l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Jeta e Myfit Poçarit është një kronikë e vërtetë e radiostacionit të lirisë

MYFIT POÇARI: KRONIKË E RADIOSTACIONIT TË LIRISË

Bujar Poçari & Zenel Anxhaku

Brezi i artë që bëri Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte një radiostacion i përjetshëm i lirisë, i vlerave universale të njeriu, i progresit , i emancipimit shoqëror dhe shpirtëror.
Janë më qindra dhe mijëra zëra që ne i ndjekim në këtë radiostacion frymëzues dhe human, shkollë e heroizmit dhe dashurisë, dhe gjejmë aty frekuencat qiellore të ardhura nga lartë, ku shpirtrat e tyre na ndjekin në rrugën tonë, na ndriçojnë me qartësinë dhe atdhedashurinë e tyre.
Asdreni, krijuesi i Himnit tonë kombëtar ka në thesarin e vet krijues dhe këto vargje testamentare:

Koha kalon
Askush mbi dhe nuk jeton përgjithmonë
Si trashëgim ju lëmë shpirtin tonë...
E ndër këto qindra dhe mijëra zëra të lavdishëm dhe të përjetshëm të lirisë, është edhe zëri i Myfit Poçarit, të riut nga Korça i cili në vitet njëzetë-tridhjetë të shekullit të kaluar, mësoi dhe përvetësoi vetitë më të bukura të popullit shqiptar nëpërmjet familjes së tij të mirënjohur qytetare korçare, nëpërmjet shkollës qytetase, nëpërmjet demonstratës së bukës e protestave të tjera të punëtorëve dhe shkollarëve korçarë, nëpërmjet punës si radiotelegrafist në postën e Korçës e pastaj në shkollën e madhe të luftës për liri, ku ai do të ishte nga të parët që themeloi shërbimin e ndërlidhjes në Shqipëri. Në zjarrin e luftës provoi torturat më çnjerëzore në burgjet fashiste dhe deri në kampin famëkeq të Prishtinës, mundi të dalë andej i gjallë duke u arratisur dhe përsëri duke u radhitur në rreshtat partizane, duke marrë pjesë edhe në çlirimin e tokave jashtë kufirit shtetëror.
Jeta e Myfit Poçarit është një kronikë e vërtetë e radiostacionit të lirisë. Është një roman jete fisnike dhe gjithëpërfshirës, që të habit me origjinalitetin dhe njëherësh me universalitetin e personazhit tipik të njeriut pjesëmarrës në rreshtat çlirimtare antifashiste nacional-çlirimtare.
Sot në kohën e demokracisë, në kohën e lirisë së fjalës, së lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit të lirë të mallrave shohim se ishin pikërisht të rinjtë e guximshëm e atdhedashës dhe liridashës, entuziastë dhe human si Myfit Poçari që luftuan në radhët e para të luftës për liri e demokraci, për progres dhe emancipim shpirtëror.
Sot, kur bij të kolaboracionistëve të djeshëm apo pronarë të privatizimeve të dyshimta me paratë e grabitura nga djersa e përbashkët, mundohen të hedhin tymnaja dhe plehrat e tyre kundër kësaj epopeje çlirimtare, duke e quajtur atë luftë civile, duke i veshur asaj akte “banditeske” vrastare etj.Kërkohet që historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional CClirimtare të Popullit Shqiptar t’a mbajmë të gjallë e të pa cënuar.
Historia e vërtetë shkruhet në faqet e maleve, në dallgët e shqetësuara të lumenjve, nën grykën e zjarrit e në stuhi dhe partizanët, luftëtarët e lirisë si Myfit Poçari ishin nga ata luftëtarë që u futën në Kështjellën e lirisë nga porta kryesore, jo nga pullazet dhe bodrumet siç kërkojnë të futen sot vazhduesit e sotëm të kolaboracionistëve të djeshëm.
Brezi i Myfit Poçarit dhe i qindra dhe mijëra shokëve të tij janë dhe do të mbeten kurdoherë burim frymëzimi dhe inspirimi për brezat e rinj shqiptarë. Ata ditën të orientohen dhe të lidhen me koalicionin kundër fashizmit e nazizmit dhe veglave të tyre, me botën e madhe të civilizuar demokratike antifashiste, duke e radhitur Shqipërinë në radhët e kombeve fitimtare.
Konferenca e Paqes në Paris, pas luftës konfirmoi të vërtetën e madhe të drejtësisë të kauzës së luftës dhe fitores së bijve shqiptarë si Myfit Poçari, që luftuan pa kompromis kundër fashistëve, nazistëve dhe veglave të tyre.
Ku e gjetën këtë forcë këta bij dhe bija, të cilët dikur në propagandën e shitur të fashizmit dhe veglave të tyre u quajtën “çunakë”, “axhami”, “aguridhe” ?.
Ata ishin njerëz të thjeshtë por idealet i kishin madhështore.
As për mua as për vete
Por për gjithë vilajete
As për mua, as për ti

Por për gjithë Shqipëri... -thoshte dikur Rrapo Hekali nëpërmjet këngës së popullit.

Te Rrapi në Mashkullore
Foli Çeçua me gojë
Lëri djemtë e mi të shkojnë

Ja ku e gjeti frymëzimin e tij të natyrshëm brezi i artë i Myfit Poçarit dhe i shokëve të tij që bënë epopenë e luftës antifashiste nacional-çlirimtare. E gjeti tek populli, tek historia e tij, tek shpirti i tij i pamposhtur, sepse ata ishin bijë të popullit”djemtë dhe vajzat si nure, me dyfek dhe sakature, me opingat prej lëkure”

Thërret nëna djem ku jeni
Në mos keni armë gjeni
Ja rrëmbeni atij qeni

Dhe ata, armët ja rrëmbyen armikut dhe krijuan çeta dhe batalione, brigada dhe divizione të lirisë dhe bënë beteja legjendare në Pezë e në Pojskë, në Qarrishtë dhe Drashovicë, në Mezhgoran, në Tëndën e Qypit dhe kudo.
Dhe populli i mbajti, i ushqeu, i strehoi, i ruajti si sytë e ballit, i mbështeti me gjithë shpirtin e tij, me gjithë forcën e tij, me gjithë pasurinë e tij, me gjithë dashurinë e tij.
Myfit Poçari si specialist i radiostacionit të lirisë bashkë me shokët e tij të lavdishëm të lirisë ishte ura e bashkimit të kësaj force kolosale rebele, nacionale, çlirimtare e njëherësh progresive dhe revolucionare.
Dhe kështu, duke ndjekur jetën e Myfit Poçarit, do të mund të ndjekim trajektoren e lavdishme, jetën e një brezi të tërë, zemrën e tij plot magmë vullkanike, shikimin e pastër dhe të qartë si të shqiponjës dhe besimin e patundur në vlerat perëndimore të kombit vital shqiptar.
Duke ndjekur hap pas hapi jetën dhe luftën e Myfit Poçarit ne jemi munduar të tipizojmë ata djem dhe vajza që luftuan për Atdhe dhe që nëna i kish lindur për një botë të re.
Dhe për të arritur këtë na kanë ndihmuar kujtimet e shokëve dhe miqve të Myfit Poçarit, librat e shkruar prej tyre, dokumente të kohës, kujtime të të afërmve të cilat na i bëri prezent djali i Myfitit dhe miku ynë i mirë, Bujar Poçari.
Finët e lashtë kur ndodheshin në vështirësi përdornin një fjalë: “Sizu”, e më këtë fjalë thërrisnin në ndihmë brezat që kishin kaluar, shpirtin e tyre të pavdekshëm, ndriçues, tempues të shpatës së lirisë.
Edhe ne thërrasim në ndihmë brezat e kaluar, brezin e artë që bëri luftën e lavdishme antifashiste nacional-çlirimtare në kohëra të vështira në të cilat jetojmë për të forcuar kombin tonë, në të mirën e përbashkët.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes