l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

BURRËRESHA RAMIJE SKUKA, VETERANE E LANÇ-it

Nga Valbona RAMÇE

Ramije Skuka është lindur në fshatin Fushë e Vogël (Çankë, Kurbeg) në maj të vitit 1919.

Ajo është e bija e Rrahman Skukës. U rrit në një familje me tradita atdhetare. I jati i saj Rrahmani ka marrë pjesë në luftimet kundër serbëve dhe më vonë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e ka kthyer shtëpinë e tij në bazë të kësaj lufte.
Ramija u martua në vitin 1938 në fshatin Viçisht me Destan Çup Camin. I vjehrri i saj Çupi ishte luftëtar në çetën e Fetah Camit dhe ka marrë pjesë në luftimet kundër serbëve në Topojan e Mazhicë në vitin 1913 dhe në luftime të tjera.
Në prill të vitit 1941, Ahmet Cami me shokët e vet të çetës antifashiste sulmuan shtabin italian që ndodhej në Miresh ku u vranë 50 ushtarë dhe oficerë italianë të Divizionit “Firence”. Pas sulmit ata sollën shumë armatime. Na thanë ne grave të shtëpisë, të fisit që t’i merrnim e t’i fshihnim, tregon Ramija. U mblodhën Bejazja (bashkëshortja e Ahmetit), Nazmija (bashkëshortja e Kurtit), Fitnetja (bashkëshortja e Fasliut), Fija, nëna e Esatit dhe bashkëshortja e Sinanit, Pemja, nëna e Ukës dhe bashkëshortja e Dullës, Razija, bashkëshortja e Ukes, Hajria, nëna e Aqifit, Sadeti, bashkëshortja e Aqifit, dhe e shoqja e Adem Camit dhe i kemi ngritur e fshehur përmbi vijën e ujit, afër Jamishtes, pyllit të lagjes. Kemi mbajtur nga akshami deri sa u gdhi e nesërmja. Ky armatim u përdor nga çeta gjatë gjithë kohës.
Fashistët italianë u hakmorën me ashpërsi. Ata arrestuan dhe burgosën brenda një dite, me datë 19 prill 1941, 19 pjesëtarë të Fisit Cami dhe dy fshtarë nga Tërbaçi, konkretisht: Ahmet Cami, Uke Cami, Dullë Cami, Adem Cami, Islam Cami, Izet Cami, Sulë Cami, Destan Cami, Rremë Cami, Shahin Cami, Tufik Cami, Dilaver Cami, Ibrahim Buziu, Selim Mjeshtri, Bexhet Cami, Aqif Cami, Hidër Cami, Liman Cami, Taf Cami. Rifat Cami , Hasan Cami.
Pra siç shikohet edhe në dokumentin e AQSH, në këtë grup të madh ishte edhe bashkëshorti i Ramijes, Destani. Numri 118 në këtë dokument është emri i Destan Çup Camit, të shoqit të Ramijes, 27 vjeç.
Në burg vdes Dilaver Cami, kushuriri i Destanit. Dilaveri i Veliut, vëllai i Tafës, ishte i ri në moshë dhe i fuqishëm. Por një ditë gjatë torturave ja përplasën kokën për çimentoje, në murin e betonit të birucës.
Ai dha direkt shpirt pasi goditja qe në tru. Drejtoria e Burgut dha njoftim se qe një vdekje natyrale dhe se Dilaveri ishte i sëmurë. Ne e dinim shumë mirë se atë e mbytën hetuesit fashistë me torturat e tyre çnjerëzore, tregon Uke A. Cami, një nga të mbijetuarit e pushkatimit dhe të burgut, prandaj filluam të vihemi në lëvizje për t’u liruar me çdo kusht. Arritëm të dilnim nga burgu në gusht të vitit 1942.
Por fati i keq e ndolli përsëri Destanin. Në një dasëm në fshat qëllohet pa dashje dhe vdes. Ramija mbeti e ve me barrë në bark. Vendosi të qëndronte dhe të rriste djalin e saj, që e quajti në emër të burrit, Destan.
Së bashku me të vjehrrën Hiken si dhe me njerkën e burrit, Nailen, pra me dy gra të moshuara qëndroi si burrëreshë dhe rriti djalin e saj Destanin.


Gjatë periudhës 1943-1944, shtëpia e saj shërbeu edhe si bazë e Luftës. Vëllezërit partizanë Ymer lleshi dhe Hamdi Lleshi (dëshmor LANÇ) ishin nipër në këtë familje. Po kështu Kadri Demiri në Maqellarë dhe Ramadan Mera në Gjoricë kishin lidhje miqësore me këtë familje sepse kishin për bashkëshorte motrat e Destanit. Kushurinjtë e Destanit, Ahmeti, Uke Dullë Cami, Esat Sinan Cami etj mbas daljes nga burgu fashist u rradhitën në rradhët e luftës, ndërsa punën e mbetur në mes, të Destanit, e vijuan nënat, Hike, Naile dhe Ramija.
I Shoqi i Ramijes, Destan Çup Cami mban titullin e Veteranit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për pjesëmarrje në lëvizjen Nacional çlirimtare dhe në burgun fashist.
Ramijes, pas viteve 90, ju njoh kontributi i saj dhe i dy nënave, Hikes dhe Nailes për ndihmën për luftën.
Ramija e rriti djalin e saj Destanin dhe e shkolloi. Destani i ri u bë mësues dhe shërbeu deri sa doli në pension në shumë fshtara të Gollobordës dhe në fshatin e tij, Viçisht. Destani u martua me Naxhijen dhe rritën plot 5 fëmijë, 4 djem dhe një vajzë. Ramija u bë një gjyshe e mrekullueshme për nipërit dhe mbesën e saj.
Ajo u kthye në një monument njerëzor për sakrificat që kreu dhe për kontributin që dha. Nuk ka njeri në fshatin Viçisht dhe në zonën e Gjoricës që nuk e njohu dhe respektoi këtë burrëreshë të pamposhtur.
Ramija vdiq në vitin 2006, por kujtimi i saj kurrë nuk ka për të vdekur.




 

 




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes