l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Derisa doli në pension në vitin 1991, punoi si mësues në Shkollën “Pashko Vasa”

Adil Zeqir Zeka, klasiku i fundit në poezinë parashkollore

Para tre muajsh (në mbrëmjen e vonë të 13 shtatorit 2017), papritur por shpejt, ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, shkrimtari për fëmijë e të rinj Adil Zeqir Zeka (01.06.1936 – 13.09.2017), siç është quajtur nga kritika jonë letrare: klasiku i fundit, veçanërisht për prurjen në poezinë parashkollore.
Adilin e njoha, jo vetëm pse prej shumë vitesh jetonim në një qytet (në Shkodër), ishim miq (ndonëse me diferencë moshe), takoheshim pothuajse çdo ditë, por fati e deshi (dhe isha fatlum) të ishim bashkudhëtarë të një misioni të madh e fisnik, krijues të Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.
Për gjatë shumë takimeve ku flisnim për letërsinë e planet krijuese, bisedave të pafund po ashtu edhe të kafeve të panumërta që pinim; shumë mësime mora, shumë urti e përvojë. Ishte jo vetëm shkrimtar me “universitet” jete, por edhe një prind i vlertë.
Zakonisht e niste bisedën, duke përgatitur ngeshëm cigaren me të dredhur. I pinte, çuditërisht me racion. I kishte me numër.
Dhe ishte i prerë në këtë marrëdhënie me duhanin, dhe nuk e tradhtonte fjalën e vet. Shpesh i thoja ta linte duhanin. Çuditërisht nuk më përgjigjej, por vetëm më vështronte dhe heshtëte, ndonëse fjollat e hirta të duhanit i mbulonin herë pas here fytyrën. Ishte njeri i heshtur, i pafjalë. Puna që i besohej e qëndiste. Ishte botë e një njeriu që edhe misterin e kishte mineral me vlerë e të kushtueshëm.
Dhe… as që më shkonte mendja ndonjëherë që, me këtë njeri të afërt, mik të shtrenjtë, do të vinte një ditë pas ca vitesh, kur ai nuk do të shëtiste më me biçikletë udhëve të Shkodrës, nuk do të takohej më me miq, nuk do të shkonte më në lokalin-kafe të preferuar… Çdo ditë bisedat e tij do të bëheshin edhe më të pakta. Ai po luftonte me sëmundjen e rëndë, dhe e humbi betejën me të…
Do të sjell ndër mend se kishte pasur një fëmijëri të trishtuar. Vendlindja e tij kishte qenë Kabashi i Pukës, ku babai i tij, Zeqiri shërbente atje si mësues. Vitet kalonin… dhe Adili përsëri pas gjurmëve të babait… Shkollën 8-vjeçare e kreu në Gjakovë.


ë 1950 familja Zeka kthehet në Shkodër. Në këtë qytet mbaron Shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”. Pasi përfundon Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, vazhdon me korespondencë për degën gjuhë shqipe-letërsi në Universitetin e Tiranës, ku dhe diplomohet.
Nisin shtegtimet e mësuesisë... Shërbeu si mësues në Zapod e Krumë dhe inspektor i arsimit në Kukës. Më pas shërbeu si mësues në Koplik, Gruemirë, Hajmel dhe Koplik i Sipërm. Më 1966 transferohet në qytet, ku jep lëndën e gjuhës shqipe në disa shkolla tetëvjeçare të Shkodrës.
Ka qenë edukator në Shtëpinë e Fëmijës, dhe për 10 vjet ka punuar metodist në shtëpinë e pionierit. Me emrin e tij, jo vetëm si metodist, lidhen dhe shumë librete aktivitesh kulturore-artistike, festivale të këngëve për fëmijë në Shkodër, dhe si autor i shumë tekste këngësh ku një pjesë prej tyre u nderuan dhe me çmime.
Në tre vitet e fundit punoi si mësues në Shkollën “Pashko Vasa”, derisa doli në pension në vitin 1991.
Përveç jetës së mësuesisë, Adili qe dhe një krijues i talentuar i Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.
Ai hyri në këtë udhë letrare, dhe i përket plejadës së krijuesve të viteve ’60, që ende edhe sot mbeten me interesantët, me një shumësi individualitetesh dhe me plot risi në gjini e zhanre (që lëvruan) të letrave shqipe për fëmijë e të rinj. Ai hyri, dhe ishte shpresë.


Ai hyri, dhe qe mjaft premtues për natyrën dhe këndin e vështrimit poetik. Krijimtaria e tij përbën dy udhëtime: - atë të poezisë, poemës, tregimit në vargje dhe – atë të prozës (tregimit, më pak në përrallë dhe romanit). Krijimet shquhen për subjekt dhe të papritura të këndshme, detaje të freskëta, fantazi e humor burimor shkodran.
Njohu psikologjinë dhe botën e asaj moshe që u adresoi krijimet e tij. Me emrin e shkrimtarit Adil Zeka lidhen këto botime: - Anija e çuditshme (Naim Frashëri, T. 1962, bashkautor, vjersha për fëmijë), - Nga e hëna tek e diela (Naim Frashëri, T. 1967, poemë), - Tregim për Komisarin e Dritës (Naim Frashëri, T. 1969, poemë), - Vullnetarët e vegjël (Naim Frashëri, T. 1971, vjersha), - Tring, tring zilja katër herë (Naim Frashëri, T. 1978, vjersha), - Një ketrush mëson në shkollë (Naim Frashëri, T. 1981, poemë-përrallë), - Gjuetarët çamarokë (Camaj-Pipa, Shkodër 1997, vjersha), Aventura mbi Drin (Camaj-Pipa, Shkodër 1999, roman), - Rina, gardalina (Camaj-Pipa, Shkodër 2000, poemë), - Agushi shëtit botën (Rozafat, Shkodër 2008, tregime).


Lënda artistike (poezi dhe prozë) që na la shkrimtari Adil Zeka ka disa karakteristika, që e shquajnë atë, dhe e bëjnë të këtë disa shenja në rrjedhën e historisë së Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, si dhe në veçanti në gjinitë e poezisë dhe të prozës, që autori Zeka i lëvroi me talentin e tij. Po përmend disa prej tyre:
- Veçori e brendshme dhe njëkohësisht përcaktuese në individualitetin e tij si poet ishte se këngët, lodrat, fjalët onomatopeike etj., të fëmijërisë së tij të kahershme ruajti dhe i përdori si tharm në poezitë e tij herë me subjekt e herë meditative. - Fjalori, humori dhe ngjyresat shkodrane mbeten bazale në poetikën e tij. – Trajtimit e temave të ditës vijnë kryesisht përmes ritmit lodërtar dhe distikut (të përdorur dendur dhe me efikasitet) sa veçantues aq dhe përgjithësues, racional dhe hapësinor. Mendoj, që librat:
Një ketrush mëson në shkollë (Naim Frashëri, T. 1981, poemë-përrallë), - Gjuetarët çamarokë (Camaj-Pipa, Shkodër 1997, vjersha), janë arritjet më të mira të poetit në gjininë e poezisë, dhe vetë letërsia shqipe për fëmijë ka pse të krenohet me këto krijime të vlerta.
Gjithashtu, mendoj që, romani Aventura mbi Drin është arritja më e shkëlqyer e krijimtarisë së tij dhe një e përveçme në tipologjinë e romanit shqiptar për fëmijë. Si çdo vepër, edhe këtë krijim në prozën e gjatë e shkroi me dashuri. Njohu gjer në imtësi trevën ku zhvillohen ngjarjet.
Kujtimet dhe përjetimet e viteve të rinisë si mësues gjejnë pasqyrim dhe realizëm, psikologji dhe botë fëminore, aventura të përligjura dhe besimplote, fantazi pa kursim, dhe një polifoni ëndrrash, dëshirash, etj., si ajo botë e magjishme ku “shëtisin” ngjarjet e përplasen personazhet. Vepra mbart një kompozicion, ku elementet e tij ruajnë raporte të drejta dhe homogjenitet. Organiciteti i jep ngjarjve dinamikë dhe tension.
Studiuesi Astrit Bishqemi, mbase është nga të vetmi që është marrë me studimin e disa veprave të shkrimtarit Adil Zeka. Dhe, si mbyllje të këtij shkrimi, po vendos si përkujtim fjalët e studiuesit Astrit Bishqemi, që thotë për romanin Aventura mbi Drin: “Meritë e autorit është se i njeh mirë këto treva dhe na i përshkruan me bukuri e dashuri të veçantë. Informacioni që na sjell ai për to është i madh dhe me vlerë. Madje e gjithë ngjarja në jepet e përceptuar nën prizmin e dy heronjve të vegjël, gjë që e ofron me moshën e lexuesve.”

Kledia Lohja

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes