l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Qëllimi kryesor i armikut ishte spastrimi nga partizanët dhe pushtimi i zonës Dibër e Madhe-Peshkopi

Luftimet në Dibër në fundvitin 1943

• Komanda e Grupit të Dibrës, e informuar për fillimin e mësymjes armike, vuri në gatishmëri forcat partizane e vullnetarë dhe mori masa për mbrojtjen e qytetit të Dibrës së Madhe duke vlerësuar se ky ishte edhe objektivi kryesor i sulmit të trupave gjermane dhe forcave reaksionare. Veprimet luftarake të forcave partizane në qytete do të kishin për objektiv jo ta mbanin atë me çdo kusht, por t’i shkaktonin armikut humbje sa më të shumta në njerëz dhe në mjete luftarake

• Popullsia nuk u largua, megjithëse u vranë e u plagosën shumë veta nga qitjet e artilerisë së nazistëve gjermane. Burra, gra, të rinj dhe pionierë ndihmonin partizanët e vullnetarët me ushqime, shërbenin si korrierë, udhërrëfyes e zbulues, tërhiqnin dhe përkujdeseshin për të plagosurit. Ata që kishin armë luftuan krah për krah me partizanët

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Organizimi i operacionit kundër armikut
Pas kapitullimit të Italisë, forcat reaksionare të zonës së Dibrës bënë dy tentativa për të shpartalluar repartet partizane dhe këshillat nacionalçlirimtare në qark dhe për të shtënë në dorë qytetin e Peshkopisë, si dhe Dibrën e Madhe të çliruara nga UNÇSH. Herën e parë reaksioni e provoi që ta bënte vetë çlirimin e tyre, ndërsa herën e dytë edhe me ndihmën e oficerëve dhe të një pakice ushtarësh gjermanë. Pas dështimit të këtyre tentativave reaksioni, kërkonte një ndërhyrje më të gjerë të ushtrisë gjermane, për të larguar Forcat Nacionalçlirimtare nga Dibra e Madhe e Peshkopia.
Edhe pushtuesit hitlerianë e quanin Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Dibër një rrezik në planet e tyre dhe kishin arritur në përfundim se nuk mund t’i largonin forcat partizane nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe “pa forca të mëdha dhe pa armë të rënda”.
Njëkohësisht ata kishin vendosur që të armatosnin dhe të shfrytëzonin sa më shumë edhe forcat “nacionaliste”. Madje, ata parashikonin që t’u ngarkonin sigurimin e zonës, kur të shikonin se Lëvizja Nacionalçlirimtare në Dibër do të ishte dobësuar aq shumë, sa të mos paraqiste më rrezik të dukshëm në planet gjermane. Nga bisedimet e bëra midis tyre, njoftonte komanda e Armatës së 2-të të blinduar, komandën e Korpusit XXI, është siguruar bashkëpunimi me komandantin e reaksionit, Fiqiri Dine me 400 veta në kuadrin e aksionit “Edelveis”.
Në luftimet në Dibër armiqtë dhe bashkëpunëtorët nuk e arritën qëllimin për të shuar Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Goditjet që kishin marrë në Dibër e Peshkopi nga forcat partizane, bëri që forcat pushtuese dhe reaksioni i qarkut të Dibrës të fillonin përgatitjet për një sulm më të fuqishëm për të rimarrë me çdo kusht këto qendra, që ishin në duart e partizanëve, si dhe shkatërrimin e forcave partizane. Veprimet luftarake ata nuk mund që t’i ndërmerrnin pa ndihmën e reparteve të ushtrisë pushtuese hitleriane, të cilët, nga ana e tyre, ishin shumë të interesuar që të asgjësoheshin forcat partizane me të gjitha mjetet e mënyrat.

Luftë për mbrojtjen e Dibrës
Më 16 nëntor 1943 armiku filloi luftimet kundër qytetit të Dibrës. Repartet naziste gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin të shumta, duke kaluar mbi 5.000 ushtarë. Në mëngjes artileria e armikut hapi zjarr të dendur mbi qytet, shkatërroi shtëpitë, vrau gra, pleq e fëmijë.
Rreth qytetit kishin zënë pozicione batalionet e Dibrës dhe Martaneshit, si dhe forca të tjera. Raporti i forcave ishte në favor të armikut. Me gjithë këtë, komanda partizane mori vendim që të luftohej për mbrojtjen e Dibrës. Hitlerianët ishin afër pjesëve të jashtme të qytetit kur partizanët hapën mbi ta zjarr të dendur.
Detashmentet hitleriane dhe reaksionare u gozhduan në vend, megjithëse shoqëroheshin me tanke e autoblinda, Në këto kushte qëndresa e gjatë ishte e pamundur dhe rrezikonte asgjësimin e batalioneve partizane.
Nga mesnata komanda partizane dha urdhër që partizanët të tërhiqeshin dhe të kalonin në anën tjetër të Drinit, veprim ky që u bë në mënyrë të rregullt dhe të disiplinuar. Në luftime e sipër, një grup prej disa partizanë mbetën të rrethuar afër qytetit. Pushtuesit dhe bashkëpunëtorët ju bënë thirrje partizanëve të dorëzoheshin, por luftëtarët ju përgjigjën me zjarr.
Nazistët gjermanë sulmuan për të kapur lartësinë ku po mbroheshin partizanët, por çdo përpjekje e tyre ishte e kotë. Ata e goditën grupin e luftëtarëve me artileri e mortaja. Me inisiativën e tyre, luftëtarët trima me shpejtësi të rrufeshme, sulmuan përpara me bomba dore, çanë rrethimin dhe u bashkuan me forcat e tjera të luftëtarëve. Por bashkëpunëtorët, duke u ndihmuar nga forcat pushtuese morën nisiativën e veprimeve në qarkun e Dibrës, prandaj qëndrimi i formacioneve të mëdha partizane ishte i pamundur. Në zonë mbetën vetëm njësite guerile partizane. Kështu, krerët e reaksionit në qarkun e Dibrës ishin ndër të parët që u lidhën me pushtuesit hitlerianë, duke u vënë në shërbim të tyre dhe duke zhvilluar luftime kundër lëvizjes partizane. Paria dibrane ishte ndër grupet më të forta dhe më të organizuara të reaksionit në Shqipëri dhe tepër e vendosur për luftë kundër partizanëve.
Komanda gjermane e përfundoi hartimin e planit të operacionit të madh në Dibër me 10 nëntor 1943, duke e pagëzuar atë me emrin “Edelveis”, emër i një lule mali.
Qëllimi kryesor që kishte armiku në këtë operacion ishte: spastrimi nga partizanët dhe pushtimi i zonës Dibër e Madhe-Peshkopi. U caktuan për zhvillimin e luftimeve 5 batalione këmbësorie gjithsej 6-7 mijë ushtarë. Drejtimi i operacionit iu ngarkua komandantit të Divizionit të 297-të. Në këtë plan veprimi përfshiheshin dhe forcat e reaksionit të Peshkopisë, të Dibrës, të Gostivarit, të Kërçovës dhe të Tetovës, më shumë se 1000 veta.
Komanda pushtuese i pajisi bashkëpunëtorët shqiptarë me armatim, municion dhe uniforma. Mësymja, e parashikuar sipas planit do të zhvillohej nga dy grupe luftarake, njëri do nisej nga Librazhdi dhe tjetri nga Struga në Dibër të Madhe e Peshkopi. Ndërsa forca të tjera do mbyllnin rrugët Dibër e Madhe-Burrel, Peshkopi-Burrel dhe drejtimin Peshkopi-Kukës. Një batalion, pasi të merrte Kërçovën, do marshonte njëkohësisht në drejtim të Dibrës së Madhe për të marrë pjesë me grupet e tjera luftarake për mësymjen në qytet.
Forcat bashkëpunëtore të reaksionit do luanin rol ndihmues, por, në përputhje me rrethanat, mund të ngarkoheshin të mësynin drejtpërdrejt në Dibër të Madhe dhe në Peshkopi, në formacion me ushtrinë naziste.

Organizimi i forcave luftëtare në qark
Në Dibër të Madhe dhe përqark kishte rreth 600 luftëtarë të UNÇSH (forca të Grupit të Dibrës), 1 batalion i Brigadës II Sulmuese me luftëtarë të batalionit të Çermenikës dhe një numër vullnetarësh të çetave territoriale të krahinës. Rreth 200 vullnetarë e partizanë të tjerë ndodheshin në Peshkopi dhe në Zerqan.
Duke vlerësuar fitoret e arritura nga forcat partizane, Shtabi i Përgjithshëm për mbrojtjen e Dibrës së Madhe dhe të Peshkopisë nga mësymja e forcave të reaksionit, e përqendroi vëmendjen në mënyrën e organizimit të forcave luftëtare në qark. Ai theksonte se “keni grumbulluar të gjitha forcat në qendrat, si Dibër dhe Peshkopi, me qëllim që t’i mbroni nga fuqitë reaksionare, kështu që është transformuar karakteri i luftës sonë nga ofensiva në defensivë”. Ky veprim, analizonte Shtabi i Përgjithshëm, i ka bërë forcat tona “objektiva të vërtetë për armiqtë tanë dhe bashkëpunëtorët e tyre”. Duke vepruar kështu, vazhdonte Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm, “... u është lënë dorë e lirë reaksionarëve që të veprojnë në krahina, të bëjnë propagandën e tyre, kështu që të mobilizojnë forca për t’i hedhur në luftë kundër nesh, në këtë mënyrë ne kemi mbetur larg nga turmat e popullit”.
Shtabi i Përgjithshëm, mbështetur në analizë realiste të gjendjes në urdhrin që i dërgonte komandës së Grupit të Dibrës, më 9 nëntor 1943, ndër të tjera jepte edhe idenë e veprimeve luftarake të ardhshme të forcave partizane të qarkut. Komanda e Grupit të Dibrës, e informuar për fillimin e mësymjes armike, vuri në gatishmëri forcat partizane e vullnetarë dhe mori masa për mbrojtjen e qytetit të Dibrës së Madhe duke vlerësuar se ky ishte edhe objektivi kryesor i sulmit të trupave gjermane dhe forcave reaksionare. Veprimet luftarake të forcave partizane në qytete do të kishin për objektiv jo ta mbanin atë me çdo kusht, por t’i shkaktonin armikut humbje sa më të shumta në njerëz dhe në mjete luftarake.
Mbrojtja e qytetit të Dibrës së Madhe u organizua rrethore, duke zënë pikat sunduese dhe në to u vendosën mitraloza, mortaja dhe topa. Për të penguar armikun gjatë afrimit u shkatërruan pjesë rrugësh që çonin në qytet dhe u hodh në erë ura e Spilesë mbi Drin.
Armiqtë e filluan mësymjen e tyre më 16 nëntor 1943, rreth orës 10.30. Artileria armike godiste me breshëri zjarri të pandërprerë jo vetëm objektiva që mendohej se mund të ishin zënë nga forcat partizane, por edhe shtëpitë e qytetit të Dibrës së Madhe, shumë prej të cilave u shkatërruan dhe u dogjën plotësisht. Këmbësorët nazistë u penguan mjaft nga prishja e urës së Spilesë dhe nga shkatërrimet e tjera gjatë rrugëve, por megjithatë, ata mundën ta kalonin Drinin dhe pengesat e tjera, sido që dhe me humbje. Epërsia numerike, artileria e fuqishme dhe forcat e mjetet e shumta xheniere u dhanë atyre dorë t’i kapërcenin këto pengesa dhe t’i afroheshin qytetit të Dibrës së Madhe duke e sulmuar nga lindja e nga jugu.
Tanket, që vinin nga Struga, nuk e kaluan lumin Drin ditën e parë, për shkak të urës së prishur. Në fillim komanda e forcave partizane mendoi të organizonte një kundërmësymje. Por kur pa se armiqtë ishin 10 herë më shumë në forca, hoqën dorë nga kjo ide. U vendos që derisa të binte nata, të mbaheshin me këmbëngulje pikat sunduese që kishin në zotërim partizanët. Komanda dha gjithashtu porosi që nga pozicionet të dëmtohej sa më shumë forca e gjallë e armikut dhe të mos lejohej që armiku të futej brenda në qytet, por të luftohej për ta rrethuar nga perëndimi e nga veriu, për të qëndruar të lira rrugët e tërheqjes.
Luftimet vazhduan afër 10 orë pa pushim. Luftëtarët e UNÇSH thyen disa sulme të nazistëve gjermanë duke mos i lejuar që të pushtonin qytetin as ta rrethonin atë plotësisht.
Forcat reaksionare ishin përqendruar në veri dhe në verilindje të Dibrës së Madhe. Atyre u ishte caktuar si detyrë për të mbyllur rrugët e tërheqjes së partizanëve. Luftimet vazhduan deri në mbrëmje dhe qyteti vazhdonte gjithnjë të qëndronte në dorë të UNÇSH. Ushtria hitleriane kishte mundur të pushtonte vetëm disa shtëpi në anën jugore të tij. Popullsia nuk u largua, megjithëse u vranë e u plagosën shumë veta nga qitjet e artilerisë së nazistëve gjermane. Burra, gra, të rinj dhe pionierë ndihmonin partizanët e vullnetarët me ushqime, shërbenin si korrierë, udhërrëfyes e zbulues, tërhiqnin dhe përkujdeseshin për të plagosurit. Ata që kishin armë luftuan krah për krah me partizanët.
Gjermanët dhe tradhtarët e pushtuan Peshkopinë. Vullnetarë dhe partizanë që ndodheshin në qytet u tërhoqën pas një qëndrese të vogël. Ishte e pamundur mbrojtja e qytetit përballë një fuqie armike shumë herë më të madhe dhe u tërhoqën në rajonin malor të Sllovës në veri të Peshkopisë.

(Marrë nga gazeta “TELEGRAF”)




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes