l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

75 VJET MË PARË, LUFTA PERMET –KUQAR –QAFA E KIÇOKUT- GRYKA E KELCYRES-SHKALLA BARMASHIT (1-6 KORRIK 1943)

LANÇ, epoka më e ndritur në historinë e Shqipërisë

- Sipas kujtimeve të ish-nënkryetarit të OBVL-së Skënder Malindi -

Viti 1943 është viti i kthesës së madhe i Luftes së Dytë Botërore. Iniciativa e luftës, në të gjitha frontet e saj, kalon në komandat ushtarake të koalicionit anti-fashist botëror. Ushtria italiane kishte pësuar goditje të rënda dhe po gjunjëzohej. Populli shqiptar ishte ngritur në luftë kundër ushtrisë italiane duke i dhënë asaj në Shqiperi goditje të njëpasnjëshme për çlirimin e saj.
Koalicioni nazi-fashist,vazhdimisht po pësonte disfata sin ë drejtim politik,ashtu dhe në atë ushtarak.
Duke analizuar këto situata të cilat vinin duke u rënduar vazhdimisht, komanda e ushtrisë italiane në Shqipëri, filloi të merrte masa paraprake për të përballuar çdo të papritur. Për këtë ojo nisi të kryente punime xheniere fortifikuese në disa drejtime operative. Një nga këto drejtime operative-stretegjike ishte dhe Lugina e Përmetit që të çon deri në Qafen e Kiçokut në drejtim të Beratit dhe nga Këlcyra që të çon në drejtim të Tepelenës dhe më tutje. Për të mbuluar këtë drejtim komanda italiane vendosi të krijojë një rajon të fortifikuar në kodrat e fshatit Kuqar që ndodhet midis Përmetit e Këlcyrës, 5 km larg Këlcyrës. Këto kodra zotërojnë këtë luginë dhe mbrojnë drejtimet operative-strategjike.Deri në Qershor të vitit 1943, d.m.th.para krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, çetat partizane kishin luftuar në mënyrë të pavarur dhe brënda krahinave të tyre. Megjithëse ishin zhvilluar shumë beteja, të cilat kishin shkaktuar humbje të mëdhaja në ushtrinë italiane, mungonte një organizim i përgjithshëm, një komandë e centralizuar që do të mund të bëntë veprime të koordinuara në një shkallë të gjërë dhe me forca të shumta.
Në Qershor të vitit 1943, në pragun e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm udhëheqja e LANÇl mori vendimpër të goditur repartet e ushtrisë italiane, që kryenin punime fortifikuese në kodrat e Kuqarit. Me këtë synohej gjithashtu, të goditeshin trupat e tyre dislokuara në Përmet për të çliruar këtë qytet me rëndësi.
Këto veprime luftarake do të rritnin autoritetin e LANÇl brenda dhe jashtë vendit si dhe populli ynë do të krijonte besimin më të madh për luftën tonë të drejtë.
Brenda në Përmet ishte vetëm një batalion ushtarësh italjanë si dhe një kompani karabinjeresh. Gjithashtu si në Kuqar ashtu dhe në Tepelenë vazhdonin punimet fortifikuese që kryheshin nga dy batalione të tjera italiane.
Asgjesimi i këtyre forcave do të siguronte një kompaktësi më të madhe të zonave Pogon, Zagori, Dëshnicë, Përmet, Dangëlli e Leskovik. Çlirimi i Përmetit do të kishte një rëndësi të madhe politike sepse do të ishte i pari qytet i çliruar i Shqipërisë.Karakteristika e luftes Përmet-Kuqar-Qafa e Kiçokut-Gryka e Këlcyres dhe Shkalla e Barmashit, ishte se për herë të pare merrnin pjesë forcat partizane të tre qarqeve nën një komandë unike.
Për kryerjen e këtij operacioni me një hapësirë rreth 150 km katror udhëheqja e LANÇl vendosi të formonte një forcë operative të tre qarqeve Korcë, Berat dhe Gjirokastër. Nga Qarku i Korçës ishte Nexhip Vinçani e Pëllumb Dëshnica, nga qarku i Beratit Xhelal Staravecka, kurse nga ai i Gjirokastrës Islam Radovicka e Tahir Kadare. Në shtabin operativ ishin dhe dy oficerë anglez, ndërlidhës me komandën ushtarake të Mesdheut. Komandandant i operacionit u caktua Nexhip Vinçani, ndërsa Shtabi Operativ u vendos në shtëpinë e patriotit dhe bashkëluftëtarit të Çerciz Topullit, Riza Velçishti. Partizanët pas një marshimi të gjatë e të lodhshëm, sepse vinin nga krahina të ndyshme, u vendosën në varësi të zonave ku do të kryenin veprimet luftarake.

PLANI LUFTARAK

Për zbatimin e detyrës, komandanti i operacionit Nexhip Vinçani, pasi u orientua me terrenin dhe pasi vlerësoi forcat partizane dhe ato italiane vendosi:
1-Goditja kryesore do të jepej kundra trupave italianë në Kuqar. Nga veri-lindja do të sulmonte batalioni “Ali Këlmendi” me komandant Teki Kolanecin dhe komisar Faik Zaimin. Në krahun e majtë të tij do sulmonte batalioni “Themistokli Gërmenji” me komandant Ali Vinçanin dhe komisar Spiro Shalësin dhe në krah të tij batalioni “Hakmarrja” me komandant Petrit Dumen dhe komisar Josif Pashkon.
Nga ana e kundert, në bregun e majtë të lumit Vjosa, do të mbështeste sulmin me zjarr çta e Rrëzës së Përmetit e komanduar nga Riza Çaçi, për të mos lejuar ushtarët italianë të bënin manovrime apo të merrnin ujë në Vjosë.
2- Goditja tjetër do të jepej kundër forcave italiane të vendosur në qytetin e Përmetit, me forcat e batalionit “Fuat Babani”, i cili komandohej nga Tefik Cakonji dhe komisar Muzafer Spaho sidhe një kompani e batalionit “Riza Cerova”, Skrapar, që komandohej nga Shaqir Kapinova. Detyra e këtyre forcave ishte të asgjesonin trupat italiane të vendosura në kazerma dhe të çirohej qyteti i Përmetit.
3- Për sigurimin e operacionit nga goditjet e forcave italiane që mund të vinin nga drejtimi Berat–Përmet, u vendosën në Qafen e Kiçokut dy kompani të batalionit “Riza Cerova”, të komanduara nga Neshat Hysi. Ky battalion u formua më 26 qershor 1943 në Qafen e Martës ,me komandant Xhelal Staravecken dhe komisar Ramis Aranitasin. Këta, mbasi marshuan ditë e natë nga Camëria-Vithkuqi-Selenica-Orgocka-Odriçani dhe Suka, më 30.06.1943 mbërriten në Qafën e Kiçokut. Për zbatimin e detyrës forcat partizane u vendosën në dy anët e rrugës automobilistike që kalon në Qafën e Kiçokut, në Bregun e Stanit, në Bregun e Korijes, në atë të Xanës si dhe te Përroi i Burimit.
4- Në drejtimin Tepelenë-Përmet, zunë pritë tek gryka e Mezhgoranit, Çeta “Musa Fratari”me komandant Feti Bubsin dhe komisar Dashnor Mamaqin sidhe Çeta “Koto Hoxhi” me komandant Pano Xhamballan dhe komisar Vasil Katin. Detyra e tyre ishte për të ndaluar ardhjen e forcave italiane nga Tepelena në ndihmë të forcave në Kuqar dhe Përmet.
5- Batalioni territorial i krahines së Çepanit, i komanduar nga Xhemal Malindi dhe komisar Iliaz Sevrani,zuri pritë në grykën e Këlcyrës.
6 - Në drejtimin Korçë-Përmet, zunë pritë në Qafën Shkalla e Barmashit çetat e Çamërisë dhe Panaritit të komanduara nga Riza Kodheli, Çeta e Potomit e komanduar nga Bajram Krasta sidhe partizanë dhe vullnetarë nga Kolonja.
7 - Vendvrojtimi i komandës së operacionit u vendos në një koder 600 m në jug-lindje të kodrave të Kuqarit.
8 - Sulmi do të bëhej në orën 4:00 të dates 1 korrik 1943.
Komanda e operacionit dha një varg udhëzimesh mbi ndërlidhjen, bashkëveprimin, mbi furnizimin e partizanëve me ushqime si sidhe për shërbimin shëndetësor.
Sipas vendimit, naten, duke gdhirë 1 korriku, batalionet dhe çetat që do sulmonin garnizonin e Kuqarit dhe të Përmetit, zunë vëndet e caktuara, kurse batalionet dhe çetat e tjera u pozicionuan nëpër prita. Kur partizanët po prisnin sinjalin për të filluar sulmin, ndodhi diçka e pa pritur. Një autokollonë italiane, e përbërë nga 5 kamionë, një autoblindë dhe një motoçikletë, që po udhëtonte nga Përmeti në drejtim të Këlcyrës, ndeshi në një minë dhe për pasojë motoçikleta u hodh në erë.
Partizanët qenë detyruar të hapnin zjarr në drejtim të kollonës të cilën dhe e asgjësuan. Automjetet u dogjën, kurse shumica e ushtarëve mbetën të vrarë. 
Batalioni Italian i Kuqarit, që bënte punime fortifikuese, me të dëgjuar goditjen e aotokolonës, i la punimet dhe mori masa mbrojtje. Partizanët atëhere u hodhën në sulm. Pas Kuqarit luftimet u ndezën dhe në Përmet. Luftimet vazhduan gjithë naten dhe diten e nesërme të 1 korrikut. Në Kuqar ku jepej goditja kryesore, partizanët kryen disa mësymje rradhazi, por italianët mbroheshin me këmbëngulje duke u përgjigjur me zjarrin e fuqishëm të armëve të tyre dhe duke mos treguar asnjë shenjë dobësimi. Ata i ndihmonin shumë fortifikatat dhe telat me gjëmba që kishin rreth e qark. Akoma më shumë guxim morën, sidomos, kur në mëngjezin e 2 korrikut në qiell u dukën aeroplanët luftarakë italianë që erdhën në ndihmë të tyre. Sapo u afruan, ata nisën menjëherë bombardimin dhe mitralimin mbi pozicionet e partizanëve. 
Në Përmet batalioni italian u izolua në kazerma i goditur nga çdo anë prej zjarrit të partizanëve. Megjithëse njësiti gueril i Përmetit preu tubin që i furnizonte me ujë, italianët mbroheshin me këmbëngulje. Batalioni i tyre kishte shumë murtaja të cilat hidhnin predha pa pushim në pozicionet e partizanëvë. Ndërkohë një batalion i Italianëve, i përforcuar me artileri dhe një autoblindë, nga mesi i ditës së 2 Korrikut filloi lëvizjen nga Dragoti për të dalë në Këlcyrë e Kuçar. Forcat partizane që mbronin grykën i kundërsulmuan ashpër dhe i thyen. Bashkë me çetat “Musa Fratari” dhe “Koti Haxhi”, natën u bashkua dhe çeta “Haredin Tremishti” me komandantë Xheladin Beqirin (Karadaku) dhe komisar Asim Zeneli.
Në mbrëmje italianët mundën të shpërthejnë qëndresën e partizanëvë dhe të arrijnë në Këlcyrë . Prej andej u hodhën në Kuqar, ku u bashkuan me forcat e tjera të rrethuara, duke u bërë gjithsej dy batalione . Këtu sulmet e partizanëve u bënë të pamundura, prandajë ata mbetën në pozicionet e mëpërparshme.
Në oren 4 e 30 te 2 Korrikut, nisën luftimet në Qafën e Kiçokut. Dy batalione Italiane, një bersalierësh dhe një këmishzijsh, të ngarkuar në 55 kamionash, që shoqeroheshin dhe nga tre autoblinda, donin të çanin rrugën për të arritur në Kuçar dhe Përmet. Partizanët e batalionit “Riza Cerova” qëllimisht i lanë Italiananët të futeshin në pritën e ngritur dhe pastaj u dhanë goditje të forta. Luftimet e ashpra zgjatën rreth 10 orë . Kur ata e panë se nuk po e çanin dot rrugën, vendosën të tërhiqeshin, por dhe tërheqja nuk qe fortë e lehtë, sepse kthimi i makinave në rrugën e ngushtë pati vështirësi. Kjo u kushtoi atyre mjaft të vrarë dhe shumë dëme materiale.
Përveç kamionëvë të shkatëruar dhe një autoblinde të djegur , ata lanë në vënd 5 makina dhe një motoçikletë, të cilët u përdorën nga partizanët. Aty u kap dhe një sasi e madhe municionesh e materiale të tjera të vlefshme. Luftimet tona u mbështëtën fuqimisht dhe nga zjarri i mitralozit të rëndë “Bredan” që përdorej nga trimi Ferit Radovika nga Bregu I Golemit. Në këto përleshje me trupat italiane ra në fushën e luftës Tajar Hysi, i cili megjithëse u plagos rëndë, u zu gryka-grykës me 5 italiane. Tek kodra e Bregut u vranë Sabri Kacidhia dhe Taip Çela. Po kështu duke luftuar me guzim u vranë: Xhevahir Temani, Haxhi Mborja , një partizan nga Terrova e Beratit dhe Shaban Polena nga Skrapari. Në Kuqar partizanët mundën të shkulnin italianët nga llogoret e vijës së parë të mbrojtjes, ku gjatë luftimeve u vranë Jonus Çuçi e Kosta Goliku. Batalioni teritorial i krahinës së Çepanit futi në dorë Këlcyrën dhë bllokoi rrugën automobilistike, por më tutje ndaluan nga ballistët e Ali Këlcyrës të cilët dhanë ultimatum se do të fillonin luftë kundër partizanëvë nëqoftëse nuk largoheshin nga Gryka e Këlcyrës. Me urdhër të Nexhip Vincanit , batalioni u vendos ne Shtikë. 
Në Përmet po në datën 3 Korrik, partizanët ngushtuan shumë rrethimin e italianëvë, të cilëvë u kishin mbetur në duar vetëm një pjesë e gazermave. Ata rezistonin dhe mbroheshin duke zhvilluar luftime të ashpra.
Aviacioni italian dyfishoi goditjet në krahasim në ditët e mëpërparshme duke bombarduar dhe mitraluar partizanët, por pa shkaktuar deme të mëdha. Nga ajri aeroplanët hidhnin ushqime dhe municione për trupat e rrethuara ne Kuqar. Partizanët përpiqeshin të qëllonin italianët që mblidhnin parashutat, por ata, për çudi nuk dukej të shqetësoheshin ndaj goditjeve të tyre.
Atëherë, komandanti i kompanisë së batalionit “Ali Kelmendi”, Selami Velçani vjen dhe i shqetësuar i raporton komandantit të operacionit për këtë problem. Xhelal Staravecka pasi e dëgjoi, kthehet nga unë dhe më thotë: “Shko Skënder një vrap dhe shiko si është puna”. Me shpejtësi arrij tek pozicionet e partizanëvë dhe pasi lëshoj ca të shtëna në arën ku hidheshin parashutat shikoj se plumbat nuk rrahin aty ku shënoj unë por nxjerrin tym rreth 100 metër më afër. Duke e kuptuar menjëherë se ku “çalonte gomari” , gradoj maliherin e gjatë ne shënjestrën 6 dhe shoh që tani plumbat po arrijnë në objekt. Atëherë i kthehen Selami Velçanit dhe i them të udhëzojë partizanët që të rregullojnë shënjestrën. Breshëritë e mëparshme dhe pluhuri që mbuloj parashutat treguan që ky problem “elementar” u zgjidh me sukses. Këtu, do të doja të theksoj, që partizanët, në pjesën dërmuese fshatarë shpesh nuk kishin përvojën e duhur me armët dhe funksionin e tyre. Lufta do të ishte shkolla ku ata shumë shpejtë do të specializoheshin, duke formuar kështu një ushtri, e cila do të ishte e aftë të kryente misionin për të cilën ishte formuar.


Në qafen e Kiçokut vazhdonin luftimet ndërmjet partizanëvë dhe kolonës italiane të bllokuar në Lajthizë. Për të zhbllokuar kollonën, komanda italiane nisi nga Berati forca të tjra të ngarkuara ne 40 makina .Këto forca u goditën me forcë nga partizanët e Skraparit dhe çeta vullnetare e Terpanit duke u bllokuar aty deri në mbrëmjen e 4 Korrikut .
Të nesërmen në mëngjezin e 5 Korrikut, të dyja kollonat italiane u bashkuan në Lajthizë, ku formuan një forcë me rreth 2300 mijë ushtarë dhe lëvizën drejt Permetit. Me ndihmën e artilerisë dhe të aviacionit italian ata mundën të mposhtnin qendrën e partizanëve në Qafën e Kiçokut dhe të arrijnë në mbrëmje në Këlcyrë .
Mbrritja e një fuqie kaq të madhe, rrezikonte forcat partizane në Kuqar dhe Përmet prandaj dhe komandanti i operacionit vendosi tërheqjen e tyre, e cila u bë me rregull të plotë .
Italianët, më 6 Korrik u futën në Përmet, i cili ishte i boshatisur nga partizanët dhe banorët e tij. Ata dogjën të gjitha dyqanet dhe shtëpitë e qytetit. Në total u dogjën 175 dyqane, 125 shtëpi dhe 10 godina të administratës qeveritare. Dogjën gjithashtu dhe Këlcyrën, por këtu u zgjodhën vetëm godinat që ishin pronë e partizanëvë, si hoteli i Xhemal Malindit, ai i Abaz Sevranit dhe disa të tjerëvë duke përjashtuar ato që ishin prona të Ali Bej Këlcyrës. Nënprefekti i Përmetit i cili shkoi në Gjirokastër, tregonte se si ushtria Italiane si rapreziale, dogji gjithë qytetin e Përmetit, të cilin gjatë luftimeve dhe e kishte bombarduar me aviacion. “Lajmet njoftojnë edhe djegien e Këlcyrës dhe të shumë katundeve. Ushtria është duke djegur arat me grurë dhe katundet rreth Përmetit. Popullsia ka marrë shpellat e qytetit dhe është pa bukë e strehë...” 


Komanda e 9 – të e armatës së trupave Italianë pohonte: “Ditën e 1 Korrikut në teritorin e divizionit “Parma” u dhanë njëkohësisht katër goditje nga kryengritësit me një këmbëngulje dhe shtjellim forcash deri më sot të pa parë. Veprimet luftarake gjatë boshtit Berat – Këlcyrë – Përmet dëshmojnë për një ide të gjërë, për një përgatitje të kujdesshme dhe këmbëngulëse, si dhe për një bashkërendim të qartë të aksionit.  Në mëngjesin e 6 Korrikut, një divizion gjerman me automjete lëvizi nga Follorina në drejtim të tokës shqiptare. Ai hyri ne Korçë dhe duke vazhduar rrugën për Janinë, në Shkallën e Barmashit u ndesh papritur me një zjarrë të dendur. Ishte ora 15 e 30 e dates 6 Korrik . Nga zjarri i partizanëve u shkaterrua një motoçikletë që ra në minë dhe disa makina ku u vranë disa ushtarë nazistë. Gjermanët tentuan me çdo kusht për të vazhduar lëvizjen përpara por nuk mundën. Një autoblindë doli në krye të kollonës por ndeshi në një minë tjetër dhe u shkatërrua. Luftimet vazhduan 7 orë deri në mbrëmjë vonë. Për humbjet e pësuara gjermanët, më 6 korrik në Borovë, pushkatuan 107 vetë dhe dogjën gjithë fshatin.
Përsa i përket raporteve të Ballit Kombëtar me partizanët, goditja e parë ndërmjet këtyre dy forcave ndodhi në fshatin Kurtes të Kolonjës.


Partizanët e batalionit “Fuat Babani” gjatë rrugës nga Përmeti për në Devoll kaluan përmes këtij fshati. Ballistët vendalinj, sapo i panë reaguan mjeherë dhe i goditën. Kaq u desh dhe lufta u ndez e egër ku si përfundim dy partizanë mbetën të vrarë, kurse nga krahu tjetër “ktheu patkonjt” komandanti i “Balli”-t, Xhelal Kurteshi.
Ky “takim” i parë me gjakderdhje, që do të pasohej dhe me shumë të tjerë ishte një aspekt shumë i dhimbshëm që shpesh i ngjante luftës civile. Se cilat ishin motivet e kësaj përçarjeje politike, ideologjike, lufta për pushtet apo dora e huaj, përgjigjen e vërtetë ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë. E saktë është vetëm, se ky ishte një kurban krejt i panevojshëm, sepse dhe pa të, të shumtë ishin ata që kishim bërë dhe do të bënim.
Në përfundim mund të dalim në këto konkluzione:
1.Lufta Përmet-Kuqar-Qafa e Kiçokut-Grykë e Mezhgoranit-Shkalla e Barmashit, u karakterizua nga pjesëmarrja në të e një sasie të konsiderueshme të forcave partizane të të tre qarqeve, e cila u zhvillua në një hapësirë prej 150 km katrore dhe e drejtuar nga një komandë e vetme. Një operacion i tillë, unik, nuk u përsërit më gjatë gjithë luftës partizane.
2.E meta e këtij operacioni ka qenë mungesa e një organizimi optimal dhe sigurimi i epërsisë së nevojshme të forcave në Kuqar, aty ku jepej dhe goditja kryesore. Gjithashtu nuk u morën masat paraprake efektive dhe organizative për të siguruar më mirë pritën tek Gryka e Këlcyrës, prej nga italianët shpërthyen pa vështirësi të mëdha në drejtim të Këlcyrës, duke u ardhur në ndihmë trupave të tyre në Kuqar, kur ato ndodheshin në gjendje kritike.
3.Pavarësisht se nuk u arrit plotësisht objektivi i caktuar për asgjësimin e trupave italiane në këtë rajon të fortifikuar, sidhe dëbimi i tyre nga gjithë rrethi i Përmetit, kjo luftë përbën një epope të lavdishme për popullin kryengritës shqiptar dhe një grusht të rëndë për ushtrinë pushtuese. Kjo luftë u shkaktoi atyre shumë të vrarë e të plagosur dhe akoma më shumë, uli krenarinë dhe moralin politik të ushtarëve italianë.
4.Kjo luftë vërtetoi se ishte i nevojshëm krijimi i një organi qëndror si Shtab i Përgjithshëm, që të kordinonte e drejtonte veprimet luftarake të të gjitha forcave partizane në Shqipëri.
5.Gjithashtu kjo luftë tregoi nevojën për të krijuar njësi të mëdha partizane si brigada e divizione, të afta për të kryer veprime luftarake me rëndësi taktiko-operative.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes