l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Blinishtët si dhe familjet e tjera fisnike në krye të principatave të shek XII-XV, vinin përgjithësisht nga zonat malore

Familja fisnike Blinishti dhe origjina e saj

(vijon nga nr. i kaluar)
Historia e Shqipërisë jep të dhëna me interes për familjen fisnike Blinishti që nga gjysma e dytë e shek XIV. Përreth tre shekuj kjo familje fisnike bën emër në historinë e Shqipërisë, si dhe në atë të Ballkanit deri në brigjet perëndimore të Adriatikut krahas familjeve më të njohura të kohës, si: Skura, Araniti, Muzaka, Topia etj.
Blinishtët si dhe familjet e tjera fisnike në krye të principatave të shek XII-XV, vinin përgjithësisht nga zonat malore. Pushteti i tyre në këto zona malore mbështetej kryesisht në lidhjet e gjakut, në lidhjet fisnore dhe në ato vendore me interesa të përbashkëta ekonomike, shoqërore, politike e kulturore. Lidhjet e interesave të ngushta të krijuara brenda zotërimeve të tyre u siguronin këtyre krerëve forcë të armatosur në rritje që ishte e mjaftueshme për t’u vlerësuar dhe tërhequr në sistemin e qeverisjes mbretërore të sunduesve bizantinë, anzhuinë, e serbë.
Blinishtët, të mbështetur në ndikimin e forcës së tyre, në përshtatje me situatat politike, që zhvilloheshin në të dy anët e Adriatikut deri në brendësi të Ballkanit, zhvilluan një veprimtari politike aktive me aleancat herë me Bizantin, herë me serbët, herë me anzhuinët e herë me Papatin.


Me këto aleanca e marrëveshje Blinishtët, si dhe fisnikët e tjerë të shek.XI-XIV, arritën të ruanin autonominë e zotërimeve të tyre dhe të marrin tituj fisnikërie mbretërore. Kështu, Blinishtët që nga gjysma e dytë e shek XI bashkë me Skurajt, Aranitët, Muzakajt, Topiajt etj. përmenden si familje fisnike që mbanin tituj të lartë mbretërorë bizantinë.
me 1274 Vlado Blinishti është stratiot bizantin (titull i ngjashëm me titullin mbretëror perëndimor miles). Nga mbretëria serbe mori titullin “kaznac”. Në vitin 1304 ai merr diplomën e mbretit të Napolit “comes”, ndërsa i biri Guljelm bëhet mareshall i Shqipërisë. Një kushëri i Vlado Blinishtit, Kalojan Blinishti (1304-1319) mban titullin”comes”.
Dr. Shuflaj, historian i shquar kroat, duke ndjekur rrjedhën historike të Blinishtëve, arrin në përfundimin se: “Kjo familje shuhet përgjithmonë gjatë kryengritjes së madhe që shpërtheu përgjatë Adriatikut kroat e deri në Shkumbin, Devoll e Vlorë”, (organizuar nga selia e Papës 1319- 1336).
Gurakuqi, teolog e studiues i mirënjohur para 80 vjetësh ka shfaqur mendimin se familja fisnike Blinishti e ka zanafillën e vet në Blinisht të Kabashit, Pukë.
Këtë përfundim e arriti pasi hulumtoi me kujdes traditën fisnore të Blinishtit të Zadrimës, si dhe me njohje të burimeve historike të Mesjetës.


Së pari, Blinishtin e Mirditës e Blinishtin e Zadrimës i merr si përpjekje të derës fisnike Blinishti të Kabashit të Pukës për t’u shtrirë drejt qytetit të Lezhës e brigjeve të Adriatikut. “Mundet,- shprehet i matur, i nderuari G. Gurakuqi, -prej Kabashit në Blinisht të Mirditës e prej këtej në Blinisht të Zadrimës”. Përsa u takon emrave Blinishti i Mirditës e Blinishti i Zadrimës, ai mbetet në traditën shqiptare “se fisi që ka banue në Blinisht të parë e ka bajt me veti këtë emën, e ka ngulë rend me rend edhe në ato vende ku ka banue mbrapa”.
Është një traditë e kahershme dhe e fortë që praktikohet në migrime. P.sh. nga Kabashi i Pukës para 3-4 shekujsh, kanë emigruar disa familje në verilindje të Prizrenit, Kosovë. Fshatit ku ngulën i dhanë emrin e prejardhjes së tyre –Kabash. (4) Më pas, disa familje kabash e lanë Kabashin e Prizrenit dhe themeluan një Kabash të ri – Kabashin e Vitisë, apo Kabashi i Moravës së Epërme. Po kështu, thuhet edhe për Kabashin e Hasit të Prizrenit. Po këta të fundit thonë se kabashët së pari ngulën në Has. Prej aty disa familje kaluan në verilindje të Prizrenit. Pra, prej Kabashit të Pukës u themeluan: Kabashi i Hasit, Kabashi i Prizrenit, Kabashi i Vitisë, po me emrin Kabash).
Kështu ka ndodhur edhe me fiset ardhës. Është bërë emër vendbanimi, kur ai ka ngulur në një vend të banuar, ku ka mbizotëruar më vonë ky fis ardhës.
Pra, kështu duhet të ketë ndodhur me Blinishtin. Nga Blinishti i Kabashit është themeluar Blinishti i Kushnenit, Mirditë dhe në vazhdim Blinishti i Zadrimës.
Këtë mendim studiuesi G. Gurakuqi e mbështet në faktin se një pjesë e madhe e banorëve të Blinishtit të Zadrimës “përgjithësisht thonë se jena prej Blinishtit të Mirditës, por “me i imtue mirë shumicën, dalin prej Kabashit të Pukës”. Nga këto imtime i nxjerr shumë në pah tradita kanunore që ndalon martesat në fis. Ai vëren se në Blinisht të Zadrimës “ më 1923 nga 74 familje (shtëpi), 25 prej tyre nuk bënin martesa ndër veti. Këto familje “as ia marrin as ia apin varzat shoqi-shoqit se “jena fis Kabashi”-thonë”.


Së dyti, G. Gurakuqi sjell edhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Ndoshta, më të rëndësishmin: -pozitën gjeografike me zhvillimin ekonomik e politik që duhet t’i ketë një vendbanim a një rrethinë për një familje fisnike princërore si Blinishti, e cila bëri emër në ngjarjet historike me aleanca të brendshme e të jashtme që nga gjysma e dytë e shek. XI. Në principatat shqiptare më shumë u afrua me Muzakajt, gjë që tregon shtrirje gjeografike shumë të gjerë veprimesh politike.
Atëherë, cili nga Blinishtët i plotësonte kushtet si djepi i Familjes Fisnike BLINISHTI?
I nderuari G. Gurakuqi, si njohës i mirë i terrenit dhe i dokumenteve Mesjetare, merr për bazë Blinishtin e KABASHIT, për të cilin shprehet se “- jo vetëm ishte në një farë qendre, po edhe në të përpjekun me rrugën e hershme të bregut të Drinit, e cila nëpër Qafë të Ajtyrës së Bicajve (të Kabashit) qitet në Shmijë të Mirditës (Breg)”.Duke marrë shkas edhe nga ky pohim, është e nevojshme që të vërejmë më për së afërmi Blinishtin e Kabashit dhe Fushën e Blinishtit.
Edhe pse në shekujt e fundit Blinishti i Kabashit u bë një fshat i zakonshëm me pak tokë prodhuese e kullota, si dhe me ujë të pamjaftueshëm, dikur merrte rëndësi, sepse përmes tij kalonte udha e karvaneve Lezhë e Shkodër për Kosovë, që vinte duke u ngjitur nëpër Kokaj të Kabashit drejt Qafë – Ajtyrës, (2) Bicaj e Fushë – Arrëz etj. drejt Dardanisë ( Kosovës) dhe anasjelltas.


Në perëndim të fshatit Blinisht, afro 2 km larg shtrihet FUSHA e Blinishtit. Kjo fushë është afro 2 km e gjatë (lindje – perëndim) dhe rreth 500 m e gjerë (jug – veri), duke dhënë rreth 74 ha e më tokë nga më pjelloret në Pukë. Ka një tokë diçka argjilore me përzierje rëre, ku nuk mungojnë edhe gëlqerorët, që e bën FUSHËN shumë pjellore për drithëra, pemëtari dhe një kullosë shumë ushqyese për dhenë e lopë. Livadhet poshtë Fushës, kufi me Kokaj, kositeshin tri herë. Gjithmonë të gjelbërt edhe në janar. (3)
Nga veriu i qëndron shpati i pjerrët malor i Kunorës së Poshtme e i Kunorës së Epërme me 1200-1300 m lartësi, duke e mbrojtur nga erërat e ftohta. Nga lindja e mbron kurrizi kodrinor Mbasstena.
Dielli e rreh gjithë vitin. Verën e ngrohtë e freskon një fllad që fryn nga perëndimi e veriperëndimi, që është i hapur deri në Cukal e Alpe. Dimri është mjaft i butë. Ndërsa në qytetin e Pukës veriu i ftohtë e me borë e zbret temperaturën nën zero, në Fushë – Blinisht bora shkrin shpejt nën rrezet e ngrohta të diellit. Ujin e merrnin të bollshëm në Nershej, 1300 m lartësi. Shpateve të Kunorës e zbritnin me kujdes që të mos shkaktonte gërryerje e rrëshqitje mali, siç shkaktoi shekuj më vonë. Kështu, kjo Fushë jepte gjithfarë prodhimesh bujqësore me një pemëtari shumë të pasur, bletari e blegtori po aq të zhvilluar.


Klima shumë e mirë dhe uji i freskët i krojeve bri shpateve poshtë Fushës e bënte FUSHËN një vendbanim të shëndetshëm, një parajsë në atë mjedis malesh.Një vend i tillë me mundësi të mëdha të zhvillimit ekonomik, siç e pamë, nuk mund të mos e kishte edhe një zhvillim të lartë shoqëror, kulturor e politik.
Sa më sipër, vijmë në përfundimin, se fortifikimet në Bokë, ndërtimet e vendbanimeve në prehër të shpatit të kunorave me kishën e Shën Ilisë e të Shën Markut, me një fushë aq pjellore e klimatike, të mjaftueshme për një komunitet prej 100 shtëpish me rreth 1000-1500 banorë në mos më shumë, veç fshatrave në afërsi, si: Bicaj, Rrape, Rrypë etj. do të ishin të mjaftueshme për forcën fillestare të një familjeje malësore si Blinishti. Një familje e tillë me të gjithë kushtet: ekonomike, klimatike, kulte të krishtera, sigurisht do të fuqizohej ushtarakisht e politikisht duke ndikuar jo vetëm në jetën politike të viseve të Pukës e të Mirditës, por edhe më gjerë, derisa në shek. XI të shquhet krahas familjeve të tjera fisnike shqiptare.
Legjenda e gojëdhëna së bashku për Lekë Dukagjinin nuk gjenden gjëkundi sa në Fushë – Blinisht, të cilat u ruajtën aty për më se 500 vjet. Sigurisht, lindën dhe u ruajtën për të na dëshmuar në mënyrën e tyre se në Fushë – Blinisht ka pasur familje fisnike princërore me forca të mjaftueshme të armatosura, që kishte ndërtuar “sarajet” apo trashëguar. Pranë tyre kishte kroje të ftohta e të shëndetshëm. Pasurinë gjoja në monedha e paskn fshehur nën Gurin e Filxhanave, për ta pasur gati kur të ktheheshin një ditë. Po pse të gjitha këto nuk lidhen me Blinishtët, familje fisnike e fuqishme e me shumë emër në shek. XI-XIV, po me Lekë Dukagjinin?
Lidhen me Lekë Dukagjinin se ky doli në skenë pas shuarjes së Blinishtëve dhe se Lekë Dukagjini u bë figura kryesore e Dukagjinëve që nga mesi i shek. XV dhe deri në fundin e këtij shekulli. Për më tepër, në prag të vdekjes së Skënderbeut deri në rrethimin e Shkodrës Lekë Dukagjini udhëhiqte ushtritë e Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Në të gjitha situatat kryengritëse më vonë, prapë Lekë Dukagjini qe i pranishëm vetë. Sigurisht, këto lanë mbresa të thella këtyre anëve. Kështu, kujtimi për Blinishtët u tret në kujtimet për Lekë Dukagjinin, ashtu si dhe i të gjithë vetë princërve të shquar të Dukagjinëve.


Të gjitha këto familje fisnike, me princërit e historitë e tyre në shekuj, u bashkuan në kujtesën e popullit te një figurë e vetme, në figurën e princit më me emër, në atë të Lekë Dukagjinit, (Leka III).
Megjithatë, sadoqë edhe prania e emrit të Lekë Dukagjinit gjithandej viseve të Pukës e më gjerë, kjo nuk do të thotë se në Fushë – Blinisht dhe në vise të tjera të Pukës e të Mirditës të mos ketë pasur familje të tjera fisnike si Blinishtët; aq më shumë kur Blinishtët u shfaqën në skenën e historisë dy shekuj më parë se Dukagjinët. Blinishtët – në pjesën e dytë të shek XI, Dukagjinët – në pjesën e dytë të shek. XIII.
Si përfundim,autori I. Balaj duhej të ishte më i kujdesshëm për këto ndodhi e zhvilime, për të cilat nuk mund të heshtja me qëllimin e mirë, për derisa i kam hulumtuar dhe botuar.
Kjo është arsyeja që Blinishtët para se të ballafaqoheshin me Dukagjinë u shtrinë në të dy anët e brigjeve të Fanit të Madh. Në afërsi të Vaut të Madh themeluan një qendër tranziti për në Zadrimë me emrin Blinisht ( i njohur më vonë me emrin –Blinishti i MIRDITËS).
Edhe kisha e Shën Palit (në Shpal të Mirditës) me emrin e abacisë së Kabashit, duhet të jetë themeluar në të njëjtën kohë me qendrën tranzit të Blinishtit.
Kështu, këto dy themelime duhet t’i përkasin kohës, kur Blinishtët e Kabashit të Pukës po forconin pozitat e tyre në viset e Mirditës. Atëherë kjo periudhë mund t’i përkasë mesit të shek. XI-XII.
Është e kuptueshme se çdo familje fisnike, para se të bëjë emër në analet e huaja historike, do t’i duhet kohë për t’u fuqizuar e ndikuar në vise të gjera, aq më shumë për të arritur deri në sferat e mbretërve të kohës.
Blinishtët prej qendrës transit Blinishti u shtrinë në jugperëndim derisa zbritën në Zadrimë, ku Shpërngulën qendrën e tyre princërore, prej së cilës mori emrin e ri Blinisht i ZADRIMËS, i cili u bë qendër e rëndësishme ekonomike e politike e Blinishtëve.
Prej këtu arritën të ishin fare afër qytetit të Lezhës e bregdetit prej ku mundësoheshin lidhjet politike me principatat e tjera shqiptare, si dhe me Perëndimin tej Adriatikut.
Si përfundim, autori Ismet Balaj duhet të ishte treguar më i vëmendshëm për këto ndodhi e zhvillime historike, për të cilat nuk mund të heshtja, sepse po të heshtja, kur i kam botuar te KABASHI, Puka që në lashtësi -2,do te dilja i gabuar.
Prandaj e pashë të nevojshme të shkruaja , sa më sipër, por duke respektuar autorin për botimin në fjalë dhe vëllazërinë DELIAJ, e cila ka qenë e nderuar, si edhe sot me vlera, duke formuar një komunitet jo fort të vogël vital e të vyrtytshëm në Pukë, Tiranë e më tej. Sa më sipër, shpresoj që ky shkrim, siç ndodhë në disa raste, të mos keqkuptohet, qoftë prej autorit, qoftë prej vëllazërisë së mirënjohur DELIAJ, Dakaj etj, sidomos lidhur me prejardhjen prej fisit të fortë Krasniqe. Edhe sot kjo traditë se janë Krasniqe, në Blinisht të Kabashit është TABU. Mbështetje të tilla fisesh gjejmë kudo, p. sh. Fisi i Bobit në Fierzë e Kokëdodë. Nuk u vjen mirë po t’u thuhet se nuk janë THAÇ, po me emrin e tyre bobçor.
Më la përshtypje të mirë Fran GJOKË DAKA, kur e bisedova me telefon me te që nga SHBA, “ Se ju blinishtësit e Kabashit jeni “PIRAJ” e jo Krasniqe” . U mjaftua, duke thënë me një farë habije se “KËSHTU E KISHTE DËGJUAR GJITHMONË PREj TË ATIT dhe të moshuarëve të tjerë të Blinishtit të tyre, se ishin fis Krasniqeje!”

Xhemal Meçi, studiues,
“Mjeshtër i Madh”

 

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes