l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

NËNA TRIMËRESHË SIBE GJURA

Sibe Gjura është lindur në fshatin Boçevë të Dibrës në vitin 1908 në një familje me tradita të mëdha atdhetare. Babai i saj Bajram Merxhani dhe nëna Zamane i kultivuan bijës së tyre, Sibes, dashurinë për vatanin dhe për njerëzit. Vëllai i Sibes u vra nga serbët tek Ura e Qytetit në vitin 1914 kur serbët qenë nisur drejt pushtimit të Durrësit. Ajo u martua me Sulejman Gjurën në fshatin Çerenec i Poshtëm me të cilin pati pesë fëmijë, Abdurrahmanin, Maliqin, Ilmiun, Tushen dhe Sabrien. Sulejman vdiq para kohe në vitin 1938 nga një sëmundje e kohës , për mungesë të shërbimit shëndetësor dhe të ilaçeve, duke e lënë Siben të ve’ me pesë fëmijë të vegjël.


Por Sibja si një burrëreshë i rriti dhe i edukoi më së miri fëmijët e saj. Djali i madh, Abdurrahmani, u bë oficer policie dhe shërbeu me devotshmëri deri sa doli në pension. Ilmiu shërbeu si mësues në vendlindje dhe në fshatrat e Dibrës së bashku me të shoqen Razijen. Po kështu edhe fëmijët e tjerë u bënë njerëz të mirë dhe punëtorë. Djali i Abdurrahmanit, nipi i Sibes, Ylberi shërbeu për shumë vite si ushtarak në repartet e kufirit.
Sibja vdiq në Peshkopi me 28 qershor 1979 dhe u përcoll me nderime nga qindra e mijëra qytetarë dibranë, të cilët e njihnin dhe e respektonin punën dhe mundin e kësaj nëne të pashoqe në Dibër dhe në Shqipëri. Sibe Gjura për meritat e saj si bazë e LANÇ, si luftëtare dhe veprimtare e dalluar e luftës, mban medaljet e kujtimit, trimërisë dhe të çlirimit
Nënën trimëreshë Sibe Gjura nga Çereneci i Poshtëm i Dibrës të gjithë e kujtojnë me mall dhe me veneracion. Në çdo festë të Gjoricës, kujto festën e formimit të batalionit të Dibrës, me 26 korrik 1943, nënën trimëreshë Sibe Gjura e shikonim në tribunën e festës përkrah luftëtarëve të kohës.


Dekoratat e luftës i ndritnin në gjoks. Ne nxënësit e shkollës së Gjoricës e takonim shpesh dhe ajo na bënte biseda për ditët e stuhishme të luftës antifashiste nacional çlirimtare dhe për kthimin e shtëpisë së saj në bazë të luftës dhe të strehimit të partizanëvë të çetës dhe të batalionit të Dibrës të komanduar nga Haxhi Lleshi.


Haxhi Lleshi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL dhe komandant i batalionit të Dibrës në kujtimet e tij të botura “Vite, njerëz, ngjarje” , Kujtime, Shtëpia Botuese “Dituria” 1996 , Faqe 109 e rendit Sibe Gjurën, të parën ndër gratë dhe vajzat që sakrifikuan gjatë lëvizjes dhe luftës Nacional Çlirimtare. Haxhiu në librin e tij :“Vite, njerëz, ngjarje” , Kujtime, Shtëpia Botuese “Dituria” 1996 , Faqe 48-49 tregon:”
Ishte viti 1942…Nga Dovolani kaluam nëpër disa fshatra të tjerë dhe u ndalëm në Çerenec të Epër, një fshat i ngritur mbi kodra të buta e i veshur me pyje dushku e plot pemë. Aty vendosëm të qëndronim disa ditë, sepse kishte kushte për t’u lidhur me më shumë njerëz pa rënë në sy të armikut.
I them Sadik Koçit që ishte nga ai fshat:” Ku do të shkojmë ?
Ai u mendua një çast , pastaj u përgjigj:
-Te Sibe Gjura, ajo është stërmbesë e Lleshëve, kurse unë e kam ndrikull. Është grua e ve, me një tufë kalamaj, e varfër, sa s’ka ku të vejë, por trimëreshë, besnike e bujare.
Kur u afruam tek porta, i thirra:
Oj Sibe, a do miq ?
– Bujrum , u përgjigj me një zë të butë nga brenda dhe sa hap e mbyll u dha në derë, duke fshirë duart në një përparëse të errët e plot arna. - Jam Haxhi Lleshi, i thashë. - Oj lumja unë, e mirë se na e gjete kasollen , dhe na përqafoi si ta kishin bijë të shtëpisë.
-Sapo hymë brenda vumë re se varfëria kishte pllakosur çdo cep të asaj ndërtese dykatëshe, që vetëm emrin e kishte shtëpi. Shiu që binte jashtë futej brenda. Nëpër odë lëviznin pesë fëmijë , tre djem dhe dy vajza. Mu kujtuan shkrimet e Migjenit. Po mikpritja dhe bujaria e Sibes, sikur i dhanë një pamje tjetër asaj shtëpie.
Ashtu si edhe shumë nëna e motra të tjera dibrane, Sibe Gjurën më vonë do ta kishim jo vetëm mikpritëse bujare të partizanëve , por edhe luftëtare dhe veprimtare të dalluar të luftës sonë, si ndër gra edhe ndër burra, se jeta e kishte detyruar të ishte edhe nënë edhe burrë në shtëpi.
Në shtëpinë e Sibes thirrëm disa burra të fisit të Koçajve, si Cen Koçin, Isuf Koçin etj. Kishim edhe lidhje familjare me ta. , gjyshi im Tush Lleshi qe nip te Koçajt. Patën marrë edhe ata në luftën e Prillit 1941 dhe tani ishin të gatshëm ta vazhdonim luftën së bashku.
Edhe i biri i Sibes, Abdurrahmani, megjithëse i vogël, ndihmonte lëvzjen tonë nacional çlirimtare, tregon Haxhi Lleshi. (Faqe 56) Në fillim të shkurtit të vitit 1942 u nisëm nga Çereneci. Nënë Sibja na përcolli me një trastë në dorë që ja dha njërit prej shokëve tanë.
E mora me mend se aty kishte bukë , ndaj i thashë: “Ruaje për cullët. Ne do të gjejmë rrugës. U kthye, por na e kishte punuar ndryshe. Në të dalë të fshatit na arriti i biri, Abdurrahmani, që vinte me vrap dhe na e la trastën mu përpara e u largua po me vrap.
Shëmbujt që tregojnë pritjet dhe përcjelljet e partizanëve nga Sibe Gjura janë të shumtë. Mua më ka treguar disa raste, im atë, Uke A. Cami, partizan i Çetës së gollobordës, Batalionit të Dibrës dhe i Brigadës së 18.
E kam njohur personalisht dhe më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme. Rrallë shihen e takohen në jetë, nëna të tilla trimëresha si Sibe Gjura.
S.CAMI







Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes