l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROMOVIMI

UET-PRESS promovon “Zëra nga errësira”,
Eni Vasili: Jam shokuar dhe përlotur

 

“Zëra nga errësira” quhet libri i gazetares Eni Vasili, që u promovua më 3 gusht në Universitetin Europian të Tiranës nën logon e UET Press dhe Institutit Europian Pashko, ku shtatë personazhe, disa pasardhës të familjeve të vjetra shqiptare dhe pjesa tjetër fillimisht kundërshtarë politikë të të parëve rrëfejnë ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist, ku kanë jetuar të gjithë për shumë vite.
Rrahman Parllaku, Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi vijnë në intervista që hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë. Këto rrëfime janë dhënë në emisionin “Studio e hapur” në News 24.
Projekti i Kujtesës është i rëndësishëm për Institutin Europian Pashko si një kontribut për të njohur të shkuarën, pasi njohje e saj është një kontribut për të tashmen dhe të ardhmen.
Nevila Nika në parathënien e librit shkruan se “çdo popull ka nevojë të dijë të kaluarën e tij, por në rastin e shqiptarëve kjo është një domosdoshmëri, për shkak se vitet e diktaturës komuniste kanë dëmtuar rëndë Kujtesën tonë historike duke e shtrembëruar atë për shkaqe ideologjike”.
Ndërsa gazetarja Eni Vasili, duke shpjeguar arsyet që e shtynë t’i kushtonte hapësirë të veçantë, në emision e më pas në libër, temës së përballjes me të shkuarën komuniste, thotë se “28 vjet prej kohës kur u rrëzua komunizmi në Shqipëri, ende nuk kemi një proces të përballjes me të shkuarën, ende nuk ka një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit të shoqërisë sonë”.
Vasili madje e sheh të qëllimshëm mungesën e katarsisit shoqëror kur gjykon se: “Duket sikur ka një tendencë për t’i fshehur krimet e komunizmit, së paku duke heshtur për çfarë ka ndodhur në 45 vjet diktaturë”.
Ka 28 vite që në shtypin dhe publicistikën shqiptare botohen dëshmi, biografi apo dhe romane për komunizmin, por të gjithë pranojnë se jemi ende shumë larg standardit të seriozitetit dhe rëndësisë që ka në jetët tona ajo periudhë.
Në këtë kontekst ende të pasistemuar e pandriçuar, intervistat e realizuara prej Eni Vasilit, si dëshmi në vetë të parë e autentike, janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe të historisë sonë kombëtare.

Thanë gjatë promovimit

Henri Çili:
E mbyllim sezonin e 2017-2018 me një “gur të çmuar” siç është ky libër. Ky mision që ne nisëm, i cili është afatgjatë dhe kemi arritur në gati 25 tituj, është paksa dhe me kosto, pasi janë tema të ndjeshme që prekin shoqërinë. Kujtoj debatet që na shoqëruan në botimet ‘Kadare’. Kur bashkëpunojmë me gazetërë të njohur, emisione dhe logo të rëndësishme, ne besoj se formësohemi më shumë në misionin e nisur në shndërrimin e komunizmit në një peridhë transparente dhe të studiuar. Ka ardhur koha që të gjithë ne të japim kontributin tonë modest. Dua të falenderoj komandantin Rrahman Parllaku, Maks Velon, Vera Bekteshin, si monumente paqësore që i bëjnë nder vendit.

Rrahman Parllaku:

Falenderoj Enin që e botoi këtë libër. Eni ka bërë një punë që duhet ta bëjnë shumë nga ne. Duhen dokumentuar këto histori për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Për t’u ruajtur në kujtesën e njerëzve, që është e domosdoshme, duhet që gjërat të shkruhen. Do përdor një shpreje që e kam të rëndësishme: “Çfarë është shkruar me fjalë, nuk shkulet dot me sëpatë”. Brezat duhet ta dinë se e gjitha kjo nuk është hakmarrje, por është një përpjekje që ajo së çfarë ka ndodhur të dokumentohet dhe mos të përsëritet më. Sepse ne e dimë se çfarë është hakmarrje dhe s’duhet të përsëritet.

Simon Miraka:

Falenderoj Enin dhe UET që kanë marrë përsipër përfaqësimin e kësaj shtrese. Ballafaqimi me të kaluarën ka shumë rëndësi për të ditur kush jemi dhe ku do të jemi në të ardhmen, sepse i shërbejnë konsolidimit të demokracisë. Janë objektet që do të flasin dhe do të kuptoni kush ishin kampet e internimit. Kemi nevojë që të kemi shkrime të tilla.

Maks Velo:

Më tha (Henri) Çili se libri im ka pasur reagime të këqija. Ky është problem. Eshtë e çuditshme forca e së keqes. Liria kishte konkurrencën e lumturisë dhe burgu të vuajtjes. Problem është që vuajtjen nuk e pranojnë asnjë dhe lumturinë e duan të gjithë, ndaj e largojnë vuajtjen. Problem është se ne si popull e duam të keqen. E duam të fortin, atë që thyen rregullat, hajdutin sepse ai që është i mirë dhe që punon, është një copë budalla. Ndaj këta libra nuk i pranojnë. Ne nuk jemi gati që të bëjmë ndryshimin tonë. Rëndësi ka që të botohen sepse falje e shohim që s’do kërkojnë.

Eni Vasili:

Fjalët më të rëndësishme i thanë ata, sepse në fakt libri për ta fliste. Ju falenderoj që pranuat intervistat me mua. Nuk gënjej kur them se jam shokuar dhe jam përlotur në çdo intervistë. Janë jetë tronditëse, të cilat e bënë t’i shkruaj në një libër, pasi shpesh intervistat e televizioneve nuk kanë kujtesë më vonë. E realizovva me ET, me News 24, që i falenderoj sepse janë rrëfime që zbardhen pasi kanë tendencën që të lihen në harresë





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes