l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROMOVIMI

Një vlerë e shtuar për historiografinë shqiptare

Prof.ass.dr.Shefqet HOXHA

Është e dymbëdhjeta herë që dr. Arsim Spahiu na tubon për të promovuar opusin e tij historik. Unë i kam ndjekur me kërshëri këto aktivitete, ashtu si shumë prej jush, më kanë ngazllyer, më kanë emocionuar dhe më kanë bindur se veprat e këtij historiani të lashtësisë janë një vlerë e shtuar për historiografinë shqiptare edhe pse ndonjëherë nuk janë pritur mirë në rrethet shkencore tonat.
Dr. Arsim Spahiu është një historian “rebel”, jokonformist, që zbulimet e tij në historinë e popujve të lashtë të Ballkanit (pellazgë, ilirë, maqedonas të vjetër, epirotë) i pohon pa droje, çiltas dhe pa u shqetësuar se dikuj mund t’i kruhet qerosa. Dhe mirë bën, sepse “e vërteta mbi të gjitha” dhe kjo nuk është monopol i askujt, pa dyshim as i Arsim Spahiut.
Mijëra faqe na ka shpaluar opusi historik prej 12 vëllimesh i z. Spahiut, disa mijëra zërash bibliografikë na janë ofruar dhe shumica prej tyre nuk gjenden në skedarët e bibliotekave tona. Është një punë tejet e madhe, tejet e mundimshme, mbinjerëzore do të thoja, por edhe e kushtueshme, që për fat të keq po vuan heshtinë e kobshme të institucioneve tona shkencore, ndonjëherë mëninë e tyre. Kritika historike është e shukët, por kjo jo vetëm për veprat e Spahiut. Megjithate, kjo gjë nuk e ka penguar këte të punojë, të gërmojë e të na servirë nga Parisi të dhëna të panjohura dhe teza të reja për historinë e të parëve të shqiptarëve. Vepra e tij përshkohet tejendanë nga atdhetaria, sepse Arsim Spahiu vjen nga ai tedel.
Vazhdo, Arsim, sepse, për mua, je në rrugë të mbarë!
Vepra që po promovohet sot “Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër” e shtrirë në 228 faqe përbëhet prej tre pjesësh: “Mbi mitologjinë e maqedonasve të vjetër”, “Mbi fenë e maqedonasve të vjetër” dhe “Pellazgët dhe feja pellazgjike”. Lënda është shoqëruar me 350 shënime dhe pajisur me 129 zëra bibliografikë. Në trajtimin e lëndës janë ndjekur rrugë të huajtura nga historiografitë franceze e amerikane. Si risi të këtij studimi na vijnë citimet nga shumë autorë të njohur e të panjohur të antikitetit grek. Edhe në këte vepër Arsimi e ka nxjerrë shpatën nga millí e ka hyrë në dyluftim me historianë të njohur. E ka futur umin thellë e më thellë në historinë e Ballkanit të lashtë, duke u ngatë, madje, deri te pellazgët, për të cilët historiografia shqiptare, me sa e di unë, ende po heshtë.
Dr. Spahiu në këte vepër si dhe në vepra të mëparshme bën dallim të prerë midis grekëve e maqedonasve të vjetër, midis këtyre e pellazgëve dhe këto dallime – sipas tij – vërehen edhe në mite e legjenda, në fe – po se po.
Në përfundim të këtij studimi dr. Spahiu nënvizon këto teza:


1.- Maqedonasit perëndimorë dhe epirotët e lashtë janë pellazgë ose ilirë;
2.- Pellazgët nuk kanë huazuar asgjë nga mitologjia dhe feja greke;
3.- Grekët kanë huazuar mitet dhe fenë e pellazgëve;
4.- Përpjekjet e grekëve për të ndryshuar mitologjinë e pellazgëve nuk kanë pasur sukses, ndërsa mitologjike pellazgjike ka ndikuar te grekët, të cilët kanë marrë nga pellazgët elemente të rëndësishme të kulturës së tyre.
Po ashtu – vëren autori – ka edhe dallime midis feve të pellazgëve e grekëve.
Dr. Spahiu ka shkruar për pellazgët e ilirët në veprat e mëparshme, për iliricitetin e maqedonasve të vjetër dhe epirotëve, për dallimet e qarta midis grekëve e maqedonasve të vjetër në pikëpamje etnike, kulturore e gjuhësore, vepra e tanishme rreket t’i vijnë në ndihmë autorit për t’i përforcuar këto dallime, prandaj duhej të botohej më parë, megjithëse dihet se mitet nuk janë histori, por u interesojnë dhe u ndihmojnë historianëve.
Mitologët tanë dhe fjalorët mitologjikë të botuar tek ne nuk kanë arritur deri te shumë teza që shpalon monografinë e tanishme e dr. Spahiut, por nuk është kurrë vonë për ata që nuk i konsiderojnë kërkimet e tyre të mbaruara.
Ka ardhur koha, ndërkaq, t’u qasemi tezave të njohura të Kreçmerit mbi pellazgët dhe pellazgjishten. T’u qasesh nuk do të thotë t’i pranosh a priori, por të pralmenish arritjet e derisotme mbi shtëgtimet e popujve nga veriu në jug.
Dy fjalë edhe për autorin e librit, ish nxënës imi në gjimnazin e Kukësit, në vitet 50 të qindravjetit të kaluar, s’po më rrihet pa i thënë.


Pinjoll i një familjeje atdhetare Spahijash të Kolesjanit, me dhunti natyrore, por me një odise të dhimbshme jetësore, përzënë dhunshëm nga Kosova prej shovinistëve të Beogradit, ndërsa sllavo-komunistët e Tiranës i ndërpresin studimet universitare dhe pa re në qiell e degdisin për 29 vjet në baltat e Myzeqesë.
Në vitin 1991 braktis atdheun dhe vendoset në Francë, ku me vështirësi integrohet në jetën dhe kulturën e atjeshme. Me ndihmën e organizmave të të drejtave të njeriut, pse i moshuar, lejohet të ulet në bankat e shkollës për të përfunduar tri ciklet e arsimit francez; ku përthithi ajkën e historiografisë për Ballkanin në bibliotekat e Parisit.
Doktoron në historinë e lashtë e shkruan vit pas viti 14 vepra (dy prej të cilave letrare), të cilat i ka promovuar këtu në Tiranë dhe sot ky burrë i nderuar ndodhet para nesh. Siç duket, tedeli dhe Zoti i dhanë forcën e duhur për t’u treguar kush është.

Qofsh faqebardhë, o lumjan i mirë!




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes