l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ish partizani i Brigadës së Parë Sulmuese: Hazis Ndreu, “Burri i Odës Dibrane”

Historia e një spektakli për Hazis Ndreun

Nga Halil RAMA

IKONË E ARTIT DHE KULTURËS KOMBËTARE..
Dhjetë vjet më parë, u realiza një spektakël madhështor në përkujtim të Artistit të Merituar Hazis Ndreu – Mjeshtër i Madh. Skenarist, regjisor dhe prezantues Prof.Bujar Kapexhiu – Mjeshtër i Madh. Një spektakël për një artist dhe njeri të madh, ku interpretuan artistë dhe njerëz të mëdhenj, të botës së artit, kulturës e shkencës. Në formë gjysmëharku, në skenën e sallës së madhe të ish- SHQUP-it, me sfond portretin e madh të Hazisit qenë ulur të gjithë pjesëmarrësit e spektaklit. Artistët, aktorët, këngëtarët, valltarë të radhitur në krah të njëri-tjetrit. Përballë spektatorët, ashtu siç ulen në formë harku, në shiltet e Odës Dibrane. Skena me artistët dhe salla me spektatorët, taman një Odë Dibrane gjigande, e mbushur plot e përplot….Një kompozim perfekt i një spektakli perfekt, produkt i Artistit të Merituar Bujar Kapexhiu, që jo vetëm në aktrim e karikaturë, por edhe si skenarist e moderator mbetet një Mjeshtër i Madh.
Për të arritur deri tek ky spektakël show, iu deshën muaj të tërë parapërgatitje… Dhjetra takime me studjuesit e Institutit të Folklorit, Prof.Dr. Ramazan Bogdani, Agron Xhagollin, Skënder Sallakun, Skënder Calën, Inajet Shehun etj. Të gjitha takimet të monitoruara besnikërisht nga Avniu, djali i madh artist i Hazisit, sipas të cilit: “Baba interesohej për të gjithë, të njohur e të panjohur që ishin në hall, apo që kishin ndonjë problem me zyrtarët. Interesohej për ata që hynin në burg, që i pushonin nga puna, për ata që s’kishin Triskë Fronti, për të futur dikë në shkollë, për vizitë te ndonjë mjek i zoti….Ishte me një fjalë, derë e hapur për popullin njoft e pa njoft…e dinin që Hazisi të mbaron punë se është i njohur dhe e duan të gjithë…deri në Tiranë…te qeveria”.
Pjesë e skenarit të spektaklit, studjuesi i mirënjohur Mikom Zeqo, i cili rrëfen se i ka bërë përshtypje të veçantë studimi i Hazis Ndreut për Skënderbeun, nëpërmjet toponimeve, legjendave dhe përgjithësisht studimit të terrenit….me hulumtimin e të gjitha toponimeve që lidhen me Skënderbeun. Sipas tij “Studimi i Hazis Ndreut në këtë pikë është diçka e re, është diçka serioze…”. Më pas, një tjetër artist i njohur dibran, Dervish Biba ka zgjedhur të recitojë rapsodinë e Hazis Ndreut “Dibrës sime”. Para recitimit ai shprehet se ka qenë fare i ri kur ka dëgjuar dhe është mrekulluar me këngët, rapsoditë e kërcimet e tij. Hazisi si kërcimtar, në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare qe fitues i shumë çmimeve, sidomos në vallen dyshe dibrane me kërcimtarin e mirënjohur Besim Zekthi. Vlerat e tij si koreograf e valltar i evidentoi më së miri Prof.dr.Ramazan Bogdani.
Studiuesi Agron Xhagolli, veç të tjerash flet për Odën Dibrane si institucion dhe për burrin e saj, Hazis Ndreu. “Një universitet që ua kalon shumë universiteteve me emër, për nga forca e riprodhimit të ngjarjeve, interpretimit, për nga mençuria dhe ironia e hollë, aspak fyese për mikun, por shumë favorizuese edhe për t’u formuar në të….”.
Këtë e pohon artistikisht edhe Artisti i Popullit Reshat Arbana, me fjalë por edhe me interpretimin e poezisë së Hazisit të titulluar “Pajtimi”. Më pas, Artisti i Popullit Skënder Sallaku pohon meritën e padiskutueshme të Hazis Ndreut, i cili duke eksploruar në rrënojat e lashtësisë, si një historian i mirëfilltë, e futi Historinë e Dibrës në shina të sigurta për të ecur me dinjitet në fushën e madhe të Historisë sonë Kombëtare. “Kemi qenë shumë miq të afërt me Hazis Ndreun. Një artist i rrallë, por mbi të gjitha një shok e mik i rrallë. I qeshur, fisnik, i mençur, muhabetçi, korrekt, punëtor, i papërtuar, talent. I shoqnisë, por jo i rakisë!”. Pikërisht këtu “ndalon” Skënderi për të interpetuar më pas dy barsoleta, një tironase dhe një dibrane (nga krijimtaria e Hazisit).
Kështu vijoi spektakli, me interpretime të krijimtarisë së Hazis Ndreut nga Veli Rada, Luftar Paja, Behar Mera, Skënder Cala, Llesh Nikolla si dhe nga këngëtarët Arif Vladi, Lirie Rasha, Qerim Sula, Vera Laçi, Saje Poleshi…… Kështu u përkujtua Hazis Ndreu në 81-vjetorin e ditëlindjes së tij, me një spektakël madhështor të ideuar, inskenuar e realizuar nga Prof.dr.Bujar Kapexhiu, emri i të cilit, (edhe si kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane) spikat më së miri, sidomos në tubime intelektualësh dibranë, përvjetorë ngjarjesh e individësh të shquar, apo dhe në promovime librash të autorëve dibranë, ku ky korife i mendimit dhe veprimit krijues po i lartëson kaq shumë shumë Dibrën dhe dibranët.
Burri i Odës Dibrane

Dhjetë vjet më vonë, pikërisht në 90-vjetorin e ditëlindjes së tij, lexuesi ka në dorë profilin e “Burrit të Odës Dibrane” në një libër shumëvlerësh, të stilit dhe llojit të veçantë. Autor, Bujar Kapexhiu – Mjeshtër i Madh, Artist i Merituar, regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar. “Historia e një spektakli”, pas qindra karikaturave të botuara në shtypin e përditshëm që janë përmbledhur në tre libra “Ngërç”, “Për një karrige” dhe “Kthesë”, është libri i fundit i B.Kapexhiut, ku “Burri i Odës Dibrane”, përveçse si profil i skalitur mjeshtërisht të bën për vehte edhe me karikaturat tejet miqësore për Hazis Ndreun e miqtë e tij të shumtë.
“Historia e një speltakli” është një spektakël origjinal, në formën e një udhëtimi në vite me krijim-tarinë e të madhit Hazis Ndreu, ku gjithshka është e dokumentuar në librat e tij me këngë e rapsodi, tregime alegorike e studime të mirëfillta historike. Gjithshka është e ilustruar me tregimet fantastke të këtij krijuesi e mendimtari të shquar. Gjithshka është e komentuar nga personazhe reale, biografia e të cilëve është historia e vërtetë e vendit tonë.
Në tërësinë e tij, libri sjell Odën Dibrane, që në gjuhën popullore përfaqëson dhomën e pritjes së mikut. E përkufizuar në mënyrë sinjifikative nga Bujar Kapexhiu, “Ajo është simbol i vatrës bujare, besa e burrit, qëndresa e trimit, mençuria e fjalës, kënaqësia e muhabetit, sheshi i përplasjes së opinioneve, urtësia e më të moshuarve, këshilla e prindit, përkrahja e mikut, shpërthimi i këngës, sheshi i kërcimit, jehona e të qeshurit, kuadrati i lodrave, dashuria e respekti midis njerëzve, zanafilla e ngjarjeve, fundi i armiqsive, tempull për pleqtë, shkollë për të rinjtë, çerdhe e patriotizmit, burim i humorit. Oda është grumbullim njerëzish, miq, të afërm, farefis, komshinj, për arsye gëzimi, sebep hidhërimi, mikpritjete të ftuarve apo udhëtarëve nga larg. Këtu lindi dhe u rrit Hazis Ndreu….”.
Autori vjen në këtë përfundim pasi ka evidentuar vlerësimet e dhjetra personaliteve të letrave, artit, kulturës e shkencës për figurën dhe personalitetin e Hazis Ndreut, të cilat i ka përfshirë si kapitull më vehte në librin “Burri i Odës Dibrane”. Mjaftojnë qoftë dhe vetëm disa perifrazime nga nga Dritëro Agolli, Kol Jakova, Moikom Zeqo, Agron Tufa, Tonin Çobani, Xhezair Abazi, Lutfi Turkeshi, Vasil Tole, Përparim Tomçini, Afërdita Onuzi, etj, për të konkluduar për një libër të bukur e për më tepër, shumë origjinal. Gjer më sot nuk është botuar një libër i tillë, me humor, studime, dialogë, anektoda e të gjitha këto të ilustruara me karikatura. Një libër që nxjerr në pah madhështinë e këtij artisti të rallë, origjinal, duke e përqëndruar këndvështrimin në zhanrin e humorit.

Disertacion me vlera shkencore
Dhe kur gjatë gjithë leximit të këtij libri je munduar të evidentosh esencialen në profilizimin e Mjeshtrit të Madh, Hazis Ndreu, për të shkruar qoftë edhe pak radhë për të, në ndihmë të vjen vetë autori, me kapitullin përmbyllës: “Kanë thënë për Hazis Ndreun”, në faqet 386-393. Dhe nëse për Dritëro Agollin “Si Hazis Ndreu, mjeshtër i humorit dibran, sot e kësaj dite si ai nuk gjen më, i papërsëritshëm, i papërtuar, modest dhe shpirtmirë”, për Moikom Zeqon “Hazisi është unik. I veçantë, i rrallë në çdo krijimtari të tij, ku ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve me mënyrën e veçantë të të rrëfyerit, duke qenë një nga pasuritë më të mëdha në rrafshin e ligjërimit, jo vetëm kombëtar, por ndoshta edhe europian”. Shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa vlerëson se: “Hazis Ndreu ishte ‘magu’, i cili me prekjen e tij magjike e ngre peshë zemrën e çdo dibrani, pasi arti i tij i flet atij për gjërat më të vyera të pajës më të vyer shpirtërore….Thjesht, Hazis Ndreu arriti shumë shpejt ta ngrejë në nivele kombëtare e ndërkombëtare emrin e artit dhe mençurisë së Dibrës. Ne kemi pasur fatin që jemi përfaqësuar si kulturë përmes një artisti si ai”. Me botimet e tij “Dibra në udhën e historisë”, “Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbërore”, “Ushtima e Maleve”, “Dibra dhe etnokultura e saj”, “Alegori dibrane” etj, Hazis Ndreu ka hyrë me dinjitet në fondin e artë të letersisë shqipe.
Le ta kujtojmë, nderojmë e respektojmë si të tillë në 90-vjetorin e ditëlindjes së tij, Hazis Ndreun, si simbolin e Odës Dibrane, gati-gati si një institucion lëvizës ndërshekullor i traditës, të cilin, shumëformësia e qasjes, ribërja letrare e evenimenteve historike, aftësia vrojtuese, kultura e begatë e shkathtësia përpunuese e lëndës së trevës së vendlindjes, me gjithë gamën përjetuese, e bëjnë të kapërcejë nga Dibra në vizionin e botës shqiptare në përgjithësi. Në këtë këndvështrim, libri i Bujar Kapexhiut “Burri i Odës Dibrane” është një ikonë dibrane plot vlera, është disertacion me vlera shkencore.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes