l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në kuadrin e 74-vjetorit të krijimit të Br. XII S

Brigada e Kongresit dhe e çlirimit të Labërisë

Prof. Asoc. Br. Bernard Zotaj

Formimi i Brigadës

Pasi kishte kishte dështuar operacioni armik i Dimrit, në pranverën e vitit 1944, pushtuesi nazist dhe tradhtarët e vendit vazhdonin përpjekjet për të shuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare po shtoheshin vazhdimisht me bij e bija të popullit. Krahina të tëra po çliroheshin njëra pas tjetrës. Përgatitjet për zhvillimin e Kongresit historik të Përmetit, ishin në përfundim. Në këto rrethana, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, urdhëroi formimin e Br. XII S. Në përgjigje të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, 670 partizanët dhe partizanet e brigadës së re vinin nga radhët e katër grupeve partizane të Zonës Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, u grumbulluan në fshatrat e krahinës së Dëshnicës, me qendër në fshatin Sukë, disa ditë para përurimit. Në këto ditë u zhvillua punë e programuar ideopolitike dhe stërvitje luftarake me efektivin e grumbulluar. Komanda, shtabi dhe të katër batalionet u rreshtuan më 20 maj 1944, ku u përurua Br. XII S në fshatin Sukë. I deleguari i Shtabit të Përgjithshëm në mesazhin që ju përcolli theksonte se Shtabi i Përgjithshëm ka bindjen se Br. XII S do të ndjekë rrugën e lavdishme të brigadave të tjera dhe bashkë me to, do të shkojë përpara duke dhënë kontributin e saj në luftën për çlirimin e vendit nga armiqtë e vendit, nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Me këtë bindje Shtabi i Përgjithshëm i uron Br. XII S suksese në misionin e saj të lartë. Komandant u caktua Refat Bajrami dhe komisar Qamil Klosi. Ndërsa anëtarë të shtabit të brigadës dhe të seksionit politik ishin Mehmet Jaho, Vasil Nathanaili, Veiz Gjebero, Veis Pipa dhe Vangjelo Sotiriadhi etj.

Detyra e parë luftarake

Brigada me luftëtarët e saj që kishin përvojë luftarake u vendos në gatishmëri dhe mori detyrë luftarake për mbrojtjen së bashku me brigadat e tjera partizane, të zonës së lirë të Përmetit, ku do zhvillohej Kongresit I Antifashist Nacionalçlirimtar. Kështu brigada qëndroi në rezervë të Shtabit të Përgjithshëm, në mbrojtje të Kongresit. Ndërsa më 2 qershor 1944, Br. XII S mori urdhrin për të zhvilluar luftime në zonën e qarkut të Beratit, së bashku me Br. VII S. Ndërkohë kishte nisur Operacioni armik i Qershorit i vitit 1944. Ndërsa Br. VII S kishte ditë që zhvillonte luftime me forcat armike në zona në afërsi të qytetit të Beratit. Në mbrëmjen e 2 qershor Br. XII S u nis për në frontin e luftimeve, ku batalionet e parë dhe të tretë kapën zonën e luftimit nga fshati Vokopolë deri në grykën e Rehovës, në afërsi me rrugën automobilistike Berat-Këlcyrë, ndërsa batalionet i dytë dhe i katërt u përqendruan në fshatin Therepel të Skraparit. Mëngjesi i 3 qershor 1944 Br. XII S u rreshtua me forcat e Br. VII S.

Bashkërendim të veprimeve luftarake

Të dy brigadat arritën në mënyrë mjeshtërore të bashkërendonin veprimet luftarake, me kundërsulme, me luftime e beteja frontale nga fshati Therepel, Shkozë, fshatrat afër Çorovodës dhe deri në grykën e Rehovës, i detyruan forcat armike të tërhiqen. Në këto luftime armikut pësoi dëme në njerëz, të vrarë dhe të plagosur, si dhe në material luftarak. Të dy njësitë luftarake që u ndeshën në rajonin e Therepelit me kolonën e forcave naziste që mësynte në drejtimin Berat-Këlcyrë. Pas luftimesh të vijueshme armiku u detyruan të tërhiqej dhe të përqendrohej në rajonin e Zhitomit e të Paraspuarit për t’u riorganizuar. Brigadat kryen në këtë rajon një kundërsulm mbi armikun duke i shkaktuar dëme të shumta dhe më 8 qershor u përleshën me nazistet gjermanë në rajonin e Vokopolës. Br. XII S u ndesh në luftime dhe me një kolonë gjermane së bashku me trupa xhandaro-balliste, duke manovruar dhe njohur terrenin ju dolën pas shpine nga Qafa e Martës e Tenda e Qypit, dhe i detyruan forcat armike të ktheheshin nga kishin ardhur, duke lënë në fushën e luftës përsëri të vrarë dhe kapi mjaft material luftarak.

Manovër e thellë luftarake

Br. XII S me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm bëri shkëmbim të zonës së veprimeve me Br. VI S për në sektorin Vlorë-Kurvelesh-Bregdet. Shtabi i brigadës duke parë situatën dhe dendësinë e veprimeve luftarake, me një manovër të thellë kaloi në krahinën e Kurveleshit. Gjatë manovrimit u ndesh me forca armike në Arrëzën e Vogël, shumë afër Qafës së Kiçokut, me tri kompani të brigadës që kryenin detyrën e praparojës. Beteja zgjati rreth 5 orë duke i gozhduar forcat gjermane deri në mbrëmje. Kështu u sigurua prej forcave të kryesore të brigadës kalimi i lumit të Vjosës,u vu në gatishmëri luftarake dhe zuri pozicione sipas detyrave të caktuara. Në fazën e dytë të Operacionit të Qershorit, Br. XII S në bashkëveprim me Br. VI S, forca të Zonës së Parë Operative, si dhe disa forca të Br. VII e III S, u ndeshën në mënyrë të vijueshme me forca armike në krahinat e Tepelenës dhe të Kurveleshit. Qëndresën e forcave partizane, i dhanë mundësi popullit të Kurveleshit, të plagosurve e të sëmurëve që t’i shpëtonin valës goditëse të armikut.
Për repartet partizane që vepronin në këtë zonë, u krijua një gjendje e rëndë dhe e rrezikshme. Këto u rrethuan disa herë prej trupave naziste të shumta, të cilat kudo që shkelnin digjnin, vritnin e shkatërronin çdo gjë. Në saj të vendosmërisë së luftëtarëve dhe të popullit të krahinës, forcat partizane manovruan me mjeshtëri dhe çanë rrethimin armik. Forcat e Br. XII S, duke kaluan në drejtime të ndryshme në brendësi të Kurveleshit të Sipërm u grumbulluan në fshatin Gusmar. Përsëri duke bashkërenduar veprimet me forcat e Br. VI dhe Br. XII S organizuan sulme kundër forcave armike në rajonet e Salarisë, të Dukajt, të Lekdushit e në pyjet e Luzatit, si dhe duke goditur lëvizjet e automjeteve armike në rrugën Tepelenë-Vlorë.

Komunikim me radio me Shtabin e Përgjithshëm

Br. XII S duke bashkëvepruar veprimet edhe forcat territoriale, kreu sulme të vijueshme në asgjësimin e qendrave të fortifikuara të armikut, organizoi prita kundër autokolonave në rrugën Sarandë-Urë e Mifolit, si dhe gjatë rrugës Vlorë-Tepelenë.
Këto forca goditë pareshtur garnizonet armike në kalanë e Borshit, në Spile të Himarës, në Vajzë etj., si dhe kontrollonin e godisnin lëvizjet në rrugët Borsh-Sarandë, Vajzë-Drashovicë-Mavrovë, etj., duke e detyruar armikun të tërhiqet në qendrat e tij të fortifikuara. Për plotësimin me sukses të detyrave ushtarake të Br. XII S në sektorin Vlorë-Kurvelesh dhe në mënyrë të veçantë në zonën bregdetare, shtabi i brigadës vepronte sipas detyrave të marra nga Shtabi i Përgjithshëm. Në këtë periudhë ishte siguruar ndërlidhje e rregullt me radio midis shtabit të brigadës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në fund të korrikut 1944, forcat e batalionit katërt, së bashku me forcat territoriale, sulmuan garnizonin gjerman në Spile të Himarës, i cili ishte një nga garnizonet më të fortifikuara të armikut në zonën bregdetare. Pas sulmit e luftimeve u asgjësua garnizoni gjerman dhe zona nga fshati Borsh deri në fshatin Palasë u çlirua plotësisht. Në ditët e para të gushtit 1944 u çliruan fshatrat e Bregdetit nga Borshi deri në fshatin Nivicë-Bubar, duke e zgjeruar zonën e çliruar bregdetare Nivicë-Bubar deri në afërsi të Llogorasë, zonë ku forca partizane u vunë në roja vigjilente të kësaj pjese të bregdetit tonë.

Çlirim të qyteteve dhe të ishullit të Sazanit

Më 22 shtator partizanët e Br. XII S në bashkëveprim me ata të Br. XIV S, me një sulm të rrufeshëm në grykën e Kakomesë, në afërsi të qytetit të Sarandës, goditën një repart të forcave gjermane prej 130 vetash, që kishte ardhur nga Saranda.
Reparti gjerman u shpartallua, duke lënë të vrarë, të plagosur e robër, si dhe të gjithë materialin luftarak. Në datën 9-11 tetor 1944 forcat e brigadave XII, XIV dhe XIX S kurorëzuan me sukses luftimet kundër garnizonit gjerman të fortifikuar e të rrethuar kudo me mina në zonën e qytetit të Sarandës duke e çliruar atë. Pas çlirimit të qytetit të Sarandës, Br. XII S mori urdhrin për çlirimin sa më shpejt të qytetit të Vlorës. Më 15 tetor 1944, forcat e Br. XII S çliruan përfundimisht qytetin e Vlorës dhe më 20 tetor një skuadër e Br. XII çliroi dhe ishullin e Sazanit. Nga radhët e brigadës në luftime me armikun dhanë jetë mbi 60 luftëtarë, midis të cilëve janë Shefit Hekali, Qeriba Koka, Braho Sako, Osman Beshiri, Sinan Bllaca, Abdyl Kuka etj. Br. XII S kaloi për të vepruar kundër trupave në tërheqje gjatë rrugës Elbasan-Peqin-Durrës. Betejë e ashpër u zhvillua në rajonin në lindje të qytetit të Peqinit, me një kolonë të madhe gjermane që vazhdoi e rreptë për 3 ditë. Më 14 nëntor forcat e Br. XII së bashku me forca të tjera partizane çliruan qytetin e Durrësit, ndërsa më 28 Nëntor 1944 në Tiranën e çliruar luftëtarët e Br. XII S, parakaluan përpara Qeverisë Demokratike. Me rastin e 74 vjetorit të formimit të Br. XII S, kujtojnë dhe nderojmë me respekt luftëtarët, dëshmorët dhe ish partizanët e saj.





 

 




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes