l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

-Nga jeta e "Kolonel bunker - Josif Zegali"-
Vdekja e diktatorit

Nga Vojsava Zegali

Një buzëqeshje e hollë i mbeti në buzë bashkë me idenë që emri i tij me siguri ishte përmendur në shtëpinë e Kurtajve. Vërtët që edhe ata ishin nga Lushnja si ai, patriotë siç thuhet në të tilla raste, por përveç fqinjësisë e respektit reciprok, asgjë më shumë mes tyre.
Kishin mundur të transefoheshin nga Lushnja në Tiranë ndoshta menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet por gjithësesi, ky fakt nuk i kishte shpëtuar prej persekutimeve pasi edhe këtu njiheshin e trajtoheshin si familje të deklasuarish. Asnjë prej tyre nuk ishte lidhur me pushtuesit e asnjë nuk i kishte lyer duart me gjak, por si të pasur që ishin, pronarë tokash, i konsideruan kulakë duke ju konfiskuar gjithshka, mallin e gjënë. I madhi i familjes pati fatin të kishte katër djem e më i madhi prej tyre përsëri djalë. Shtëpia ishte e vogël, përdhese por me oborr, gjë që e bënte paksa më të lehtë bashkëjetesën mes tyre, sidomos pas ardhjes së nuseve. Vajza të ardhura nga fshati por njëra më e bukur se tjetra e njëra më e respektuar se tjetra. Shoqet mbase i kishin zili se ishin martuar në Tiranë e këmba ju shkelte vetëm në asfalt, ujin e kishin brenda, por nuk mund të imagjinonin se edhe atje lufta e klasave ishte e ashpër si kudo. Fati e desh që djemtë të ishin punëtorë e fjalëpakë, e nuk përziheshin as me shoqëri të këqia e as me politikë. Vështirësitë i vuanin brenda vetes pa nxjerrë jashtë as më të voglën ankesë. I ruheshin sigurimit të shtetit që i kishte tërë kohën nën shënjestër, por edhe ndonjë komshiu të lig, sekretarit të partisë së bllokut e shokëve të tij që mezi ç'prisnin të "zbulonin armikun e rradhës".
Më i vogli i Kurtajve nuk ishte më shumë se 7 apo 8 vjeç atë 11 prillin e vitit 1985. Ç'të kishte dëgjuar vallë nga më të mëdhenjtë e familjes së tij? Ishte shkëputur nga shokët, kishte lënë lojën dhe sa e pa të merrte kthesën e pallatit i afrohet duke i thënë me zë të ulët:
"Xhaxhi Josif, e more vesh, vdiq ai!" I ishte afruar edhe më pranë e me një zë konfident e plot kënaqësi kishte shtuar: " Shyqyr që vdiq se do na kishte ngrënë të gjithëve!"
I kishte buzëqeshur fëmijës duke i përkëdhelur kokën dhe kishte marrë shkallët për në shtëpinë e tij.
Tirana zjente nga brenda. Lajmi i vdekjes së diktatorit kishte kaluar kufijtë e vendit duke e kthyer Shqipërinë e vogël në vëmendjen e ndërkombëtarëve. Një shpresë e zbehtë ngrohte shqiptarët e harruar edhe nga vet Zoti për një hapje sado të vogël drejt Perëndimit. Në skenën e madhe luhej drama e vdekjes së diktatorit. Letra ngushëllimi, poezi, të qara me ligje, kortenjë të pafund njerëzish që vinin nga çdo cep i Shqipërisë, me biografi të kontrolluar sigurisht, njëpërnjë deri në brez të katërt, ndërsa dielli vazhdonte të shkëlqente mbi vend. Pikë shiu ato ditë, qielli i pastër e pa asnjë re. Nuk patën rastin të thuhej "edhe moti qau"!. Lulet kishin veshur lëndinat si çdo pranverë, pemët hijeshonin nga gjelbërimi, zogjtë këndonin, çiftet dashuroheshin andej nga liqeni, ndërsa sigurimsat vazhdonin punën e tyre deri në vetmohim. Vetëm korbat e zeza që historikisht jetonin pranë pemëve të bulevardit "Dëshmorët e kombit" vazhdonin jetën e zakonshme dhe fluturimet e tyre mbi godinën e Komitetit Qendror dhe Kryemistrisë.
"Kraaaa! Kraaaa! Kraaaa!"
Josifi ngjiti shkallët dhe hyri në shtëpinë e tij, një apartament i vogël ndërtuar me punë vullnetare nga punonjësit e Ndërmarrjes së Ndërtimit "21 Dhjetori". Pas futjes në burg me akuza të rënda si "tradhëti ndaj Atdheut", "sabotim të fortifikimit", "shpërdorim të pozitës zyrtare", "shpërdorim të burimeve financiare", "agjitacion e propagandë" etj, (akuza që sikur edhe vetëm njëra prej tyre të vërtetohej), pushkatimin e kishte të sigurtë. Familja e tij largohet me forcë nga vila në rrugën "Vaso Pasha". Elenit e vajzave ju desh të përballeshin edhe me këtë dhimbje, duke lënë pas një jetë të tërë. E kishin parë të rritej e kishin kontribuar të zhvillohej ajo lagje, të lindnin fëmijë, të vinin nuse të reja, të ndërtoheshin pallate e të hapeshin rrugë të reja. Kishin marrë pjesë në gëzime e hidhërime duke patur një fjalë të mirë e duke u bërë ndihmë për gjithkënd. Nuk e kishin besuar kurrë që do vinte një ditë që ata fqinjë të mirë të ndrronin rrugë për të mos i përshëndetur, apo askush të mos ju jipte një dorë ndihmë në mbledhjen e trasportimin e plaçkave. Kamioni dhe policia priste poshtë në rrugë. Përtej perdeve fqinjët shihnin me keqardhje tragjedinë e rradhes duke ndjerë frikë brenda vetes. Sytë i mbanin të fshehur e nuk ja tregonin askujt se atë familje të respektuar e donin edhe gurët e sokakut. Ballkoni plot lule do të boshatisej kurse shtëpia e tyre do të mbushej nga një funksionar i lartë i diktaturës komuniste dhe familja e tij.
Në këto katër-pesë vitet e pasburgut i ishte dedikuar punës studimore. Çdo mëngjes i drejtohej Biblotekës Kombëtare, për të gjetur sa më shumë materiale për studimin e tij të fundit: "Fortifikimi shqiptar dhe botëror në shekuj"*. Ishte ende shumë i ri në moshë për të ndenjur duarkryq e për të "gëzuar" pensionin e parakohshëm. Ai që kishte projektuar e ndërtuar aeroportin ushtarak të Gjadrit, bazën ushtarake të Pashalimanit e shumë baza të tjera në të gjithë vendin, papritur e sheh veten me hekura në duar, me urdhër të atij, komandantit të lartë, të gjithëpushtetshëm, jo një herë por plot dy herë. "Agjent i Moskës" apo i "imperialistëve perëndimorë" e kishin quajtur. "Na thuaj kujt i shërben, se Partia e di?!". Vet Mehmet Shehu i pat thënë njëherë: "Josif Zegali, ata të dinë edhe sa dhëmbë ke ti në gojë!". Shef i Shtabit të Xhenjos e më pas Drejtor i Fortifikimit të gjithë Ushtrisë, i duhej të mbrohej e argumentonte shkencërisht se skemat e fortifikimit dhe bunkerët e mbjellë anekënd vendit ishin komplet të gabuara. Ishte ai që kishte shkruar Manualet e Armës së Xhenjos që përdoreshin nga Akademia Ushtarake. I diplomuar me medalje të artë në Akademinë Ushtarake në Moskë, ishte kuadri më i përgatitur dhe inxhenieri më i aftë në atë kohë në të gjithë vendin. Kush dinte mbi fortifikimin më shumë se ai?!. Por kishte nga ata që i bindeshin urdhërave të Partisë: "çdo shqiptar një bunker", duke bërë krimin më të madh ndaj ekonomisë dhe ekologjisë së këtij vendi me bukuri përrallore. Enver Hoxha pasi kishte lexuar letrën e tij prej 18 faqesh kishte bërë një shënim me dorën e tij, duke e ironizuar: "Ky birçe do të na mësojë si të fortifikojmë vendin. Të kalbet në burg!"
Në mendje i mbeti fraza e të voglit "shyqyr që vdiq se do na kishte ngrënë të gjithëve". Në përfyryrimin e fëmijës, Ai, diktatori i vdekur, tashmë i shtrirë, i ftohtë si akulli, që ruhej me roje brenda e jashtë qelive të morgut të Tiranës, ishte si kuçedra e vdekur. Si për çdo krijesë të keqe mitologjike që nxin qiellin, shkreton tokën e than burimet, me vdekjen e saja natyra lulëzon e jeta rilind. Ajo kuçedër e keqe do të kish ngrënë edhe mishin e njomë të nipit të vogël të familjes Kurti.

(*) – Një kopje e këtij studimi ndodhet në arkivat e Insitutit të Studimeve Ushtarake në Tiranë




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes