l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

74 vjet më parë , më 28 dhjetor 1943, me urdhët të Shtabit të Përgjithshëm formohet Brigada e IV-të Sulmuese

Brigada e IV-të Sulmuese, pararojë e Ushtrisë NCÇl

• Brigada e IV-të S i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet tyre N/komandant i Brigadës Pano Xhambolli, Xhafe Cenko Lubonja, komandanti trim Riza Taçi etj; të cilët prehen të qetë në altarin e lirisë së atdheut. Vetëm në luftën për çlirimin e Tiranës ranë në fushën e nderikt 98 partizanë
• Brigada e IV-të S në 321 ditë të jetës së saj ka përshkruar 2200 km rrugë (në këmbë, jo me makina) duke kryer 265 luftime e operacione dhe duke I shkaktuar armikut mbi 2000 të vrarë e 200 robër (shumë ushtarë gjermanë) si dhe dëme të mëdha materiale e armatim

Në qarkun e Korçës deri në dhjetor 1942 ishin formuar 18 çeta partizane, midis të cilave ajo e Mokrës (Pogradec), e Gorë-Oparit, etj. Ndërsa nga tetori ‘42 deri në maj 1943 numri i çetave partizane u rrit akoma.Më vonë, me rritjen e numrit të forcave të kryengritjes së armatosur nga çetat u krijuan batalionet partizane si Batalioni i Mokrës, Gorës, Kolonjës, Rëzes, Malit të Thatë, Batalioni “Shqiponja” etj.


Si rezultat i luftimeve të ashpra të këtyre batalioneve me forcat armike u realizua çlirimi i zonës malore të Qarkut të Korçës. Në gusht 1943 formohet njësia më e madhe luftarake e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Makrezë të Vithkuqit me partizane e partizanë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, me komandant Mehmet Shehun, komisar Tuk Jakovën dhe zv/komandant Tahir Kadarenë. Ndërsa, më 28 dhjetor 1943, me urdhët të Shtabit të Përgjithshëm formohet Brigada e IV-të Sulmuese. Në përbërje të saj ishin batalionet me përvojë luftarake, si “Hakmarrja”, “Reshit Çollaku”, “Shqiponja”, “Fuat Babani”, batalioni Gorë-Opar sidhe “Rinia antifashiste dhe punëtore” nga qyteti i Korçës. Në fillim Brigada kishte 550 partizanë e kuadro të organizuar në katër batalione: batalioni 1 me komandant Zija Kambo, i 2-të me komandant Petrit Dumen, i 3-të me komandant Spiro Moisiu e komisar Vaskë Gjino, i 4-ti me komisar Andrea Ziu. Intendent i Brigadës ishte Raqi Qirinxhi. Brigada e IV-të Sulmuese, një repart i armatosur, me 265 luftimet dhe operacionet e saj u konfirmua si një njësi luftarake e aftë për të kryer detyra akoma më të mëdha. Ajo u rreshtua në Divizionin e I-rë Sulmues, të cilit iu ngarkua një detyrë e rëndësishme, siç ishte kalimi në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe çlirimi i tyre nga okupatori nazist e kolaboracionistët e tij. Faqe lavdie e trimërie tregoi Brigada e IV-të S në Operacionin armik të Dimrit 1943-1944.Ajo zhvilloi luftime të përgjakshme dhe shpërtheu rrethimin që nazistët gjermanë kishin përgatitur gjatë këtij operacioni. Luftimet u kryen në kompaktësi bashkëveprimi mes batalioneve të brigadës. Në një kohë që forcat armike mendonin të shkatërronin forcat partizane të saj dhe forcat e Beratit, Brigada e IV-të S, e drejtuar nga shtabi i saj me në krye komandant Nexhip Vinçani e komisra Pëllumb Dishnica çau rrethimin në Qafën e Becit, duke kaluar në zonën e Beratit.


Mbas çarjes së rrethimit, brigada u kompaktësua dhe për një muaj rrjesht, me luftime sulmuese dhe në bashkëveprim me batalionet “Hakmarrja”, “Shqiponja”, “Reshit Çollaku”, “Fuat Babani” e forcat sulmuese të fshatrave të qarkut çliroi shumë fshatra, duke filluar nga Arrëzi (Devoll), Malësia e Kolonjës, Vithkuqit, Gorë-Oparit, Shënepreëmte. Në pranverë, gjatë mësymjes pranverore, në bashkëpunim me batalionet “Reshit Çollaku” dhe dy batalione të Brigadës së I-rë S çliruan Pogradecin dhe rrëzën e tij, Starovë, Tushemisht, Hundënisht, Piskupat, Grabovë. Mbas gjithë këtyre sukseseve, Brigada mblidhet në Lozhan për të bërë bilancin e luftimeve në 9 maj 1944.Numri i partizanëve ishte shtuar.Gjatë muajit maj brigada çliroi fshatrat në fushën e Korçës, Rrëzës, Gor-Opar duke përfshirë dhe zonën e Mokrës, Pogradecit, Malit të Thatë, Pojan etj. Gjatë Opercionit Armik të Qershorit 1944, batalionet e Brigadës së IV S zhvilluan luftime të ashpra në Qafë Thanë me forcat e Divizionit malor gjerman.Luftime të ashpra u zhvilluan në Maliq, Grabovë, Plloçë, Guri i Kamjes, Krosnisht, Moçan, Osajë, Gjinikas, Malin e Dusharit, Qafa e Gjarpërit, në Bitinckë e Bilisht.


Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NCÇl lëshoi Urdhërin më 28 Maj 1944 për kalimin në Mësymjen e Përgjithshme. Brigada e IV-të S, pasi kishte kaluar një rrugë të suksesshme luftarake dhe në çlirimin e një teritori të madh në Qarkun e Korçës, u inkuadrua në Divizionin e I-të S të UANÇl. Gjatë luftimeve në përbërje të këtij divizioni (brigada e IV dhe V-të) çliroi Qarrishtën, Zerqanin, Matin, Homesh-Sofraçan, Fushë Alie, Grevë, Melan, në kazermat e Dibrës, kundër forcave gjermane e kolaboracioniste në Mirditë; çliroi Peshkopinë. Në dy javët e fundit të shtatorit Brigada e IV-të S zhvilloi luftime brenda në Elbasan dhe organizoi disa prita në rrugën Librazhd-Elbasan-Qafë Krrabë.


Nga krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut populli u bind për luftën e drejtë kundër okupatorit dhe veglave të tij; u rreshtuan në radhët e partizanëve deri 2000 veta.Midis tyre kishte dhe disa partizanë italianë dhe ermenë, të cilët kishin hyrë në UANÇl mbas kapitullimit të Italisë në shtator 1943. Brigada e IV S shkroi faqe faqe lavdie gjatë operacionit për çlirimin e Tiranës. Ajo, së bashku me Brigadën e I-rë S, Brigadën e VIII-të dhe Brigadën e XVII-të sulmoi në një rajon tepër të fortifikuar; duke filluar nga kodrat pranë KombinatitTekstil në veriperëndim të Tiranës, deri tek kodra e Kopilit (sot senatoriumi- varret e dëshmorëve të kombit).
Po ashtu mori pjesë në luftimet tek varrezat e dëshmorëve të kombit, në Pallatin e Brigadave, në ish Kisha e Shën Prokopit (në veri të Liqenit Artficial, ish kazermat e Shkumbinit (qyteti i nxënësve, brenda në qytet tek pallatet e Moskatit dhe të Shallvares dhe deri tek Banka. Brigada e IV –të S, në betejën historike të Mushqetas (duke filluar nga Qafë Krraba-Mushqeta) luajti një rol të rëndësishëm në shpartallimin dhe asgjësimin e forcave të mëdhaja gjermane. Brigada e IV-të S në operacionet për çlirimin e Tiranës tregoi vlerat e saj si njësi luftarake e suksesshme dhe e denjë për emrin që mbante, duke përmbushur me nder detyrat e ngarkuara.


Aftësitë e kuadrove, partizanëve e partizaneve spikatën si çlirimtarë të suksesshëm. Rruga luftarake e Brigadës së IV-të S, trimëria, heroizmi i luftëtarëve të saj në luftë për çlirimin e vendit, janë sot një burim i madh frymëzimi për popullin dhe veçanërisht për brezin e ri. Brigada e IV-të S i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet tyre N/komandant i Brigadës Pano Xhamballi, Xhafer Cenko Lubonja, komandanti trim Riza Taçi etj; të cilët prehen të qetë në altarin e lirisë së atdheut. Vetëm në luftën për çlirimin e Tiranës ranë në fushën e nderit 98 partizanë. Brigada e IV-të S në 321 ditë të jetës së saj ka përshkruar 2200 km rrugë (në këmbë, jo me makina) duke kryer 265 luftime e operacione dhe duke i shkaktuar armikut mbi 2000 të vrarë e 200 robër (shumë ushtarë gjermanë) si dhe dëme të mëdha materiale e armatime.

Ing.Myfit GUXHOLLI
Ish partizan dhe kuadër i Brig.IV-të S



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes