l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PENGU I REMZI ISLAMIT: TË DALË E VËRTETA DHE TË DEKOROHEN ATA QË STREHUAN PARTIZANËT

RISHIKIMI I HISTORISË SË LANÇ DHE MASAKRA E BUZËMADHIT

• Refleksione nga letra e ish partizanit të Br. V-të Remzi Islami, drejtuar kryetarit te OBVL (Organizates se Bashkuar te Veteranëve të LANÇ te popullit shqiptar) Gjeneral Rrahman Parllaku, ish komandant i divizionit të V Sulmues, Nderi i Kombit

Nga SAKIP CAMI

Remzi Islami, vëllai i Pajo Islamit, sot në Pragë të Çekisë ka një peng të madh, ndaj i shkruan kryetarit të OBVL (Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar ) Gjen. Leit. Rrahman Parllaku, Hero i Popullit sot Nderi i Kombit.
Jam larg atdheut dhe jam në prag të vdekjes , por nuk dua të vdes me pengun e Buzëmadhit. Si Kryetar i OBVL dhe hero i LANÇ dua t’ju jap shpjegimet e mija për ngjarjen e Buzëmadhit. Kanë kaluar 73 vjet dhe nuk ka dalë siç është, e vërteta. Unë dhe dy veteranë , Dero Deraj dhe Rexho Kapo e kemi thënë dhe deklaruar me shkrim, kemi guxuar edhe në vitet 74 , por është koha që jo vetëm të kërkohet falje, por familjet që na strehuan të dekorohen njëlloj si të gjitha bazat e LANÇ.
Brigada e V në rrugën e saj për në Kosovë në shtator 1944 kaloi në zonën e Lumës ku hasi në rezistencën e bajraktarit Muharrem Bajraktari, por shumë partizanë e partizane, ndër to edhe unë dhe Rexhua u strehuam dhe shpëtuam jetën në familjet e fshatit Buzëmadh.
Ne na ka strehuar në stanet e tij Dan Lala, tregon Remzi Islami. Dan Rexhepi dhe Mehdi Rexhepi vunë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur jetët tona, ndërsa si shpërblim shtabi i brigadës , pas vrasjes në përpjekje, të Hysen Çinos, pushkatoi në Kroin e Bardhë 21 banorë të fshatit Buzëmadh, 14 të fisit Lala.

KRONOLOGJIA E NGJARJES:

Më 2 shtator 1944 Muharrem Bajraktari takohet në Kalis me Dali Ndreun, Haxhi Lleshin, Hysni Kapon dhe majorin anglez Smith.
Sipas Haxhi Lleshit (Vite, njerëz, ngjarje, f. 274) – Bajraktari u deklaroi atyre preras: “Me ju nuk bashkohem, por kundra jush nuk luftoj”. Pra, ai nuk ishte kundër Lëvizjes NaÇl;, por donte të luftonte armikun si forcë më vete.
Ndërsa Muharremi në letrën që i shkruan Y. Dishnicës, thotë: “Na u desht me e lanë frontin, se partizanët na nxuerën pengime të mëdha… Duen me na detyrue që të hyjmë në Frontin e tyne ose të presim luftën që ata nuk e dëshirojnë, mbasi nuk asht luftë partizane…”.
Më 20 shtator 1944 shtabi i Brig. V pushkatoi në Kolesjan kryetarin dhe sekretarin e këshillit NAÇl të Lusnës (Rexhep Gjeta, Kadri Peposhi) që kishin shkuar atje në emër të fshatit për të kërkuar që të shtyhej mobilizimi i partizanëve, për shka të festës së Bajramit. Lusjanët u acaruan tej mase dhe me 21 shtator sulmuan shtabin partizan në Kolesjan. (H. Xhelo, 860 ditë luftë, 291).
Luftimet në Lusën e në rrethinë vijuan tri ditë me shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët, ndër ta qenë edhe 5 lusjanë të pushkatuar pa u gjykuar (Bajram Peposhi, Ramë Peposhi, Sulë Lashi, Bajram Peposhi, Ahmet Peposhi). Në ndihmë të Lusnës u çuan edhe bajrakët e Topojanit dhe të Çajës.
Novosejasit rrethojnë një kompani partizane që kish konfiskuar bagëtinë e M. Bajraktarit në bjeshkë. Më 22 shtator, në një ndeshje të ashpër te Lera e Zezë, mbi Buzmadhe, vriten 7 partizanë, ndër ta edhe Hysen Cino, kom. i bat. III. 9 partizanë të tjerë të sëmurë e të plagosur zihen robër e strehohen në stanet e fisit Lale (Buzmadhe).
Për të përballuar këtë situatë të rëndë, forcat partizane rrethojnë fshatin. Kërkohen të gjenden pjesëmarrësit në betejë, por ata qenë larguar në Maqedoni. Sh. Peçi organizon një mbledhje me disa kryefamiljarë në Krue të Bardhë, i premton falje fshatit, veç 2-3 organizatorëve. I njofton se të nesërmen do të mblidheshin të gjithë meshkujt e fshatit. Të vinin edhe të larguarit, sepse ishin falur… – u tha ai.
Në mëngjesin e 26 shtatorit, duke i besuar fjalës së Kom. të Brigadës, burrat e fshatit, shoqëruar nga partizanët, që i kishin strehuar, tubohen tek Kroi i Bardhë, por aty u gjendën të rrethuar nga forcat partizane. Aty iu kërkua të tregojnë organizatorët e vrasjes së partizanëve, por pa rezultat. Ymer Lala, 24-vjeçar, që do të martohej pas dy javëve, përgjigjet: “ata që kanë marrë pjesë në luftë, nuk janë këtu, kurse ne jemi të pafajshëm” –
I irrituar tej mase, plaku i nderuar Ramadan Lala, strehues i partizanëve robër, i thotë Sh. Peçit: “Ja ku më ke mue, baj ç’të duesh, por liro katundarët, se janë të pafajshëm”. Por kjo fjalë nuk ia ndryshoi mendjen komandantit. Vendimi ish marrë, lista ish gati: për një partizan – tre banorë të fshatit :
21 burra të lidhur me litarë i nisen për në Lerën e Zezë; aty ku kish rënë Hysen Çino, dhe i pushkatojnë.
Dy ditë më vonë, më 28 shtator, Shefqet Peçi, Halim Xhelo e Nuri Arapi pushkatojnë pa i gjykuar më parë Mehdi Nokën, Muharrem Nokën, Hysni Bashën e Rexhep Nokën.
Ja si e kujton Gjen. Rrahman Parllaku:
“Ndodhesha në Zerqan. Papritur më vjen një letër nga Sh. Peçi. Origjinalin ma konfiskuan gjatë arrestimit (1974), por përmbajtjen e mbaj mend: I dashur Krajli (më thërriste kështu, se isha nga Veriu). Ju shkruaj nga Bicaj, Krajli! Erdhëm në Lumën tënde, ku fillimisht na pritën mjaft mirë në të gjitha zonat. Por, në një ditë të bukur, goditemi befasisht pas shpine nga forcat e Bajraktarit. Luftimet kanë qenë shumë të rrepta, patëm shumë të vrarë e të plagosur. Në mes tyre na u vra edhe komandanti i batalionit, Hysen Cino. Por edhe ne u sollëm ashpër. Kjo nga dëshpërimi i humbjeve që patëm. Kemi pushkatuar 21 vetë nga Buzmadhja dhe 4 vetë në katundin tënd; e kemi tepruar, por nga dëshpërimi nuk u mbajtëm”.
Që ato ditë, në vend e qortova mikun e kolegun, Shefqetin, por edhe Hiton etj., shokë të shtabit. Ata mundoheshin të justifikoheshin, por e kuptova se kishin rënë në gjynahe, në faje të dënueshme politikisht dhe moralisht. U distancova nga ato sjellje dhe tejet i rënduar u largova i revoltuar.”
Ja si e përshkruan këtë ngjarje ish komisari i kompanisë, shkrimtari disident Kasem Trebeshina:
Shkrimtari Kasem Trebeshina në librin me tregime “Koha tani, vendi këtu” , në tregimin me titull “Kohë pa fund” shkruan:
“Humbjet kishin qenë të rënda për të dy palët dhe komandanti ynë partizan urdhëroi që të pushkatoheshin njëzetë e dy vetë të mbledhur nga fshati , ashtu siç kishte rastisur. Në mes të atyre njëzetë e dy njerëzve, ishte edhe një djalë që zor se i kishte mbushur të pesëmbëdhjetë vjetët.
Në mes të njerëzve , që kishin bërë ato arrestimemizore isha edhe unë, një komisar kompanie që akoma nuk i kishte mbushur të tetëmbëdhjetë vjetët.
... Po më mbushej mendja që komandanti ynë i brigadës do të derdhte aq gjak sa të gjakosej varri i komandantit të batalionit partizan , vrarë në luftimin e zhvilluar në kodrat para fshatit.
*Po ish partizanët dhe drejtuesit e tjerë si reaguan para dhe më pas ?
Naile Ferra (Gjinushi) :
Si partizane e Br. V ruaj vetitë e larta morale të këtyre njerëzve, mikpritjen, bujarinë. Gratë e Buzëmadhit, nxirrnin për ne partizanet, nga sepetet e tyre çorapet dhe rrobat e tyre të trupit dhe ushqimet më të mira.
Pas çlirimit deri në vitin 1948 bashkë me burrin tim, Etem Gjinushi, shërbyem në Kukës dhe patëm marrëdhënie të shkëlqyera me kuksianët.
Mato Hasamataj, nga Smokthina e Vlorës, ish partisan i Br. V, veteran, ish kuadër i MB :
Ngjarjet e Buzëmadhit i mësova nga Remzi Islami. Kam mbështetur deklaratat e Remzi Islamit, Rexho Kapos dhe Dero Rerajt që në vitet 74 për banorët e Buzëmadhit, që të ndryshojë qëndrimi politik ndaj tyre dhe fëmijtë e tyre të shkojnë në shkollë.
Remziu në atë kohë vrapoi drejt Kroit të Bardhë, kur mori vesh se po pushkatohej edhe mbrojtësi i 7 partizanëve, por kur arriti në vend, egzekutimi ishte bërë. Nuk ishte përfillur as deklarata e Dan Lalës se kam shpëtuar jetën e 7 partizanëve.
Maliq Sadushi, partizan i Br. V, ish zv.ministër i mbrojtjes :
“Sa herë i kthehem historisë së LANÇ dhe enkas Br. V në Lumë, i përmbahem moralit të historisë reale. Seicili të çmohet pa i paragjykuar anti parti, tradhëtar, armik etj.
I përkas dhe mbroj LANÇ si vepër e gjithë popullit shqiptar , edhe e Kukësit. Por edhe gabimet lypsen parë me drejtësi.
Me mision në Kosovë, Br. V do të kalonte përmes Kukësit duke kryer edhe disa detyra. Kukësi i varfër u bë prapavija jonë, jo për një ditë e një javë, por për një muaj. …Kukësi ishte një nga viset patriote të vendit dhe i antifashizmit. Historia t’i japë vendin e rolin.
Bajraktari e zotëronte Lumën. Fanatik i moskonfrontimit me UNÇ, ai heshti deri me 20 shtator 1944. Br. V duhej ta afronte me takt dhe të bashkëpunonte. Pas Lusnës dhe Kolesjanit i erdhi rradha Buzëmadhit. Duke lëvizur na u vra H.Çino dhe hymë në fshat me shkëmbim zjarresh. Sidoqoftë familjet na strehuan dhe na ndihmuan nga zakoni mikpritës.
Nderoj historinë e lavdishme të Kukësit. Atje gjetëm ngrohtësinë shqiptare e prindërore.
*Opinionet dhe kujtimet e ish partizanëve të Br. V janë marrë nga libri i Vangjel Kasapit, “Lumë, Kukësi, mrekulli e natyrës, kështjellë e historisë” 1999, f. 213-224.)

DEKLARATAT E TRE VETERANËVE (ISH PARTIZANË TË Br. V-të NË VITET 74)

Rexho Kapo, motra e Hysni Kapos, Dero Deraj dhe Remzi Islami i lëshuan deklaratë rekomanduese një prej djemve të fisit Lala sepse nuk e lejonin që të ndiqte studimet e larta. Në vitet 74 tregon Dero Deraj dhe këtë e përforcon Remzi Islami në letrën drejtuar Gjen. Rrahman Parllakut erdhi nga Kukësi dhe më takoi në Durrës një nga fisi Lala. Kërkonte një deklaratë për qëndrimin e 21 të pushkatuarve dhe veçanërisht të familjes së tij gjatë luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Pa asnjë pendesë , tregon Deraj , bëra një deklaratë të fortë :”Jetën e dytë e kemi nga ata.” Kështu shkruan edhe Rexho Kapo dhe Remzi Islami.
Dero Deraj thotë se i shkrova edhe Sekretarit të Parë të Komitetit të PPSH të Kukësit që të rishikonin qëndrimin ndaj Buzëmadhit.
Ne na ka mbrojtur Dan Rexhep Lala në stanet e tij, deklaroi para viteve 90 Remzi Islami. Ai deklaron edhe sot , duke kërkuar organeve të pushtetit vendor dhe të atij qendror dekorimin e tij . Kemi qenë 5 partizanë dhe 2 partizane, njëra prej tyre Rexho Kapo. Ai u deklaroi njerëzve të bajraktarit që kishin ardhur për të na marrë dhe për tu dorëzuar se ju jap robt e shtëpisë dhe miqtë e shtëpisë sime, kurrë.

BUZËMADHI, FSHAT FETAR, MIKPRITËS DHE I BESËS

Buzëmadhi njihet si fshat fetar. Sot në këtë fshat ndodhet një teqe nga më të përmendurat e Veriut. Kjo tyrbe dhe dervishlerët e saj i kanë shërbyer popullit gjithmonë, edhe në kohë të vështira.

Brigada e V kaloi kalimthi në Buzëmadh. Në përpjekje me forcat e bajraktarit u vra komandanti i batalionit Hysen Çino. Askush nuk e kishte shënjestruar komandantin Hysen Çino. Përkundrazi Ramadan Lala dhe djemtë e tij shpëtuan 7 partizanë , dy partizane dhe pesë partizanë duke u përballur me bajraktarin: “Partizanët janë në besën time dhe nuk i dorëzoj, deklaroi ai. Dhe kështu ndodhi. Udhëheqja e Brigadës së V si hakmarrje thirri në pabesi në Kroin e Bardhë , aty u vra Hyseni, jo pak , por 21 fshatarë, 14 të fisit Lala, ndër to 4 pjesëtarë të Dan Lalës. Dani foli me burrëri: “ Mos pushkatoni të tjerët, pushkatoni mua se ata nuk kanë faj, aq më tepër që po marrin pjesë edhe në rradhët e Brigadës së V. Partizanëve të Brigadës së V të shpërndarë nëpër shtëpitë në Buzëmadh ju vu për detyrë që të merrnin nga çdo shtëpi për një mbledhje në Kroin e Bardhë. Katër veta pranuan me dalë partizanë. Ishte hartuar një listë, përjashto ata që dolën partizanë, të tjerët ishin vënë në plan për tu pushkatuar. U pushkatuan 21 veta. 21 kufoma u varrosën nga plakat e katundit.

PLENUMI I DYTE I BERATIT, NENTOR 1944, KRITIKON VRASJET E BUZËMADHIT POR MË PAS EGZEKUTUESIT U BËNË AKUZUES

Dokumentat , proces verbali, trupi gjykues (nëse ka patur), trupi egzekutues etj, janë zhdukur. Megjithatë në raportin kryesor të Plenimit të Beratit, Enver Hoxha kritikoi ngjarjet e Buzëmadhit dhe veprimet e udhëheqjes së Br. V
“Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike 20 katundarë të Buzëmadhit, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë (Komanduesit e Br. V) i pushkatojnë.”
Sigurisht komanduesit e Br. V, nuk e pranuan fajin dhe akuzuzan fshatarët e Buzëmadhit për vrasjen e Hysen Çinos dhe për kundërvënien ndaj Brigadës.
Pas vitit 1948 shumë banorë të Lumës e veçanërisht të Buzëmadhit i shkruan Enver Hoxhës, por morën të njëjtën përgjigje standarte : “Janë dënuar me gjyq partizan.”


 

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes