l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

HOMAZH

LAMTUMIRË MIKU YNË I PAHARRUAR – ARTISTI AGIM KAVAJA

SHPENDI TOPOLLAJ

Në vjeshtën e vitit 1961, kur nga dritaret e shkollës “Skënderbej”, shihja një grup studentësh ushtarakë që me një krenari të dukshme qenë kthyer nga studimet e lëna përgjysmë në ish B.S. nuk kisha si ta dija se midis tyre, fati do ta sillte që njërin, studentin e inxhinierisë Radio - elektronike të shkollës“Popov”, Agim Kavajën, ta bëja më pas shokun nga më të dashurit dhe pas afro 60 vitesh, do kisha barrën e rëndë, por dhe nderin e madh që t`i mbaja fjalën e lamtumirës, kur zemra e tij e mirë dhe e lodhur do pushonte së rrahuri përgjithmonë. Djalë i vetëm i dy prindërve të mrekullueshëm antifashistë, Palit dhe Roksanit, Agimi qysh i vogël kaloi ditë dhe net maleve mes partizanëve, ndaj dhe asnjëherë nuk iu fashit besimi se epopeja e luftës nacional - çlirimtare qe faqja më e lavdishme e historisë tonë. I urtë dhe i qetë, madje dhe tolerant në biseda, përherë me fjalë të mençura, ai jo vetëm kishte si moto fjalët e arta të Dantes se “Asnjë të mos harrojë se asht njeri: / ju le nuk keni për t`gjallue si shtasë, / po për të ndjekë virtyt e dituni.”, por dhe larg çdo arrivizmi e karrierizmi, i zbatoi ato më së miri në jetë. Kudo që u caktua të punonte, qoftë dhe në detyrën më modeste në muzeun Arkeologjik, ai jo vetëm u kulturua pareshtur, por edhe u shqua si një njeri i thjeshtë dhe i përgjegjshëm, përherë i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Kishte mësuar mjaft mirë gjuhën ruse atje në Leningrad (sot San Petersburg), kishte vizituar me etjen e njeriut të interesuar për çdo gjë, muzeumet e famshme të atij qyteti, pra artin e papërsëritshëm në përgjithësi, dhe atë të pikturës në veçanti, ku e shtynte talenti i tij i spikatur dhe studimet në Liceun Artistik, dhe duke lexuar gjithçka i binte në dorë, ai arriti të ngrihej në nivelin e një intelektuali të respektuar të qytetit tonë. Veprat e tij në pikturë, fotografitë e shumta dhe sidomos përkthimet që bëri, janë rezultat i një vullnetit të pashoq, por edhe tregues i formimit të tij qytetar.

Mjaft të kujtoj sot, se novelat e Xhek Londonit, të pabotuara më parë, u zgjodhën prej tij, me një intuitë të rrallë, pasi ato pasqyronin karikaturën nga na u desh të kalonte demokracia jonë. E joshte filozofia, e sidomos ajo e lashta, ndaj dhe u mor deri me brahmatizmin, siç vërehet dhe nga libri i përkthyer prej tij BHAGAVAD GITA, poema epike indu. Por sidoqoftë, midis atyre dy sistemeve që parashtronte në kohën e tij Lukreci, pra stoicizmit, që kupton besimin në fuqitë e mbinatyrshme dhe epikurizmit, ai preferonte këtë të fundit, ku njëriu mbetet zot i fateve të veta, çka mbetet dhe përcaktues i mendimit të pavarur e përparimtar. Ëndërronte edhe kur sëmundja e gjatë e mundoi, duke i qëndruar pezull si ai shkëmbi i zhurmshëm i Tantalit, që ta shihte të botuar dhe Kontin Lukanor të Huan Manuelit, por nuk arriti. Atë, duke e marrë si amanetin e tij, do t`ja realizojmë ne, fatkeqsisht post mortem. Por kot flas për vdekjen e njerëzve të virtytshëm si Agim Kavaja, pasi ai qe model edhe si familjar. E adhuronte dhe e nderonte deri në fund nënën e tij. Zbatoi me gruan e tij atë thënien e Servantesit se “Bashkëshortët e mirë, kanë dy shpirtra, por një vullnet”, gjë që e vërtetoi dhe shërbimi i saj dhe kurajua që Frosina i dha deri në çastet e fundit. E mbi të gjitha, ata së bashku rritën dhe edukuan Pavlinin zemërmadh, Andin dinjitoz, të dy artistë, dhe Roksanën e zgjuar. Dhe tani, në mbyllje të kësaj fjale, në nderim të pasionit të mikut tim që e pashë për herë të parë atë ditë vjeshte të rreth 60 viteve më parë, lejomëni t`u them se Agim Kavaja, qe për mua i denjë për ato fjalët e Kalimakut “Mbi varrin e Saonit”, ku thosh: “Këtu ka rënë në gjumë të shenjtë Saoni… Mos thuaj “Vdiq” për njëriun e mirë.” Gjumë të lehtë edhe ty, o i miri dhe i shtrenjti ynë Agim, këtu në gjirin e prindërve të tu, por që s`arrite t`i shohësh dhe një herë Andin dhe Roksin tënde të vogël! I paharruar qoftë kujtimi i tij!






 

 




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes