l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Viti i Skënderbeut, vit përpjekjesh kombëtare në rrugën e bashkimit në shtëpinë europiane

VITI I KRENARISË TONË KOMBËTARE

Halil RAMA

Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Por rrallë i ndodh një vendi kaq të vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastriot Skënderbeun. Jo thjesht se për 25 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një barrierë të sigurt ndaj ushtrive turke, por njëkohësisht ai u bë barrierë që osmanët mos të përparonin më tej në Evropë. Për këtë qëllim Evropa e njeh Skënderbeun si një “Atlet të Krishtit”, një mbret dhe një luftëtar, që, nëse nuk do të ekzistonte, kishte gjasa që kontinenti të ndërronte fenë. Janë pikërisht këto fakte që na motivojnë më shumë në shqiptarëve për ta konsideruar vitin 2018 si vitin e 550 vjetorit të vdekjes të Haropit tonë mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si vitin e krenarisë tonë kombëtare. Kjo për faktin se viti në të cilin kemi hyrë që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar është shpallur nga Qeveria e Shqipërisë si vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut .


Siç është shprehur Presidenti I Republikës të Shqipërisë, SHT Ilir Meta: “Figura e heroit tonë kombëtar dhe vepra e tij frymëzoi burra shteti, patriotë, politikanë, diplomatë, ushtarakë, historianë, kompozitorë, piktorë, artistë, shkrimtarë e poetë të talentuar, rapsodë, të të gjitha kohërave, të kombeve dhe vendeve, duke bërë kështu të njohur ndërkombëtarisht kombin shqiptar përmes emblemës së tij më të vyer historike.Në të gjitha gjuhët e botës është folur, shkruar e debatuar për heroin kombëtar duke provuar dimensionin, vlerat e rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në ruajtjen dhe përbashkimin e kombit tonë po veçanërisht në mbrojtjen e civilizimit evropian, identitetit dhe përkatësisë së tij të vyer.


Ky simbol kombëtar i përbashkimit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në luftërat e tyre çlirimtare për progres dhe në rritjen e vetëdijes së tyre kombëtare, por edhe evropiane.
Intelektualë të shquar shqiptarë u frymëzuan prej tij, e pasqyruan dhe e përjetësuan Heroin tonë kombëtar në vepra historike monumentale.
Skënderbeun e Marin Barletit si personifikim i shpirtit heroik të popullit dhe si burim frymëzimi për heroizmat e tij e ndoqën edhe shumë poetë të tjerë të Rilindjes, si Naim Frashëri, A. Z. Çajupi, Mjeda, Asdreni, Siliqi, të cilët u pasuan nga poetët arbëreshë, si Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Bernard Bilota, etj.
Gjergj Kastriot Skënderbeu u bë flamur kombëtar në momentet më të rëndësishme historike të kombit tone”. Ndaj, ne shqiptarët jemi krenarë për këtë figurë historike, simbol i bashkimit tonë në luftërat për liri dhe mbi të gjitha simbol i rëndësishëm i lidhjes historike së Shqipërisë me Evropën dhe mbarë botën.
Në një ceremoni modeste për të çelur vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Edi Rama ka deklaruar: “Jo më kot vendimi i parë i qeverisë për këtë mandat, ishte shpallja e këtij viti mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut sepse edhe pas 550 vitesh nga vdekja e heroit tonë kombëtar, ai vazhdon të shfaqet si simbol i një lufte të pathyeshme për liri, si strategu madhështor e mjeshtër i artit luftarak, që prej 550 vitesh ka frymëzuar mbarë kombin tonë.


Si ruajtëse, vazhduese dhe kurorëzuese e thesarit të traditave historike e patriotike, shqiptarët e patën Skënderbeun, një figurë që gjithnjë shënjoi ardhmërinë e tyre si komb.
Figura e Skënderbeut, ikonës kombëtare të shekullit të 15 -të ka mishëruar përherë një imazh heroik rezistence të spikatur të një populli të vogël, kundër të gjithë pushtuesve dhe kundër çdo kanosje që i ka ardhur atij.
Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është një vit ardhmërie i fokusuar tek politikëbërja, tek konsolidimi i institucioneve dhe tek bashkëveprimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke bërë më të mirën që përmes bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona, ne t’ia dalim së bashku që, duke reflektuar mbi historinë e lavdishme që Gjergj Kastriot Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, konsolidimit të shtetit ligjor, të sigurisë dhe reformave transformuese në një rrugëtimin europian të dëshiruar qëkur ky shtet u vendos krah të tjerëve, në hartën e Europës, pikërisht këtu në Vlorë 105 vjet më parë .
Një mirënjohje të sinqertë meritojnë sot të gjithë ata shqiptarë, të cilët jetojnë larg trojeve tona, por nuk kanë lejuar kurrë që atdheu të jetojë larg zemrave të tyre, duke qenë faktor ndikues në zhvillimin e Shqipërisë dhe të Kosovës më pas.
Një Komision i Posaçëm do të ngrihet, për organizimin dhe promovimin e këtij viti ku përveç 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare. Kryeministri Rama ka kërkuar kontributin e çdokujt dhe të kujtdo që ka një ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve te VITIT MBAREKOMBETAR TE SKENDERBEUT. Ndërkohë është bërë e ditur se, tri monedha të reja do të hidhen në treg nga Banka e Shqipërisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës i cili vendosi të miratojë emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”. “Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Kujtojmë se viti 2018, është shpallur nga qeveria si “Viti i Skënderbeut”, në nderim të 550 vjetorit i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Në zbatim të vendimit të Komisionit Shtetëror për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Këshilli i Lartë i Arkivave miratoi modelet e dokumenteve administrative që përmbajnë logon, të detyrueshme për zbatim nga gjithë administrata shqiptare. Logoja dhe përmasat e saj janë miratuar nga Komisioni Shtetëror me vendimin nr.2, ndërkohë që KLA e ka integruar në dokumentet administrative për vitin 2018. Skënderbeu lindi në vitin 1403. I përkiste familjes së Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë.









Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes