Nga Sakip Cami
Citojmë në fillim variantin e Gian Carlo Fuscos:
“Beteja e Dibrës e prillit 1941, ndonse e lënë në heshtje nga historiografia zyrtare shqiptare dhe më gjërë, u zhvillua nga 3 deri më 11 prill të vitit 1941 në luginën e Drinit, në zonën ndërmjet Zerqanit dhe qytetit të Dibrës.
Kjo luftë shkaktoi jo vetëm me qindra të vdekur nga të dy palët, italianë dhe jugosllavë, por shkaktoi dëme të shumta në njerëz e materiale ndër popullsinë shqiptare këtej e andej kufirit.
U zhvillua me urdhër të Musolinit vetëm për t”u treguar gjermanëve se sa i aftë është ai dhe ushtria e tij edhe pse ushtria gjermane po marshonte nëpër Jugosllavi me ritme të përshpejtuara dhe pa hasur asnjë pengesë.
Me urdhër të Musolinit me 1 prill 1941, Divizioni Italian “Cuneense” që po organizohej për të sulmuar Këlcyrën, u transferua me urgjencë në Zerqan, me objektiv zyrtar për të mbyllur luginën e ngushtë të Zerqanit në rast sulmi nga ana jugosllave drejt Tiranes. (Linja blu e hartës). Me 3 prill trupat italiane të këtij divizioni, batalionet “Pieve di Teco” me makina dhe “ Ceva” e “ Mondovi” në këmbë mbërritën në Zerqan.
Me 8 prill 1941, dy ditë pasi Gjermania i kishte shpallur luftë Jugosllavisë dhe po marshonte kudo pa hasur rezistencë, trupat italiane të sapo ardhura së bashku me divizionet “Firence” dhe “Puglie” u vendosën në formacione luftimesh në formë pince (dare) nga Qafa e Prevallit e deri në Pocest.
Me 9 prill trupat italiane të ndara në dy kolona, njëra nga veriu e tjetra nga jugu marshuan drejt qytetit të Dibrës. (2 linjat e kuqe të hartës).
Kushtet klimatike shumë të këqija, reshje të shumta dëbore, acar dhe dhe mjegull e dendur që pengonte shikimin, vështirsonin tej mase ecjen përpara.
Ndonse trupat gjermane ndërkohë kishin marrë qytetin e Prilepit, vetëm 85 km në vijë ajrore në lindje të qytetit të Dibrës dhe po marshonin pa pengesë drejt qytetit te Dibrës nga lindja, trupat italiane për 2 ditë mbetën të bllokuara nga ushtria jugosllave dhe zjarri i artilerisë dhe nuk arritën të bënin asnjë hap përpara. Me 11 prill 1941, me kapitullimin e ushtrisë jugosllave nga ushtria gjermane dhe ndërprerja e luftimeve, ushtria italiane mundi të hynte në qytetin e Dibrës.
2 ditë luftime të kota, thjesht nën moton e Duçes “ Do i thyejmë kockat armikut dhe do i tregoj Hitlerit se kush është ushtria italiane”! Ushtria Italiane e përgjysmuar dhe e demoralizuar pas 6 muaj humbjesh me ushtrinë greke, i shpalli luftë Jugosllavisë, duke sulmuar në Dibër dhe në Koplik. Në Koplik u thye dhe trupat jugosllave arritën deri në Vrakë dhe rrezikuan Shkodrën, kurse në Dibër nuk bënë asnjë hap përpara, por rrezikuan thyrjen dhe lënien e lirë të rrugës për Tiranë.
Përparimi në mënyrë të përshpejtuar i ushtrisë gjermane nga Prilepi në Dibër të madhe, solli kapitullimin e trupave jugosllave dhe shpëtoi italianët nga thyerja e plotë.” Sikurse duket nga harta, vijat e kuqe, divizioni pasi përqëndrohet në Zerqan, marshon në dy krahë, të majtë dhe të djathtë që synojnë Dibrën e madhe. Brenda kësaj dare janë fshatrat Strikçan, Lubalesh, Viçisht, Pasinkë, Çerenec, Shupenzë, Topojan, Bllatë e epërme, Maqellarë.
|