l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Me rastin e 66 vjetorit të vdekjes së patriotit Sali Hysen Qarri

Qarri i madh i Hasit, sofër e shtruar për Bajram
Currin e luftëtarët e Bashkimit Kombëtar

Isa Halilaj
Studjues

Përvjetori i 66 i ndarjes nga jeta të patriotit Sali Hysen Qarri nga Qarri i Madh i Hasit bëhet nxitje për përkujtim të Tribunit të Vegjëlisë, Heroit të Popullit Bajram Curri, luftëtarëve të lirisë, e të mbështetësve të tyre besnikë.
Jeta dhe veprimtaria e Bajram Currit gjatë 30 vjetëve të qëndresës e luftës kundër pushtuesve osman dhe 13 vjetëve kundër pushtuesve të rinj serbo- sllav ka qenë e lidhur ngusht me gjithë trojet shqiptare, që nga Drenica, Peja e Gjakova me Malësi dhe në Shqiperinë e mesme e deri në Vlorë.
Veç Malësisë së Gjakovës, Bajram Curri bazë strategjike sigurie e mbështetjeje të vazhdueshme deri në mbarim të jetës së tij pati Hasin e hasjanët. Aty la amanetin si testament që varrimi i tij të behëj në Has.
Historia e ka njohur Hasin si një nga qendrat e atdhetarizmës shqiptare, ku kanë marrë rrugë e zhvillim shumë nga traditat themelore shqiptare, ku dhanë kontributin e tyre figura të tilla që nga Pal Hasi, Bogdanët e mëdhenje, Gjon Kazazi e deri te Ndue Bytyci e Shtjefën Gjecovi- luftëtarë të fjalës e të punës për lirinë e për bashkimin e trojeve shqiptare. Hasjanët janë popull vital, atdhetar të vendosur, me lidhje respekti e gadishmërie vecanërisht me Kosovën, për të cilën nuk kanë kursyer gjithë pronën e tyre jetësore si dje në luftë ashtu edhe në paqe.
Bajram Curri dhe udhëheqësit tjerë si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Daklani, Azem e Shote Galica e tjerë, selinë e qendrës për organizimin luftarak për liri e pavarësi dhe drejtësi shoqërore, e vendosën në Qarr, te Qarri i Madh, në kullën e trojet e Sali Qarrit. Fshati Qarr është midis Qafës Prushit dhe qendrës Krumës, ish-prefekturës Kosovës ( Kukësit )që përfshin Tropojë, Has e Lumë, me rrugën për Gjakovë. Kulla e Sali Qarrit ka qenë derë e hapur e sofrës shtruar për udhëtarët, nevojtarët e luftëtarët e lirisë për mbi 30 vjet.

Sali Qarri ( 1886 – 1951 ) kryezot i familjes Qarri i madh i Hasit, bashkë me nanë Halën ( Emri i plotë i saj Halime Qarri )kanë drejtuar një familje të madhe me mbi 60 vetë, vëllezër e kushurinjë, burra e djem, nuse e çika, të gjithë me punë e përpjekje kanë siguruar një jetesë të mirëpër kohën. Përvec arave e livadheve me zabele, kanë ruajtur mbi 600 kokë bagëti. Kulla dhe banesat familjare në Qarr e stanet në Zgjeq, Zahrisht, Dopërdol u vunë në dispozicion të Currit e luftëtarëve të lirisë me pjesëmarrje direkte me armë në dorë ne të gjitha aksionet luftarake që nga Malësia e Qafa e Prushit e deri në Shkup me 1910 – 1912, apo që nga Kruma në Lumë, Dibër, Tiranë e deri në Lushnje e Vlorë më 1924.
Sali Qarri me Bajram Currin pati lidhje Origjine: të dy Krasniqas, me prejardhje nga Kolgecaj. Kjo jepte më tepër siguri besimi e betimi për çështjen kombëtare. Vepra madhore e kësaj familje që u vlerësua nga drejtuesit e Lëvizjes, veçanërisht nga Bajram Curri, ka qenë pritja bujare e gadishmëria që luftëtarëve të lirisë tu krijoheshin kushtet për strehim, ushqim e shërbime, për shërimin e plagëve, veshëmbathje e përtritje forcash. E gjithë kjo gadishmëri e përkujdesje, vec vlerave, përbënte edhe pasoja, se shërbimet e fshehta armike, në bashkëveprim me element të shitur, e patën halë në sy këtë familje të nderuar e prisnin momentin ta shkatërronin. Këtë rrezik e dinin mirë edhe krerët e Lëvizjes. Ndër masat e marra në ruajtjen e kësaj baze, u bënë edhe paralajmërime. Pikërisht për këtë, Bajram Daklani nxori haberin se “ kush prek Sali Qarrin, ka punë me mue” paralajmërim që më 1919 Azem Galica, i cili bashkë me nusen luftëtare Shote Galicën qenë strehuar me ditë e javë të tëra në Qarr e në Golaj të Hasit.
Një meritë të veçantë në drejtimin e familjes Qarri i madh, për kontributin ndaj Bajram Currit e luftëtarëve të lirisë, ka Nanë Hala Qarri ( 1906 - 1985 ) e martuar me Sali Qarrin. Qe bijë kosove e lindur në Goden. Ju përkushtua çështjes kombëtare si përgjigje e urrejtjes që i shkaktuan pushtuesit serb Kosovës e Shqipërisë. Kjo nuse iu bë krah Sali Qarrit në drejtimin e familjes, duke e bërë natën ditë e djersën vlerë e pasuri. Organizatore e shkëlqyer e punëve të shtëpisë, aq sa gratë e çikat e respektonin si princeshë të vërtetë. Për Bajram Currin, Nanë Hala qe më tepër se motër e më tepër se nanë- një bashkëluftëtare trime. Për 20 vjet, i siguroi B. Currit përkujdesje, siguri e gadishmëri për ta mbrojtur edhe me armë. Nana Hala, siç tregonin shoqëruesit, Met Veseli e Arif Isen Kurpali, i ka siguruar B. Currit bukë e bylmet, mish të thatë e mjaltë, në konakun e saj e në malësit e Alpeve nga stanet në Doberdol afër Grykës se Dragobisë.
Bajram Curri e bashkëluftëtarët e tij kanë gjetur mbeshtetje e bashkësiguri edhe në familjet tjera të Hasit si te Sulejman Brasha në Helshan e Mehmet Ali Saitit në Vlahën, te Tahir Hoxha i Tregtanit e Kastrati i Brrutit, te Kurpalët e Letajve e Haxhiajt e e Zarishtit e tjere. Hasjanët e ruajtën edhe mbështetën për jetë e vdekje këtë Hero të Vegjëlisë, duke përballuar edhe reprasaljet e tmerrshme të pushtuesve serb apo veglave serbofile të vëna në sherbim të tyre.
Bajram Curri, si një na figurat kryesore të Lëvizjes Kombëtare, u shqua si udheheqës politik e ushtarak në kryengritjet popullore anti osmane dhe në luftën për çlirim e bashkim kombëtar, u vu në krye të qendresës së armatosur në Kosovë për mbrojtjen e trojeve shqiptare të kërcenuara e pushtuara nga serbo- sllavët. Ka ndihmuar klubet shqiptar e Kongresin e Manastirit në mbarvajtjen e tyre dhe në hapjen e shkollave shqipe. Bashkë me Isa Boletinin drejtoi kryengritjet në Kosovë 1910 – 1912 në betejat e fituara nga Qafa e Prushit e deri në Shkup. Gjithnjë ka drejtuar kryengritjet anti serbe nga 1913 e deri 1924. Si nënkryetar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës u vu në mbrojtje të Kongresit e Qeverisë Lushnjës, e si Komandant i Përgjithshëm i operacionit realizoi spastrimin e çlirimin e zonave të pushtuara nga serbët, si Koplikun, zonën strategjike serbe dhe udhëhoqi bashkë me A. Zogun zhbërjen e “ Republikës së Mirditës” e organizuar e mbështetur nga serbët.

E vërteta historike është se Bajram Curri, në gjithë veprimtarinë e tij, me bindje e veprime, qe edhe mbetet një nga figurat e spikatura demokratike shqiptare. Punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, ku respektohen të drejtat e vegjelisë, kundër rendit diktatorial të bejlerëve edhe bajraktarëve. Dha prova kundër esadisteve , zogistëve apo kryezinjëve, të lidhur me Pashiqin, idhëtar të sundimit diktatorial. Si idealist u bashkua me Lëvizjen demokratike të viteve ’20, udhëhoqi si një nga krerët kryesor, Revolucionin e Qershorit 1924 në rrëzimin e Qeverisë së Zogut.
Pas prishjes përfundimtare me Zogun, kur ky u bë kryeministër në dhjetor 1922, Bajram Curri përfundimisht u vendos në zonën e Malësisë së Gjakovës e kryesisht në Has, i ndjekur për asgjësimin nga agjentura serbo - malazeze e përkrahësit e tyre vendas.
Kjo agjenturë me tradhëti e pabesi, krahas masakrimit masiv të popullatës shqiptare, me program të caktuar ka vrarë ajkën e udhëheqjes shqiptare për kohën, si Haxhi Zekën, Çerciz Topullin, Mehmet Shoendin, Dod Gjon Lulin, Isa Boletinin, Azem Galicën e më vonë edhe Avni Rustemin e Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e Hasan Prishtinën e deri Elez Isufin etj.
Në janar 1925, në kullën e Sali Qarrit, siç kanë dëshmuar Sali Qarri, Met Veseli, Sali Mani, sekretarët Niman Ferizi e Tahir Zaimi, Bajram Curri la amanet, që sido që të vinte vdekja, varrimi ti bëhej në Has. “... jemi në luftë e vdekën e kemi më afër se këmishën e trupit. Ndaj, pa marrë parasysh sesi e ka shkruar Zoti vdekjen time, trupi im të sillet në këtë vend ku jemi, në shtëpinë e Sali Qarrit dhe të varroset në Has” kujtonte edhe nëna Hala e i biri Hysen Qarri.
Në mars 1925 xhandarmëria shqiptare, e ndihmuar edhe nga agjentura serbe, e ngushtoj shumë rrethimin, edhe dimrit të ashpër, bënë që Curri t’i shpërndajë mbi 100 mbështetës të tij kosovarë me Nexhip Dragën në krye, duke mbajtur reth vetes vetëm më pak se 10 veta.

Më 29 Mars, në rrethanat që dihen u dha lajmi i vrasjes së Tribunit të Vegjëlisë Bajram Curri. Lajmi i vrasjes së B. Currit, si gjithë shqiptarët, tronditi rënd Nanë Halimen e Sali Qarrin. E gjithë familja Qarri e Hasi mbarë u vunë në përpjekje për tërheqjen e trupit të Heroit për plotësimin e besës që kishin dhënë në zbatimin e amanetit për varrosjen e tij në Has. Egzekutorët me trupin pa jetë, tërhequr në një vllaj lisi, me shantazh e kërcënim arritën ta përplasin para derës së Sali Qarrit me Sali Qarri Halë Qarri shprehjen: “Guxoni ta fusni breda... do t’ju djegim të gjallë...” e u turrën të presin berret për ushqimin e xhandarëve e të “djegin shtëpinë” ....


Sali Qarri e Nanë Hala, me pikëllimi e guxim, e mbuluan më trup kufomën dhe e tërhoqën në konakun e tyre. E lanë, e pastruan dhe e veshën me kostumin e ri, gati për varrim. Vetëm pas tri ditësh u lejua varrimi i Currit në Krumë. Morën pjesë mbi 2000 veta hasjanë, malësorë e kosovarë. Për çudine e të gjithëve Prefekti Kryezijas vrasjen e këtij Kreshniku e quajti aksidentale e gjithë kjo për kapital politik të atyre që të vrasin natën e të vajtojnë ditën.
Familja Qarri i madh dhe Hasi e Malësia e realizuan amanetin e Kryetrimit për tu varrosur në Has. Po Zogu u hakmuarr ndaj Hasit me izolim duke transferuar qendrën e Prefekturës nga Kruma në Kukës. Ndërkohë, megjithëse familja Qarri e Hasi qenë bazë sigurie edhe për njësitë partizane, që në beteja luftarake, me emrin e Bajram Currit korrnin fitore, agjentura jugusllave e ajo Kocixoxiste, në vitet 1945 – 1948, familjen e Sali Qarrit e shkatërruan në mënyrën më barbare, me konfiskim pasurie, burgime, internime të pjestarëve të familjes. Dash Ahmet Qarri u shua në burgun e Shkodrës, Selim Qarri në pushkatim, ndërsa Imer e Abaz Qarri internohen në Tepelenë. Të gjithë bijë të Qarrit madh, familje së cilës iu mbyll dera e u shpërbë e coptua përfundimisht. Sali Qarri, në prag të vdekjes, me ndihmën e Man Pogës, deputit i Hasit, me anën e një fotografie të B. Currit që prapa kishte të shkruar amanetin për varrimin në Has, u bë shkas që, pas klasifikimit të luftëtarëve popullor, e ngritjes se Currit piedestalin e Heroit Kombëtar për Shqipëri e Kosovë, edhe familjes Sali Qarrit iu dha titulli “ Familjee Patriote ”e nënë Halës – “ Nënë Heroinë ” . Pas vdekjes Sali Qarri më 1951, nëna Halë Qarri do të nderohej e ftohej në takimet solemne me udhëheqësit e shtetit në Has,, Kukës, Tiranë e deri në Vlorë. Po familje Qarri si dikurë nuk pati më.


Për Bajram Currin janë bërë studime të plota shkencore nga Institutet e Historisë Tiranë e Prishtinë. Figura e tij u bë objekt trajtimi në letërsi , art e muzikë, kurse emri i këtij heroi u përjetësua në emërtimet e institucioneve, rrugëve, vendeve e Kolgecaj mori emrin e “ Qyteti i Bajram Currit ”. Dragoi i Dragobisë qe edhe mbetet si një nga figurat më popullore në zemrat e shqiptarëve brenda e jasht atdheut.
Në lëvizjen Demokaratike të 1990 – 1999 figura e Bajram Currit dhe demokratëve të viteve ‘ 20 - ’30, u përdorën si flamur frymëzimi në protesta e mitingje për liri demokraci. Por, për çudi, pas këtyre viteve gjithçka u zbeh, e u hesht pa asnjë shkak. Kjo si duket erdhi nga fluiditeti politik elitar i udhëheqjes partiake që e vunë shoqërinë shqiptare, pas ndryshimit të sistemeve, në pozitat e feudalizmit partiak e parcelizimit qeverisës, duke shkelur çdo parim kushtetues e moral në Shqipërinë e sotme. Sensi i ecjes përpara në realizimin e idealeve demokratike u stopua në drejtimin e së kaluarës, në fronzimin e Zogut në bulevardin Dëshmorët e Kombit, e presidenca e radhes, pa asnjë analizë, dha e jep titujt e dekorata kolaboracionistëve që mbështetën pushtimin e vendit e vranë figurat demokratike atdhetare.Koha dhe nevoja kërkojnë kalimin e kësaj situate që gjërat të njihen sipas meritës e vendit të tyre, në ecjen përpara në rrugën e demokracisë në të kaluarën që lamë pas e jo prapa.
Populli thotë se gjaku nuk bëhet ujë. Fjala është për gjakun e dëshmorëve e heronjëve të atdheut . Ky gjak qarkullon i ngrohtë në arteriet e historisë kombëtare si nxitje e frymëzim parmanent për brezat në realizimin e Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe demokracisë së vertetë.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes