l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

76 vjet më parë - Vendimi më i rëndësishëm i Konferencës së Pezës, krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar

Rreshtimi i Shqipërisë në anën e drejtë të historisë

Halil Rama

• Lufta Nacional-Çlirimtare, e orientuar, e udhëhequr dhe e frymëzuar nga idealet e mëdha të Konferencës së Pezës bëri të mundur që Shqipëria të jetë kontributore e çmuar në koalicionin e madh antifashist botëror, në koalicionin e vlerave

Në fshatin Pezë, rreth 20 kilometra larg Tiranës, 76 vjet më parë më 16 shtator 1942, u mbajt Konferenca e Pezës, e njohur në historinë e popullit shqiptar si kuvendi i parë pluralist. Protagonistë të këtij kuvendi, ishin përfaqësues të krahinave, besimeve të ndryshme fetare, klasave dhe shtresave me bindje politike nga më të ndryshmet. Kur u mor vendimi për thirrjen e Konferencës, vendi ndodhej i pushtuar nga Italia dhe i rrezikuar me asgjësim total të vlerave më të qenësishme kombëtare, kurse shoqëria shqiptare e mbërthyer në probleme dhe kontradikta të mprehta politike, ideologjike dhe sociale. Në Pezë, kuvenduan nacionalistë, demokratë, komunistë dhe zogistë, duke iu dhënë rrugëzgjidhje çështjeve të bashkimit të popullit si çështje kardinale për të ruajtur indentitetin kombëtar. Në këtë konferencë morën pjesë personalitete të rrymave të ndryshme politike, që nga Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi dhe Myslym Peza, që përfaqësonin shtresat patriotike të asaj kohe. Konferenca e Pezës u karakterizua nga debate të gjalla, disa herë të ashpra për probleme të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të strategjisë dhe të taktikës së saj. Mendimet e patriotëve vinin në këtë mbledhje nga pozicionet , mentalitetet dhe interesat e ndryshme të delegatëve, respektivisht të forcave politike që ato përfaqësonin. “Pikëpamjet politiko-shoqërore të rrymave të ndryshme nuk duhet të bëhen pengesa për luftën e popullit shqiptar”, u theksua ndër të tjera në këtë konferencë. Vendimet e kësaj konference, që zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm, me kryetar Kamber Qafmolla, sekretar Mustafa Gjinishi dhe 7 anëtarë, patën jehonë dhe ndikuan në organizimin e popullit shqiptar në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

Vazhdim i Kuvendeve historike të popullit shqiptar për bashkim

Konferenca e parë pluraliste Nacionalçlirimtare e Pezës është vazhdim i Kuvendeve historike të popullit shqiptar për bashkim, sepse bashkimi është i vetmi kusht për të korrur fitore. Në Konferencë fitoi ideja që Shqipëria të ishte “Shqipëri e lirë, e pandashme, indipendente dhe demokratike” (Rez. fq.10). Si përfundim, Konferenca e parë pluraliste Nacionalçlirimtare e Pezës gjeti si zgjidhje më të përshtatshme për t’iu përmbajtur parimit të vetëvendosjes në fund të Luftës, ashtu siç e përmbante Karta e Atlantikut, për të cilën ishin zotuar aleatët e mëdhenj të koalicionit antifashist: SHBA, Rusia dhe Britania e Madhe.
Pa dyshim vendimi më i rëndësishëm që mori Konferenca ishte krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si një organizatë mbipartiake, ku do të bënin pjesë të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo bindje politike.Përsa i përket çështjes së Kosovës, delegatët vendosën që ajo të zgjidhej në bazë të principit të vetëvendosjes si e parashikonte Karta e Atlantikut. Tani, mbas 76 vjetësh, mbetet i njëjti vlerësim për qëllimet dhe rolin historik të Konferencës së Pezës, çka do të thotë që ajo i qëndroi historisë. Ajo ishte dhe mbeti një ngjarje e rëndësishme e historisë, pikërisht për mesazhet që i dha vendit, në qendër të të cilave ishin liria dhe demokracia, bashkimi dhe qëndresa, fitorja dhe prosperiteti.
Pavarësisht dritëhijeve që shoqërojnë ngjarjet e mëdha historike, populli i Pezës duhet të ndjehet krenar që është në qendër të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Luftës dhe Rezistencës Antifashiste për çlirim kombëtar.

Shqipëria, kontributore e çmuar në koalicionin e madh antifashist botëror

Populli i Pezës duhet të ndjehet krenar që është në qendër të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Luftës dhe Rezistencës Antifashiste për çlirim. Ajo kishte një traditë të shkëlqyer rezistence ndaj pushtuesit italian që nga prilli i 1939-ës dhe deri në kohën kur do të mbahej Konferenca. E ndodhur ndërmjet qyteteve më të rëndësishëm të vendit dhe e rrethuar nga kurora e maleve, i jepte rëndësi të veçantë strategjike në organizimin e rezistencës kombëtare. Kjo ishte arsyeja përse Peza u zgjodh si vendi që do të mirëpriste Konferencën që do të shënonte një pikë kthese për rezistencën tonë kundër nazi-fazshizmit.
Pavarësisht dritëhijeve që shoqërojnë ngjarjet e mëdha historike, Konferenca e Pezës ishte përpjekja e parë madhore e popullit shqiptar për t’u bashkuar në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Ajo u diktua nga zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe nga nevoja e brendshme e vendit për unitet kundër pushtuesit.
Pavarësisht efekteve dhe ndikimeve që pati kjo Konferencë, një moment është shumë i rëndësishëm për t’u theksuar. Ishte pika e nisjes së rreshtimit të Shqipërisë në anën e drejtë të historisë. Shqipëria u vendos në krah të aleatëve kundër barbarisë nazi-fashiste, duke dhënë kontributin e saj, e që sot na bën të ndjehemi krenar për këtë qëndrim.
Peza duhet të finalizohej në Mukje për të çuar vërtetë vendin në drejtimin e duhur, por ky ishte shansi ynë i humbur për të fituar pas luftës edhe paqen. Për fat të keq, ata që fituan luftën, humbën paqen. Fundi i pushtimit, ngadhënjimi i lirisë kombëtare u bë pragu i humbjes së lirisë politike. Sot ne kujtojmë me nderim më shumë se gjithçka tjetër, atë përpjekje për unifikimin e faktorit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, një ndarje mes demokracive dhe totalitarizmit, kur u vu në pikëpyetje vetë qytetarimi europian.
Lufta Nacional-Çlirimtare, e orientuar, e udhëhequr dhe e frymëzuar nga idealet e mëdha të Konferencës së Pezës bëri të mundur që Shqipëria të jetë kontributore e çmuar në koalicionin e madh antifashist botëror, në koalicionin e vlerave.
Sot populli shqiptar po ecën i sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, drejt Europës së qytetëruar dhe demokratike, ashtu siç bëri në vitet e vështira e të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare duke u radhitur përkrah koalicionit të madh antifashist botëror.
Megjithëse kanë kaluar 76 vjet që kur u mbajt Konferenca e parë pluraliste Nacionalçlirimtare e Pezës, ajo edhe sot e ruan aktualitetin e saj. Ne shqiptarët si komb e si popull duhet të konsolidohemi dhe të bëjmë realitet ëndërrën tonë të pashuar europiane.
Premtimi për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimit Europian qershorin e vitit 2019 është garanci për një ecuri të mbarë të proceseve integruese, por njëherësh dhe detyrim madhor i secilit për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshjet me BE-në.

 

KALENDARI
Ngjarje të rëndësishme historike gjatë Luftës së Dytë Botërore në shtatorët e viteve 1942-1945

2 shtator 1945 - Kapitulloi Japonia Fashiste. 9 Shtator 1943 - Thirrje popullit shqiptar për kapitullimin e Italisë Fashiste.
4 shtator 1943 - Në Konferencën e Partisë Komuniste në Labinot, 4-8 shtator 1943, u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes dhe u vendos t’i shpallej luftë e armatosur Ballit Kombëtar, me të cilin pak kohë më kishin qenë partnerë, si edhe çdo rryme apo tendence tjetër politike. Për këtë arsye, Konferenca e Labinotit u quajt “momenti vendimtar drejt marrjes së pushtetit” dhe i nisjes së luftës civile në Shqipëri. Nga ky moment, lufta e armatosur ndaj kundërshtarëve politikë do të ishte prioriteti i politikës së PKSH dhe E.Hoxhës. Vendimi i marrë në Konferencën e Labinotit që pushteti i Këshillit NÇ të ishte pushteti i vetëm, hapte rrugën e një sistemi njëpartiak dhe të një pushteti totalitar në Shqipëri. Thelbi i të cilit qëndronte në sundimin e një partie të vetme, Partisë Komuniste.
9 shtator 1944 -U formua Brigada XX Sulmuese e UNÇl Shqiptare në fshatin Protopapë të Korçës.
9 shtator 1944 -U çlirua Bullgaria nga Ushtria Sovjetike – Përmbysja e diktaturës fashiste në Bullgari.
10 shtator 1944 - Lufta për çlirimin e Gjakovës prej gjermanëve (10-16 shtator) nga forcat çlirimtare të Kryezinjve (Gani, Hasan dhe Sait Kryeziu),ku bënte pjesë edhe Llazar Fundo, komisari politik i Lëvizjes Kryeziu, si edhe oficeri britanik Simkoks. Kur luftonin kundër pushtuesve gjermanë, forcat e Kryezinjve u goditën nga forcat partizane të Brigadës V të Shqipërisë dhe forcat NÇ të Jugosllavisë (Kosmetit), të udhëhequra nga Fadil Hoxha.
12 shtator 1944 - Dita e çlirimit të qytetit të Beratit.
13 shtator 1942 - U formua Çeta e Lumës
14 shtator 1943 - Filloi Lufta e Drashovicës (Vlorë) kundër garnizont armik, nga batalionet partizane “Halim Xhelo” e “Ismail Qemali, si dhe nga 4 batalione të krijuara nga vullnetarët dhe nga i gjithë populli i fshatrave të afërta.
15 shtator 1942 -Dita e çlirimit të Çorovodës.
16 shtator 1942 - Konferenca e Pezës, hapi parë për krijimin në formë organizative të Frontit NÇl, ku morën pjesë PKSH dhe përfaqësuesit e tendencave të ndryshme të nacionalistëve shqiptarë. Konferenca e Pezës në programin e saj politik kishte: luftën e organizuarm të ashpër e pa kompromis kundër okupatorëve dhe tradhëtarëve, me parullën: bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje.
16 shtator 1944 - U formua Brigada XIX Sulmuese e UNÇl Shqiptare.
18 shtator 1944 - U formua Brigada XXII Sulmuese e UNÇl Shqiptare, në Pezë të Tiranës.
18 shtator 1944 - Dita e çlirimit të qtetit të Gjirokastrës.
20 shtator 1943 -U formua në qytetin e çliruar të Beratit batalioni “Margarita Tutulani”. 21 shtator 1944 - U formua Brigada XXIII sulmuese e UNÇl Shqiptare, në Zall-Mner të Tiranës.
22 shtator 1942 -dha jetën Heroi i Popullit Nazmi Rushiti.
22 shtator 1943- Forcat partizane të qarkut të Tiranës zhvillojnë luftime të ashpra me gjermanët për mbrojtjen e Krujës.
22 shtator 1944 -Dita e çlirimit të qtetit të Krujës.
23 shtator 1944 - Llazar Fundo, figurë e shquar e socialdemokracisë europiane, i cili, bashkë me Kryezinjtë, po luftonte kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, u arrestua nga forcat e Brigadës V të Ushtrisë NÇ të komanduar nga Shefqet Peçi dhe u pushkatua në Kolesian pa gjyq, me urdhër të E.Hoxhës me radiogram: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta vrisni andej”.
25 shtator 1944 - Masakra e Brigadës V. Me urdhër të komandantit të saj, Shefqet Peçi, u pushkatuan pa gjyq në Krue të Bardhë të Lumës 22 lumjanë të pafajshëm, të lidhur me konop me njëri-tjetrin, si hakmarrje për vrasjen e nipit të tij, Hysen Çino.
26 shtator 1944 -U fomua Brigada XVII Sulmuese e UNÇl Shqiptare, në Gjinar të Elbasanit



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes