l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullsinë shqiptare

Rruga e Kosovës drejt Pavarësisë

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullsinë shqiptare atje. Për vite me radhë, deri në qershor të 1999-ës, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.


Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri. Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua kurrë në veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës.
Plani parashikonte krijimin e një komune të re në veriun e Mitrovicës, që nuk është zbatuar deri më tani. Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK e zuri misioni europian për sundimin e ligjit EULEX.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Nga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh. Këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash, me mbajtjen e katër raundeve të dialogut mes Thaçit e Daçiç, si dhe një takimi mes presidentëve Jahjaga e Nikoliç.

Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012, ishte një mundësi për shtyrjen më tej të hapave për integrimin e Kosovës. Sfida më e afërt për shtetin e ri është heqja e vizave, por kryesorja mbetet aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. Zyrtarisht, deri më sot, Kosovën e kanë njohur 115 shtete.
Deri tani 110 entitete sovrane, nga të cilët 115 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithashtu e kanë njohur Kosovën (23 nga 28); Anëtarët e BE-së vendosin individualisht se a do ta njohin Kosovën. Njëzetekatër (24) anëtarë të NATOs nga njëzetetetë (28) gjithsej e kanë njohur Kosovën.

 

Kosova, shtet i pavarur njihet zyrtarisht nga 115 shtete

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Procesi i njohjes së Kosovës ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pandryshueshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Më së miri kjo dëshmohet nga fakti i njohjes formale të Kosovës nga të gjitha vendet fqinje (me përjashtim të Serbisë), shumica dërrmuese e shteteve nga rajoni dhe komunitetit Euroatlantik.
Arritjet e deritanishme janë një meritë e diplomacisë proaktive dhe dinamike të Kosovës, por edhe një meritë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur procesin e njohjes dhe kanë lobuar në emër të Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme do të mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të OKB-së, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së.
Republika e Kosovës ka siguruar 115 njohje, në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën. Përkushtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për të përfunduar procesin e njohjeve ndërkombëtare duhet të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet e mëdha që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si brenda Evropës po ashtu edhe përtej saj.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut që do të synohet të finalizohet me njohjen e ndërsjellë e që do të mundësonte ndërtimin e paqes së qëndrueshme në mes të dyja vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e të mira fqinjësore, në frymën evropiane.
Presidenti i Republikës të Shqipërisë, SHT Z.Ilir Meta gjatë vizitës të fundnëntorit të vitit të kaluar në Medvegjë, duke folur për mediat serbe dhe shqiptare, ndër të tjera është shprehur se “Shqiptarët në Medvegje, Bujanoc e Preshevë janë gjithmonë në vëmendjen time. Uroj që Beogradi të marrë vendimin e duhur për pavarësinë e Kosovës, në kohën e duhur, në interes të të gjithë rajonit”.

 

GJENERAL PARLLAKU URON KOSOVARËT NË 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Kryetari i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptare, gjenerali 99 vjeçar Rrahman Parllaku - Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të dytën ditë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, uron nga zemra vellezerit dhe motrat kosovare.
“Dhjetë vite të pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë vite të lehta. Vështirësi të shumta kanë sfiduar udhën e saj drejt projektit të shtetformimit. Por pjekuria e durimi, forca e mençuria, besimi i pashterë te liria, respekti fisnik ndaj tipareve më të vyera kombëtare me të cilat ju të dashur vëllezër dhe motra, nipër dhe mbesa keni përballuar këto sfida do të shkruhen në faqen e krenarisë sonë kombëtare”, shprehet gjeneral Parllaku në mesazhin e urimit për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Gjenerali shekullor, i cili para më shumë se shtatë dekadave, në krye të Divizionit të V-të luftoi heroikisht për çlirimin e viseve të ish-Jugosllavisë, duke marrë dhe një plagë lufte për çlirimin e Kosovës martire nga pushtuesit nazfashistë, në mesazhin e tij shprehet se Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare.
Ai përshëndet gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes