l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

74-vjetori i krijimit të një prej formacioneve më të mëdha e më të shquara të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare

Brigada e VIII-të S shkroi me gjak triumfin ndaj fashizmit

Shtëdhjetëekatër vjet më pare, më 25 Prill 1944, në një lëndinë të rrethuar me lisa, me një bukuri të rrallë natyrore, në Sheper të Zagorisë u formua Brigada e VIII-të Sulmuese. Fillimisht ajo pati një efektiv prej 950 partizanë të ardhur nga njësitë partizane të Grupit të parë të Kurveleshit, Çeta “Koto Haxhi”, Batalioni “Misto Mame”, Batalioni “Thanas Ziko” e të tjerë partizanë nga Qarku i Gjirokastrës, që të gjithë të sprovuar në luftime kundër armikut. Me krijimin e Brigadës u formuan katër batalione me nga katër kompani, me nje efektiv prej rreth 200-250 vetë.
Komandant Brigade u caktua Asaf Dragodi, Zv/Komandant Koço Gjeci, Komisar Qazim Kondi dhe Zv/Komisar Rrahman Parllaku. Njëkohësisht u caktuan edhe komandantët e batalioneve e të kompanive.
Në formimin e saj morën pjesë partizanë e partizane me përvojë lufte dhe që kishin lënë gjurmë heroizmi e gjaku në Luftën Çlirimtare gjatë viteve 1942 – 1943.
Fillimisht, Brigada e 8-të S e nisi operacionin kundër armikut në mbrojtje të delegatëve dhe mjediseve ku po përgaditej Kongresi Historik i Përmetit, duke zënë pozicione luftimi nga Ura e Dragodit, Rëzë, Lunxheri, Gryka e Çajupit, Gryka e Salckës, Pogon, Dhembel, Nemeçkë e deri në fshatrat e Përmetit si Çaçovë, etj.
Operacioni i Qershorit 1944 ishte prova më e vështirë, por edhe kalitja vendimtare për Brigadën e 8-të Sulmuese. Komanda e Brigadës dhe ato të batalioneve morën të gjitha masat organizative e operative për vazhdimin e luftimeve, deri në çlirimin e plotë të vendit.
Më 5 qershor 1944 forcat e Brigadës së 8-të i zunë pritë një kollone gjermane me mbi 900 vetë që vinin nga Greqia. Luftimet u zhvilluan të ashpra në Skore, Sopik e Çatister nga Batalioni i 3-të që ishte në rrezik rrethimi. Një trimëri të rrallë tregoi skuadërkomandanti Ormen Boro, i cili me automatik e bomba dore u hodh si rrufe në llogoren e armikut në Sopik, duke asgjësuar një mitraloz të rëndë dhe duke vrarë disa gjermanë. Pas përleshjesh të ashpra ai u vra edhe vetë duke mbetur përjetë në altarin e lirisë.
Në këtë situatë armiku pësoi çoroditje, ndërsa forcat partizane po përparonin dukshëm. Nga luftimet e suksesshme të forcave të Batalionit të 3-të dhe të kompanisë së 2-të në Skore, armiku u detyrua të tërhiqej, duke lënë në fushën e betejës 11 gjermanë të vrarë. Nga radhët e partizanëve u vranë 5 veta dhe u plagos komandanti i kompanisë së 2-të Mustafa Demiri.
Më 13 qershor ’44 Batalioni i 3-të sulmoi në befasi një njësi armike në Grykën e Këlcyrës, në kohën kur ishin duke ndarë dhe ngrënë darkën. Armiku i çoroditur e në panik la në këtë luftim të papritur mjaftë të vrarë e të plagosur, ndërsa nga ana jonë nuk pati dëmtime.
I tërbuar nga humbjet e njëpasnjëshme, armiku kundërsulmoi forcat e Brigadës së 8-të me forca të shumta nga Gjirokastra. Prej datës 17-26 qershor 1944 për afro dhjetë ditë u zhvilluan luftime të ashpra në Lunxhëri, Çajup, Pogon e Zagori. Në kodrat e Çajupit ra mitralieri trim nga Mallakastra, Imer Xhaferi dhe u plagos partizania Keno Çarçani. Në këto luftime, Brigada bëri një tërheqje taktike në malin e Dhëmbelit. Atje u riorganizua dhe më 30.06.1944 sulmoi përsëri gjermanët në Zagorie, të cilët u detyruan të tërhiqen në Gjirokastër, duke lënë mbi 20 të vrarë e të plagosur.
Më 19.7.44 Brigada sulmoi sërish armikun në Gjirokastër. Batalioni i 3-të sulmoi natën në befasi duke i shkaktuar armikut humbje të shumta në njerëz e mjete, ndërsa nga forcat partizane ra heroikisht zv/komisari i kompansië Hito Gaçe dhe u plagos partizani Ollav Dhame.
Në Gusht ’44 Brigada e 8-të mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për të çliruar Konispolin. Luftimet u zhvilluan të ashpra dhe pas 48 orësh (më 28 gusht ’44) Konispoli u çlirua. Armiku la më se 10 të vrarë, dhjetra të plagosur; U zunë 21 robër, mbi 17 pushkë e dy mitralozë të lehtë. Ndërkohë u plagos skuadërkomandanti Fejzo Rexhepi nga Mallakastra, u vranë katër partizanë, ndër të cilët edhe komandanti trim i Kompanisë së 3-të Razo Zeneli.
Kjo brigadë ka luftuar për çlirimin e qyteteve të Gjirokastrës, Beratit, Lushnjës dhe Tiranës, si dhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë, duke dhënë një kontribut të madh edhe në çlirimin e viseve kosovare.
Brigada e 8-të Sulmuese ka qenë një nga formacionet partizane më të suksesshme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo u krijua nga çeta të ndryshme partizane, të cilat kishin vite që luftonin kundër pushtuesve dhe mori pjesë në çlirimin e qyteteve, si Gjirokastra, Berati, Tirana etj.
Brenda tre mujash nga krijimi Brigada arriti tw kishte njw efektiv prej 820 partizanë e partizane. “Partizanët e Brigadës së VIII-të Sulmuese, bij të thjeshtë të trevave atdhetare dhe patriotike të jugut, shkruan me gjakun e tyre histori lavdie gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas çlirimit të Tiranës, Brigada e 8-të S, me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm marshoi së bashku me forcat e Brigadës së 6-të në tokat e ish-Jugosllavisë, në ndjekje të pushtuesit. Gjatë luftimeve të atjeshme ranë heroikisht Heroi i Popullit Thidhori Mastora dhe komisari trim i batalionit të 3-të, Pano Xhixho.
Brigada e 8-të Sulmuese ka lënë në fushën e luftimeve kundër armikut 148 dëshmorë dhe rreth 176 të plagosur, nga këto tre shoqe partizane.
Emrat e dëshmorëve të kësaj brigade, të shokëve dhe shoqeve të armëve, të cilët dhanë jetën për atdheun në moshën më të bukur, janë shkruar me shkronja të arta në panteonin e kombit shqiptar.
Veteranët e LANÇ dhe paaardhësite tyre janë krenarë për gjakun, mundin dhe sakrificat e partizanëve dhe dëshmorëve e heronjve të kësaj Brigade.
Në këtë përvjetor të shënuar të saj, për historinë e popullit shqiptar, shprehim bindjen dhe besimin e palëkundur se ëndrrat, idealet dhe gjaku i 28 mijë dëshmorëve do të respektohen ndër breza.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes