l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

74 vjetori i Brigadës së 18-t Sulmuese - Nga kujtimet e veteranit Uke A. Cami*

Njësia e parë e madhe dhe e organizuar
e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare

Rruga luftarake e Brigadës së I-rë Sulmuese, ashtu si e çdo reparti e njësie të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë është e mbushur me vepra heroizmi, vetmohimi dhe besnikërie të pakufishme ndaj popullit dhe Atdheut. Jeta dhe veprimtaria e saj është aq e pasur me ngjarje dhe vepra revolucionare, politike e ushtarake të cilat kurrësesi nuk mund të përshkruhen në një artikull, në një apo dy libra, por në shumë vëllime.
Udhëzimet për krijimin e Brigadës së I-rë u lëshuan më 20 qershor 1943. Pikësynimi ishte që krijimin i këtij formacioni të parë të madh të shërbente për t’i dhënë vrull krijimit të batalioneve e brigadave të tjera, të një ushtrie të rregullt partizane, të cilat do të ngjallnin një besim të madh për zhvillimin e luftës sonë, drejt Kryengritjes së Përgjithshme.
Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm u hodhën themelet e Ushtrisë së rregullt popullore shqiptare.Brigada e I-rë ishte i pari formacion i madh i kësaj ushtrie të rregullt. Kjo brigadë nuk ishte një repart krahine ose qarku, siç ishin çetat, batalionet dhe grupet. Ajo ishte një njësi luftarake në dorë të Shtabit të Përgjithshëm, me partizanë nga të gjitha qarqet e vendit, që do të luftonte, lëvizte dhe manovronte në të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku të paraqitej nevoja.
Brigadës së I-rë, si formacion i madh i ushtrisë së rregullt partizane ju ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm detyra që të shërbente si shembull për repartet partizane të të gjitha krahinave, për shndrrimin e tyre në formacione të rregullta. Pra, Shtabi i Përgjithshëm i kishte marrë të gjitha masat politke e organizative që Brigada e I-rë të bëhej me të vërtetë bërthama e shëndoshë për ushtrinë e rregullt.
Të gjitha qarqet e Shqipërisë kishin marrë udhëzime që kontigjentet e caktuara të ishin partizanë e kuadro me përvojë luftarake.
Qarqet e Korçës, Gjrokastrës, Elbasanit e Vlorës do të dërgonin grupet me numër më të madh partizanësh e kuadrosh. Shtabi i Përgjithshëm synonte që kjo njësi të organizohej, paisej dhe plotësohej me një efektiv të pathyeshëm dhe të drejtuar nga kuadro me përvojë ushtarake e revolucionare të lartë, për të përballuar goditje nga më të fuqishmet që do të organizonte armiku. Ky sulm i okupatorit ishte në planin e tij strategjik me qëllim që të pengonte me çdo kusht shkallëzimin e mëtejshëm organizativ e numerik të një ushtrie të rregullt Nacionalçlirimtare shqiptare. Këtë qëllim armiku e tregoi dhe në ditët e inagurimit të Brigadës së I-rë duke angazhuar 10 000 trupa me paisjet luftarake më moderne të kohës, plus forcave të Ballit, milicisë, aviacionit etj, për ta asgjësuar atë që në krijimin e saj.

Organizimi i Njësisë

Shtabi i Përgjithshëm zgjodhi vendin më të përshtatshëm, rajonin e Vithkuqit për organizimin e Brigadës së I-rë. Katundi Vithkuq, 20 km në jugperëndim të Korçës, terren malor, ishte i përshtatshëm për të organizuar mbrojtjen. Popullsia e Vithkuqit dhe e fshatrave për rreth ishte 100 përqind në mbështetje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Grumbullimi i grupeve partizane të ardhura nga drejtimet e caktuara filloj që në fundin e muajit korrik ‘’43. Të parat erdhën forcat e Korçës (rreth 200 partizanë e kuadro) të cilat u vendosën në Manastirin e Shën Pjetrit. Më vonë mbrriti grupimi i Gjirokastrës që zuri vend në Pyllin e Shtyllës. Deri më 2 gusht mbrritën të organizuar edhe vullnetarët partizanë të qarqeve të Elbasanit, Beratit e Vlorës. Partizanë të veçantë pati dhe nga Tirana, Dibra, Durrësi, Kukësi e Shkodra. Në efektivin e Brigadës I-rë erdhën dhe dhjetë vajza partizane. Në fillim Brigada pati një efektiv prej 556 partizanë. Midis tyre 70 kishin qenë kuadro drejtuese si komandantë e komisarë batalionesh e çetash, komandantë njësitesh guerrile, me përvojë të pasur luftarake e të kalitur në vështirësi.
Në datën 10 gusht përfundoi organizimi i Brigadës me katër batalione dhe tre kompani: një kompani mortajash, një kompani pushk kundërtank dhe një bateri artilerie. Një vëmendje e posaçme iu kushtua shërbimit të intendencës. Shtabi i Përgjithshëm për këtë shërbim kishte parasysh se Njësia do të lëvizte nga një krahinë në tjetrën, herë-herë me shpejtësi të madhe. Kuptohet që Brigada duhet të kishte një furnizim dinamik, sidomos me municione. Prandaj ndërtimi i këtij shërbimi u organizua në përshtatje me kërkesat e detyrat e Njësisë. Një përforcim i veçantë ju bë intendencave të batalioneve.

15 gusht 1943 - dita e inagurimit

Po afrohej 15 gushti, dita e inagurimit. Ceremonia do të zhvillohej në fushën e vogël të Makërzës, që shtrihet në luginën midis kodrave e pyjeve.
Në Vithkuq prej dy javësh qëndronte Shtabi i Përgjithshëm dhe udhëheqës të tjerë të Luftës. Qarkori i Korçës kishte marrë të gjitha masat përgaditore për festën dhe mbrojtjen e nevojshme me forcat e vendit. Në sheshin e Makërzës ishin vendosur banderola, flamuj e parulla të ndryshme dhe në qendër tribuna me gjethe e mjete rrethanore. Që në orët e para po vinin aktivistë të fshatrave e qyteteve si nga Korça, Pogradeci, Erseka, Devolli etj. Në orën 9.00 u rreshtuan para tribunës katër batalionet dhe repartet e armëve të rënda me të gjitha pajimet dhe armatimet e tyre. Në mëndjet dhe zemrat e gjithë efektivit të Brigadës ndjehej një gëzim dhe gjallërim i pakufijshëm. Ishte nder i madh të bëje pjesë në këtë brigadë, që ishte njësia e parë e madhe dhe e organizuar e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare shqiptare. Në sytë e sejcilit lexoje gëzimin, krenarinë dhe vendosmërinë për t’i kryer detyrat luftarake deri në vetëflijim.
Të gjithë prisnin me padurim fillimin e ceremonisë. Në orën 10 mbrritën udhëheqësit e PK me E.Hoxhën në krye dhe të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët zunë vend në tribunë.
Ceremonia u hap me hymnin e flamurit, kënduar nga kori. Pastaj e mori fjalën Spiro Moisiu, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm i cili përshëndeti në emër të Shtabit të Përgjithshëm, duke dorëzuar flamurin në formë trekëndëshi me shkabën dykrenare dhe me yllin e artë, me mbishkrimin: “Brigada e I-rë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare”. Ai u shpreh: “Ju dorëzoj këtë flamur në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kam porosi prej tij t’ju them që të mos e lini kurrë të bjerë në duart e armikut, por ta ngrini gjithmonë lart e ta çoni nga fitorja në fitore”.
Komandanti i Brigadës, shoku Mehmet Shehu e mori flamurin dhe në emër të luftëtarëve bëri betimin përpara Shtabit të Përgjithshëm me fjalët: “Betohem se këtë flamur që na dorëzoi Shtabi i Përgjtihshëm do ta mbajmë kurdoherë lart. Do të jemi besnikë ndaj popullit dhe do të zhvillojmë luftë të paepur kundër fashizmit okupator dhe armiqve të popullit, për krijimin e një Shqipërie të lirë dhe demokratike popullore”. Këtyre fjalëve ju bënë jehonë zërat e njëkohshëm dhe të zjarrtë të partizanëve: “Betohemi”. Gjithë sheshi gjëmoi nga duartrokitjet dhe thirrjet e të pranishmëve “Rroftë Brigada e I-rë Sulmuese” etj. Në këtë ceremoni folën oratorë të ndryshëm.
Ceremonia u mbyll me parakalimin e Brigadës. Në fushë nuk ndjehej asgjë përveç hapit luftarak të partizanëve. Oshëtima e hapit përcillej larg nëpër pyje e male. Pas ceremonisë, deri vonë në mbrëmje buçitën këngët dhe vallet partizane…
Efektivi i Brigadës së I-rë pati vazhdimisht ndryshime. Më 8 tetor Brigadës iu shtuan edhe 150 partizanë italianë, të cilët formuan Batalionin “Antonio Gramshi” dhe në fund të marsit ‘’44 u shtua edhe batalioni i 5-të. Brigada arriti kështu një efektiv prej 1237 luftëtarësh.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes