l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“Përgjegjës për masakrën e Tivarit janë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe që e kanë
ditur planin e jugosllavëve.Sepse kosovarët, nuk kanë dashur që të kalojnë kufirin”

Parllaku: Nuk mund të ketë luftë civile kur ke okupatorin brenda

Edhe pse pas tre muajsh mbush 99 vjet jetë, mbart ende freskinë fizike, mprehtësinë e gjykimit dhe energjinë e një burri shteti. Ai i ka kaluar të gjitha fazat në jetën e tij, ngritjet në detyrë e grada, të qenit deputet, por dhe burgun politik ku vuajti për 16 vjet.
Sot burri shekullor rrëfen ‘tradhtinë’ që ushtarakët i bënë Enverit dhe të vërtetën e masakrës e Tivarit. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, gjenerali na tregon me krenari historinë dhe luftërat e tij. Gjatë intervistës me zotin Rrahman, dallohet haptazi dashuria dhe lidhja e tij me vendlindjen, me krahinën e Lumës dhe Kosovën.
, Parllaku “Liria e Kosovës, ishte ëndrra e jetës sime”, shprehet gjenerali. Qysh në moshë të re ai iu bashkua lëvizjes rinore antifashiste të qytetit të Vlorës, meqë bashkë me të atin dhe të vëllanë për shkaqe ekonomike ishin vendosur në Vlorë. Me 6 janar 1943 caktohet komandant i njësive guerile të qytetit të Vlorës.
Në lidhje me banimin e tij në Vlorë për një kohë të konsiderueshme dhe ndihmesës së marrë prej vlonjatëve në një periudhë të vështirë në jetën e tij, gjenerali shprehet se; “ Pa dyert e zemrat e familjeve vlonjate, ne s’do të mund të bënim asgjë”. Parllaku u largua nga Vlora pasi u emërua si komisar Batalioni në Brigadën e V, e më tej mori pjesë aktive në LANÇ. Bashkë me brigadën e III kaloi në Kosovë, ku pas çlirimit të Pejës me 17 nëntor 1944 emërohet Komandant i Divizionit të V. Me 1946 emërohet drejtor personeli në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa në vitin 1947 gradohet me gradën “Kolonel”. Në dhjetor 1947 emërohet drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë deri në prill 1948, kur u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, ku i mbaroi studimet e larta ushtarake pranë akademisë së përgjithshme të ushtrisë sovjetike “K.E.Voroshillov”.
Gradën Gjeneral-Major, Parllaku e mori në vitin 1952 dhe atë të “Gjeneral-Leitnantit” në vitin 1964. Rahman Parllaku është dekoruar me 9 urdhra e 3 medalje të luftës si dhe me tre urdhra të shërbimit ushtarak për kontributin e dhënë në ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Gjithashtu, për merita të veçanta në luftë, i është dhënë titulli i lartë “Hero i Popullit”.
Në vitin 1974 gjenerali burgoset nga diktatura komuniste me akuzën për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “Puç ushtarak për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të sabotimit dhe agjitacionit e propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tre muaj i bëri në burgun e Burrelit (16 dhjetor 1974-17 mars 1991), si pjesëtar në të ashtuquajturin grup të Beqir Ballukut. Aktualisht gjeneral Rahman Parllaku është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar.

Gjeneral Parllaku, ju keni qenë një ndër kuadrot e njohur të qëndresës shqiptare kundër fashizmit gjatë luftës së dytë botërore. Përse u përfshitë në këtë lëvizje?
Unë kam lindur më 17 prill të vitit 1919 në fshatin Novosej të Lumës, rrethi i Kukësit. Shkollën fillore e kam kryer në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare kam filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit në Cakran të Mallakastrës dhe ne vitin 1936 shkova te punoja në Selenicë të Vlorës. Në prag të pushtimit fashist të 7 prillit 1939, se bashku me vëllanë Selimin, kushëririn Baftjarin si dhe me popullin e Selenicës zbritëm në Vlorë për të kërkuar armë për të mbrojtur vendin nga pushtimi fashist. Të zhgënjyer e dëshpëruar nga qëndrimi i mbretit dhe qeverisë, që nuk e armatosën e organizuan popullin për luftë kundër fashizmit, u kthyem në Selenicë. Në nëntor 1939, hapëm një pastiçeri në qytetin e Vlorës. Aty u lidha me të rinjtë dhe u përfshiva në lëvizjen antifashiste.

Cilat kanë qenë disa nga funksionet që keni ushtruar gjatë 30 viteve në ushtri?
E kam filluar si komandat i njësive guerile të Vlorës në 6 janar 1943 deri në 28 nëntor 1943, kur u transferova me detyre komisar batalioni. Pas rezultateve të mira në këtë post, u emërova zëvendëskomisar i Brigadës së VIII. Më 8 qershor 1944 u transferova në Brigadën e 3-të Sulmuese dhe së bashku me anëtarët e shtabit që drejtonin këtë njësi përballova me sukses operacionin e qershorit të ushtrisë naziste. Me çlirimin e Kosovës, më 22 nëntor, në qytetin e Pejës marr urdhrin e emërimit komandant i Divizionit të 5-të dhe u gradova kolonel. Në dhjetor të vitit 1947, u caktova në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreva deri në prill të vitit 1948. Pas kthimit nga studimet, u emërova drejtor i Drejtorisë së Organizim-Mobilizimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1952-1954 caktohem në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mora gradën e lartë të gjeneral-majorit. Gjatë viteve 1954-1961 do të shërbeja si zëvendësministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të ushtrisë. Nga viti 1961 deri në vitin 1967 kreva detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas komisar i këtyre forcave dhe mu dha grada “Gjeneral-leitnant”. Në vitet 1969-1970 do të shërbeja si komisar i Forcave Ushtarako-Ajrore dhe një vit më vonë u emërova zëvendësministër për përgatitjen luftarake të ushtrisë.

Ju jeni dekoruar me shumë tituj për kontributin e dhënë ndaj atdheut. Mund të na përmendni disa prej tyre?
Për shkak te meritave te lartpërmendura mu dha titulli “Hero i popullit”. Gjithashtu, jam dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak për kontributin e dhënë në ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë.

Në vitin 1974 ju u burgoset nga diktatura komuniste, përse u dënuat?
Jam dënuar dhe burgosur nga diktatura komuniste për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënova me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajta në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991), si pjesëtar i të ashtuquajturit “grup i Beqir Ballukut”.

Si ndikoi arrestimi juaj në jetën e të afërmve tuaj?
Pas arrestimit tim, drejtimin e familjes e mori im vëlla, Selimi. Menjëherë pasi unë rashë në pranga, djalin e madh të Selimit e liruan nga ushtria, djalin e dytë nga oficer kufiri e çuan punëtor nëntoke në minierën e Mushqetasë ndërsa të tretin Hazbiun e dërguan në Pukë.

Kur u liruat nga akuzat?
Duke pasur akuzën e rëndë të “tradhtisë ndaj atdheut”, të ashtuquajturit pjesëtarë të këtij grupi: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe unë nuk amnistoheshim nga ligjet në fuqi. Në rekursin e bërë nga unë, Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë, dhe pushimin e akuzave të mësipërme.

Cilat janë disa nga postet politike qe keni mbartur gjer me sot?
Kam qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973. Gjithashtu, kam qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944 deri në Kongresin e Parë. Në kongresin e Katërt rizgjidhem përsëri kandidat i KQ të PPSH dhe në Kongreset e Pestë e të Gjashtë bëhem anëtar i këtij Komiteti. Sot jam kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar.

Ju keni qenë njëri ndër komandantët e divizionit të 5-të që ka marrë pjesë në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit gjermanë, ç’ domethënie kishte bashkëngjitja e shqiptarëve bllokut antifashist?
Bashkëngjitja jonë në atë kohë forcave antifashiste, kontributi që dhamë për çlirimin e Jugosllavisë dhe pengimin e forcave gjermane në tërheqje që po shpejtonin të shkonin në frontin e Normandisë, kundër forcave anglo-amerikane, ka bërë që kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës të mos ndryshohen, sepse me vetë faktin që i takonim kësaj aleance, Jugosllavisë i pamundësohej ndryshimi i kufijve të Kosovës, e cila siç dihet edhe pse mbeti nën robërinë sllave ajo (Kosova) hyri si njësi federale të cilës nuk iu ndryshuan kufijtë e të cilët i ka edhe sot. Pra, them se ishim pjesëtarë aktivë të arritjes së fitores ndaj nazi-fashizmit. Akuzat e atyre që thonë se aradhat partizane të Shqipërisë ishin në Kosovë për ta shuar kryengritjen e Drenicës në krye me Shaban Polluzhën, nuk qëndrojnë pasi në atë kohë ne luftonim në Bosnjë. Po t’i ngjiteshim boshtit nazi-fashist mendoj se Kosova do të zbrazej nga shqiptarët sikurse u zbraz Zara dhe pjesë tjera të Kroacisë nga italianët. Kështu që shqiptarët mbetën në trojet e tyre shekullore, dhe sot janë faktor kyç në Ballkan.

Gjeneral Parllaku, si qëndron e vërteta e masakrës së Tivarit?
Në atë kohë ka pasur lajme sikur divizionet tona kanë vrarë në Kosovë dhe kanë bërë krime, gjë që nuk i përgjigjet të vërtetës. Pas 60 vjetësh u vërtetua që ne nuk kemi vrarë kosovarë, por, kemi luftuar për Kosovën. Në luftimet që drejtova unë në Kosovë, mu vranë në Junik të Pejës, 32 veta dhe u plagosa edhe vetë. Përpos kësaj, zumë 27 pjesëtarë të divizionit SS Skënderbej rob dhe nuk pushkatuam asnjë. Për fatin tim, në 60-vjetorin për fitoren mbi nazi-fashizmin, në Teatrin e Prishtinës, ku isha i ftuar të flisja për këtë ngjarje, përmenda këtë akuzë dhe thashë: “A do ketë ndonjë të gjallë që ta kujtojë? U ngrit ndonjë nga fundi dhe tha: Jam unë.

Kush është përgjegjës nga pala shqiptare për masakrën e Tivarit?
Përgjegjës janë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe që e kanë ditur këtë gjë. Sepse kosovarët, nuk kanë dashur që të kalojnë kufirin. Në raportet që u ka bërë Zoi Themeli që ishte shef i Degës së Brendshme të Shkodrës, kjo bëhet e qartë. Shefqet Peçi, ishte komandant i korparmatës së III. Pra, këto e kanë ditur. Dhe kjo ka mbetur mister. Ekzekutimi është bërë nga brigada e X malazeze, me urdhër të Peko Dapçeviç dhe Mila Gjilasë që komandonin korparmatën jugosllave.

Më herët për ju shkruhej “Rrahman Parllaku, gjenerali që tradhtoi Enver Hoxhën”, si e komentoni ju këtë?
Ne ish-kuadrot e larta ushtarake që u dënuam me dhjetëra vite burgim të rëndë nuk e kemi ndjerë vetën kurrë fajtor për akuzën me të cilën jemi dënuar, dhe asnjëri prej nesh nuk e ka merituar një dënim dhe trajtim të tillë aq të rëndë. Më saktë do të ishte sikur ato shkrime të mbanin titullin: “E. Hoxha, ai i cili i tradhtoi gjeneralët”.
Siç e dini të gjithë ne kemi qenë luftëtarë të orëve të para, udhëheqës politikë e ushtarakë duke filluar nga çetat e deri në njësitë më të mëdha divizione, korp-armata. Nuk mund të besoja se jam i burgosur, mirëpo E.Hoxha arriti të vendosë në Shqipëri një diktaturë të egër për të cilën gjeti mbështetjen e shumë politikanëve dhe ushtarakëve të asaj kohe, ndaj edhe ne si ushtarakë e mbajmë pjesën e fajit tonë për këtë trend. Ai posedonte mjeshtëri të rralla politike për të bërë makinacione të brendshme në emër të popullit, ndërsa në realitet luftonte kundër interesave të tij. Me të drejtë mund të thuhet se Enver Hoxha humbi besimin tek ne për shkak të mospajtimit tonë me konceptin e tij ushtarak (komunist), ai tradhtoi gjeneralët e ushtrisë shqiptare.

Sipas jush, LANC, ishte luftë çlirimtare apo luftë civile?
E kam shpjeguar dhe më herët që nuk mund të ketë luftë civile kur ke okupatorin brenda. Nuk bëhet lufta mes dy partive të një vendi për pushtet. Lufta u bë kundër okupatorit për çlirimin e vendit dhe në kohë lufte të tillë, luftohen edhe ata që janë në krah të okupatorit. Shembullin e luftës civile e kemi tek fqinjët tonë grekë, ku u bë luftë civile pasi ikën gjermanët nga Greqia. A kanë pasur qëllim pushtetin ata që kanë drejtuar luftën? Patjetër. Sepse ata që luftojnë, duan të jenë edhe në krye të vendit. Por kjo nuk e bënë luftën e popullit, luftë civile.

(Marrë nga “Gazeta Shqiptare”, 9 janar 2018)











Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes