l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 


Ç'farë ndodhi më 16 Qershor 1924. Kush ishte roli histork i Nolit?!

Nga Neki Çako

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese më 17 dhjetor të vitit 1923 e cila do të përcaktonte formën e regjimit mori fund. Asambleja Kushtetuese e mbledhur më 21 janar 1924 , nuk mundi ta përcaktonte formën e regjimit. Trazirat e jetës politike e detyruan Ahmet Zogun të japë dorëheqje si kryeministër. Pas plagosjes në një atentat Avni Rrustemi vdiq, pas dy ditësh më, 20 prill në Vlorë. Kjo gjë shkaktoi pakënaqësi të përgjithshme ndaj qeverisë dhe deputetët e opozitës e shfrytëzuan këtë moment. Pas varrimit të Avni Rrustemit, në Vlorë më, 2 maj të 1924 u organizua një kuvend dhe i dërguan qeverisë dy memorandume në formë ultimatumi. Qeveria bëri një heshtje të madhe ndaj këtyre memorandumeve të cilat ishin për vrasjen e Avni Rrustemit si dhe për veprimtarinë e Ceno Kryeziut. Më tej ndërkohë, shoqëria "Bashkimi", i drejtoi nga Vlora më, 5 maj një thirrje gjithë rinisë shqiptare për kryengritje. Për drejtimin e kryengritjes, u formua në Vlorë një komision i kryesuar nga Fan Noli , që caktoi drejtimet e veprimeve ushtarake. Ato ishin grupuar në tre rajone ku drejtoheshin nga Bajram Curri , nga Rexhep Shala dhe Kasem Qafëzeza. Kryengritja filloi më 24 maj me sulmin e Bajram Currit mbi Krumën. Në ditët e para të kryengritjes së qershorit, ranë Shkodra , Përmeti , Berati , Fieri dhe Peshkopia. Më 16 qershor , u formua qeveria e përkohshme e kryesuar nga Fan Noli. Në programin e saj parashikohej do të ishte ç'rrënjosja e feudalizmit dhe vendosja e demokracisë. Qeveria donte marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet . Qeveria zvëndësoi, pjesërisht nëpunësit e vjetër me të rinj , filloi ç'armatimin, konfiskoi pasurinë e ish – funksionarëve të qeverive të mëparshme të larguar nga Shqipëria. Programi i qeverisë nuk u zbatua , gjë që dobësoi ndikimin e qeverisë në shtresat e gjera shoqërore dhe gjithashtu, qeveria e Fan Nolit , e ardhur në pushtet nëpërmjet kryengritjes nuk u njoh nga qeveritë e vendeve të tjera dhe u quajt qeveria e majtë e ardhur në pushtet me metoda bolshevike. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve , Fan Noli hodhi poshtë kërkesat e fqinjeve dhe ai protestoi edhe kundër shprënguljes së çamëve nga qeveria greke me rastin e Traktatit të Lausannës . Më 10 deri me 13 qershor 1924 , nëpërmjet territorit të Jugosllavisë, forcat e Ahmet Zogut sulmuan në disa drejtime dhe më 24 dhjetor 1924 ato hynë, në Tiranë, duke e përmbysur qeverinë e Fan Nolit. Ende dhe sot flitet shumë për Revolucionin e qershorit të vitit 1924. Komentet janë nga më të ndryshmet. Disa thonë ishte grusht shteti, disa revolucion, disa kryengritje, disa revoltë. Po! Prof. Kristo Frashëri si do ta cilësonte këtë ngjarje të madhe historike? "Shpesh është folur se ngjarjet e qershorit 1924 nuk qenë "revolucion", mbasi në ato ngjarje nuk u derdh gjak. Me gjakderdhje mund të lidhet kryengritja apo revolta apo grushti i shtetit, por jo revolucioni. Arsyeja se kryengritja apo grushti i shtetit nënkuptojnë luftën për pushtet, luftën për të shtënë në dorë drejtimin qeveritar të një vendi pa sjellë ndryshime, për përmbysjen e rendit të vjetër, politik, ekonomik, shoqëror, juridik, ose kulturor. Revolucioni nënkupton përmbysjen cilësore të një situate apo të një rendi të vjetër dhe hapjen e rrugëve drejt një situate të re apo drejt një rendi të ri politik, ekonomik, shoqëror, juridik ose kulturor" thekson ai. Pse dhe si lindi revolucioni i 1924-s? Kush ishin ambiciet, objektivat, aleancat, rrugët, mënyrat e marrjes së pushtetit? Pra pyetjet janë të shumta, pasi dhe dokumentacioni nuk është i bollshëm por, në lidhje me gjithë zhvillimin e revolucionit Prof. Alfred Frashëri thekson se: "Në atë kohë opozita demokratike me parimet e ekonomisë së tregut e kryesuar nga Fan Noli vendosi ta përmbyste qeverinë konservatore të Ahmet Zogut. Nëse qeveria demokratike e Fan Nolit, e cila zinte në atë kohë një pozicion të majtë do të synonte vetëm përmbysjen e qeverisë së djathtë pa e cenuar strukturën politike-ekonomike-shoqërore-juridike-kulturore të vendit, do të kishim një kryengritje të zakonshme, një kacafytje për pushtet. Në të vërtetë, opozita demokratike synonte të ndryshonte jo vetëm përbërjen e qeverisë, por edhe parimet e djathta që ajo mbronte. E vërteta është se më 1924 në Shqipëri sundonin ende normat ligjore dhe kushtetuese të trashëguara nga Perandoria Osmane për arsye se me Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 Shqipëria kreu vetëm një "revolucion" politik. Dihet se qeveria e Fan Nolit për shkak të kohës së shkurtër që qëndroi në fuqi, nuk i vuri dot në jetë reformat e saj. Synimi i lëvizjes ishte ndryshimi cilësor i pronësisë të tokës bujqësore dhe derisa moszbatimi i reformës ndodhi jashtë vullnetit të qeverisë, lëvizja nuk e humbi karakterin e saj revolucionar. Qeveria e Nolit mund të quhet si një qeveri e dështuar në fushën e zbatimit të revolucionit, por gjithsesi me detyrën që mori përsipër ajo mbeti deri në fund qeveri revolucionare. Programi i Qeverisë Noli përmbante në vetvete esencën e mendimit të përbashkët të intelektualëve demokratë, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa asnjë mëdyshje, do thënë se, mes tyre, figura e kryepeshkopit Fan Noli ishte më e kompletuara. Sipas Prof. Nasho Jorgaqi "Masat e para që mori Noli Kryeministër, filluan nga thjeshtësimi i aparatit deri në 40%, duke vene veten në krye,nga tentativa për të larguar nëpunësit e diskredituar politikisht e duke lenë jashtë shume njerëz të devotshëm të Bashkimit e të Vatrës. Kabineti i ri , ndonëse u prit me entuziazëm nga populli dhe u përshëndet formalisht nga qeveritë europiane, nuk arriti të bëjë as betimin zyrtar. Noli, sipas nenit 51 të Statutit, mori detyrën e Këshillit të Naltë. Ishin mbi dyzetë projekt dekretligje që prisnin firmën e regjentit të munguar.
Para kësaj situate, Noli nuk u zmbraps. Ndoshta, e kishte parashikuar edhe qëndrimin e njohur kundërshtues të mikut të vjetër". Por nuk mund të lihet pa theksuar vlerësimi që i bëhej figurës së Nolit nga shtypi perëndimor."Kryepeshkopi ka kaluar shumë vite të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetiu jashtë vendit,– shkroi ato ditë korrespondenti i gazetës londineze "The- Times" në Tiranë. – Ai është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, ka studiuar për drejtësi; është shumë i zoti në letërsi e muzikë dhe ka të ngjarë të jetë një kokë më lart se çdo figurë publike shqiptare në fushë të arsimit." Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, kërkesat e shoqërisë demokratike "Bashkimi" u vunë në themel të programit të Qeverisë Noli, e cila premtoi:
-Ç'rrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri.
-Pakësimin e spastrimin radikal të nëpunësve, si dhe sigurimin e të drejtave e përgjegjësive të tyre me ligj
-Ndërrimin e sistemit të taksave në favor të popullit;
-Përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij;
-Lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit;
-Ndreqjen e udhëve e të urave; -Organizimin e degës së shëndetësisë e të arsimit;
-Reformimin radikal të komuneve gjyqësore dhe sigurimin e independencës së vërtetë të gjyqeve;
- Marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet e veçanërisht ma ato fqinje, si dhe lartësimin e prestigjit dhe të kreditit të shtetit në botën e jashtme
-Një ndër prioritete e qeverisë së Nolit ishte fshati dhe bujqësia. Sipas Prof. Nasho Jorgaqit "Shqetësimi dhe përkujdesja e Nolit për fshatin u duken fillimisht në përpjekjen për sekuestrimin e tokave të bejlereve të arratisur, e akoma me shumë në ligjin për lehtësimin e fshatarësisë nga taksat. Por problemi agrar ishte shumë më i gjerë e kompleks. Prandaj Noli, duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, urdhëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe porositi prefekturat që të studionin gjendjen e bujqve për çdo krahinë. Ai, ndërkaq, u njoh me ligjet dhe përvojën e reformave agrare të vendeve të tjera. Por presioni nga poshtë sa vinte e shtohej. Atë që s'arrinte ta bënte qeveria, zunë ta bëjnë vetë fshatarët. Informacionet që i vinin nga Komisioni pranë Ministrisë së Bujqësisë ia vërtetonin këtë. Madje, pengesat dhe rezistenca dukeshin qartë dhe në instancat e larta të shtetit. Vetë regjenti S. Peci ishte kundër. Ai nuk do të firmoste as dekretligjin që urdhëronte të drejtën e përdorimit të ujit të bejlerëve nga fshatarët. Po kështu, as bëhej fjalë për dekretin e sekuestrimit të tokave të bejlerëve të arratisur. Kundër ishin dhe pjesa më e madhe e kabinetit të tij. "Pata shumicën, do të shkruante Noli më vonë, kur në program futëm reformën agrare. Mbetëm pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar atë' Mbështetësit e vërtetë qenë S. Vinjau dhe Q. Koculi, kurse, L. Gurakuqi u tregua i pavendosur, duke kërkuar kujdes dhe maturi. Nolit i duhej ta përballonte këtë situatë. Por dhe ai vetë, me sa duket, nuk ish i përgatitur sa dhe si duhet qe kishte ardhur koha per zbatimin praktik të kësaj reforme madhore. Nuk mjaftonte ti kuptoje nevojat e aspiratat e fshatarësisë, si ndodhte me Nolin. Duhej vendosmëri e guxim për t'iu kundërvënë stuhisë armiqësore të bejlerëve e opinionit konservator, por dhe gjendjes së përgjumur e të indiferencës shqiptare, e cila, me disa përjashtime, tregohej e pasigurt dhe skeptike për ndryshimet që do të sillte reforma agrare". Programi ishte i shkëlqyeshëm, por nuk po realizohej!

Kabineti qeveritar do të përbëhej:
Imzot Fan S. Noli, kryeministër
Kolonel Rexhep Shala, ministër i brëndshëm
Sulejman Delvina, ministër i punëve të jashtme
Kolonel Kasem Qafzezi, ministër i luftës
Stavro Vinjau, ministër i drejtësisë dhe arsimit
Luigj Gurakuqi, ministër i financave
Qazim Koculi, ministër i punëve publike.
Xhemal Bushati minister pa portofol

Për mëkëmbjen graduale me 19 Qershor qeveria e Nolit shpalli programin e më mëposhtëm

1. Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë, pa përjashtim.
2. Vendosja e qetësisë, rendit dhe sovranitetit të ligjit.
3. Të ngremë autoritetin e shtetit mbi çdo pushtet personal dhe jashtëligjor.
4.Të çrrënjosim feudalizmin, të çlirojmë popullin dhe të vendosim përfundimisht demokracinë në Shqipëri
5. Të bëjmë reforma radikale në të gjitha degët e administratës, civile dhe ushtarake.
6. Të thjeshtëzojmë organizimin e administratës dhe ta shurtojmë e ta pastrojmë atë: përveç aftësisë dhe moralit do të merret parasysh edhe atdhetaria e çdo nëpunësi.
7. Sigurimi i të drejtave të nëpunësve dhe përcaktimi i përgjegjësive të tyre do të vendosen me një ligj të veçantë. 8. Të organizojmë prefekturat, në mënyrë që të përmirësojmë kushtet e fshatrave dhe të fshatarëve, duke u dhënë këtyre të fundit kompetenca të gjëra në çështjet lokale.
9. Të baraspeshojmë buxhetin me kursime rrënjësore.
10. Të ndryshojmë sistemin e mbledhjes së taksave në mënyrë të favorshme për publikun
11. Të përmirësojmë kushtet e bujqëve, në mënyrë që të sigurojmë pavarësinë e tyre ekonomike.
12. Të lehtësojmë futjen e kapitalit të huaj, të mbrojmë dhe të organizojmë pasurinë e vendit
13. Të rrisim prestigjin e vendit jashtë.
14. T'i japim liri të plotë bashkiake çdo qyteti. 15.Të bëjmë reforma gjyqësore.
16. Të ndërtojmë rrugë dhe ura të reja dhe t'i kushtojmë kujdes të posaçëm mjeteve të komunikacionit në të gjithë vendin. 17. Të organizojmë kushtet sanitare në të vendin, për të luftuar sëmundjet që po shkretojnë popullsinë.
18.Të organizojmë dikasterin e arsimit me orientime moderne dhe praktike, që shkollat të nxjerrin qytetarë të zotët, atdhetarë të mirë dhe punonjës të aftë.
19. Të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet dhe në veçanti me vendet fqinje.
20-Me kthimin e kushteve normale, ne do të thërresim vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe me votim të fshehtë, të drejtpërdrejt dhe krejtësisht të lirë populli do të japë verdiktin e tij për punën tonë, verdikt të cilit ne jemi të gatshëm t'i nënshtrohemi.

Një gabim të nxitueshëm dhe të pafalshëm e bëri qeveria e re, kur formoi një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave, Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë, po qe se do t'i zënin. Ndiqeshin e persekutoheshin personat e regjimit të Zogut dhe pasanikët e njohur. Ishin futur në një listë 196 veta për t'i gjykuar. Noli ishte kryeministri më i arsimuar dhe më i kulturuar nga të gjithë kryeministrat e qeverive shqiptare dhe të Ballkanit deri atëherë, por edhe deri më sot. Ishte edhe atdhetar i flaktë. Por ato cilësi nuk mjaftonin për të qenë edhe kryeministër i suksesshëm në Shqipërinë e trazuar, nga brenda e nga jashtë. Qeveria e tij nuk u njoh as nga fuqitë e mëdha, as nga shtetet fqinje. Ishte në izolim të plotë diplomatik. Kot u mundua Noli nëpër Europë të fitonte njohjen e qeverisë së tij. Për gjashtë muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte. Marrëdhënie diplomatike qeveria Noli mundi të zhvillojë vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik. Fjalimi i Nolit në Asamblenë e Kombeve ishte brilant nga aspekti letrar dhe retorik, por aspak i dobishëm nga aspekti politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Sepse e vuri në shpoti punën pesëvjeçare të Lidhjes së Kombeve, duke thënë se për pesë vjetë ajo organizatë ndërkombëtare bëri vetëm fjalë. E shpotiti, deri në burleskë, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, për atë hua që nuk po i jipej.
Retorika e Nolit, këtij kryeministri të madh të një vendi të vogël, u prit me duartrokitje frenetike nga delegatët e Asamblesë, dhe u bë magnet për mediat botërore, që e lavdëruan deri në kupë të qiellit, por Qeverisë dhe Shqipërisë së tij nuk i solli asnjë dobi. Për shkak të pamundësisë për të zbatuar reformat që kishte premtuar, entusiazmi i shtresave popullore u shndërrua në zhgënjim ndaj qeverisë së Nolit. Fan Stilian Noli është një nga figurat me njohuri të thella në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha. Noli ishte shkrimtar, filozof, publicist, poliglot, përkthyes, orator, diplomat, politikan, historian, muzikant e teolog. Ai është themelues i Federatës Vatra, si dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Figura politike e Fan Nolit mbetet një nga më të shndritshmet në panteonin shqiptar të baballarëve të kombit. Atmosfera e paknaqësisë së brendshme dhe të jashtme ndaj qeverisë Noli, i shkonte në favor synimeve të Zogut për t'u kthyer e marrë përsëri qeverisjen e Shqipërisë, me dhunë sikur që ishte detyruar ta lejë atë. Dhe këtë e bëri më 24 dhjetor 1924, kur u kthye në Tiranë, dhe më 6 janar 1925 mori drejtimin e qeverisë. Noli, me rreth 350 personalitete tjera u arratis nga Shqipëria, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe, të cilin e deshi aq shumë, por në të cilin jetoi vetëm 5 vjet, nga tërë mosha e tij 83-vjeçare. Edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në megrim, Noli tërë dijen, përvojën dhe lidhjet miqësore me personalitete dhe institucione të rëndësishme të Amerikës, i vuri në shërbim të afirmimit dhe përparimit të Atdheut të vet, Shqipërisë.

Vdiq më 13 mars 1965 dhe u vorros në Masaçusets, ShBA.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes