të Brendshëm Serb, Ilija Garashanin, projektit të parë të Vaso Çubriloviqit”Shpërngulja e Arnautëve” nga viti 1937., Konventa jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi nga viti 1938, elaboratit të Ivo Andriqit të porositur nga kryeministri Milan Stojadinoviq, projektit të dytë të Vasa Çubriloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re” nga viti 1944., “Marrëveshja Xhentëlmene” Tito-Kyprili për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e vitit 1953, planet për pastrimin etnik dhe kolonizimin e Kosovës e realizuar pjesërisht edhe nga ministri i Brendshëm jugosllav Aleksandar Rankoviq, Memorandumi i Akademis së Shkencave dhe Arteve të Serbisë e deri te Kisha Ortodokse Serbe, Kosova e paraqet si çështje kryesore kishtare, kombëtare dhe shtetërore.
Në këtë drejtim nuk munguan as projektet e qarqeve ekstreme raciste e neofashiste serbe si: ulërimat e Sheshelit se “shqiptarët duhet dëbuar përtej Bjeshkëve të Nemuna”, të bërtiturat e Drashkoviqit se “atje ku është edhe varri i vetëm serb, ajo është tokë serbe” projekti i regjimit të Millosheviqit “Të gjithë serbët në një shtet të vetëm”- nënkuptonin ngritjen e doktrinës shtetërore për formimin e Serbisë së Madhe dhe zhdukjen e popullit shqiptar me mjete të dhunës dhe me metoda gjenocidale.

Trathtia e idealeve të LANÇ

Në vitet e vështira e të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare (LANÇ), populli shqiptar u radhit përkrah koalicionit të madhë antifashist botëror dhe luftoi kundër barbarisë nazi-fashiste. Në këtë luftë morrën pjesë edhe mbi 50 kosovar të ciët luftuan krah në krah me veteranët antifashist të Shqipërisë dhe të botës tjetër përparimtare dhe dhënë kontribut të çmuar që sot na bën të ndjehimi krenar. Gjatë luftës antifashiste shumë prej tyre u përgjakën, u burgosun, vranë e u prenë, internuan dhe u tortoruan...por kur nuk braktisën virtytet më të mira për të shërbyer kombit dhe dhënë kontribut të theksuar për çlirimin e vendit. Mirëpo, roli i tyre u kufizua dhe u pamundësua realizimi i aspiratave që kishin. Nacionalistët dhe hegjemonistët serb e anulluan vendimet e Konferencës së Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqiprin, detyruan me dhunë të miratohet vendimi që “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohet Serbisë Federale” dhe në Kosovë vendosën pushtetin ushtarak.
Në periudhën, pas Luftës së Dytë Botërore, veteranët e LANÇ të Kosovës shpesh ishin në shënjeshtër të kritikave të ideatorëve të serbës së Madhe. Ata e quanin antirevolucionar, irredentistë, seperatistë dhe me epitete të tjera më të vrazhda. Disa prej veteranëve ishin të përndjekur, të persekutuar dhe të diferencuar nga regjimi antishqiptar serb. Nga mesi i vitit 1990, kur pushteti okupues serb, me heqjen e Autonomisë së Kosovës shqiptarët i pushoi ose i largoi me dhunë nga puna dhe ua ndaloi çdo aktivitet publik, veteranët shqiptarë, ish pjesëmarrës aktiv të LANÇ të Kosovës, pësuan të njejtin fat dhe u larguan ose u përjashtuan nga organizata e tyre-Lidhjes së Luftëtarëve të LANÇ të Kosovës e cila kaloi plotësisht në dorë të udhëheqjës serbo-malezeze. Por, veteranët e LANÇ-së në momente kyçe të historisë së Kosovës u përcaktuan drejt dhe dhënë përkrahje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe luftës së drejtë për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Historia ka nxjerrë në pah dhe ka vlersuar pozitivisht dhe të dobishme kontributin e veteranëve të LANÇ të Kosovës
Sot në Sërbi përpos Vuçiqit, postet kryesor kanë Daciq, Vulin, Sheshel dhe të tjerët që ishin njerëzit kryesorë të Sllobodan Milloshevicit gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, të cilët edhe sot lejojnë dhe nxisin veprime të ndryshme kundër shqiptarëve. Në qendër të kryeqytetit serb në Beograd edhe sot paraqiten simbole fashiste, vizatime të “Kryqit të thyer” dhe mbishkrrime “Heil Hitler”. Ato nuk premtojnë që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe vështirë mund të arrihet normalizimi i plot mes Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët dhe serbët duhet të gjejnë mënyra dhe veprime për interesa dhe aspirata të përbashkëta. Të mbështesin procesin e dialogut pa inskenime dhe taktizime politike. Menjëherë të ndërpresinë veprimet armiqësore. Serbia të njohi Kosovën si shtet të pavarur dhe Sovran dhe të mundësojë asaj anëtarësimin e menjihershëm në organizatat ndërkombëtare, para se gjithash në OKB si dhe t’i hapi rrugë anëtarsimit në BE dhe NATO. Pa mbështetjen e plot të faktorit ndërkombëtar sidomos të SHBA nuk mund të arrihet progres dhe nuk ka gjasa për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit shumëvjeçar mes shqiptarëve dhe serbëve.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes