l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Burri fisnik Mark Qerimi dhe vëllazëria delia e blinishtit të Pukës

LIBËR QË I FLET TË KALUARËS ME VËSHTRIM NGA E ARDHMJA

Dr.Nikollë LOKA

Kur flasim për një familje, por edhe për një individ të njohur, mendësia popullore i referohet shpisë, një objekt jetëgjatë plot jetë, që përfaqëson njerëzit, pret e përcjell, nxjerr tymin që ngjitet lart e duket që nga larg. E shohin miqtë, udhëtarët, të njohur dhe të panjohur.
Të qenit shtëpi me emër është titull nderi që nuk jepet, por fitohet me meritë gjatë disa brezave.
Në librin e Ismet Balajt dallohen qartë trajtimi historik që i bëhet krahinës së Pukës, edhe pse shkruan libër për një familje të vetme. Ai ka ditur të përcjellë vlerat e kësaj familje përmes përshkrimit të njerëzve të saj dhe të ngjarjeve që ato kanë jetuar.
Historia u ruajt përmes rrëfimeve gojore dhe emrave të vendeve, një lidhje e përjetshme midis njerëzve dhe tokës. Siç na e thotë Prof. Ismeti, “Mbi fushën e Blinishtit ndodhet kalaja e Lekës që është ndërtuar për të kontrolluar rrugën e madhe Shkodër-Prizren, në një segment të vështirë të saj, por ndërkohë kryente dhe funksione mbrojtëse për banorët. Dukuria e vendosjes së popullsisë në vende të larta dhe më të mbrojtura takohet gjatë periudhës së pushtimit sllav edhe në vendbanime të tjera dhe kalatë në këtë periudhë shërbenin për mbrojtjen e popullsisë gjatë luftës. Në Blinisht ndodhen Sarajet e Lekës, por edhe guri i filxhanave, ku Lekë Dukagjini “i priste me kafe udhëtarët”. Fisnikëria shqiptare e shekullit XI-XV u formua si rezultat i bashkëveprimit të aristokracisë së vjetër arbëre me krerët e fiseve në trevat malore. Në atë kohë, princi feudal kishte në shërbim të vet familje të fuqishme me numër të madh meshkujsh, të cilët në shkëmbim të angazhimit në luftë fitonin prona në toka bujqësore, zabele, livadhe etj. Krerët që drejtonin familje, vëllazëri dhe fise të mëdha hynin në aristrokracinë vendëse dhe gëzonin disa privilegje të njohura. Një marrëdhënie të tillë ndërtoi Lekë Dukagjini me disa familje në Pukë, ndër të cilat edhe me familjen e madhe të Dakës. Sipas gojëdhënës, “Shpia e Dakës kishte mbi 100 frymë, prej tyre 50 trima djem e burra, të gatshëm për luftë në çdo kohë”.

Prej atëherë e deri më sot, Daka u përtëri në shumë breza. Është mirë ta njohësh prejardhjen. Ato familje që e kanë ruajtur vjetërsinë e familjes së vet, kanë mundur ta ruajnë traditën, që është investim disa brezash dhe pasuria më e madhe që familjarët ia përcjellin njëri-tjetrit. Fisnik quhesh kur e shtyn historinë e familjes sa më larg në kohë. Për vetë rrethanat nuk ka qenë e mundur të ndriçohen brezat deri në kohën e plakut të madh të Dakës, kur mblidheshin më shumë se njëqind vetë nën një strehë të përbashkët. Delitë e sotëm mbajnë mend 12 breza, që përbëjnë 360 vjet kujtesë, prej Mal Dakës e në vijimësi: Deda, Neza, Gjergji, Ndoi, Delia, Qerimi, Marku, Marashi, Zefi, Henri. Ndonëse brezat e tjerë kanë humbur në thellësinë e kohës, gjurmët e tyre kanë mbetur në toponiminë e vendit që duhet shqyrtuar me kujdes.
Ismet Balaj jep të
dhëna me interes për Blinishtin

Ky fshat dikur shtrihej në territore të gjëra që shtriheshin në Blinisht, Kabash, Bicaj, Qerret, Ukth dhe deri në Koman. Në anë të digës së sotme të hidrocentralit është një shkëmb, ku ngjitet një rrugë që të çon te një hyrje shpelle e quajtur “Shpella e Dakës” ose e Blinishtit. Kjo më shumë se pronësi tregon autoktoni, që do të thotë se blinishtasit ishin herët këtu dhe pastaj në rrethaa të caktuara u tkurrën dhe mbetën vetëm në Blinishtin e sotëm. Aty është toponimi Plaka, që sot shqiptohet më shpesh “Plakaj” me kuptimin “e vjetra, e plakura”, ku shtëpitë ishin afër njëra-tjetrës, siç kanë qenë qendrat e banuara të periudhës paraosmane, në peiudhën kur ende nuk kishte gjakmarrje në mes të banorëve dhe nuk kishin dalë ende armët e zjarrit. Me fillimin e gjakmarrjes humbi solidariteti tradicional midis banorëve dhe bashkjetesa u rregullua me norma të reja; banorët u vendosën larg njëri-tjetrit dhe menduan për sigurinë e familjes, duke zënë vende dominuese dhe të mbrojtura për banesat e tyre. U ngritën kullat prej guri të ndërtuara mbi shkëmbinj për të pasur themele të paluajtshme. Pas daljes së armëve të zjarrit, malsorët zvogëluan dritaret dhe i kthyen shtëpitë në kulla të fortifikuara, që ngjanin si kështjella të vogla me funksion mbrojtës.
Pas përmbysjes që solli pushtimi osman, në trevat shqiptare, ndodhën ndryshime të mëdha, u ndërpre një traditë e madhe fisnikërie dhe zhvillimi që po ecte në shtratin e kulturës europiane. Humbën Dukagjinët dhe Dakajt si mbështetës të tyre, por vazhdoi qëndresa në formën e mbijetesës, me vendosmërinë për të qëndruar në vendin e të parëve, megjithë vështirësitë e shumta që krijoi pushtuesi osman. Pranë kullave, atje majë maleve u krijua toka e bukës. Vendi ishte i pjerrët, prandaj banorët në shpatina, pothuaj tërë gurë, kanë mbajtur dheun e tokës të mos ikte. Ruajtja e vendbanimeve, toponimeve, varreve, pra e gjithë asaj historie nën gërmadha, solli në vëmendjen e banorëve mitin e mbijetesës. Falë qëndresës së madhe të shqiptarëve doli në dritë dhe emri i njohur i fisit të Dakës, si derë bujare me emër në Pukë e më gjërë. I pari nga Dakajt që e riktheu atë traditë familjare në vëmendjen e njerëzve qe Deli Ndou, themeluesi i degës Delia të këtij fisi.


Studiuesi Ismet Balaj përmes akteve jetësore nxjerr në pah vlera të mëdha të familjes Delia. Që të quhesh familje e mirë duhet të kryesh akte mirësie, të paktën në një fushë të caktuar: të kesh shfaqur trimëri, urtësi, besnikëri ose bujari etj. Familjet e mira kanë mundur që të përballojnë situata të vështira, rastësore dhe të paparashikuara, duke bërë zgjedhje të vështira që kanë vënë në provë personalitetin dhe karakterin e burrave të tyre. Veprat e mira krijohen kur veprohet me drejtësi në një situatë që nuk e favorizon drejtësinë, kur sillesh me guxim në një rrethanë që paguhet shtrenjtë, sepse ndodhin në jetë disa ngjarje që e vënë burrin në provë dhe po të përballohen me sukses i japin vlerë shoqërore që mbahet mend ndër breza. Deli Ndou ka dhënë provime të vështira në jetën e tij, gjithnjë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit, pa cënuar askënd, por duke u përgjigjur sipas rregullave të kohës, kur të tjerë kanë dashur ta nëpërkëmbin. Natyrisht, kushdo ka nderin dhe dinjitetin e vet, por kur vjen puna për burrat e një shpie të përmendur, nderi dhe dinjiteti vetjak fiton vlerë të veçantë. Në atë kohë burri nuk fyhej, nderi nuk cënohej, fjala nuk lëshohej pa menduar mbi kuptimin e saj, sepse shoqëria ishte shumë e ndjeshme ndaj të keqes dhe mbështeste atë që nuk e krijon, por dhe që nuk e duron të keqen. Kur dikush e pësonte nga ndonjë ngjarje e keqe rastësore thuhej në popull “e pat rrezik”, dhe kur qëndronte thonin “iu dha qëndresa”, apo “i pat hije pushka”. Në këtë rast personit dhe shtëpisë së tij i rritej nderi, emri i shkonte larg dhe rritej në rangun shoqëror. Ringritja e Shpisë së Dakës përmes Deli Ndout është e vështirë, heroike, me shumë sakrifica dhe vullnet dhe si e tillë dhe shumë e vlerësuar nga opinioni shoqëror. Delia u ngrit me ndihmën e miqve dhe shokëve më të mirë, prandaj ai e ngriti në kult miqësinë dhe shoqërinë. Me miq e shokë të mirë, familja kapërceu edhe dallgët e tjera të jetës.


Pas rënies së Dakës, me Delinë filloi ngjitja e një dege të trungut të Dakës, një ngjitje që u bë me vepra të mira që lanë gjurmë, prandaj emri i Delisë u përjetësua në formë mbiemri. Pas Dakës së Madh, Deli Ndou është i dyti burrë i njohur që mbeti në kujtesën historike në formë të mbiemrit. Është një mënyrë për të përjetësuar traditën dhe për ta përcjellë më lehtë ndër breza. Gjithkush interesohet për domethënien e mbiemrit të vet, dhe e quan si pikë fillestare në ndërtimin e pasaportës në mjedisin shoqëror dhe miqësor. Në Malësi mbiemri është i mjaftueshëm për njohje. Çdo njeri duhet ta dijë se nga vjen dhe ku shkon, çfarë vlerash i kanë lënë të parët e tij, me të cilat mund të mburret dhe të respektohet.
Është shumë zor që të shohësh dritë në fundin e tunelit, kur e mendon se për të vajtur deri atje nuk të ndihmon askush, siç kishte ndodhur me Deli Ndoun. Por e kishte ndarë mendjen dhe kishte grumbulluar të gjitha energjitë e tij shpirtërore për të dalë prej së keqes. E kishte prekur fundin dhe priste vetëm të ngrihet. Por, ngritjet kërkojnë mundime të mëdha, të cilat Delia, e shoqja dhe fëmijët nuk i kursyen, deri sa ia dolën të fitojnë një betejë të madhe, luftën për jetën, të cilën e kishin fituar pak njerëz, pasi mendimi i përgjithshëm ishte që në atë vend nuk ke çfarë të ndryshosh. Sekreti i punës së tij ishte mundi, përpjekja, lufta për mbijetesë. Vitet që pasuan qenë më të mira. Çdo muaj sillte një arritje të re dhe familja i gëzohej punës me djerën e vet.
Delia ruajti marrëdhënie shoqërore dhe miqësore me njerëzit dhe ruajti me fanatizëm traditën e mikpritjes, besës dhe burrërisë së Derës së vet. Prej besimit në këtë familje, njerëzit i merrnin për të zgjidhur ngatërresa të vështira për t’u zgjidhur.


Delitë punuan fort për të arritur në të mirën e mundshme përmes punës dhe djersës së tyre. Prof. Ismeti jep të dhëna interesante për punën e kësaj familje në kushte të papërshtatëshme. Ndër shekuj ata iu kushtuan blektorisë dhe bujqësisë, burimeve të vetme ekonomike që kishte në krahinën e Pukës në atë kohë. Veprimtaria ekonomike e mbështetur mbi bujqësinë dhe blektorinë kërkonte shumë krahë pune që një shtëpi me pak pjestarë nuk mund ta bënte. Prandaj Delitë e ndjenë nevojën të jetonin nën një strehë të madhe dhe shkuan deri në 57 vetë. Për të përballuar detyrat kishte ndarje të punës brenda familjes. Shtëpia funksiononte si një fermë bujqësore dhe blektorale. Në atë shtëpi të madhe, me gjendje të mirë ekonomike shpenzohej me shumicë gjithçka, prandaj ishin të lidhur shumë me tregun.
Dikur familja dhe shoqëria shqiptare mbështetej kryesisht në mësime që vinin nga tradita. Pasardhësit ishin të detyruar që t’iu përmbaheshin rregullave të krijuara vite më parë nga paraardhësit e tyre. Tradita ruhej pa ndonjë mundim të madh. Në vend të bibliotekave familjare njerëzit mësonin përmes trashëgimisë gojore, që përcillej afër oxhakut nga gjyshi te nipi në vijimësi. Por, me zhvillimet urbane njerëzit filluan të interesohen përtej vendbanimit të tyre, e të mësojnë më shumë se historinë e familjes, fisit dhe trevës së vet.
Dera e Delisë është përmendur për mikpritje, bujari, besë dhe pasuri. Mikpritja nuk është thjeshtë ndarja e një pjese të pasurisë për miqtë, por edhe si angazhim për ta nderuar mikun, për ta mbrojtur në shtëpi dhe deri sa të hynte në një shtëpi tjetër ose të arrinte në shtëpinë e tij. Duke pritur dhe përcjellur miq çdo ditë, Delitë morën përgjegjësi, duke u bërë garantë për sigurinë e jetës së tyre. Një tjetër problem ishte dhe ana ekonomike e pritjes së miqve, sepse varfëria ishte e pranishme kudo dhe praktika e grabitjeve ishte përhapur aq shumë. Edhe ata që kishin pasuri, në atë terren malor midis maleve të Pukës, ajo krijohej me vështirësi të mëdha dhe kërkonte mund dhe djersë.
Autori Balaj e trajton me kompetencë dhe profesionalizëm periudhën e Luftës N-Ç dhe atë të viteve të pasçlirimit. Pukjanët ishin banorë të maleve të lira që nuk i ishin nënshtruar kurrë pushtuesve dhe Puka qe bërë njëra ndër qendrat e atdhetarizmit ndër shekuj. Ndër familjet pukjane më të njohura për kontribut atdhetar përmendet familja e Delive të Blinishtit. Në situatën që kaloi vendi ynë, kjo familje zgjodhi si busull orientuese atdhetarizmin, mirësinë, humanizmin, drejtësinë. Ata ruajtën si ideal shqiptarinë dhe traditën e të parve të vet, dhe kjo u mjaftoi për të ecur mirë në jetë. Faktor me rëndësi në ecurinë jetësore të Derës së Delive ka qenë orientimi i duhur në jetë, në varësi të rrethanave jetësore. Ata nuk i kushtëzuan lidhjet familajre nga orientimet politike, por njëherësh u angazhuan në mbrojtjen e qëndrimeve të veta, si një familje fort e angazhuar në zhvillimet shoqërore të kohës. Delitë u bënë të pranueshëm për të tjerët, duke mbetur vetvetja, sepse ata u dhanë vlerën e vet marrëdhënieve njerëzore, miqsore dhe familjare, pavarësisht nga qëndrimet e politikës së kohës. Pasardhësit e Deli Ndout ishin mësuar ta kapërcenin vetëveten për të ndjerë hallin e tjetrit, dhimbjet dhe shqetësimet e tij; ishin mësuar të sakrifikonin për tjetrin brenda familjes dhe jashtë saj, në kushërinj, bashkëfshatarë dhe deri për njerëz të panjohur.


Familja është një detyrë që zgjat tërë jetës dhe që kërkon shumë punë, përkushtim dhe sakrificë - diçka që shumë vetë shpesh e harrojnë. Fuqia e familjes është e madhe: asnjë nuk mundet të shkëputet prej saj. Ajo është si një rrjet i padukshëm në të cilin çdonjëri është i lidhur me fije të padukshme me tjetrin. Shtëpia e Delive kishte gjithmonë pamjen e një një vendi edukimi. Individët e saj gjendeshin në ndikimin e vazhdueshëm të vendit ku jetonin dhe punonin. Oda e burrave ishte një institucion ku pjesëtarët e familjes i pleqnonin çështjet e ndryshme jetësore, duke filluar nga ato të thjeshtat e deri tek ato më të ndërlikuara. Ç’është e vërteta, nëpër këto oda gjeneratat e reja mësuan mjeshtërinë e sjelljes ndër burra, vetë filozofinë e jetës, për të folur pak e saktë në kuvend. Në atë “Senat burrërie” fliste më i madhi dhe pastaj me radhë të tjerët, ndërsa të rinjtë duhet të dëgjonin. Në përditshmërinë e zbatimit të kësaj tradite stërgjyshore, të moshuarit përcillnin urtësi në brezat më të ri, që trajnoheshin për të dhënë provimin e burrërimit të tyre.
Në këtë libër lexuesi do të mësojë shumë gjëra me vlerë të periudhës që kemi lënë pas, përmes historisë së Delive të Blinishtit. Burri që ia ngriti edhe më shumë emrin familjes ishte Mark Qerim Delia. Shtëpia gjatë drejtimit të tij kishte rënë në vështirësi dhe ishte ngritur. Marku e dinte çdo të thotë të kesh hall, të biesh keq, të përcaktosh si dilet prej andej, etj. Por çdo vështirësi në jetë është përvojë që e ndihmon njeriun për të ecur përpara. Delitë ia dolën sepse ditën të shumëfishojnë forcat, të shtojnë tokën dhe bagëtitë, të sigurojnë vetë porodhimet bazë ushqimore dhe të veshmbathjes. Prodhuan edhe më tepër se u duhej dhe u lindi nevoja për treg. Në marrëdhëniet me tregun, zoti i shtëpisë së njohur të Delisë njohu më mirë Shkodrën, qytetarin shkodran me mentalitetin e tij të përparuar, u njoh dhe me shkodranë me emër që më vonë rrethanat e sollën t’i kishte miq në shtëpi. Ai u bë i njohur në Pukë, Mirditë, Shkodër e më gjërë dhe kishte dhënë prova burrërie dhe heroizmi që herët. Ishte pjesëmarrës në çetën e Nikollë Currit gjatë luftës kundër turqeve për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në vitet 11011-11012. Luftoi edhe kundër serbëve dhe në atë luftë plagoset. Këngëtari popullor e ka përjetësuar atë ngjarje me vargjet: “Pushka e Markut shpejt asht ndezë, ashtë ndezë në serbë e në malazezë…”.


Si shtëpi atdhetare me emër, Dera e Delisë bëhet strehë e atdhetarëve të mëdhenj të viteve njëzet të shekullit të kaluar. Nën ndikimin e tyre, orientohet drejt të majtës nacionaliste dhe demokratike, në krah të atdhetarëve të shquar: Bajram Curri, Hasan Prishtina, etj. Me rikthimin e Zogut në pushtet, arrestohet dhe kalon disa kohë në burg.
Pushtimi fashist qe një provë e madhe morale, pasi kasta politike e kohës e pranoi në masë pushtimin dhe shumë zyrtarë të shtetit shqiptar u ofruan pushtuesve shërbimet e tyre. Bashkëpuntorët shqiptarë të fashistëve kishin paguar një kosto të madhe morale për bashkëpunimin e tyre, por nga ana tjetër, siguruan përfitime politike, duke u shpërblyer me funksione të larta dhe sidomos siguruan përfitime ekonomike. Ndryshe u soll masa atdhetare, që i priti fashistët me pushkë që me 7 prill 1937 dhe e filloi rezistencën që atë ditë.

Shtëpia e Mark Qerimit u bë strehë për antifashistë të njohur

Shtëpia e Mark Qerimit u bë strehë për antifashistë të njohur. Atje jetoi mësuesi atdhetar Jordan Misja, Hero i Popullit, që bashkë me Perlat Rexhepin dhe Branko Kadinë shkruan epopenë e madhe të rezistencës dhe mësuesi atdhetar Abdullah Çanga. Marku priti dhe përcolli dhe antifashistë të tjerë, Heroin e Popullit Fahri Ramadani, pastaj Heronjtë e gjallë të luftës Tuk Jakova dhe Sadik Bekteshin, bisedat me të cilët qenë ndihmë për atë, që ta kuptonte më mirë situatën ndërkombëtare dhe atë brenda vendit. Në atë kohë, informacioni qarkullonte vetëm në qytete, ndërsa në fshat ai sillej me vonesë nga njerëzit që shkonin në treg, ashtu si e kuptonin ata dhe ndodhte që shpesh herë ishte i gabuar. Pastaj qëndruan dhe antifashistë të tjerë, si individë, në grupe të vogla ose dhe reparte të partizanëve.
Lëvizja antifashiste në Pukë filloi herët dhe që nga ajo kohë, antifashistët gjetën mbështetje nga Marku dhe krejt Delitë e Blinishtit. Në malet e Pukës u krijua çeta antifashiste e Pashk Currit dhe çeta Pukë-Mirditë.
Luftëtarët e këtyre çetave e patën shtëpinë e Mark Qerimit strehën e tyre të sigurtë.
Burri i zgjuar, Mark Qerimi luftoi me forcën e fjalës dhe të mendjes së vet kundër demagogjisë së pseudoatdhetarëve që për përfitime personale kishin kaluar në anën e pushtuesit. Nuk kishte ndodhur kurrë që të kishte pushtues të mirë. Çdo pushtues e shkel një vend për ta shfrytëzuar dhe për të përfituar, prandaj atdhetarët sakrifikojnë dhe jetën kundër të huajve të paftuar. Kur një oficer italian, i shoqëruar nga 10 karabinierë vijnë e kontrollojnë Blinishtin në ndjekje të Jordan Misjes, Marku u thotë: “Unë due të jem i lirë në shtëpinë time. Duhet të shkoni në shtëpinë tuaj se ka me ardhe një tjetër ma i fortë dhe ju keni me ikë me faqe të zezë”.


Si burrë i zgjuar ai e ruajti të pacënuar kultin e mikut, edhe pse ndonjëri nga miqtë e tij zgjodhi rrugën e gabuar të bashkëpunimit me pushtuesin. Kjo bëri që atij t’i besojnë të dy palët që mblidheshin për të bërë debat, në përpjekje për të gjetur pikat e përbashkëta. Askush nuk doli pa u respektuar nga ajo shtëpi, askush nuk u ndje i pasigurtë kur gjendej aty dhe të gjithë ata që e respektonin miqësinë e kishin derën hapur. Mark Qerimi la peng fjalën, që ishte vlerë e madhe.
Në besën dhe fjalën e Mark Qerimit pajtoheshin hasmëri dhe ngatërresa. Kushdo që i dorëzohe, nuk do të keqtrajtohej. Falë tij, shumë njerëz iu kthyen jetës normale në shtëpitë e tyre.
Marku kishte qëndrim dashamirës ndaj të gjithëve. I gatshëm për të ndihmuar gjithkënd që kishte të drejtë, gjithkënd që shprehte pendesë për gabimet e kryera, apo që kërkonte gjykim të drejtë për fajet e kryera. Sjelljen e njerëzve e gjykonte nga këndvështrimi moral dhe sipas traditës. Për atë, marrëdhëniet në shtet janë si në familje, ku njerëzit mblidhen rreth të zotit të shtëpisë. Marku nuk mbështeste individë, por alternativa.
Me ardhjen e forcave partizane, në shtëpinë e Markut u vendos shtabi i Brigadës XXII Sulmuese Partizane dhe spitali partizan. Ndërkohë, djali i madh, Ndreka dhe vëllai, Pali rrjeshtohen në formacionet partizane. Pukjanët i pritën krahëhapur partizanët, besa e shtatë bajrakëve që disa krerë, bashkëpunëtorë të fashizmit u kishin dhënë pushtuesve, nuk funksionoi me popullin. Megjithatë, për shkak të traditës, thyerja e besës nuk ishte e lehtë dhe mundësitë e hakmarrjes nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin të mëdha.


Forcat gjermane e goditën nga një kodër në Zezaj kullën e Delive, por kulla i mbijetoi atij bombardimi, ndërsa operacione tokësore ndaj saj nuk u ndërmorën, sepse armiqtë nuk kishin forca të mjaftueshme, për këtë qëllim. Ata e dinin se ajo kullë mbrohej nga partizanët. Për një muaj rrjesht familja Delia jetoi me partizanët dhe u vu në dispozicion të luftës çlirimtare. Forcat partizane shkonin e luftonin, pastaj ktheheshin aty, ku pushonin dhe mjekonin plagët. Marku qe zgjedhur kryetar i Këshillit N-Ç të zonës dhe drejtonte punën për sigurimin e ushqimeve për partizanët. Kontributi kryesor me këtë rast u dha nga shtëpia e tij.
Me 20 nëntor, në qëndër të Pukës u mblodhën partizanë e qytetarë. Në një atmosferë feste u dha lajmi se Puka u çlirua. Në podiumin e improvizuar dolën drejtuesit e luftës antifashiste, burra të njohur si: Elez Hoxha, Nuri Llazani, Ali Bytyçi, Idriz Meti, Zenel Islami, Zef Gashi, Zef Miraka, Mark Dodani etj., dhe krah tyre Mark Qerimi që mbajti edhe fjalën e rastit në atë moment historik.


Nga leximi i këtij libri mësojmë se burri i njohur Mark Qerimi nuk ka shmangur në asnjë rast detyrimet shoqërore që kishte.
Me atë, familja e madhe e Dakës, ndër më të njohurat në Pukë, i qëndroi besnik atdheut edhe në ditë të ligë. Miqtë e familjes së Mark Qerimit në vitin 1945 u gjendën me miq në dy llogore të kundërta. Situata në Pukë në këtë periudhë ishte e vështirë. Ndarja shoqërore u bë mbi baza politike. Në malësitë shqiptare largimi i pushtuesve nuk u dha fund armiqësive. Fillimisht rreth forcave që kundërshtuan pushtetin e pasluftës u mblodhën ata që kishin luftuar kundër partizanëve para çlirimit dhe për arsye të ndryshme nuk deshën të dorëzoheshin. Më vonë atyre iu bashkuan të tjerë, nisur nga motive krejt të ndryshme: njerëz që prekeshin nga reformat e sistemit që po vendosej; të tjerë që kundërshtuan çarmatosjen në kushtet kur malsorët nuk kishin pranuar kurrë të çarmatoseshin as në kohën e Turqisë; kuadro të pushtetit të ri që kryenin detyra me përgjegjësi, por për besë, miqësi, lidhje gjaku, etj, kaluan në kampin tjetër. Çfarë duhej bërë në atë situatë? Delitë e kishin kuptuar një dobësi të madhe të regjimit socialist: karakterin anti-njerëzor të ndarjeve e përçarjeve, prandaj iu përkushtuan punës dhe nderuan miqtë e tyre, pavarësisht se në çfarë pozicionesh gjendeshin.
Mark Qerimi u aktivizua në jetën shoqërore në periudhën kur po forcohej shteti, por edhe ndikimet kanunore kishin rolin e tyre. Kërkoheshin burra të urtë dhe vullnetmirë që njihnin ligjin dhe kanunin. Duheshin gjetur forma për t’i bindur njerëzit dhe për të bërë që ata të mos ruajnë pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, kishte shumë raste, kur njerëzit kërkonin ndërmjetës për të ndërhyrë pranë organeve shtetërore për të filluar një punë, për të nxjerrë një të drejtë studimi ose bursë, ose për të zgjidhur probleme nga më të ndryshmet.


Jeta ishte luftë dhe malsorët duhet ta fitonin atë. Flitej shumë për kapërcimin e vështirësive dhe shoqëria shqiptare sakrifikonte shumë në emër të së ardhmes. Ishte koha kur ende nuk ishin zhdukur sëmundjet ngjitëse, kur nuk ishte siguruar vaksinimi i popullsisë, kur nuk ishin siguruar as kushtet minimale në punë, kur ende nuk kishte shërbim mjekësor për të gjithë. Ishte koha kur akoma nuk ishte zhdukur uria dhe njeriu duhet të shtyhej në jetë dhe të mësonte të jetonte në mes të mungesave, por gjithësesi ishin vitet e një ndryshimi të madh. Edhe Puka po kalonte nga një shoqëri e mbyllur patriarkale drejt shoqërisë shqiptare të kohës, ende të varfër, me një barrë problemesh, por më dinamike e të hapur në kushtet e sakrificave. Ishte një gjendje e natyrshme progresi që e kërkonte koha. Në vitet e pasçlirimit, në fillim arritjet qenë të dukshme.


Njerëzit punonin për vete, merrnin rrogë në shtet, kishin dhe pronë në fshat, etj. Marku jetoi në periudhën e parë të transformimeve shoqërore, atë të rindërtimit dhe të ndryshimeve të thella shoqërore. Në atë kohë pukjanët dhe malsorët në përgjithësi kërkonin gjërat më themelore të jetesës: drithin dhe kripën, shkollën dhe spitalin, të cilat rendi i ri shoqëror i siguroi me përparësi. Kjo bëri që Marku të jetë i kënaqur me arritjet dhe në paqe me veten, pasi si veprimtar i njohur antifashist, këto arritje që ishin bërë realitet i kishte propaganduar gjatë luftës.
Marku nuk u bë komunist, por mbeti veprimtar i shquar shoqëror dhe mbështeti të gjitha nismat që i shërbyen zhvillimit të vendit. Ai u zgjodh në organet drejtuese të Frontit, në rreth, Qark dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Si edhe më parë, jetesën familjare e mbështeti mbi punën e vet dhe të familjes. Vazhdoi të dallohet në punë dhe si atdhetar i njohur e bujk i dalluar mori pjesë në një delegacion të Ministrisë së Bujqësisë në Bashkimin Sovjetik për afro tre muaj.
Ai i donte bashkëfshatarët e tij dhe u identifikua me Blinishtin, Kabashin, Pukën si mishërim i burrit të traditës që trashëgon vlera, por është gati të pranojë të renë që ndihmon ecjen përpara. Kjo bëhej jo vetëm përmes bisedave të zakonëshme, apo kur zhvillonte kuvendime odash, por edhe në veprimtaritë shoqërore në rang rrethi dhe në shkallë kombëtare. Markut i kishte hije pamja dhe fjala që shkonin në harmoni ndërmjet tyre. Marku kërkonte që njerëzit të ecnin me kohën, pasi vetë zhvillimet shoqërore i diktojnë njeriut nevoja dhe interesa të reja. Zhvillimet e reja kërkojnë mendësi të re dhe ndikojnë që ato mendësi të përdoren në të mirë të individit dhe shoqërisë.








Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes