l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në 102-vjetorin e lindjes të gjeneralit që u burgos dhe internua nga diktatura

GJENERAL NEXHIP VINÇANI,
KOMANDANT DHE INTELEKTUAL I TALENTUAR

Nga Myfit GUXHOLLI*

• Bilanci luftarak i Nexhip Vinçanit është shumë i pasur. Ai mori pjesë në 255 ditë luftime. Është plagosur në luftimet për çlirimin e Pogradecit dhe ka vdekur me plumbin në bark. Komandant Nexhipi ka drejtuar me aftësi të rrallë luftimet që ka zhvilluar Brigada e IV-t S në dy operacionet armike, atë të Dimrit dhe të Qershorit. Por beteja më e lavdishme e forcave të brig.IV-t S ishte ajo për çlirimin e Tiranës

Nexhip Vinçani lindi në Vinçan të Korçës më 10 gusht 1916. Biri i atdhetarit të shquar Kareman Vinçani, pasi mbaroi shkollën fillore në Vinçan, filloi mësimet në Liceun e Korçës. Më pas vazhdoi mësimet në Shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë dhe i përfundoi në Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1939. Ishte shok i ngushtë i Qemal Stafës e Sadik Bekteshit.
Nexhip Vinçani, studimet universitare i kreu në Romë. Sa dëgjoi kushtrimin e Nënës Shqipëri, si gjithë bashkëmoshatarët u kthye në atdhe. Menjëherë, Nexhipi dhe shoku i tij i ngushtë, Pëllumb Dëshnica caktohen nga Qarkori i Korçës të organizojnë rezistencën dhe luftën kundër okupatorit Italian.
Familjen e Nexhipit e kishte përshkuar era e barutit në luftën për lirinë e atdheut që në kohën e luftës të rilindasve tanë të shquar për liri e pavarësi kombëtare. I jati i tij, Kareman Vinçani luftoi kundër rebelëve të Haxhi Qamilit. Ishte bashkëpunëtor aktiv i Themistokli Gërmenjit, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës si përfaqësues i parë i n/prefekturës Korçë.
Karemani, mik i Fan Nolit, Themistokli Gërmenjit, Bajo Topullit e Mihal Gramenos do të ishte dhe një antifashist i madh si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. At e bir qenë pjesëmarrës aktivë në luftën për çlirimin e vendit nga thundrra e fashizmit.

ORGANIZATOR I TALENTUAR I NJËSITEVE TË LANÇ

Më 28 Nëntor 1941, Pëllumb Dëshnica dhe Nexhip Vinçani folën në një miting kundër okupatorit. Pëllumbi u arrestua dhe u dërgua në Ventontene, Itali, ndërsa Nexhipi me ndihmën e shokëve i shpëtoi internimit.
Veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Nexhip Vinçanit është shumë e madhe. Ai kishte aftësi, burrëri e trimëri të rrallë. Si organizator i përkryer i LANÇ e shtriu aktivitetin e tij nga fshati në fshat për të rizgjuar traditat patriotike në Qarkun e Korçës. Me pasionin e një nacionalisti demokrat, që në qershor-shtator 1942 krijoi njësitet e armatosura në disa fshatra. Të tilla ishin Çetat e Gorës, Mestan Ujanikut, Gorë-Oparit, Malit të Thatë, Vithkuqit e Rrëzës, Kolonjës, Bilishtit e Mokrës me komandant Reshit Çollakun.
Nexhipi, i jati dhe vëllezërit, Sami, Skëndër, Ali dhe Sali dhanë një ndihmesë të madhe në organizimin e LANÇ në Qarkun e Korçës. Aliu - komandant çete në fillimet e luftës; Samiu – komandant brigade, Skënderi – kuadër i lartë në Ministrinë e Brendëshme…., Saliu në pushtetin vendor.
Për merita të veçanta në organizimin e LANÇ në Qarkun e Korçës, për afëtësi organizuese dhe komanduese, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare e emëroi komandant të Shtabit të Qarkut të Korçës.
Nexhip Vinçani, nga viti 1940 deri në maj 1943 ishte drejtues dhe organizator kryesor në Qarkun e Korçës, komandant dhe intelektual i talentuar. Në Qarkun e Korçës në fillim ai organizoi Njësistet e armatosura. Më vonë, në fillim të vitit 1942 deri në shtator të atij viti punoi në organizimin e çetave, si ajo e Pogradecit, Gorës, Vithkuqit etj, gjithsej 15 çeta partizane.
Në janar-mars 1943 numri i çetave sa vjen e shtohet. Baza politike e këtyre çetave ishin Këshillat Nacionalçlirimtare të zgjedhura nga populli, pothuajse në çdo fshat të Qarkut të Korçës.

ORGANIZIMI I USHTRISË TË RREGULLT PARTIZANE

Në shtator 1943 filloi krijimi i Ushtrisë së rregullt partizane me krijimin e batalioneve me organika të plota. Numri i tyre arriti në 8: Batalioni i Gorës, “Ali Këlmendi”, “Çlirimi”, “i Mokrës”, “Skënder Çaçi”, “Fuat Babani”, “Tomori” dhe “i Vithkuqit”. Krijimi dhe organizimi i kësaj force të madhe partizane për luftën kundër okupatorit italian e më vonë atij gjerman rritën më tej aftësitë organizuese e drejtuese të Nexhip Vinçanit, i cili afirmohet si personalitet politik i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Mori pjesë si delegat në Konferencën e Pezës bashkë me Ymer Dishnicën (kryetar), Pasho Kolanecin dhe Feta Butkën (përfaqësues të nacionalistëve).
Në gusht 1943, në Vithkuq të Korçës formohet Brigada e Parë Sulmuese me mbi 60 % efektiv nga Qarku i Korçës. Ndërsa brigadat e IV-t, XV-të, IX-të, XX-të u formuan vetëm me efektiva nga Qarku i Korçës. Gjithë kjo forcë e madhe ushtarake, e formuar në Qarkun e Korçës tregon më së miri se komandant Nexhipi dhe komisar Pëllumbi, (për hir të së vërtetës) komandonin 1/5 e Ushtrisë NCÇ të vendit.
Por le të ndalemi tek brigada e IV-t S e komanduar nga Nexhip Vinçani e Pëllumb Dëshnica.
Rruga luftarake e kësaj brigade është mjaftë e suksesshme. Qysh në formimin e saj më 28.12.1943 ajo nuk u mblodh për t’u inauguruar sepse kishte filluar Operacioni i Madh Armik i Dimrit 1943-‘’44. Batalionet vinin në qendrën e grumbullimit dhe nuk kishin kohë të rreshtoheshin, por merrnin detyrat luftarake për të ndalur okupatorin gjerman që vinte nga drejtimet e Beratit, luginës së lumit Devoll. Nga drejtimi i Korçës, Kolonjës dhe Pogradecit, komandant e komisar, Nexhipi e Pëllumbi organizuan bashkëveprimin dhe me forcat partizane të Qarkut të Beratit. Luftimet vazhduan kundër forcave armike pjesëmarrëse në operacion për likujdimin e forcave të Brigadës së IV dhe gjithë Qarkut. Në këtë situatë shumë të vështirë të forcave partizane (dimri i egër, mungesa e ushqimeve e veshmbathjes, mjeteve e forcave) u mblodh Shtabi i Forcave dhe të deleguarit për të vendosur. Nën drejtimin e Koçi Xoxes, të deleguarit e Shtabit të Përgjithshëm që ishin prezent vendosën që forcat partizane të shkonin në prapavijat e rretheve të tyre. Në mbledhje merr fjalën edhe komandant Nexhipi, i cili argumentoi dhe bindi Shtabin e të deleguarit, duke marrë përsipër çarjen e rrethimit dhe nxjerrjen e forcave të Brigadës në zonën e lirë partizane të Beratit. Në këtë situatë shumë të vështirë spikati dhe njëherë aftësia dhe talenti i komandant Nexhip Vinçanit, i cili duke dhënë Urdhërin Luftarak për katër batalionet që të kalonin në kundërsulm në tre drejtimet që pengonin avancimin e forcave armike, me zgjuarsi kapi lartësitë sunduese me drejtim kryesor, sidomos Qafën e Becit. Gjithë forcat partizane kaluan në zonën e lirë të Skraparit.

KOMANDANTI QË MORI PJESË NË 255 DITË LUFTIME DHE BËRI 220 KM RRUGË
Bilanci luftarak i Nexhip Vinçanit është shumë i pasur. Ai mori pjesë në 255 ditë luftime. Është plagosur në luftimet për çlirimin e Pogradecit dhe ka vdekur me plumbin në bark. Komandant Nexhipi ka drejtuar me aftësi të rrallë luftimet që ka zhvilluar Brigada e IV-t S në dy operacionet armike, atë të Dimrit dhe të Qershorit. Ka marrë pjesë në luftimet e Divizionit të I-rë S nga Jugu, Shqipëria e Mesme e deri në Veri, duke përballuar me sukses ofensivën e forcave armike në zonën e Matit e Dibrës. Po kështu dhe në operacionin “Syri i Kaltër”, operacionin për çlirimin e Peshkopisë që solli dhe dështimin e forcave gjermane si dhe luftimet në qarkun e Elbasanit në shtator 1944. Por beteja më e lavdishme e forcave të brig.IV-t S ishte ajo për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Brigada e IV-t u caktua të sulmojë në pjesën jugore duke filluar nga Kodra e Kopilit (sot Varrezat e Dëshmorëve të Kombit) e kodrat në jugperëndim të qytetit deri në Kodrat e Kombinatit të Tekstilit. Komandant Nexhipi bënte pjesë në Shtabin Operativ për çlirimin e kryeqytetit. Luftimet e Brigadës së IV-t S ishin shumë të suksesshme.

DIKTATURA IA MOHOI MERITAT GJENERAL VINÇANIT
Pas çlirimit të vendit, për merita të shquara gjatë LANÇ, Nexhip Vinçanit iu dha grada Gjeneral-Major. U dërgua në Akademinë ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov”. Caktohet Zëvenës Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe më 1956 Komandant i Mbrojtjes Bregdetare. Mirëpo, gjithë vlerat e gjeneral Vinçanit, pas çlirimit filluan të zbehen dhe të mohohen. Nga diktatura e Enver Hoxhës dënohet padrejtësisht. Njëkohësisht dhe familja e Nexhipit, Karemanit, Aliut, Skënderit, Samiut dhe Saliut u persekutuan nga sistemi i diktaturës. Vetë Nexhipi burgoset dhe mbahet një vit në hetuesi. Më vonë internohet në Gramsh në një kasolle pylli. Vuajtjet në burg dhe internimi i shkurtuan jetën.
Vetëm ardhja e demokracisë bëri që gjenerali i talentuar Nexhip Vinçani të integrohet në jetën e pakët që i kishte mbetur. Në një nga përvjetorët e Brig.IV-t në Korçë merr pjesë dhe iu flet bashkëluftëtarëve si komandanti i tyre i dikurshëm, i mohuar nga diktatura hoxhiste.
Nexhipi është nismëtar i krijimit të Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL) dhe si anëtar i kryesisë dha një kontribut të shquar në forcimin e saj. Vdiq në Tiranë më 06.02.1977 duke lënë për historinë e brezat veprën dhe emrin e tij.
Nder dhe lavdi komandantit, gjeneralit të talentuar Nexhip Vinçani.

*Ish – partizan i Brig.IV-t S, Nënkryetar i OBVL




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes