l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

74 vjetori i betejës në Tendën e Qypit, nga më të mëdhatë dhe më të lavdishmet e luftës partizane

Beteja e Tendës së Qypit, nga më të lavdishme të LANÇ

Në Tendën e Qypit u zhvilluan luftime frontale

Beteja e Tendës së Qypit është një nga betejat më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që u zhvillua gjatë operacionit të dimit të ushtrisë gjermane të vitit 1944, kundër forcave partizane shqiptare. Me këtë operacion nazistët gjermanë synonin asgjësimin e forcave partizane që kishin marrë zhvillim të vrullshëm në të gjithë vendin. Për shkatërrimin e bazave partizane gjermanët shfrytëzuan dhe konditat e malit me shumë dëborë e shumë të ftohtë të dimrit 1944. Qëllimi i komandës gjermane ishte të merreshin krahët e forcave partizane që gjendeshin në zonën Skrapar-Berat-Korçë, duke mbyllur shtigjet malore në kushtet e atij dimri të egër.
Më 19 janar 1944 u formua me shpejtësi grupi i 3-të i Skraparit në fshatin Slatinjë, në vendin e quajtur Qafa e Liqenit. Komandant i grupit u caktua Zylyftar Veleshnja dhe komisar Iljaz Sevrani. Ideja e komandës së grupit të 3-të ishte që me forcat partizane të ndalonte depërtimin e trupave armike në drejtimin Berat-Skrapar dhe Korçë-Skrapar-Këlcyrë, me qëllim që t’u jepej mundësia forcave partizane të manovronin lirisht, për t’ju shmangur asgjësimit të tyre. Po ashtu ndihmohej formimi i Brigadës së 6-të në Përmet, si dhe tërheqja e të plagosurve nga spitalet dhe evakuimi i depove në Zagori e gjetkë. Për këto arësye, komanda që ditën që u formua grupi, studjoi situatën e krijuar dhe parashikoj që luftimet për ndalimin e mësymjes së armikut t’i zhvillonte në drejtim të Tendës së Qypit, si vend zotërues në atë rajon, i favorshëm për mbrojtje dhe prej nga ku forcat partizane mund të jepnin kundërsulme nga lart poshtë. Më konkretisht vendosi që batalioni i dytë të mbrohej në rajonin Kodrat e Slatinjës-Veleshnjë-Kala, për të ndaluër mësymjen e armikut në drejtimin Sharovë-Tenda e Qypit. Ndërsa batalioni i parë të mbrohej në rajonin Munushtar-Therepel-Spatharë, për të ndaluar mësymjen e armikut në drejtim të Malit të Spatharës-Qafa e Murrizit.


Më 19 janar 1944, rreth orës 15.00, kollona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë të divizionit 100-të, mbasi përshkuan Oparin dhe Tomorricën dhe pushkatuan në fshatrat e Skraparit 114 njerëz si në Velushë, Turbehovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë. Rreth orës 16.00 të 19 janarit, mbasi vendosën një bateri artilerie në pozicion zjarri në sheshin e Çorovodës, hapën zjarr kundër kompanisë së parë të batalionit të dytë të Grupit të tretë që ishte vendosur në Kala. Nga zjarri i artilerisë nuk pati të dëmtuar dhe partizanët qëndruan të patrembur dhe të patundur në pozicionet e tyre. Të nesërmen në mëngjez, 20 janar 1944, morën urdhër nga komanda e grupit të tretë që batalioni ynë të tërhiqet nga ato pozicione dhe të vendoset në mbrojtje në rajonin e kodrave Veleshnjë-Nishicë, në gatishmëri për të ndaluar lëvizjen e kollonës gjermane në drejtim të Tendës së Qypit. Kollona e trupave gjermane, në mëngjezin e datës 20 janar u nis nga Çorovoda në drejtim të Tendës së Qypit, kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë dhe hyri në Veleshnjë dhe rreth orës 12.00 sulmoi pozicionet partizane të batalionit të dytë. Lufta u zhvillua e rreptë dhe me volum të madh zjarri nga të dyja anët. Trupat gjermane me sulmin e parë nuk mundën të shpartallojnë mbrojtjen e partizanëve, prandaj u detyruan të hapin gjithë forcat e tyre në formacion luftimi, të vendosin në pozicione zjarri artilerinë dhe mortajat dhe të hapin zjarr kundër forcave partizane, pastaj kaluan përsëri në sulm. Në kurrizin e kodrave të Veleshnjës dhe të Kodrës së Karakollit e deri në afërsi të Tendës së Qypit, u zhvilluan luftime shumë të ashpra. Gjermanët, megjithëse përsëritën disa herë sulmet e tyre të fuqishme, nuk mundën të përparojnë me lehtësi përpara. Ata shpesh herë u detyruan të ndalojnë sulmin, të riorganizohen, të bëjnë zjarr me artileri dhe mortaja kundër nesh, dhe pastaj të përsëritin sulmin e tyre. Vetëm pas tre orë luftimesh të ashpra, trupat gjermane mundën të përparojnë në drejtim të Tendës së Qypit dhe të rrezikojnë pushtimin e saj, mbasi në këtë drejtim luftonin vetëm forcat e batalionit të dytë, kurse forcat e batalionit të parë nuk ishin angazhuar në luftë në drejtim të Vendreshës e Spatharës. Kështu që gjithë barra e luftimeve kundra gjermanëve binte vetëm mbi batalionin e dytë, i cili mbrojti pozicionet e tij me guxim e patriotizëm dhe me këmbëngulje të fuqishme. Në këtë kohë, nga fshatrat e krahinës së Dëshnicës, po marshonin në drejtim të Tendës së Qypit, batalioni i tretë, batalioni i parë dhe një kompani e batalionit “Antonio Gramshi”, së bashku me komandantin e Brigadës së parë, Mehmet Shehu, i cili sa dëgjoj krismat e armëve, matanë Tendës së Qypit, erdhi me shpejtësi, përpara se të vinin batalionet e tij. Mehmeti u takua me komandën e grupit të tretë dhe pasi u njoh me situatën vendosën të krijojnë një shtab operativ të përbashkët për drejtimin e gjithë forcave partizane. Komandant u caktua Mehmet Shehu.
Ai përpiloi shpejt e shpejt planin e kundërsulmit dhe lajmëroi batalionet e tij të afrohen sa më parë në majën e Tendës së Qypit.Batalioni i tretë i Brigadës së parë, sapo mbërriti mori urdhër për kundërsulm dhe u hap menjëherë në pozicion luftimi. Së bashku me forcat e këtij batalioni do vepronin dhe partizanët e batalionit të dytë të Grupit të Tretë. U dha urdhëri që para se të hidheshin në kundërsulm, partizanët të hidhnin dy granatat e dorës, një nga një me komandën “granat hedh” sepse në këtë mënyrë bënin më shumë efekt dhe zëvendësonin si të thuash një farë përgaditje artilerie përpara sulmit. Mbasi u hodhën granatat, gjithë partizanët u ngritën për kundrasulm nga lart-poshtë gjatë kurrizit të kodrave nga Nishica në Veleshnjë, nën tingujt e borijes së Haki Kapajt nga Gjerbesi i Mallakastrës.
Duke vazhduar sulmin përpara borija nuk po binte më vazhdimisht si më parë, sepse borizan Hakiu ishte goditur nga një plumb në fyt. Komandanti i batalionit, duke mos dëgjuar tingujt e bories sepse nuk e dinte që borizani ishte plagosur dhe gjaku nuk e lejonte t’i binte bories, i dha urdhër atij të vazhdonte t’i binte borisë për të entuziazmuar partizanët në sulm. Haki Kapaj, për të zbatuar urdhërin e komandantit, me një gisht zuri plagën në fyt që të mos i rridhte gjaku dhe filloi t’i binte prapë bories, por kjo nuk vazhdoi shumë sepse borija iu mbush me gjak përsëri dhe nuk jepte më tinguj.
Gjermanët që organizuan zjarr të dendur kundër partizanëve me gjithë llojet e armëve; mitralozat “sharrëz”, me zjarrin e tyre të dendur prisnin gjithë degët e drurëve si kosa që pret barin, bënë që sulmi i vrullshëm i partizanëve të ngadalësohej. Komandanti i kompanisë të batalionit të tretë Mefail Rizani nga Podgorica e Korçës, u ndesh ball për ball e trup më trup me nazistët dhe duke luftuar me bajoneta vranë njëri-tjetrin. Në këtë kohë, një togë gjermane, pa u diktuar nga ana jonë, lëvizi gjatë përroit të Veleshnjës, me qëllim që të zinte Qafën e Murrizit në krahun verior të Tendës së Qypit, për të dalë në shpinë të forcave partizane që kundërsulmonin. Toga nuk mundi të dalë në Qafë sepse parashikohej se mund të asgjësohej, prandaj dërgoi një grup të vogël zbuluesish, të cilët me fshehtësinë më të madhe dhe të maskuar shumë mirë, ju afruan Tendës së Qypit nga ana e Qafës së Murrizit, ku ndodhej vendvrojtimi i komandës së grupit. Zylyftar Veleshnja, duke vrojtuar luftimet që zhvilloheshin te Kodra e Karadakut u godit papritur dhe në befasi nga një zbulues gjerman në këmbën e djathtë dhe u rrëzua menjëherë për tokë. Ilijaz Sevrani, duke parë Zylyftarin të shtrirë, u ngrit në këmbë të shihte çfarë ka ndodhur, se nuk mendonte që gjermanët të jenë kaq afër kurse lufta bëhej larg përpara, por edhe ky u godit në nofull nga zbuluesi gjerman. Partizani Ali Zaimi nga Dobrusha, korier i komandës së grupit, shkoi të ndihmonte të plagosurit, por dhe ky u godit për vdekje nga zbuluesit gjermanë, të cilët mbasi kryen aksionin u larguan me fshehtësi pa u dëmtuar nga neve. Mitralozët “sharrëz” të gjermanëve, të vendosur në llogoret e luftës italo-greke në Kodrat e Karakollit, bënin zjarr të pandërprerë dhe shumë preçiz kundër partizanëve, të cilët u gozhduan në vend dhe nuk mund të lëviznin përpara nga ky zjarr i tmerrshëm. Afër meje ishte vendosur në pozicion partizani Abaz Rogu, i cili duke dashur të ndërrojë pozicion u godit nga një breshëri plumbash mitralozi në të dyja kofshët, u rrëzua për tokë dhe zuri të thërrasë: “o Skënder Malindi, hajde më merr se dhe unë për Shqipërinë u plagosa”. Në kodrën ku isha vendosur unë vjen Mehmet Shehu dhe si dëgjon thirrjet e Abazit, pyet çfarë ka ndodhur. Ja tregoj ngjarjen dhe i them se do marr dy partizanë për të shkuar të tërheqë Abazin. Ishte në të error dhe Mehmeti na ndaloi kategorikisht të bënim një veprim të tillë, duke thënë që mitralieri gjerman atë prêt, që neve të vbemi të marrim të plagosurit dhe të na vrasë të gjithëve, me gjithë Abazin, prandaj prisni sat ë erret dhe shoni ta merrni. Dhe ashtu bënë, pritëm pak sa u err dhe shkuam e morën Abazin në krahë dhe e nisëm të shoqëruar menjëherë për në spitalin partizan. Situata luftarake prapë u vështiresua. Vetë forcat e batalionit 3-të të brigadës parë dhe ato të batalionit të 2-të brig. 3-të me gjithë sulmet e tyre nuk mundën të shkulnin nga pozicionet trupat gjermane. Në këto kushte, vetëm futja në luftim e forcave të tjera mund të ndryshonte sitduatën në favorin tonë, prandaj Mehmet Shehu vendosi të fuste me shpejtësi në luftim batalionin e parë të brigadës së parë, të komanduar nga Xheladin Beqiri [Karadaku].


Bashkë me forcat e batalionit të prë u hodhën në kundërsulm edhe forcat e batalionit të tretë e të dytë të grupit të tretë. Kodrat në drejtim të majës së Karadakut u ndezën flakë nga bombat, luftimet u bënë të ashpra dhe të përgjakshme, duke arritur pikën kulminante trup me trup. Së shpejti situata kaloi në favorin tonë. Gjermanët u shkulën nga pozicionet dhe filluan të tërhiqeshin në drejtim të Çorovodës, duke lënë një sasi materiale që kishin me vete. Partizanët kapën një top, një mortajë, pesë mitraloza të rëndë, disa mitraloza të lehtë, pushkë, automatikë dhe materiale të ndryshme.Trupat gjermane që u tërhoqën në drejtim të Çorovodës, për të qenë të sigurtë nga goditjet partizane, lanë një repart të tryre në Kala, që ngrihet në krahun e majtë të lumit Osum karshi Çorovodës, një majë e lartë në formë piramideje, e fortifikuar qysh në shekujt e kaluar dhe që sundon në luginën e Osumit.
Mehmet Shehu, për marrjen e kalasë urdhëroi batalionin e dytë të grupit të tretë. Për të sulmuar Kalanë duhej përdorur në radhë të parë befasia dhe shpejtësia, prandaj u zgjodhën 80 djem të rinj, të shkathët dhe nga më guximtarët.
Ishte ora 01 e datës 21 janar 1944, kur neve iu afruam Kalasë, u hapëm në pozicion luftimi dhe filluam të ngjitemi përpjetë drejt Kalasë. Nga çasti në çast prisnim të goditeshim nga gjermanët, por nuk ndodhi asgjë dhe neve mbërritëm me kujdes në majë. Si duket gjermanët ishin tërhequr gjatë natës. Për këtë lajmëruam Mehmet Shehun se e zbatuam urdhërin dhe ai na lajmëroi të ktheheshim në Tendën e Qypit.
Në mbrëmjen e 21 janarit, në Tendën e Qypit të mbuluar me dëborë, partizanët bënë zjarre të mëdha dhe u mblodhën rreth e rrotull për tu ngrohur, duke treguar ngjarje nga më të ndryshmet. Në këto biseda dallohej më shumë Mehmet Shehu, i cili fliste me fjalë të goditura, të prera por edhe me humor, dhe neve e dëgjonim me vëmendje. Adil Prishtes i kishte ardhur kushëriri i tij, Fejziu për ti sjellë ushqime dhe po ngrohej bashkë me ne pranë zjarrit, por kur dëgjoi fjalët e Mehmetit i bënë shumë përshtypje dhe mbasi nuk e njihte na pyeti ne se kush ishte ky njeri që fliste mbarë e prapë. Mehmeti e dëgjoi Fejziun çfarë po thoshte dhe ju përgjigj menjëherë: “Unë jam një qen bir qeni”. Neve qeshëm me këtë përgjigje dhe vetë Fejziu mbeti i habitur.
Trupat gjermane të grumbulluara në Çorovodë, më 22 janar bënë evakuimin e të plagosurve me aviona të vegjël që uleshin në sheshin e Çorovodës. Një avion i vogël në ngritje u përplas me një rrap dhe ra në zallin e lumit Osum. Komanda gjermane bëri gjithashtu riorganizimin me trupa të tjera të ardhura nga Tomorrica dhe marshuan në drejtim të fshatit Vendreshë. Po gjatë kësaj dite një kollonë tjetër gjermane me dy bateri artilerie, me tanke e autoblinda u nis nga Berati gjatë rrugës automobilistike për të dalë në Qafën e Kiçokut. Më 23 janar 1944, trupat gjermane goditën me artileri Tendën e Qypit dhe sulmuan forcat partizane nga Mali i Spatharës. Më 24 janar rifilluan sulmin pas një breshërie artilerie nga Vendresha e Spathara në drejtim të Tendës së Qypit. Po këtë ditë artileria gjermane nga Ballabani qëllon mbi forcat tona në Tendën e Qypit. Situata u bë shumë kritike dhe forcat partizane rrezikoheshin të pësonin humbje të rënda, prandaj u vendos që partizanët të tërhiqeshin. Por edhe tërheqja është art sikurse mësymja dhe mbrojtja, prandaj duhet bërë duke u mbrojtur dhe duke kundërsulmuar, për tu dhënë mundësinë forcave kryesore të tërhiqeshin pa u dëmtuar.
Tërheqja u bë e rregullt dhe gjithë partizanët e grupit të tretë të Skraparit dhe ato të Brigadës së parë u vendosën në fshatrat Malind, Muzhenckë, Strenec, Qeshibes. Komanda dhe Mehmet Shehu qëndruan në Malind.
Në betejën e Tendës së Qypit ranë trimërisht në fushën e nderit partizanët e Gr.tretë Hilmi Xhaferri nga Muzhencka, Ali Zaimi nga Dobrusha, Niazi Nishica, Fatushe Kadiu nga Veleshnja.


Nga Brig.I-rë ranë mbi 10 dëshmorë, midis të cilëve komandanti i kompanisë Mefail Rozhani, Piro Gazepi [i biri i Osman Gazepit], Ago Topulli [nga familja e Bajo e Çerciz Topullit]etj. U plagosën komandanti i Gr.3-të Zylyftar Veleshnja, komisar Iljaz Sevrani dhe partizanët Abaz Rogu, Neim Therepeli dhe Tahir Murrizi. U plagosën dhe mjaftë partizanë të brig.I-rë.
Karakteristikë e Betejës së Tendës së Qypit është se atje u zhvilluan luftime frontale si gjatë mbrojtjes ashtu edhe gjatë kundër sulmeve. Nuk u bënë luftime sipas parimit të luftës partizane “sulmo si rrufeja dhe zhduku si era”. Këtë e vërteton edhe komandanti i trupave gjermane në këtë betejë, i cili në kujtimet e tija për këtë betejë shkruan se duke marshuar nga Çorovoda në drejtim të lartësisë 1537 m mbi nivelin e detiti, 6 km në perëndim të Çorovodës u ndeshëm me partizanët, luftimet u bënë të ashpra e të përgjakshme dhe neve pasi nuk mundëm të çanim përpara, u detyruam të tërhiqemi në Çorovodë ku u riorganizuam dhe prej andej ndryshuam drejtimin e lëvizjes.
Drejtimi i luftimit u bë i guximshëm, mjaftë i llogaritur, ku të gjithë kuadrot drejtues treguan aftësi komandimi dhe dhanë shembull personal.
Në 74 vjetorin e kësaj beteje kujtojmë me respekt të madh dëshmorët që ranë duke luftuar heroikisht në fushën e nderit. Gjithashtu kemi respekt dhe për të gjithë ata që luftuan trimërisht në këtë betejë nga më të mëdhatë dhe më të lavdishmet e luftës partizane.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes