l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

ANA E DRINIT, DELMACE, ME TRADITËN ILIRO-ARBËRORE TË KULTURËS SË KOMANIT

“KOMANI, Traditë iliro-arbërore”, vepër dinjitoze e studiuesit Xhemal Meçi

Prof. dr. David Luka*

Tek lexoja dorëshkrimin e librit të fundit të z. Xhemal Meçi, me titull “KOMANI, Traditë iliro-arbërore”, më vajti mendja te diskutimet, debatet dhe polemikat e para disa kohëve për shtyllat e tensionit të lartë, që do të ndërtoheshin pikërisht në ato vende, ku toka e nëntoka ruan vlerat më të çmueshme të etnosit shqiptar, të cilat ende nuk janë studiuar e zbuluar aq sa duhet. Ndërsa inxhinierët e teknikët sillnin ndër mend shtyllat që do të transmetonin energjinë elektrike, harronin se po dëmtonin përfundimisht reliket që nëntoka ruante në gjirin e saj dhe priste që shkenca shqiptare të tregohej më e përgjegjshme për trashëgiminë e saj kulturore.
Pikërisht për këto “trashëgimi kulturore” po shkruan Xh. Meçi në librin e sipërpërmendur. Duke qenë vetë pukas, ai i pati vënë vetes detyrë që herët të hulumtonte në këtë zonë për të mbledhur gjithçka kishte mbetur nga e kaluara e lashtë e saj. Puna pati nisur që në vitet 1974 e në vazhdim. Tanimë dihet se me ndryshimet e mëdha social-ekonomike të vendit tonë gjithçka kishte ndërruar pamje. Emrat e vendeve, që shuheshin dalëngadalë, ende gjallonin në kujtesën e të vjetërve, të cilët koha po i rrallonte për ditë e më shumë. Traditat kaq të vyera të popullit tonë, po treteshin në humbëtirën e kohës. E ky do të ishte një gabim i pafalshëm*).
Tashmë dihet se “Kultura e Komanit”(Delmace) përfaqëson kulturën e hershme shqiptare. Objektet e saj pjesërisht kanë tiparet të ngjashme me ato ilire, pjesërisht kanë trajta të reja, të cilat duhet të jenë krijuar gjatë shekujve të mëvonshëm. Ndikimi i kulturës romake, bizantine e sllave në objektet e kulturës materiale të Komanit është i kufizuar. Kjo provon se gjatë shekujve të Mesjetës së Hershme popullsia shqiptare, e rrudhur në krahinat malore, e ruajti kulturën e vet materiale të trashëguar nga koha antike, e pasuroi atë duke krijuar trajta të reja dhe i rezistoi asimilimit nga ana e kulturave romake, bizantine e sllave.
Pikërisht këtë detyrë i vuri vetes z. Meçi, të pasqyronte në librin e tij në botim gjithçka i kishte shpëtuar kohës. Duke qenë vendas, ai e ka eksploruar zonën pëllëmbë për pëllëmbë, tani duke regjistruar jo vetëm ato që kishin shpëtuar nga rrebeshet e viteve, por duke mbledhur me kujdesin më të madh gojëdhënat nga pleqtë, që ende i ruanin në kujtesë legjendat e tregimet e moçme për emrat e vendeve, për rrënojat e gërmadhat e lashta e për gjithçka lidhej me traditën gojore të krahinës. Në këtë libër shkruhet për historinë e lashtësinë e fshatrave Koman, Qerret (i Madh dhe i Vogël), etj.
Shkruhet aty për legjenda e gojëdhëna të hershme, për organizimin sipas traditës së lashtë vendase, për rrugët e urat shoqëruar me emrat e vjetër përkatës, si dhe për vendndodhjen e tyre, për hanet e bujtinat e dikurshme për kishat e vjetra, shoqëruar me emrat e lashtë etj. etj. Në shumë raste autori përpiqet që legjendat e gojëdhënat e hershme t’i krahasojë edhe me dokumentet e kohës, në mënyrë që ngjarjet e përshkruara aty të bëhen sa më të besueshme. Ai shfrytëzon edhe punimet e kryera nga studiues të ndryshëm, duke i përqasur tani me syrin e një vendasi që e njeh në mënyrë të përkryer zonën për të cilën flitet. Me këtë mënyrë ndihmesa e librit është e pazëvendësueshme, veçanërisht për lexuesit e studiuesit e rinj, të cilët tek materialet që sjell ky libër, mund të mbështeten e të orientohen për studime të mëtejshme.


Vend të rëndësishëm në librin e z. Xh. Meçi zë kapitulli për Komanin, poshtë të cilit ai shënon: “Dy epoka, dy histori, me tri visare vlerash kombëtare”. Në këtë kapitull autori, krahas mendimeve të veta, përmbledh gjithçka është shkruar gjatë kohëve për këtë emër të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare.
Ajo që të tërheq më tepër vëmendjen këtu, është toponimi “Kalaja e Delmaces”, ku z. Meçi shpalos mendimet e veta jo vetëm për vendndodhjen e saktë, po edhe për emrin: nëse quhet Kalaja e Dalmaces apo Kalaja e Delmaces. Përshkruhen këtu lagjet e Komanit, gjithashtu Komani në dritën e regjistrave osmanë, përbërja fisnore, organizimi i brendshëm, dymbëdhjetë kishat me emrat e tyre tradicionalë: Kisha Shlleshndreut, Kisaha Shën Kollit, kisha Shnazefit (Shën Zefit), Kisha Shën Gjonit, Kisha Kalasë, kisha Shirqit, Kisha Shën Gjergjit, Kisha Shtotrrit (shën Teodorit), kisha Shën Mëhillit, Kisha Shën Ndreut, Kisha Shën Markut, Kisha Shën Katerinës), rrugët e karvanëve të hershme, që kalonin nëpër Koman, toponimet, gjetjet arkeologjike etj.
Në fundin e këtij kapitulli autori shënon: “Çfarë i mungon tani Komanit?”, duke vazhduar se Komanit i mungojnë tani tri gjëra:
- (1) Vazhdimi i kërkimeve e i zbulimeve arkeologjike dhe mbrojtja e tyre në tërë hapësirën historike të Komanit: (Delmace, sidomos ish-vendbanimet e para rreth kalasë, rreth kishës së Shën Gjergjit, gjithë rrafshi Shënkollit me vetë kishën e Shën Kollit dhe shpatet lindore, jugore e perëndimore, deri afër Kodërvorrezë dhe poshtë, deri në lagjen Gogsh e Graddobro prej ku ishin të mundshme lidhjet e shpejta më kështjellën. –(2) I duhet gjallërimi i Turizmit me Muzeun Arkeologjik, tabelat orientuese dhe udhën automobilistike nëpër Delmace deri në Shënkollë si dhe sipër te Guri Bardhë mbi Qerret t’Eper, ngjitur me Kishën e Shlleshndreut. –(3) i duhet ripërtëritja ekonomike tradicionale.-(Xh. Meçi).
Zoti Xh. Meçi ka një përvojë të madhe për studimin e etnografisë shqiptare. Ai ka dhënë ndihmesë të çmueshme në këtë lëmë të dijes. Ndërmjet librave të shkruar prej tij, dallohen veçanërisht dy Kanunet: ai i Pukës2) dhe tjetri Mirditës3).
Dëshiroj të ripërmend këtu disa mendime të miat për këto dy vepra, të cilat pasurojnë bindshëm të drejtën dokesore shqiptare, në njërën anë, gjithashtu tregojnë se libri, për të cilin po shkruajmë këtë parathënie, është vazhdim i natyrshëm i punës së palodhur të këtij studiuesi. Në “Kanunin e Lekë Dukagjinit” (varianti Pukës) pasuria gjuhësore është shpalosur në tërë gjerësinë dhe thellësinë e saj. Nuk besoj të ketë vepër tjetër ku gjuha shqipe të paraqitet aq e saktë, aq e përkryer dhe në të njëjtën kohë e ndërtuar krejt thjesht, por gjithsesi e aftë për të shprehur në mënyrë të plotë norma morale, juridike, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Mbase është edhe merita e z. Meçi, që një pjesë të përmbledhjes e ka dhënë me shkronja kursive, duke ruajtur të paprekura formulimet e vetë vendësve. E theksojmë edhe njëherë se ky variant është burim i vërtetë, një gurrë e pashtershme ku gjuhëtari mund të shuajë gjithnjë etjen. E bash për këtë duhet përgëzuar z. Meçi, që me përkushtim ka ruajtur trajtat origjinare, duke u dhënë gjuhëtarëve lëndën e parë për punime e studime të mëtejme.
Sa herë kam kohë të lirë, vihem e lexoj Kanunin e Mirditës, mbledhur e kodifikuar nga studiuesi i mirënjohur z. Xhemal Meçi. Këtë e bëj për dy arsye: Së pari, për të kujtuar kohën kur kam shërbyer mësues në Mirditë, dhe, së dyti, për të mësuar sintaksën e shqipes, e cila, në gojën e mirditorit shërben si model i përkryer për të shprehur nuancat më të holla të mendimit shqiptar. E merita kryesore në këtë mes i takon zotit Meçi, i cili ka dhënë me saktësi ato shprehje që janë perla të vërteta për ne studiuesit e gjuhës.
Në fjalën e mbajtur me rastin e përurimit të veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (në variantin e Mirditës), mbledhur e kodifikuar nga Xhemal Meçi, Lezhë, më 26 nëntor 2003, pata bërë një propozim: meqë fjala ime u tret atëherë si “zë në stuhi”, dëshiroj ta përsëris sërish. Mbase ajo tani do të zërë vend dhe nuk do të bjerë sërish në vesh të shurdhër.
Së fundi, kam një propozim, për të cilin besoj se do të më mbështesni. At Shtjefën Gjeçovi mbetet i nderuar sepse na dha të parin Kanun të Lekë Dukagjinit. Monsinjor Frano Illisë iu dha titulli “Profesor” për mbledhjen e botimin“Kanuni Skënderbeut”. Xhemali na dha dy Kanune, të Pukës dhe të Mirditës, e, megjithëkëtë nuk ka asnjë titull. Më duket se ka ardhur koha që Instituti i Kulturës Popullore, tani i mbështetur nga i gjithë ky tubim të propozojë në Komisionin e Atestimit një titull për z. Xhemal Meçi. Dhe në qoftë se ka studiues që e meriton plotësisht titullin “profesor”, Xhemali duhet të jetë ndër të parët.
Shpresoj se propozimi im, i cili mbështetet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.786, datë 17.12.1998, të marrë rrugën e zgjidhjes dhe herë tjetër, kur të mblidhemi për përurimin e botimit të ndonjë kanuni të tretë, Xhemalin ta urojmë edhe për titullin “profesor”.

*PARATHËNIE e për librin në botim të Xhemal Meçit, “KOMANI”




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes