l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

NJË FLETORE E RRALLË SHËNIMESH PËR LETËRSINË, E MBAJTUR NË QELI

DITARI I GJENERAL PARLLAKUT PËR LIBRAT QË LEXONTE NË BURG


Nga HALIL RAMA

• Cilët ishin librat që ë mbajtën gjallë pas torturave të hetuesisë, titujt dhe komentet


Librat do të ktheheshin në të vetmin ngushëllim për të gjatë 16 viteve e 3 muajve burg. Gjeneral Rrahman Parllaku do të kalonte 11 muaj në hetuesi bashkë me të tjerë puçistë të ushtrisë, si Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Më tej qelia. Pikërisht aty gjenerali do të mbahej në këmbë përmes leximeve. Gjatë viteve të dënimit, Parllaku ka mbajtur një fletore shënimesh për të 96 librat që ka lexuar në burg. Letërsi botërore dhe shqiptare, mbi të cilët mbante shënime të shkurtra.
Edhe pse sot vlerësimet e tij mund të duken pak skematike e të ndikuara edhe nga metoda e kritikës së kohës, ato janë një lëndë interesante për një studim mbi letërsinë e lexuar në burgjet e diktaturës. Përmes një shkrimi për gazetën “Panorama”, Halil Rama sjell jo vetëm përmbajtjen e ditarit të librave, mbajtur në qeli, por edhe copëra kujtimesh nga ajo periudhë tmerri, cilët ishin hetuesit e oficerët, ata “të vijës së partisë” dhe ata njerëzorët, që thyenin rregullat me një gjest sado të vogël humanizmi. Si iu vu leximit dhe ku i siguronte librat.

* * *
Gjatë 17 viteve të vuajtjes së dënimit në burgjet e diktaturës, njeriu-legjendë në kufirin e dy kohëve, lexoi dhe konspektoi 96 vepra të autorëve më të njohur të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Brenda kalvarit të vuajtjeve në 16 vite, 3 muaj e një ditë, të kaluara në burgjet e diktaturës, bën pjesë dhe një fletore shënimesh, si “pasuri e rrallë” e Heroi të Popullit dhe Nderit të Kombit, gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku. Një fletore aritmetike e kohës së largët, e zverdhur nga pesha e viteve, e kodifikuar “Shënime nga librat e lexuara në vitet e vuajtjes të dënimit në burg, 16 dhjetor 1974 – 17 mars 1991”, brenda 32 faqeve të shfrytëzuara maksimalisht, rresht për rresht, bart vlera të veçanta, të lidhura pazgjidhshmërisht me formimin e Heroit – legjendë, në kufirin e dy kohëve. Është kjo fletore dëshmi e aftësisë së tij për të mos e prishur miqësinë me librin edhe në kushtet e inkuizicionit më të egër. Njëherazi dhe e njeriut, që dhe në ato kushte ka ditur të përveçojë për të lexuar ata libra që mund të ndikonin në formimin dhe forcimin e karakterit dhe të identitetit të tij.
Duket qartazi kjo te “ditari i mbajtur”, për çdo libër të lexuar, ku në pak rreshta ka shënuar: autorin, temën, idenë dhe veprimet e personazheve”. Gjejmë në këto shënime, jo vetëm një lexues të thjeshtë, por intelektualin erudit që arrin të konkludojë për vlerat dhe mangësitë e çdo vepre. E bën këtë, jo vetëm për autorë shqiptarë, por dhe për kolosë të letërsisë botërore. Le të fillojmë me “Ne Zhelianët” të autorit Saverino Strati, ndër librat e parë që Parllaku ka lexuar në burg, në përfundim të të cilit ka shënuar se: “Autori përshkruan në roman, gjendjen e rëndë të popullit në Italinë e Jugut, shtypjen, shfrytëzimin që u bëhet masave punonjëse.
Këtë gjendje e rëndon shumë mërgimi, që i detyron njerëzit të shpërndahen në vende të ndryshme të botës, të ndarë nga familja dhe bëjnë punët më të rënda, përveçse ndjejnë edhe përbuzjen e padronëve e vendasve”. Është kështu, në pak rreshta një roman i tërë, i një prej autorëve më të zëshëm…. Kësisoj, Rr.Parllaku i përmbahet besnikërisht filozofisë së Platonit, sipas të cilit “Ngadhënjimi i parë dhe i madh është ngadhënjimi i vetvetes. Të jesh i mposhtur nga ana e vetvetes është gjëja më e turpshme dhe më e mjerueshme”. Ai nuk u mposht nga torturat më mizore…
Libri ia mbajti të gjallë kujtesën dhe e ndihmoi të ruante freskinë e mendimit e veprimit edhe pasi kishte provuar torturat më mizore të hetuesisë Speciale. Në formimin e Rr.Parllakut që kishte marrë shkëlqyeshëm dy klasë të fillores brenda një viti shkollor dhe që po me atë zell për dijen e arsimimin kishte mbaruar më pas edhe Akademinë Ushtarake në Moskë, libri do të kishte ndikim të veçantë.
Me vizionin e largpamësinë e intelektualit të formuar në zjarrin e luftës për liri dhe të mirëarsimuar deri në Akademitë ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, pa e ditur se një ditë kjo fletore do të shërbente si ekzemplar i rrallë për studiuesit e letërsisë, do të hidhte në të, deri edhe elementë të spikatur të kritikës letrare. Kështu, nëse tregimin autobiografik “Kikoja” e konsideron realist, pasi “në të përshkruhet jeta e shtresave të varfra, të cilat në kushtet e shtypjes kanë filluar të zgjohen, kërkojnë të organizohen e të luftojnë, ata mashtrohen nga socialistët e revizionistët, që janë në shërbim të borgjezisë”, për romanin “Prova e zjarrit” të Sabri Godos, lexuesi Parllaku, në kushtet e burgut, shprehet se “ky roman nuk e ka nivelin e veprave të tjera të këtij shkrimtari!”.
Më tej në këtë fletore shënimesh të mbajtura nga gjeneral Parllaku gjatë viteve të burgut për kryevepra (shënime këto që përbëjnë një thesar të rrallë), gjejmë vlerësime objektive për kryevepra të letërsisë botërore, si për romanin “Te shpella prapa palmave” të Anh Duk; “Beteja vazhdon” të Stiv Nelson; “Shoqja Anjezë” të Renato Vigano; “E kuqja dhe e zeza” të Stendal; “Dita, bijë njeriu” të Martin Andersen Nikse; “Shigjetat e zeza” të Robert Lui Stivenson; “Evgjeni Grande” e “Fshatarët” të Honore de Balzak, si dhe për dhjetëra kryevepra të tjera botërore…
Por gjenerali, ish-deputet i tetë legjislaturave të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, ku që në të parën pati fatin të ulej në një tavolinë me Sejfulla Malëshovën e Aleksandër Xhuvanin dhe që kishte përfituar nga përvoja e tyre edhe për punën me librin, kurrsesi nuk mund të anashkalonte autorët shqiptarë. Kështu, gjatë viteve të ferrit në burgun famëkeq të Burrelit, ai lexoi me interes të jashtëzakonshëm dhe konspektoi romanet: “Belxhiku që këndonte vençe” të Shevqet Musarajt, “Njeriu me top” të Dritëro Agollit; “Lulja e kripës” të Jakov Xoxes”, “Zëri i largët i kasolles” të Frederik Reshpes, “Do të jetojmë ndryshe” të Dhimitër Xhuvanit, “Përballimi” të Teodor Laços, “Ditë me furtunë të Resul Bedos, “Dueli i madh” të Ali Abdihoxhës e disa romane të tjerë.

(vijon nr. e ardhshëm)






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes