l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në 80 vjetorin e lindjes, pak fjalë për librin e tij “ABC - ja e Boksit”

RAMIZ REKA – MJESHTRI DHE TEORICIENI I BOKSIT

SHPENDI TOPOLLAJ

Në aradhën e nderuar të sportistëve dhe trajnerëve tanë në përgjithësi dhe atij të boksit në veçanti, mjeshtri Ramiz Reka zë një vend të veçantë. Dhe kjo jo thjesht për vlerat e tij të spikatura si boksier mjaft karizmatik, si njeri korrekt dhe mjaft të dashur me shokët dhe miqtë apo si një nga restauratorët e palodhur të këtij sporti te ne. Ai shquhet në radhë të parë për kontributet e vyera në propagandimin, përhapjen dhe vënien mbi baza shkencore të këtij sporti me anë botimesh me profesionalizëm të lartë. Ai nuk u drejtohet vetëm boksierëve, por në radhë të parë trajnierëve e pedagogëve, duke e kuptuar rolin e tyre ashtu sikurse bënte kampioni absolut i botës Majk Tajson, që në personin e Kas D`Amatos shihte edukatorin, prindin dhe trajnierin e përkushtuar i cili jo vetëm e çoi në piedestalin e këtij sporti, por edhe e drejtoi si njeri në rrugë të drejtë, nga ajo që gabimisht, dhe për shkak të rrethanave ai kishte nisur. Kam pasur fatin të njihem qysh pa u botuar dhe të shkruaj rreth dy librave të fundit të Ramizit. Në librin e tij të mëparshëm “Boksi”, duke iu referuar mallkimit të gjatë që ju bë këtij sporti, pata përmendur thënien e Joromoto Tashit se “Një pasion i ndërprerë mund t`i lerë vendin një pasioni akoma më të fortë.” Dhe ja, ku falë këtij pasioni të admirueshëm, ky autor na sjell librin tjetër me titull “ABC - ja e Boksit”, nga i cili po sjell komentin tim modest:


I përfshirë në programin e Lojrave të 23 - ta Olimpike, sporti i boksit ose siç quhej atëherë, luftimi me grusht, u hoq pas ndërprerjes së këtyre lojrave në vitin 3104 të e.s. nga Perandori Teodos. Të njëjtën gjë bëri me të edhe Teodosi ynë, Enver Hoxha i cili e anatemoi këtë sport të bukur e burrëror që me përkushtimin e sportistëve dhe trajnierëve të talentuar dhe të përkushtuar, kishte krijuar jo vetëm një profil aq të dashur për këdo, por dhe traditën simpatike të shkollës shqiptare të boksit. U detyruam për një kohë të gjatë që ta ndiqnim atë fshehurazi dhe plot emocione nëpër stacionet e ndaluara televizive, gjë që na dha jo vetëm kënaqësinë por edhe mundësinë që ta mbanim të ndezur si entuziazmin e tifozerisë ashtu edhe dëshirën për ta parë atë të gjallë në ringjet tona. Por rivendosja e dinjitetit të këtij sporti, pas fitores së demokracisë, natyrisht që nuk ishte dhe aq e lehtë. Kjo ndërmarrje nuk mund të realizohej as mbi dëshira e as mbi imazhe të së shkuarës. Ajo kërkonte, mendësi të reja, tërheqjen e vëmendjes së shtetarëve, përpjekje të pareshtura, gjetje fondesh, krijimin e mjediseve dhe bazës së nevojshme materiale dhe organizim e planifikim serioz për veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Për sportin shqiptar ishte fat që ende nuk ishte shuar flaka e dëshirës për ta rimëkëmbur atë tek ish sportistë dhe kuadro të nderuar, ku një rol i veçantë i takon njeriut të apasionuar dhe këmbëngulës, mjeshtrit të sportit, teorikut dhe arbitrit të njohur Ramiz Reka i cili me punën e tij të palodhur është shndërruar në një institucion më vete. Me artikujt e tij të shumtë e plot kulturë bashkëkohore dhe sidomos me librat që ka shkruar, siç e tregon edhe ky që po u jepet në dorë, Ramizi pa frikë mund të shpallet njëzëri dhe pa pasur nevojë për juri, Kampion i Shqipërisë për rivendosjen e prestigjit të sportit të boksit në vendin e merituar. Gjithashtu, ai do të mbahet mend gjatë si sportisti intelektual që e përshkroi “luftën me grushta” si art, si një lloj arti ku evidentohen akoma më shumë vlerat dhe virtytet njerëzore dhe ku ruajtja e miqësisë i zotëron pasionet, ambicjet dhe egoizmin që janë bashkudhëtare të çdo sporti. Vetë jeta e ndershme e Ramiz Rekës është shembulli më elokuent i këtij pohimi; miqtë e tij të shumtë do t`i gjesh anë e kënd Atdheut. Ata do jenë pranë tij sa herë ai gjen arsyen për t`i mbledhur, qoftë edhe për të kaluar së bashku disa çaste të gëzuara, ku evokohen aq e aq kujtime të pashlyera për shokët dhe sukseset e tyre ndër vite. Për ata shokë që rrojnë apo kanë ndërruar jetë dhe që e zhvillonin këtë sport brenda kornizave të përvojës dhe njerzillëkut dhe që sot që kohët kanë ndryshuar, Ramizi kërkon të zhvillohet sipas kritereve shkencore.


Në 80 vjetët e jetës së tij të pastër dhe plot përkushtim, kushdo që e njohu është bindur se Ramiz Reka ka mbetur si ai Akati i “Eneidës”, shok e mik besnik, çka do të thotë se ai e ka pasur të ngulitur në mendje e në zemër, atë thënien e kontit Leon Tolstoi se “Dashuria reciproke ndërmjet njerëzve është ligji themelor i jetës njerëzore.” Ndaj, në emër të këtij ligji themelor moral, i uroj që edhe në të ardhmen të vazhdojë të ndjekë rrugën e ndritur të Rafael Dëshnicës, Rexhep Ramës dhe Ali Kastratit me shokë dhe njëkohësisht i kujtoj se shoqëria ende pret prej tij të tjera libra, se është ashtu siç thosh Zhan Pol Sartri se “Të shkruash do të thotë të japësh.”







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes